Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Intelektualë apo shqytarë

Shkruar nga: Fatos Lubonja  
Botuar më: 14 vite më parë

Fatos Lubonja
Intelektualë apo shqytarë

Kur prishet karakteri, zbehet inteligjenca – thotë një fjalë e urtë. Mirë, po ç’lidhje ka inteligjenca me prishjen e karakterit, do të thotë ndonjë lexues; historia na jep plot shembuj njerëzish pa karakter, por inteligjentë e të talentuar. Sipas meje ka lidhje dhe, përpara se ta argumentoj, po e bëj të qartë se e kam fjalën kryesisht për inteligjencën e asaj kategorie që quhen intelektualë të shekullit XX–XXI dhe, po ashtu, se nuk kam parasysh jetën e tyre private, madje as atë që Kanti e quan “përdorimi privat i arsyes”, kur kjo është thjesht në shërbim të profesionit të ngushtë të individit, por karakterin dhe inteligjencën të shprehur në veprat/aktet e tyre publike, në “përdorimin publik të arsyes” pra.

Idealisht rolin e intelektualit – nëse do t’i referohesha metaforës së famshme të Platonit, asaj të shpellës, – do ta krahasoja me atë të atij të burgosurit që çlirohet nga zinxhirët, që nuk e lënë të shohë veçse hijet e projektuara në mur të dritës së diellit që i bie nga prapa, që arrin të kthehet drejt kësaj drite me trup dhe me mendje dhe, pasi e njeh atë nëpërmjet atij procesi, që Platoni e quan konvertim, kthehet t’ua kumtojë të tjerëve, që kanë mbetur të lidhur, me qëllim çlirimin e tyre. Më duket se edhe kur flitet për pavarësi të intelektualit, duhet të kuptojmë pikërisht atë se ai, nëpërmjet konvertimit, bëhet i pavarur nga këta zinxhirë, dhe “varet” tek drita që ai ka parë, çka, pa metafora, do të thotë tek vizioni i tij për botën, parimet, vlerat, idetë, idealet, të vërtetat në të cilat beson, dhe vepra e tij publike duhet ta marrë inspirimin pikërisht tek kjo dritë. Thënien në fjalë e interpretoj kështu pra: se kur inspirimi nuk vjen nga kjo dritë, por nga motive të ulëta, atëherë inteligjenca do të flasë më shumë për terrin e hijeve të shpellës sesa për dritën.

Është tmerrësisht zhgënjyese kur sheh se si, megjithëse roli çlirues i njeriut të ditur është kultivuar qysh prej kohëve të Sokratit e Platonit, në këtë vendin tonë, edhe njëzet vjet pas rënies së diktaturës, sheh një kategori që, megjithëse e quajnë veten intelektualë, punojnë me përkushtim të paparë për t’i mbajtur njerëzit të lidhur me zinxhirë, të dënuar vetëm për të parë hijet e kokës së tyre të projektuara në murin përballë. Së fundmi e përjetova këtë zhgënjim, që s’është i pari, duke lexuar reagimet e disa të ashtuquajturve intelektualë ndaj shkrimit tim “Kadare Rama – memuaristika si operacion plastik.”

Në shkrim ngrita shqetësimin për një fenomen tejet të rëndë që po ndodh jo thjesht në letrat shqipe, por në kulturën e kësaj periudhe: atë se pushtetparaja dhe videokracia, si dy anë të së njëjtës medalje, po uzurpojnë dhe banalizojnë me paturpësi çdo gjë, deri edhe altarin e librit, duke bërë që libra jo vetëm të mbushur me gënjeshtra, çka mjafton për t’i skualifikuar, por edhe libra shumë të dobët nga pikëpamja e punës së derdhur, për sa i përket kulturës së autorit si thellësi e mendimit e gjykimit, strukturës, stilit, të suspensit, koherencës së veprës etj., në sajë të kulturës së manipulim simulimit, të promovuar nga pushteti i videokracisë, po prezantohen si kryevepra duke thelluar krizën e vlerave morale intelektuale që po kalon shoqëria shqiptare.

E bëra pa pretenduar se argumentet e mia ishin të padebatueshme, por i bindur, megjithatë se hyrja me çizmet banale të pushtetit deri edhe tek altari i librit të vërtetë ishte shprehje e një shqetësimi që e kam dëgjuar të ngrihet gjatë Panairit të fundit nga shumë njerëz të intelektit në shoqërinë tonë. U përpoqa të argumentoj në këtë kontekst se libra të tillë, si shprehje e kulturës së manipulim simulimit në funksion të pushtetit jo të së vërtetës, nuk e ndihmojnë njeriun shqiptar të zhvillojë personalitetin e vet, por i ofrojnë modele se si të bëhet shpejt e shpejt personazh “i suksesshëm” duke vrarë personin dhe të vërtetën brenda vetes e, më keq akoma, duke u bërë rob e vegël e pushtetit.

Ajo që më bëri përshtypje, ishte se ndërsa një numër jo i vogël, për të mos thënë i madh lexuesish, më dhanë të drejtë, personalisht apo nëpërmjet komenteve në internet, në mediat tona askush nuk e trajtoi thelbin e problemit që ngrita, madje disa të ashtuquajtur intelektualë të videokracisë dhe të mediokracisë të majtë e të djathtë, u rreshtuan duke më sulmuar në mbrojtje të këtyre librave në një mënyrë të tillë që më kujtuan edhe një herë thënien se, kur prishet karakteri, zbehet inteligjenca.

Shkrimet ishin tejet të dobëta, më keq se librat për të cilët bëja fjalë, dhe dobësinë e tyre nuk ke si i shpjegon ndryshe, veçse me faktin se autorët nuk i ka shtyrë interesi për të thelluar, nëpërmjet debatit e dialogut të sinqertë, njohjen e problemeve që ngrija, por nevoja/detyrimi për të mbrojtur punën e ulët si shqytarë të mbretit, që i bën të mos reshtin së na thëni se sa i bukur është kostumi i tij, ndërkohë që ai është cullak. Në këto kushte arsyetimi intelektual, apo “përdorimi publik i arsyes”, dhuntia më sipërore e njeriut arriti të katandiset tek disa deri në lehje “qeni roje” të padronit.

Si ilustrim më elokuent i shndërrimit të intelektualit në shqytar e kostumveshës të padronit do të zgjidhja reagimin e dr. Ardian Klosit. “Fatosi sheh Edi Ramën në pasqyrë dhe kupton dështimin e tij si politikan, si shkrimtar, si njeri në jetë… prandaj reagon kështu”, shkruante doktori i shkencave, duke provuar se inteligjenca e tij nuk ka kuptuar pikërisht thelbin e asaj që kam ngritur: se, fatkeqësisht, për t’u bërë “i suksesshëm” në Shqipëri, duhet o të kapësh pushtetin politik, o të bëhesh shërbëtori i tij, dhe se ky nuk është sukses, por dështim. Si përgjigje mund t’i thosha se etika që mundohem të respektoj në jetë do të më bënte që, sikur të më shfaqej në ëndërr vetja sikur isha autori i asaj që i ka bërë Tiranës Edi Rama këta 10 vjet, do të isha zgjuar i llahtarisur e do të ndieja çlirim të madh që jam në ëndërr. Po ashtu, ajo s’do të më lejonte kurrsesi, si shkrimtar gazetar që, për të arritur “suksesin” e veprës sime, në vend se të punoja pa pushim mbi libra e letra, të kapja pushtetin politik e në sajë të këtij të uzurpoja edhe artin, letërsinë e ç’të mundja, aq më tepër duke tradhtuar të vërtetat e mia. Kurse si botues (edhe i Edi Ramës e Klosit), po të më kishte rënë për të redaktuar një libër si “Kurban”-i, jo vetëm nuk do t’i kisha thënë Ok botimit, siç ka bërë doktor Klosi, por do t’i kisha thënë autorit se përveçse ka nevojë për një tjetër Edi Ramë që të jetë vërtetëthënës, nga pikëpamja e strukturimit, e koherencës stilistikore, të zhanrit e të mendimit – që të bëhet pra libër, ka nevojë të paktën për dy vjet punë të tjera, sepse kështu është ende në një gjendje që mund të quhet diarre e Edi Ramës, sepse s’bën vaki që një “program politik”, siç e quan Klosi librin, të shkruhet në stilin e një përroi psikik, me fjali të gjata një faqe.

Mirëpo, intelektualit që e quan veten edhe ambientalist iu dukërka për t’u pasur zili puna e Edi Ramës në Tiranë, s’arritkërka të konceptualizojë se shëmtimi i Shqipërisë që përshkruan Edi Rama e ka pamjen e vet emblematike, fizike dhe morale, në Tiranën që ndërtoi Rama me politikën “një pallat, një votë” dhe arritkërka deri aty sa s’ngurrokërka që, ndonëse përkthyes e botues autorësh të shquar, të na bindë për vlerat e librit me gjuhën e një shitësi injorant kioskash, që s’ka lexuar një libër në jetën e tij, e që, prandaj, e mat vlerën e tyre vetëm me numrin e shitjeve.

Duke huazuar, jo me shumë kënaqësi, stilin e shkrimeve të tij, që kërkojnë të godasin njeriun jo argumentet e tij (duke e reduktuar debatin ne zili, xhelozi të individit), por përsëri pa shpifur, pa krijuar një realitet që nuk të përket – sipas parimit “pështy, pështy se kështu do jemi të gjithë të pështyrë” – siç bën ai, do t’i thosha se një mik më këshilloi të mos merrem me këtë rast të pashpresë degradimi të intelektualit në lek-tual, që personin e tij e kthen lehtësisht në personazh vrasësi me pagesë në filmin e radhës, sepse tashmë është bërë proverbiale sjellja e këtij personazhi që, pasi në një film të mëparshëm i hipën avionit për të marrë pjesë në një ceremoni ku t’i merr ndonjë çmim ndërkombëtar, apo deklaron se librin tënd mund ta ketë zili dhe Kadareja, tani të thotë se je i dështuar, por nesër mund të të takojë e të të flasë me përzemërsi e respekt, sikur s’ka ndodhur asgjë, pasi ti duhet ta kuptosh se ky ishte shërbimi i tij në filmin e radhës, sepse në jetë nuk ka bërë zgjedhjen e atij që kur i digjet shtëpia, gjen një shtëpi modeste me qira, për të ruajtur pavarësinë e intelektualit, por, si shqytar, i kërkon strehim luksoz e pa lekë bosit të bandës.

Më thanë po ashtu, se nuk ia vlen të merresh me ata pseudointelektualë të fryrë si kacek me vetveten, që jo vetëm janë të lidhur me zinxhirët e paditurisë e të interesit material në atë shpellën e Platonit, por që, nga çrregullimet mendore të megalomanisë, nuk arrijnë të shohin veç hijen e kokës stërmadhe të vetvetes e jo më të kuptojnë se prapa tyre ka një dritë që duhet ta njohin, nëse duan vërtet të analizojnë e të konceptualizojnë përtej emrave të përveçëm.

Në fakt, nga pikëpamja intelektuale, nga gjithë çka lexova, i vetmi argument që të nxiste të arsyetoje përtej emrave të përveçëm, ishte ai i disave që pretenduan t’i veshin gënjeshtrat dhe mashtrimet e librave në fjalë me teorinë se e vërteta e një individi është gjithmonë subjektive, duke na bindur gati-gati se jemi të marrë ne që kërkojmë të ballafaqojmë ato që na kanë parë sytë e dëgjuar veshët për ngjarje e akte të caktuara me atë se si i kanë treguar ato autorët në librat e tyre memuaristikë e që në ndonjë rast, si atë të Ardian Vehbiut, iu referuan për këtë edhe Frojdit.

Sipas interpretimit të Frojdit nga Vehbiu, kur Edi Rama na paraqitet te “Kurban”-i si një personazh që s’ka lidhje me personin që njohim, që p.sh. për të bërat dhe të pabërat e Tiranës ua vë fajin vetëm të tjerëve, nuk gënjen, por thotë të vërtetën e tij, pasi “subjekti ndikon aktivisht për t’i dhënë të shkuarës një formë narrative […], duke i modifikuar ose rimontuar disa ngjarje  […] për të rivendosur drejtpeshimin në një psikikë të plagosur nga traumat.” (A. Vehbiu, “Lubonja dhe dy faqe të gënjeshtrës”, Shekulli 22 nëntor). Dakord me subjektivitetin, por në shkrim e bëja të qartë se bëja fjalë për mashtrime të vetëdijshme, pastaj edhe kur bëhet fjalë për “modifikime” të pavetëdijshme, autori duhet ta dijë se thelbi i psikanalizës së Frojdit është bash ndërgjegjësimi i pacientit për të vërtetën e vërtetë të traumës që ka pësuar, çka nënkupton edhe çlirimin e tij nga paranojat që i shpërrallon vetes, psikoterapeutit dhe miletit për ta fshehur atë, paranoja të cilat, në fakt, nuk ia ekuilibrojnë psikikën, por përkundrazi, ia rëndojnë edhe më. Kurse Vehbiu, në rolin e redaktorit të librit, si një psikanalist i keq, jo vetëm e ka nxjerrë pacientin nga studioja e tij pa e kuruar, por, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një politikan që nesër mund të bëhet deri kryeministër, ka “harruar” se historia ka treguar se sa larg mund të na çojnë paranojat e njerëzve të traumatizuar, kur këta mendojnë se kura e tyre është pushteti.

Por, për t’u kthyer te shprehja e atyre që thonë “mos u merr me këtë se e njohin të gjithë se cili është”, unë mendoj se me ta duhet marrë jo aq duke humbur kohë me argumentet e mosargumenteve që paraqesin, por me atë që i shtyn të humbasin inteligjencën. Sepse të thuash “mos u merr me këta” (disa shtojnë: “se do t’u dalë ndonjë hundëlesh”), për mua është një lloj kapitullimi i njerëzve të urtë e të mençur, tejet të lodhur për shkak të përvojës së hidhur që kemi me uzurpuesit dhe shërbëtorët e tyre të pacipë që janë fenomen tejet i përhapur, madje edhe tejet i rrezikshëm.

Duhet marrë, pra, me ta, jo si hundëlesh, por duke i bërë kritikën fenomenit kulturor që i ka prodhuar e që po i shumon përditë; kontekstit të sistemit politik, social, ekonomik që po e stimulon këtë fenomen. Sepse, p.sh., nuk mund të shihet maskarada që pamë në Panair e ndarë nga fakti se protagonistë të dorës së parë të saj qenë universitete private, shumica të promovuar si vlera të mëdha, me të njëjtin stil si këta libra, duke u reklamuar apo vetëreklamuar nëpërmjet videokracisë, e që, në vend se të promovojnë libra shkencorë e studime serioze, kanë ngritur një makineri të tërë shpëlarjeje trush me gazeta e televizione dhe kanë korruptuar, nga ana tjetër, me punësimin në ta, thuajse krejt elitën e vendit që duhet të reagojë.

Shenjë kapitullimi është edhe ajo e një pjese që me përçmim të thonë: “po çfarë intelektualësh janë këta, që i quajtkërke ti intelektualë, ku kanë pasur ndonjëherë karakter dhe inteligjencë këta, kanë qenë të prishur që në vezë.” Unë nuk i besoj këtij versionit të vezës. Besoj, përkundrazi, se njeriu është në një proces të vazhdueshëm rritjeje ose degradimi dhe ky proces varet shumë edhe nga kushtet social-politike e ekonomike në të cilat ai jeton. Ardian Klosin dhe Edi Ramën p.sh. unë i kam njohur personalisht, por edhe si botues i shkrimeve e i përkthimeve të tyre.

