Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Dilemat e operacionit antidroge

Shkruar nga: Fatos Lubonja  
Botuar më: 10 vite më parë

Fatos Lubonja
Dilemat e operacionit antidroge

Në kronikat e operacionit të zbulimit të fabrikës së kokainës në Xibrakë të Elbasanit dhe arrestimit të një grupi trafikantësh ka spikatur në media veçanërisht emri i nipit të diktatorit Hoxha. Një sërë teorish konspirative janë ngritur me këtë rast, sipas meje duke shpërqendruar, qëllimisht ose jo, vëmendjen nga thelbi i çështjes që ngre kjo ngjarje. Vëmendja dhe shqetësimi që bart ky operacion, sipas meje është krejt tjetër nga kurioziteti që mund të ngjallë te një pjesë fakti se ndër të arrestuarit na qenka edhe nipi i Enver Hoxhës.


E para gjë që duhet thënë duke komentuar këtë operacion, është se droga dhe trafikimi i saj nuk bien si një rrufe në qiell të kaltër. Qielli i Shqipërisë ka vite e vite që është dëshmitar i mbjelljes së marijuanës nga jugu në veri dhe i trafikimit të saj së bashku me drogëra të tjera. Së fundi, ai është bërë dëshmitar i transportimit të saj edhe me avionë të ardhur posaçërisht nga Italia.


Po ashtu, prej kohësh është folur për industrinë e pazakontë të ndërtimit në Shqipëri, për numrin e pazakontë të kafe-bareve dhe restoranteve apo të karburanteve në një kohë kur vendi prodhon shumë më pak të mira materiale që të mund të sjellin të ardhura financiare për t’i justifikuar këto investime – duke u shpjeguar kjo ekonomi, e ashtuquajtur “shërbimi”, ku më hapur e ku më me doreza, si lavatriçe e pastrimit të parave të pista të drogës.


Ajo çka është më e keqja, lidhet me atë se, sipas asaj thënies së njohur “politika është shprehje e koncentruar e ekonomisë”, – që nëse nuk është njëqind për qind e vërtetë, ka shumë të vërtetë brenda – ky aktivitet kriminal, dora-dorës që është zhvilluar, jo vetëm që ka pushtuar ekonominë e vendit, por nëpërmjet saj ka kapur edhe politikën e mediet në Shqipëri e, akoma më keq, ka pervertuar një shoqëri të tërë për sa i përket moralit dhe sistemit të saj të vlerave kulturore. Në këtë aspekt të fundit, do të thosha, fakti që ky aktivitet ka depërtuar deri edhe në familjen e ish-diktatorit që, sidokudo bën pjesë në kategorinë e njerëzve të shkolluar apo edhe të së fejuarës së tij, këngëtare e njohur, flet shumë. Ai denoncon vlerat e një shoqërie të dukjes, të imazhit, të mashtrimit e hipokrizisë, ku njerëzit janë tjetër në atë që shesin si imazh publik dhe krejt tjetër në të vërtetë. Aq sa elita e këtij vendi, dora-dorës që kalon koha, në vend t’u afrohen vlerave meritokratike, shkojnë drejt atyre vlerave që mund t’i quajmë të imazheve të droguara, në sensin figurativ dhe real të fjalës.


Po ende, edhe demokracia dhe liria në vend janë të cunguara dhe të kërcënuara si rrjedhojë e faktit se ekonomia, politika apo sistemi i vlerave janë tejet të prekura nga ky aktivitet kriminal. Kjo jo thjesht sepse krimet që kanë kryer gjatë viteve trafikantët e drogës kanë mbjellë në vend një klimë frike dhe terrori, aq sa në mediet tona shpesh e më shpesh ata që janë vrarë janë mbiquajtur me emrin e dukjes: “biznesmenë ndërtimi” apo edhe thjesht “biznesmenë”, por për sistemin që kanë ngritur duke kapur ekonominë, politikën, mediet, kulturën: drogokraci.


Këto janë gjëra të ditura, veçanërisht nga ata që merren me politikë dhe gazetari, por edhe më gjerë. Pjesërisht dihen edhe emrat edhe lidhjet që kanë këto grupe me njerëzit e politikës dhe pjesërisht është shumë e lehtë të zbulohen – mjaft që shteti të hetojë burimin e pasurive të dyshimta të shumë prej qytetarëve të vet. Vështirësia ka qëndruar në ato që thashë më sipër.


Prandaj, sipas meje, ka shumë vëmendje lidhur me këtë operacion të fundit. Pyetja thelbësore që ngre opinioni, është: a po bëhemi me këtë operacion dëshmitarë të përpjekjes së pastrimit të ekonomisë, të politikës, të shtetit të krejt shoqërisë shqiptare nga intoksikimi i drogës, apo jo?


Përgjigjja në sy të parë është tejet kontradiktore, sepse ngjarja mund të ndahet në dy pjesë. Njëra është ajo ku ngulmon maxhoranca, që thotë me mburrje se ky është zbulimi i fabrikës më të madhe të drogës në Shqipëri dhe eliminimi i saj, së bashku me rrjetin, është në vazhdën e operacioneve, si edhe ai i Lazaratit apo Dukagjinit. Dhe nuk mohohet se gjatë kësaj maxhorance ka pasur disa operacione kapjeje laboratorësh përpunimi droge, si dhe kundër kultivimit e trafikimit të saj.


Por ka edhe një gjysmë tjetër të ngjarjes, që bazohet në disa pikëpyetje që ngre ky operacion. Pikëpyetja e parë është se si ka mundësi që kjo fabrikë – më e madhja në Ballkan – qenka ngritur pikërisht në kohën kur është maxhoranca në pushtet, madje një maxhorancë që i ka shpallur luftë botërisht drogës. Kësaj i shtohet edhe pyetja: nëse është e vërtetë se rrjeti e ka kryer aktivitetin më parë jashtë, siç thuhet në disa medie, fakti që tani vendosën ta zgjerojnë në Shqipëri, a nuk të bën të dyshosh se kanë pasur një garanci më të madhe, pikërisht pse janë afër apo edhe sponsorë të kësaj maxhorance – siç pretendon edhe opozita? U shtohen këtyre pyetjeve edhe disa informacione lidhjesh farefisnore, miqësore apo të biznesit të një pjese të këtyre njerëzve me pushtetarë socialistë. Shtohet gjithashtu edhe një pyetje, që është ngritur së fundmi: në një kohë që Policia dhe Prokuroria mburren që kanë mbajtur sekretin, si shpjegohet që kanë ndërhyrë që të nesërmen e ditës kur është zbuluar laboratori (13 janar), ndërkohë që ta do mendja se për të zbuluar bashkëpunëtorët e rrjetit në dogana e kufi apo edhe pritësit në Gjermani do të duhej të ndiqej i gjithë trafiku? A mos vallë ndërhyrja me kaq shpejtësi është bërë për të mbuluar gjurmët e kokave më të rëndësishme?


E pra, nëse gjysma e parë e ngjarjes të bën të shpresosh, gjysma e dytë të bën të dyshosh se ose operacioni është kryer për shkak të presionit të gjermanëve dhe është dështuar me qëllim duke mbetur te peshqit e vegjël, ose që brenda socialistëve ka grupe rivale që kërkojnë të kontrollojnë këtë “biznes”, ose që brenda maxhorancës ka një pjesë që kërkon sinqerisht ta luftojë këtë të keqe dhe një pjesë tjetër që kërkon ta mbajë në pushtet  dhe ta zhvillojë.


Rezultati përfundimtar i këtij operacioni, nëpërmjet procesit hetimor dhe gjyqësor që do ta pasojë atë, do të na japë përgjigje ndaj këtyre dilemave. Përgjigje që lidhen me atë se sa do të kërkohet të zbulohen e të asgjësohen kokat, rrënjët e degët e këtij rrjeti, të cilit, deri tani, duket sheshit se i kanë mbetur shumë pjesë jashtë. Qoftë edhe vetëm për këtë përgjigje ky operacion meriton të konsiderohet si një ngjarje tejet e rëndësishme dhe pozitive e të ndiqet me vëmendje të veçantë./panorama/

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama