Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Vepro tani!

Shkruar nga: Aleksandër A. Arvizu  
Botuar më: 12 vite më parë

Aleksandër A. Arvizu
Vepro tani!

Gjatë kohës sime në vendin tuaj të bukur jam shfaqur përpara kamerave disa herë për të thënë se në këndvështrimin tim asnjë vend nuk ka bërë më shumë përparim në 21 vitet e shkuara se sa Shqipëria. Kjo ka të bëjë me shpirtin e pamposhtur të shqiptarëve kudo. Ky përparim është i vërtetë dhe ju me të drejtë duhet të jeni krenarë për të.

Por është e drejtë dhe me vend të pyes: A po shkon vendi në drejtimin e duhur? A po e realizoni ju si shqiptarë potencialin e plotë të vendit tuaj?

Disa muaj më parë, disa prej jush në auditor takuan një vizitor nga Uashingtoni, përgjegjësia kryesore e të cilit është të shërbejë si i dërguari i posaçëm i sekretares Klinton për nxitjen e demokracisë dhe të shoqërisë civile. Ai dhe unë u goditëm prej një komenti të bërë prej njërit nga ju, por të përkrahur nga të gjithë të pranishmit. Komenti ishte se në vitet e fundit, hapësira për shoqërinë civile ishte ndrydhur, ishte zvogëluar.

Një gjë e tillë më shqetësoi dhe, të them të drejtën, përgjigjja nuk është krijimi i një zyre qeveritare që mbikëqyr dhe drejton shoqërinë civile. Përgjigjja është t’i jepet më shumë hapësirë, jo vetëm shoqërisë civile, por individëve, që t’iu përgjigjen më shumë shqetësimeve të qytetarëve, që në fakt të dëgjojnë atë që njerëzit kanë për të thënë.

Jo shumë kohë më parë, shumë shqiptarë u nxitën për veprim nga planet e raportuara për importimin e tonelatave me mbeturina nga jashtë vendit. Ndërkohë që pjesë të Shqipërisë duken të mbytura në plehra, shqetësimi i shprehur prej disa qytetarëve dukej me vend.

Dua ta bëj të qartë se nuk më takon mua apo SHBA-ve që të japin gjykime mbi këtë çështje. Por, një pyetje e kam: Përse e kanë penguar mekanizmat ligjorë të shtetit zhvillimin e referendumit? Përse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve – që ka detyrën të veprojë brenda një kohe të caktuar mbi kërkesën për referendum të mbështetur prej 50 000 firmuesve –  përse KQZ po minon edhe njëherë besimin e publikut në aftësinë e tij për të vepruar me paanësi dhe në interes të të gjithë qytetarëve, dhe jo vetëm të pak të përzgjedhurve?

Ndërkohë që pranojmë përparimin e jashtëzakonshëm që është bërë, le të ndalojmë për një çast dhe të shqyrtojmë realitetin e vështirë, dhe ndonjëherë të zymtë, me të cilin përballen me dhjetëra mijëra shqiptarë, 24 orë në ditë, 7 ditë të javës, 365 ditë të vitit.

Le të flasim pak mbi këtë nismë që ne e quajmë: Vepro Tani!

Para së gjithash, për kë është? Është për çdo qytetar të Republikës!

Për çfarë bëhet fjalë: Ndryshimin që duan të gjithë, ndryshimin për të cilin flasin të gjithë!
Për ku bëhet fjalë? Për çdo cep të kësaj toke të bekuar.

Për pikëllimin që ndiejnë studentët, pedagogët e drejtuesit e universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, kur një autobus i mbushur me bashkëstudentët e tyre ra në një luginë nga një qafë e rrezikshme pranë Himarës. Për hidhërimin në Dukagjin, ku një familje humbi vajzën e vet 17-vjeçare nga dhuna e pakuptimtë e një lloji që s’duhet të ketë vend në Shqipërinë e shekullit të 21-të. Për zemërthyerjen e banorëve të hershëm të Sarandës që kanë parë se si qyteti i tyre piktoresk ka humbur shumë prej hijeshisë së vet teksa shndërrohej në një kanion prej betoni. Për zemërthyerjen e qytetarëve të Gjirokastrës që shohin pafuqishëm teksa neglizhenca bën që shtëpitë historike shemben. Për zemërthyerjen e qytetarëve të kryeqytetit, Tiranës, ku ngarja e makinave përbën një veprim, ndërsa vozitja e makinave është kuturu dhe e rrezikshme për këmbësorët, sikurse dhe për shoferët e makinave të tjera.

Vepro tani! Kur është koha? Koha është tani, në këtë çast.

Dhe pse? Sepse unë e di që keni në zemër të ardhmen dhe mirëqenien e fëmijëve tuaj, të të dashurve tuaj, vetes tuaj dhe të kujtdo në Shqipëri.

Më lejoni të ndaj me ju një histori nga Amerika. Kur vajza 13-vjeçare e Candy Lightner, e quajtur Keri, u godit dhe u vra nga një shofer i dehur në Kaliforni në vitin 1980, ajo u shkatërrua. Kur shoferit iu dha një dënim i lehtë, Candy Lightner u nxit të vepronte. Organizoi një grup të vogël për të ndryshuar qëndrimin e publikut mbi përdorimin e alkoolit dhe të ngarjes së makinës në Shtetet e Bashkuara. E quajti grupin e saj “Nënat kundër ngarjes së makinës në gjendje të dehur”, MADD. Emri u bë i famshëm. E shtyrë për të ndryshuar mendësinë e bashkëqytetarëve të saj amerikanë, Lightner avokatoi për ndryshime legjislative. Filloi programe edukuese për t’iu mësuar adoleshentëve rreziqet e ngarjes së makinës në gjendje të dehur. U shkroi zyrtarëve të zgjedhur të saj, i dha mësime publikut dhe punoi pa reshtur për të krijuar ndryshimin që ajo donte të shihte në Shtetet e Bashkuara.

