Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Larg apo afër Europës?

Shkruar nga: Arjan Konomi  
Botuar më: 14 vite më parë

Arjan Konomi
Larg apo afër Europës?

Vitet e fundit mund të thuhet se politika e jashtme e Shqipërisë ka patur një sërë arritjesh thelbësore duke i shënuar Shqipërisë një kthesë rrënjësore në arenën ndërkombëtare në krahasim me pozicionin e para pak viteve. Mund të thuhet që janë ndryshimet më të mëdha që mund të kenë ndodhur qysh nga periudha e njohjes së shtetit të parë të pavarur shqiptar.

Të vendosur në shekuj në kufijtë perëndimorë të një realiteti lindor mund të themi se sot për herë të parë në historinë shumëshekullore jemi më afër Europës se kurrë. Këtë kufi nuk mund ta kalonim lirisht as në kohën e Bizantit, as gjatë Perandorisë Osmane, as me lindjen e shtetit shqiptar e as në kohën e mbretërisë së Zogut. Aq më keq në kohën e komunizmit.

Rrëzimin e diktaturës shumica e shqiptarëve e shikonin të lidhur me lirinë për të shkuar në Europën perëndimore, të lirisë e të mirëqenies. Por ishin të shumtë ata që nuk e mendonin se kjo do të ishte përsëri e vështirë. Kësaj here, jo prej pengesave të shtetit tonë, por prej vetë Perëndimit, i cili nuk lejoi lëvizjen e lirshme të shqiptarëve.

Kështu nisën eksodet e famshme që çuditën botën. Fillimisht ai i ambasadave, më pas i anijeve të mbushura me njerëz, për të vazhduar me transportin e gomoneve që vepronin si agjensi udhëtimi. Ëndrra e shqiptarëve për të kaluar këtë kufi mbeti po aq ëndërr sa shekuj me radhë. Sot, mund të themi se pas qindra vitesh ne mund ta kalojmë lehtë kufirin tonë perëndimor.

Hyrja e Shqipërisë në Nato ishte hapi i madh që na afroi me këtë pjesë të Europës. Edhe pse nuk mundësoi lëvizjen e lirshme ky integrim solli shumë shpresa. Dukej e afërt dita e realizimit. Dhe koha e vërtetoi këtë. Europa e Bashkuar e me të edhe disa vende të tjera, hapi portën për shqiptarët duke i dhënë fund vuajtjeve, rreziqeve për jetën e trafikimeve ilegalë si dhe korrupsionit për shkak të vizave. E paimagjinueshme disa vite më parë.

Integrimi europian ka njohur disa hapa pozitivë edhe pse tepër të ngadaltë nga hapja e negociatave të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit te firmosja e saj e me rradhë, deri tek pritja e statusit kandidat për t’u anëtarësuar në Europën e Bashkuar. Status që na u refuzua.

Por çfarë është Europa e Bashkuar? Një realitet politik, gjeopolitik, juridik apo ekonomik? Kësaj pyetje shumë vështirë e kanë t’i japin përgjigje edhe vetë europianët e bashkuar. Një gjë dihet më shumë siguri. Se do të kalojë shumë kohë që një gjerman ta quajë veten europian më parë se gjerman. Po kështu një francez, një suedez e ndoshta kurrë një anglez apo norvegjez.

Mosdhënia e statusit kandidat për në BE e shtyn më larg në kohë antarësimin e vendit tonë. Ndoshta do të duhen edhe pesë vjet të tjera, ndoshta më shumë. Por ajo çfarë na interesonte më tepër ishte lëvizja e lirë. Në psikologjinë kolektive tonën hyrja në Europë është e lidhur ngushtë me lëvizjen e lirë.

Të gjithë kemi dashur të bëhemi pjesë e Europës, e kemi ëndërruar dhe shpresuar vetëm që të mos na duhej vizë për të kaluar kufirin. Që të qarkullonim lirshëm nga një shtet në tjetrin, që të mos vuanim dyerve të ambasadave, mos të rrezikonim jetën në Kanalin e Otrantos, mos të paguanim një vizë për pak kilometra me të njëjtin çmim që bëhet një udhëtim rreth Botës, që mos të na dridheshin gjunjët në pikat kufitare e në çdo kontroll policie edhe kur i kishim të gjitha dokumentat në rregull. Vetëm për faktin se ishim shqiptarë e viza jonë do të vërehej me shumë vëmendje.

Kemi fituar një liri që në përmasat e saj mund të krahasohet me ardhjen e demokracisë. Njerëzve në fund të fundit u intereson pikërisht kjo liri, dhe janë të shumtë ata që nuk arrijnë ta kuptojnë paradoksin që, ndërkohë që hiqen vizat mohohet statusi i vendit kandidat. Por në fund të fundit shqiptarët e konsiderojnë  një çështje qeverish e la ta zgjidhin ata si të duan.

Para disa vitesh më qëlloi të dëgjoja në samitin e Natos në Pragë presidentin kroat të asaj kohe, Stipe Mesiç, i cili i indinjuar nga politika distancuese europiane ndaj vendit të tij u shpreh se, kur ata të kishin arritur tërë parametrat ekonomikë e socialë, që të ishin të barabartë me vendet europiane e në këtë mënyrë të plotësonin kushtet për t’u anëtarësuar, atëherë ata do të ishin shumë të zhvilluar ekonomikisht e pak do t’u interesonte nëse hynin apo jo në BE.

Do doja të përdorja llogjikën e tij për rastin e vendit tonë. Nëse një ditë do të kemi përparuar ekonomikisht e do të kemi siguruar një mirëqenie të lartë pak do të na hyjë në punë jemi apo nuk jemi në Europën e Bashkuar. Aq sa mund t’i interesojë sot një zviceriani.

Ndaj ne shqiptarët, le t’i` gëzohemi heqjes së vizave dhe lëvizjes së lirë. Për të tjerat, le t’i gëzohet qeveria apo qeveritë që do të vijnë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama