Çfarë po ndodh pyesin shumë vetë këto ditë. Pyesin jo vetëm njerëzit që thjesht dëgjojnë lajmet e lexojnë shtypin, por edhe ata që merren përditë me hartimin e lajmeve apo shkrimeve në gazeta. Sepse ekuacioni politik është komplikuar. Nuk është më me tre variablet e njohur PS - PD - LSI, por janë shtuar edhe disa nënvariable brenda PS.
Kuptohet e kam fjalën për lëvizjen e fundit të deputetit Tom Doshi që deklaroi se i ka hapur tashmë luftë Kryeministrit dhe kërcënoi se do ta shkundë maxhorancën po vendosi të flasë. Por edhe për luftën që i është hapur disa kryebashkiakëve të PS në disa qytete për të dhënë dorëheqje apo për të mos kandiduar, çka u kritikua edhe nga deputetja socialiste Arta Dade. Le të mos harrojmë edhe një reagim nga deputeti socialist Ben Blushi i cili ka kritikuar politikat e qeverisë përsa i përket rritjes së varfërisë.
Si duhet ti interpretojmë këtë ndryshime ekulibresh? A janë për hall të punëve të Shqipërisë kundërsulmet që po merr Kryeministri apo janë, ashtu siç tha ai për Doshin, punë personale? Dhe, mbi të gjitha, ku mund të na çojë dinamika e këtyre ngjarjeve?
Sigurisht duke u bazuar në përvojën që kemi dhe njohjen e këtyre lojtarëve e kemi të vështirë të besojmë se ndeshjet e tyre janë për hir të punëve tona. Mua më duket se ky ekuacion i ri është ndërtuar për shkak se ekuilibret e pushtetit të PS të ngritura një vit e gjysmë më parë, përsa i përket rëndësisë dhe pushteti që kishin disa protagonistë atëhere dhe të rëndësisë dhe pushteti që kanë ata sot, kanë ndryshuar. Pra kemi të bëjmë me vazhdimin e lojës për pushtet në një kontekst të ri, edhe më të ndërlikuar, ku hallet e vendit shërbejnë vetëm si një pretekst për luftë.
Lojtari i parë në këtë luftë është Edi Rama cili një vit e gjysmë pasi ka marrë pushtetin ka vendosur të bëjë një hap të ri përpara në konsolidimin e pushteti të tij. Ndryshe nga Sali Berisha që pushtetin e tij absolut mbi PD e ka marrë që në krye të herës kur është krijuar partia, Rama ka ende disa probleme me faktin se pushtetin e ka marrë duke u anëtarësuar vonë në PS. Pra Edi Ramës, për të ecur në rrugën e tij drejt konsolidimit të pushtetit në PS, i duhet të heqë qafe disa mbeturina kokëforta të Partisë Socialiste. Dhe për mendimin tim këtë punë thuajse e ka mbaruar. Ben Blushi mund të jetë simbol i atyre që kanë mbetur.
Të tjerë kanë kaluar në hije dhe e kanë pranuar rolin e tyre në hije. Një problem më i madh, sipas meje, i vjen nga fakti se më shumë sesa së brendshmi ai e mori PS së jashtmi nëpërmjet asaj që Ilir Meta e quajti atëhere politika "një pallat një votë". I vjen pra nga oligarkët kokëfortë, pushteti i ri financiar që asokohe ishin ende jashtë partisë kurse tani një pjesë kanë hyrë në Parlament. Besoj se edhe kryebashkiakët që kanë disa mandate duhet ti fusim më shumë në këtë kategori sesa në atë të socialistëve të vjetër, sepse shumica e tyre gjatë këtyre tre katër mandateve kanë vënë edhe pushtet financiar dhe kanë pole të tyre të pushtetit atje ku komandojnë. Ndërkaq duhet thënë se Rama nuk ka shpalosur ndonjë platformë politike që të kërkojë largimin e tyre dhe as ka ndjekur ndaj tyre një qëndrim agresiv. Një pjesë si Tom Doshi me shokë i ka deputetë, por u ka lënë në dorë hapsat e kashtës kur bëhet fjalë për pushtetet që sjellin fitime në sajë të emërimeve apo shpërndarjs së parasë publike, kurse kryebashkiakët preferon të ikin pa bërë zë. Nënkuptimi është: mjaft jeni pasuruar, tani hapni rrugën. Një pjesë e kanë pranuar këtë heshturazi një pjesë po reagojnë. Disa i quajnë këta pashallarë apo feudalë që duhen shfuqizuar. Disa thonë se pas aleancës me qelbësirat Rama kërkon të pastrojë qelbësirat. Personalisht jam më afër idesë se Rama duke qenë se nuk mund të kënaqë orekset e të tërëve (sigurisht duke përjashtuar LSI që për momentin duket se nuk synon ta prekë) synon të kënaqë orekset e atyre që i ka më afër dhe më nën kontroll - dhe pa dyshim shumica e këtyre bëjnë pjesë në kategorinë e atyre që janë në pushtet falë Ramës dhe jo në sajë të qenies herët në PS apo në sajë të pushtetit të tyre financiar.
Ndërkaq, për ata që e shohin këtë si një hap pozitiv, mbetet një pikëpyetje e madhe (përveç faktit se prirja për të grumbulluar pushtet në një dorë të vetme mbetet tek ne rrezik edhe më i madh se korrupsioni). Rama kur është ndeshur përpara kërkesës për të luftuar korrupsionin në nivelet e larta ka folur për sistemin që korrupton njerëzit dhe jo për njerëzit që janë përgjegjës për ngritjen e këtij sistemi. Dhe sistemi nëse mund të përmblidhet me dy fjalë quhet konflikt interesi. Në këtë që po ndodh a po duket ndonjë shenjë se Rama po kërkon të ndryshojë sistemin e konfliktit të interesit apo jemi përpara një rishpërndarjeje të konflikteve dhe të interesave? Mua më duket se kemi të bëjmë me këtë të dytën. Tom Doshi deklaroi se do të shkundet maxhoranca po të flasë ai dhe askush nuk u ngrit ti kërkojë të thotë se për çfarë e ka fjalën - përkundrazi një tjetër simbol i konflikti të interesit, deputeti Kokëdhima nxitoi ta qetësojë, - ndërkohë që jo më shumë se disa ditë më parë, kur opozita bëri deklarata të kësaj natyre, Kryeministri kërkoi ndërhyrjen e Prokurorisë për kësi deklaratash. Po ashtu sulmi ndaj kryebashkiakëve u bë me shantazh duke nënkuptuar se ata janë të shantazhueshëm por asgjë që të mbajë erë reformë për të luftuar sistemin e konfliktit të interesit që ata kanë ngritur në feudet e tyre nuk duket në horizont - duke filluar që nga sponsorizimi i partive në fushata elektorale.
Në këto kushte sistemi nuk ndryshon, por pyetja shtrohet si do të përfundojë kjo lojë të fortësh? A i ka bërë Rama llogaritë mirë apo e ka mbivlerësuar pushtetin e tij? A ka fuqi Tom Doshi me shokë ta rrëzojnë Ramën apo do të ulin kokën e do të kënaqen me atë çka u mbetet të hanë? Apo do të përjashtohen e do të kalojë tek opozita - gjë që sështë çudi me çfarë kemi parë deri më sot? A ka rrezik që kjo luftë të fortësh të destabilizojë vendin? Janë pyetje që mbeten të hapura dhe që për mendimin tim mbeten të hapura edhe për një variabël tjetër të rëndësishëm të ekuacionit të ri politik: kriza ekonomike dhe ndjenja e pasigurisë që ka pllakosur vendin, që, sikurse dihet, tek ne favorizon pikërisht të pasurit, të fortët dhe krimin, por edhe e ashpërson luftën midis tyre.