Mjeku otorinolaringolog ballafaqohet çdo ditë me problemet e shqisave, por humbjen e të nuhaturit e has shpesh edhe një mjek neurolog apo alergolog, ndaj edhe ajo shpjegon se ndonëse nuk duhet rritur niveli i alarmit, problemet që shfaqen me nuhatjen nuk duhen neglizhuar. Në një intervistë për gazetën “Mapo” dr.Klodiana Zaharia, mjeke otorinolaringologe pranë Poliklinikës së Specialiteteve Nr.3 shpjegon së kur duhet shqetësuar në rast të shfaqjes së problemeve me nuhatjen.
Si të gjitha shqisat edhe nuhatja është pjesë shumë e rëndësishme e jetës sonë. Të nuhaturit shërben shpesh si sinjali i parë i kujdesit dhe alarmit, p.sh. në rastin e tymit të një zjarri, ushqimi të prishur, rrjedhje gazi apo tymi të rrezikshëm. Por, të nuhaturit na jep kënaqësinë e madhe të shijimit të ushqimit dhe aromës së tij, në këtë aftësi është zhvilluar kulinaria dhe degustimi, si pjese e pandarë e paketave turistike.
Të nuhaturit e aromave të këndshme të luleve e parfumeve të markuara ( industria e kozmetikës, nga më fitimprurëset, mbështetet te shitjet e saj në bazë të shijeve të nuhatjes, e duhet të pranojmë që “të nuhaturit” është në edukim të vazhdueshëm!!).
Po ashtu efekti i feromoneve ( molekulave proteinike që përhapen në ajër në trajtën e aromës personale), është përcaktues në sjelljen tonë, sidomos në çift. Puthja ndodh në të gjitha llojet e kulturave humane dhe është një nga mënyrat e transmetimit të ferormoneve personale e identifikuese. Mendohet dhe është vërtetuar tashmë se dhe nëna, në çastin e parë që merr fëmijën në krahë, duke e puthur i transmeton atij feromonet e veta, duke vendosur kështu një lidhje tejet të fortë e të pathyeshme. Bebet e sapolindura ndjekin vetëm me anë të shqisës së nuhatjes gjirin e nënës, duke njohur aromën unike të nënës së tyre, gjë që i çon drejt ushqyerjes së shëndetshme me qumështin e saj. Ulja e aftësisë së nuhatjes automatikisht çon në ulje të lidhjeve emocionale. Mjeku otorinolaringolog ballafaqohet çdo ditë me problemet e shqisave , por humbjen e të nuhaturit e has shpesh edhe një mjek neurolog apo alergolog.
Problemet
Humbja e nuhatjes, shkon paralel me plakjen, apo mund të ketë shkaqe të tjera? Humbja e pjesshme e nuhatjes shkon natyralisht me plakjen, sidomos pas të gjashtëdhjetave. Ky lloj problemi quhet prebiosmia dhe është vështirë të parandalohet. Ka dhe faktorë të tjerë që mund të ndikojnë në uljen e të nuhaturit si; probleme të hundës dhe sinuseve, alergjitë e ndryshme, sinusiti, apo polipet nazale, disa medikamente ku hyjnë beta-bllokuesit apo ACE, higjiena e dobët e gojës dhe dhëmbëve, duhanpirja, trauma e kokës apo fytyrës, morbus Alzheimer, sëmundja e parkinsonit, çrregullime hormonale, rrezatim i kokës dhe qafës në sëmundje të ndryshme tumorale. Humbja e nuhatjes dhe shijes mund të ketë rol kyç në cilësinë e jetës dhe shpesh çon në ulje të oreksit dhe nënushqyerje. Ka dhe raste kur humbja e të nuhaturit çon në depresion. Madje, në disa raste është vënë re që personat që ekzagjerojnë me përdorimin e kripës ose sheqerit, në mënyrë për ta shijuar më tepër ushqimin, gjë e cila rrit problemet te pacientët me tension të lartë ose me diabet.
Megjithëse humbja e nuhatjes tek të moshuarit është vështirë të trajtohet, disa raste të tjera mund të trajtohen fare mire. Pra, nëse keni humbje të të nuhaturit, konsultohuni me doktorin tuaj!! P.sh. ai mund të bëjë ndryshime në skemën e mjekimit, n.q.s. medikamentet janë shkaku i uljes së nuhatjes. Po ashtu, shumë gjendje të hundës dhe sinuseve janë të trajtueshme dhe me rezultate shumë të kënaqshme p.sh. rritja e kujdesit për gojën dhe higjiena adekuate dentare. Po ashtu, është parë se tymi i duhanit ul aftësinë e prezantimit të odoranteve me mukozën olfaktore, ndaj dhe ulja e numrit të konsumit të cigareve mund të përmirësojë nuhatjen.
