Paraja jashtë bankave ka shënuar një rritje të fortë në muajin maj, një tendencë kjo që është vërejtur pothuajse gjithmonë në dy muajt përpara zgjedhjeve.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në maj 2015 paraja jashtë bankave arriti në 222.6 miliardë lekë, me një rritje prej 2.4% apo rreth 38 milionë euro në raport me muajin paraardhës, duke shënuar zgjerimin më të madh të këtij treguesi gjatë këtij viti.
Të dhënat e qershorit publikohen pas një muaji, por në bazë të sjelljes së mëparshme vlerësohet që tendenca rritëse e parasë që qarkullojnë jashtë kanaleve bankare të ketë vazhduar.
Fillimi i ethshëm i fushatës, shpenzimet e shumta për materiale promocionale, karburante, organizime aktivitetesh etj, kanë shtuar paratë në qarkullim.
Kjo është një sjellje që konstatohet rëndom sa herë ka zgjedhje, sidomos ishte mjaft e fortë në zgjedhjet parlamentare të 2013-s. Në atë kohë, për periudhën mars qershor 2013 u larguan nga bankat 110 milionë euro.
Zgjedhjet, kosto e të cilave është shumë e vështirë për t’u vlerësuar, për shkak të mungesës së transparencës së shpenzimeve nga pjesa më e madhe e partive, duket se kanë ndikuar në rritjen e qarkullimit të parasë në ekonomi.
Po sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, paraja gjithsej u rrit me 5.8 miliardë lekë, pas disa muajsh kur ky tregues i rëndësishëm për ecurinë e aktivitetit ekonomik kishte shënuan një ecuri të dobët.