Tridhjetedy vjet më pas, “Nënat kundër ngarjes së makinës në gjendje të dehur” është një nga OJQ-të më të fuqishme në Shtetet e Bashkuara. Është përgjegjëse për ndryshimin e ligjeve në pothuajse çdo shtet të vendit dhe merr miliona dollarë donacione në vit për të vazhduar ndryshimin që Lightner nisi kur u ndie e frymëzuar për të vepruar.

Tani e di me saktësi se ç’po mendojnë shumë prej jush: “I shkreti z. Arvizu. Ndoshta për mirë e ka, por këtu jemi në Shqipëri. Gjërat janë ndryshe këtu”.
Nuk ka pse të jetë ashtu.

Se për mua, bukuria e Shqipërisë dhe e vendit tuaj është që në thelbin tuaj, në bërthamën tuaj, jeni njësoj si njerëzit kudo gjetkë, anekënd botës. Me të njëjtat shpresa. Të njëjtat frikëra dhe ankthe. Të njëjtat ëndrra.

Është koha që të ndërmerren këto hapa të parë të rëndësishëm që ëndrrat të shndërrohen në realitet. Çdo udhëtim nis me një hap të parë. Dhe ky nis së brendshmi prej shpirtit që vlon shndritshëm në zemrën e çdo qytetari shqiptar.

Presidenti Obama frymëzoi miliona amerikanë dhe miliona në mbarë botën kur tha këto fjalë të thjeshta: “Po, ne mundemi!”
Ndaj, po, ju mundeni!

Keni fuqinë për t’i ndryshuar gjërat. Por, për ta bërë këtë, duhet të besoni te vetja dhe te fuqia që zotëroni për të përmirësuar jetët e të gjithë shqiptarëve.
Unë nuk jam naiv. Ndryshimi i vërtetë dhe jetëgjatë nuk ndodh brenda ditës. Ju i dini më mirë se unë pengesat që gjenden në rrugën tuaj, ato pengesa të ndryshimit që gjenden këtu në Shqipëri.

Dua të ndalem paksa te shprehja që kemi përdorur, “Vepro tani!”. Është përkthyer. Të gjithë e dini anglishten më mirë se sa unë gjuhën shqipe, ndaj mendoni: ACT – nënkupton “Shqiptarët e Mbledhur Bashkë – Tani”. Ky është kuptimi. Shqiptarët të bashkuar në një, tani. Që edhe si individë, por edhe së bashku, jo vetëm të sfidoni, por edhe të hidhni tej mendësitë e rrënjosura dhe mënyrat e vjetra se si bëhen gjërat. Mendoni për problemin apo çështjen që është e rëndësishme për ju personalisht, për familjen tuaj, për miqtë tuaj, për vendin tuaj. Mund të jetë e madhe, mund të jetë e vogël, në fakt, nuk ka fare rëndësi.

Besoj që është e rëndësishme që simbolikisht secili të zotohet se do të veprojë për problemin apo çështjen që ka rëndësi për ju. Pas pak minutash do të dëgjoni disa sugjerime mbi atë se si mund të bëhet ky zotim. Duam t’ju ndihmojmë dhe do ta bëjmë këtë, por agjentët e ndryshimit duhet të jeni pikërisht ju.

Ne në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara duam të dëgjojmë se çfarë plani keni për ndryshim. Kemi krijuar një hapësirë të re në faqen Facebook të Ambasadës, ku mund të ndani drejtpërdrejt me ne planet tuaja për veprim. Pra, përdoreni Facebook-un, bëni ç’të mundni, por na i thoni idetë tuaja. Na thoni ç’po bëni për të përmirësuar jetën në komunitetin tuaj dhe anekënd Shqipërisë. Na tregoni historitë tuaja, sukseset tuaja, që të mund të informohemi më mirë dhe të na ndihmoni të përhapim fjalën për të frymëzuar të tjerët për të njëjtën gjë.

Më lejoni ta mbyll me një citim që s’kam dyshim që është shumë i njohur për shumë prej jush: “Ne i ruajmë këto të drejta si të vetëkuptueshme, që të gjithë njerëzve Krijuesi u ka dhënë të drejta të caktuara të patjetërsueshme dhe, mes këtyre, janë e drejta për Jetën, Lirinë dhe kërkimi i Lumturisë. Që për t’i siguruar këto të drejta, mes njerëzve krijohen qeveri, të cilat fuqitë e tyre i marrin prej pëlqimit të atyre që qeverisin”.
Ky citim është nga Deklarata Amerikane e Pavarësisë.

Në më pak se dy javë, amerikanët kudo do të festojnë 236-vjetorin e pavarësisë sonë. Sa e përshtatshme do të ishte që në 2012-n – këtë 100-vjetor të pavarësisë së Shqipërisë – të mund të kishte një deklaratë të ngjashme pavarësie, një përkushtim të ripërtërirë prej çdo qytetari shqiptar të shqetësuar për t’u ndarë nga trashëgimia e së shkuarës.

Njëzet e një vite më parë shumë shqiptarë të guximshëm, disa prej jush në këtë sallë, rrëzuan statujën e Enver Hoxhës dhe errësirën që simbolizonte regjimi i tij. Duke e bërë këtë, ata dhe ju mbollët farat e demokracisë moderne shqiptare. Për të ndërtuar mbi atë trashëgimi mendoj se ka rëndësi kritike që të: Veproni tani!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama