Çështjen Doshi dhe Frroku më vjen ta krahasoj me fijen e fillit që ka dalë nga lëmshi i lidhjes së politikës sonë me krimin, e cila, po të tërhiqet, mund të zbulojë shumëçka nga çfarë ka lëmshi brenda. Por, siç po zhvillohen ngjarjet, duket se askush ndër aktorët kryesorë në lojë nuk ka interesa për ta çmbështjellë këtë lëmsh. Qëllimi i maxhorancës është ta këpusë këtë fije sa më shpejt të jetë e mundur. Jo më larg se disa ditë më parë, duke iu referuar edhe deklaratës së Ambasadës Amerikane që e nxiti hetimin mbi Doshin, Rama tha se nuk ka asnjë dijeni për njerëz të partisë së tij të lidhur me krimin. Edhe opozita po kërkon më së shumti të përçajë kundërshtarët në interes të pushtetit të vet, por se ç’ka mbrapa çështja/çështjet, nuk kërkon ta zhbirilojë. Sipas meje, edhe Prokuroria është në të njëjtën linjë; në lojën “le të bëjmë sikur” po e çmbështjellim lëmshin, se janë edhe këta amerikanët që po na i trazojnë një çikë ujërat.
Është e njëjta gjë me çfarë ndodhi pas vrasjes së Santos. Mediat dhe politika u morën më së shumti me figurën e lartë të Santos, me rrugën që përshkoi motori, me akuza ndaj Policisë se nuk u tregua në lartësinë e duhur për të ndjekur vrasësit – por asnjë thellim nuk u bë mbi pistat e mundshme që mund të kishin çuar në këtë vrasje. Aq më pak për t’u thelluar pastaj në fenomenin/et që qëndronte prapa kësaj vrasjeje.
Në fakt, tërheqja e fillit të lëmshit mund të bëhet duke kërkuar t’u japësh përgjigje disa pyetjeve të rënda që duhet të ngrihen mbi motivet e vërteta pse do ta vriste Ilir Meta Tom Doshin apo pse ka shpifur Tom Doshi ndaj Ilir Metës. Gjatë pyetjeve në Komisionin Parlamentar, kur iu kërkuan motivet, Doshi u tregua kontradiktor, sepse dha si motiv hakmarrjen e Metës për videon e Dritan Priftit, ndërkohë që disa çaste më parë kishte dhënë shpjegime se kishte pasur marrëdhënie të mira me Metën. Po kështu, asnjë motiv nuk u dha nga Prokuroria se pse e paska inskenuar Doshi një shpifje të tillë aq të rëndë ndaj kryetarit të Parlamentit. Enigmë mbetet edhe pyetja se si ka mundësi që ky Bami, sado budalla qoftë, pranuaka të japë dëshmi të rreme, duke akuzuar për vrasës jo një person dosido, por vetë kryetarin e Parlamentit.
E gjithë kjo lojë e shëmtuar, sipas meje të bën të mendosh se aktorët e saj dinë shumë më tepër dhe pikërisht për këtë lëmshi ruhet i mbështjellë me kujdes dhe fanatizëm prej tyre. Edhe lënia e Doshit dhe Frrokut në arrest shtëpie, me gjithë akuzat e rënda që kanë mbi shpinë, qe një provë e kësaj. Sipas hetimeve të deritanishme të Prokurorisë, na del se dy deputetët e maxhorancës, së bashku me një vrasës me pagesë, paskan synuar të bëjnë një shpifje monstruoze ndaj kryetarit të Parlamentit, Ilir Meta, sikur gjoja ky ka dashur të vrasë njërin nga këta dy deputetë (Doshin), si dhe një deputet të PD-së (Fufin). Për këtë të dy deputetët kanë përdorur para të madhe, por edhe kërcënime, deri me pistoletë mbi kokë (thuhet se ka një video të marrë kështu) për të bindur bashkëpunëtorin e tyre në krim, vrasësin me pagesë, që të shkojë te ministri e prokurori të pohojë rrejshëm si me gojë, edhe me video se ka marrë para nga njerëzit e Ilir Metës që të kryejë vrasjen. Mua më duket shumë e tmerrshme një gjë e tillë po të jetë e vërtetë.
Por, po aq i tmerrshëm më duket versioni që paraqet Doshi, se Ilir Meta ka paguar 500 000 euro për ta vrarë, dhe se brenda mureve të Prokurorisë dëshmitari i tij është kërcënuar me zhdukjen e familjes nëse nuk e mohon këtë. Dhe çështja është se o njëri, o tjetri nga këta dy versione është i vërteti. Dhe që të dy kanë një rrezikshmëri të tillë, që zor se mund të parashikohet arrest shtëpiak për autorët. Duhet thënë se ka diçka që nuk shkon, që nuk të bind në këtë histori në të dy versionet që tregohen, por përtej kësaj ka edhe një gjë shumë të tmerrshme në këtë histori, që ngre pyetjen e rëndë plumb për politikën dhe drejtësinë tonë: si është e mundur që nuk është nxjerrë në dritë njëri nga këto ky krime, duke u hetuar menjëherë sapo që Doshi shkoi gjashtë muaj më parë dhe i tregoi Kryeministrit, edhe ministrit të Brendshëm dhe kryeprokurorit trillimin e tij (sipas njërit variant) apo të vërtetën (sipas variantit tjetër)? Si është e mundur që askush prej tyre nuk ka bërë asgjë për t’i mbërthyer këta shpifës të rrezikshëm ose vrasës edhe më të rrezikshëm për t’i vënë para drejtësisë? Ne e morëm vesh gjënë vetëm pas përplasjes brenda PS midis Doshit dhe Ramës dhe përjashtimit politik të këtij nga Grupi Parlamentar socialist.
Dhe, ç’është më e pabesueshmja, kjo nuk doli në shesh nga Kryeministri apo ministri i Brendshëm dhe as Prokuroria, por pasi Doshi vetë e bëri publike shpifjen e tij (sipas njërit variant) ose të vërtetën (sipas variantit tjetër). Me një fjalë, gjithçka doli në shesh jo pse politika kërkonte të ndahej nga krimi, por kur krimi sipas njërit variant u prish me politikën ose, sipas variantit tjetër, kur deputeti u ndje i pambrojtur nga krimi me emrin Meta brenda politikës. Me fjalë të tjera, nëse besojmë variantin e shpifjes, pyetja që lind është: si ka mundësi që ata kanë vazhduar ta mbajnë Doshin brenda gjirit të tyre, pa e hetuar? Si ka mundësi që nuk kanë menduar as edhe një çast se nëse këta deputetë kanë bërë një krim të tillë, rrezikshmëria e tyre është shumë-shumë e lartë dhe detyra e institucioneve, e tyrja, pra, më së pari, është të na mbrojnë nga njerëz të tillë kaq të rrezikshëm dhe jo t’i promovojnë ata në krye të vendit. Duke i shtuar kësaj edhe faktet që po dalin për Frrokun se ka qenë përfshirë në trafiqe prostitucioni dhe vrasje, kjo pyetje merr rëndësi politike të jashtëzakonshme. E njëjta gjë shtrohet edhe për Ilir Metën, nëse ajo që thotë Doshi është e vërtetë.
Sot, ka nga ata që, duke u nisur nga mosveprimi i Kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm, ngrenë versionin se ata në krye të herës kanë bashkëpunuar me Doshin për ta realizuar heqjen qafe të Metës politikisht. Ka të tjerë që pikërisht nga heshtja e tyre besojnë se ajo që thotë Doshi është e vërtetë. Ka që thonë se prapa figurave të tilla të politikës qëndrojnë banda kriminale dhe e gjithë kjo shpjegohet me luftën e këtyre bandave që janë prapavija e politikanëve tanë më të lartë. Ka shumë hipoteza të frikshme që ngrihen dhe që, edhe nëse nuk janë të vërteta, një gjë e bëjnë të qartë: se lidhjet e politikës sonë me krimin janë shkaqet se pse ashtu si çështja Santo, edhe kjo Doshi do të mbesë e pazbuluar, nëse nuk i shkohet deri në fund jo vetëm anës ligjore të rastit në fjalë, por edhe anës morale e politike të tij. Nuk është vendi për t’u marrë vetëm me personat dhe ngjarjet, por edhe me fenomenet që kanë promovuar këta persona dhe prodhuar këto ngjarje. Po nuk u çmbështoll filli i lidhjes së politikës sonë me krimin e të përcaktohen e dënohen përgjegjësit ligjorë, politikë dhe moralë, ngjarje të tjera edhe më të rënda na presin.
Panorama.com.al