Trajtimi korrekt i polipeve nazale, të cilët bllokojnë mekanikisht mukozën olfaktore dhe nuk lejojnë odorantet të shkojne aty, sjell përmirësim të dukshëm të nuhatjes. Evitimi maksimal i alergjenëve, shkaktarë të kongjestionit nazal rrit ndjeshmërinë e mukozës së hundës ndaj odorantëve. Ekspozimi për kohë të gjatë ndaj disa lëndëve kimike si, insecticide apo solventëve të ndryshëm mund të sjellë dëmtime të përhershme të të nuhaturit.
Testet për çrregullimet e nuhatjes:
Testi më i shpeshtë është “gërvisht e nuhat”, i cili përcakton sa odorante të ndryshëm mund të zbulojë pacienti, nga një listë prej 20 mundësish.
Ulje e nuhatjes- hiposmia
Zhdukja e nuhatjes- anosmia
Ndijim erërash inekzistente-disosmia
Shumë persona rigjenerojnë nuhatjen me kalimin e sëmundjes që e shkaktoi.
Hapa që duhen ndjekur në rast rënie të nuhatjes:
Nëse je në fazë gripale, prit disa ditë, përdor lagështues të ajrit dhe preparate antigrip
Ul konsumin e cigareve, ose lëre fare për disa ditë
Evito ambientet me pluhura, solvente e kimikate
Përdor dekongjestionante të hundës për 3 deri 4 ditë dhe integratorë alimentarë me bazë gingo biloba
Nëse nuk ndiheni më mirë pas 5 ditësh të çrregullimit të nuhatjes, kërko ndihmën e mjekut specialist otorinolaringolog!!
Studimi:
Sipas një studimi, humbja e ndjenjës së të nuhaturit mund të jetë një nga shenjat e hershme paralajmëruese për sëmundje të rënda neurologjike. Dihet se aroma apo era përbëhet nga grimca molekulash shumë të vogla që thithen nëpërmjet hundës dhe shkojnë në qelizat përkatëse të trurit. Shpesh një aromë na kujton një kohë apo vend të caktuar. Pra del se ndjenja e aromës ka lidhje me kujtesën dhe kur kjo ndjenjë humbet, duket se në qelizat e trurit ka ndodhur diçka. Studimi i ri lë të kuptohet se humbja e aftësisë për nuhatje mund të jetë shenjë e shtimit të rrezikut për prekjen nga sëmundja e Parkinsonit, sëmundje e rëndë neurologjike. Shkencëtarët në shtetin Havai morën në shqyrtim më shumë se 2 mijë persona të cilëve iu tha të provonin erëra apo aroma të ndryshme. Gjatë provave, pjesëmarrësve iu dha të nuhasnin aroma duke filluar nga limoni, gazi natyror, e sapun e iu kërkua atyre të identifikonin erën përkatëse, pra nga cili objekt vinte.
Rezultatet treguan se personat që nuk ishin në gjendje të përcaktonin aromat përkatëse kishin 5 herë më shumë gjasa të prekeshin më vonë nga sëmundja e parkinsonit, në krahasim me pjesëmarrësit e tjerë që u treguan më mirë përsa përket identifikimit të aromës. Sipas studimit, ndjesia e nuhatjes shpesh duket se zhduket 4 vjet përpara shfaqjes së shenjave të zakonshme të Parkinsonit siç janë dridhjet e gjymtyrëve dhe vështirësi në ecje. Studime të mëparshme kanë treguar se një pakësim i ndjenjës së nuhatjes ndonjëherë paralajmëron edhe Alzhajmerin, gjithashtu sëmundje neurologjike. Kjo i bën shkencëtarët të mendojnë se dobësimi i kësaj ndjesie mund të jetë shenjë paralajmëruese e vdekjes së qelizave të trurit që janë përgjegjëse për nuhatjen. Ekspertët këshillojnë që njerëzit të cilët provojnë një humbje të papritur e të pashpjegueshme të nuhatjes duhet t’a diskutojnë këtë gjendje menjëherë me mjekun e tyre.