E them me kompetencë se Klosi si intelektual është mjaft më i formuar dhe më i lexuar se Rama, të cilit i mungon thuajse krejtësisht aftësia vetëkritike për të strukturuar emocionet e derdhura, siç e provon edhe libri në fjalë, paçka se në faqe të tij nuk mungon talenti që autori ka shfaqur edhe në ato vite. Më kujtohet se një shqipërim të Ramës të librit të Kandinskit “Mbi shpirtëroren në art” (botime “Përpjekja”) plot gabime që flisnin për vakume kulturore (jo vetëm për sa i përket gjuhës), ky e mori dhe e bëri të kuptueshëm. Kur e shoh sot në rolin e një shqytari mjeran të cilit Lubonja (por edhe vetja ka shkruar një herë), i duken të veckël, të veckël, të dështuar, përpara Ramës nuk ka se si të mos reflektoj për procesin që e ka sjellë në këtë derexhe. Dhe shpjegimin e gjej te kulti i pushtetit politik në krejt truallin ku banojnë shqiptarë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, ku kam lexuar së fundi se Akademia e Shkencave paska vënë në hyrje të godinës së saj një citat të Thaçit. Ky kult pra, i “të madhit” që identifikohet me politikanin e të gjithëpushtetshmin, është aq i kultivuar tek ne, saqë jo vetëm njerëzit e thjeshtë, por edhe intelektualët e pavarur, gazetarët apo aktivistët e shoqërisë civile janë “të detyruar” t’u duket vetja të vegjël, të vegjël, madje në shërbim të tyre. Tani, në kapitalizmin tonë pa demokraci, këtë kult e kemi të rënduar edhe me kultin e pasunarit, madje edhe të familjeve të mëdha. Një pjesë intelektualësh janë të detyruar ditë për ditë t’u duket vetja i vogël i vogël edhe përpara pronarit të universitetit, televizionit, gazetës, jo rrallë i lidhur bythë e brekë me bosin e politikës. Me kalimin e kohës pastaj, duke luajtur për një kohë të gjatë rolin e shqytarit, jo vetëm të mbushet mendja se me të vërtet je i vogël shumë përpara tij, por kjo mund të të çojë deri në procesin psikik të identifikimit me kalorësin të cilit i mban armët dhe vetja të të duket i madh e i rëndësishëm, mu pse je pranë tij apo mu pse ekziston ai. Për t’u kthyer tek teoria e vezës, Edi Rama dhe Ardian Klosi, në procesin e jetës në këtë shoqëri, sipas mendimi tim, kishin mundësi të bëheshin kontestues të kësaj kulture që personat i kthen në personazhe “të mëdhenj” e “të vegjël”, “të suksesshëm” e “të dështuar”, e që, në fakt, është “veza” nga kemi dalë të tërë. Mirëpo, për shkaqe individuale por edhe përtej individuale, u bënë produkt e gjenerues të mëtejshëm të saj. Një lexues i shkrimit tim, i cili duke kërkuar të thellojë tipologjinë e intelektualit që prodhon kjo kulturë, që, sipas tij, “nuk e lejon të avancojë shoqërinë tonë”, shkruante se ai nuk mund të jetë i afërt as me Petron/Pjetrin që “e mohon Krishtin (idealin) e tij në një moment frike dhe presioni” as me Judën, i cili, në dilemë ndërmjet “idealit” dhe “materiales”, e shiti idealin kundrejt 30 asprave, por e kuptoi gabimin dhe u kthye te priftërinjtë, duke u hedhur 30 monedhat në këmbë e duke u thënë se kishte dorëzuar gjak të pafajshëm. Tipologjia e këtyre tanëve, sipas tij, i përshtatet më tepër Pilatit, të cilit i interesonte më tepër pushteti sesa drejtësia, aq sa dënoi me kryqëzim dikë pa faj dhe lau duart nga “ideali”. “Ashtu si Pilati kishte mungesë njohjeje dhe luciditeti ngaqë pushtetdashja nuk ia lejonte një vullnet të tillë, po kështu edhe intelektualët tanë janë të gjymtuar në vullnet për të njohur të vërtetën.” (http://perpjekja.blogspot.com/2011/11/kadare-rama-memuaristika-si-operacion.html)
Në thelb, ky kult është tregues i një kulture të trashëguar, që sot, në botën demokratike, të bën deri ekzotik pasi njeriu nuk matet atje me “i madh” dhe “i vogël”, ai është i barabartë në dinjitet dhe përpara ligjit me të tjerët, çka është thelbësorja, kurse vlerat e tjera që e dallojnë, e sekushi ka të vetat të lidhura me profesionin e vet, janë gjithsesi sekondare, e për ato ai flet me modesti e përulësi. Nëse sot flitet për krizë të demokracisë në shoqërinë tonë, mendoj se edhe fenomeni që po trajtoj është tregues shumë domethënës i asaj se ne nuk do të bëjmë dot përpara në demokraci pa atë ndryshim kulturor që do ta kthejë njeriun shqiptar drejt atij njeriu që vë dinjitetin dhe ndershmërinë, të vërtetën dhe ndjenjën e barazisë me të tjerët përpara “madhështisë” së pushtetit apo të parasë. Dhe kjo kërkon një tipologji tjetër intelektuali nga ai që kemi zhvilluar ne, fatkeqësisht edhe me kontributet e shquara që përmenda më sipër. Që t’i referohem edhe një herë Platonit: në “Republikën” e tij, kur propozon se në krye të politikës duhet të jenë filozofët, ai shton se këta, megjithatë, nuk duhet të qëndrojnë gjithherë në këtë detyrë, pasi ata duhet t’i kthehen filozofisë që është më e epërmja gjë me të cilën duhet të merret një filozof dhe prandaj, një nga detyrat kryesore që kanë ata kur qëndrojnë në pushtet, është që të investojnë para publike, që shoqëria të përgatisë filozofë të rinj. Dikush do të thotë se koha ka treguar se kjo është shumë ideale. Po, por koha ka treguar, megjithatë, edhe se sa të vlerësuar kanë mbetur ata njerëz që nuk ia kanë kushtuar jetën pushtetit apo parave individuale, por rezistencës ndaj tyre në emër të lirisë, të vërtetës, dinjitetit të të gjithëve. Në këtë pikë, shumëkush do të bjerë dakord, por do të më kujtojë se, kur njeriu është gjithmonë në nevojë materiale, e humbet pasionin edhe për filozofinë edhe për të vërtetën, sepse përpara se të filozofosh, duhet të hash e të ushqesh fëmijët. Unë ngulmoj se në sistemin ku jetojmë, me gjithë problematikën e rëndë në këtë drejtim, si për sa i përket sistemit korruptues që kemi ndërtuar, ashtu edhe trashëgimisë autoritariste së asaj kohe që fatkeqësisht duket sheshit se ka lënë hijet e veta të rënda në psikikën e shoqërisë, nuk jemi si në kohën e diktaturës kur mbijetesa, deri edhe vetë jeta, ishte e varur nga bashkëpunimi me pushtetin. Sot ka shumë më tepër mundësi që të lindin intelektualë që t’i shërbejnë shoqërisë si pasqyrë që i tregon lakuriqësinë pushtetarit dhe jo si shqytarë e kostumveshës që vrasin idealin për 30 aspra e që, më keq akoma, në vend se të pendohen si Juda, kërkojnë edhe 30 aspra të tjera për ta varrosur atë për fare. Prandaj, mendoj se atyre që edhe në këto kohë zgjodhën bashkëpunimin me gënjeshtrën dhe mashtrimin në dëm të së vërtetës dhe të drejtës, historia do t’u veshë përgjegjësi shumë më të madhe.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama