Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Ç’po ndodh në pokerin e politikës

Shkruar nga: Fatos Lubonja  
Botuar më: 13 vite më parë

Fatos Lubonja
Ç’po ndodh në pokerin e politikës

Në Shqipëri po kemi disa lëvizje në lojën politike që meritojnë vëmendje, pasi duken të mbarsura me të papritura interesante. Nuk mund të mos binte në sy fakti që udhëheqësi i lëvizjes Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, u shfaq në Top Channel i vetëm përballë katër gazetarëve. Këtë “nder” të madh mediat dhe gazetarët ua kanë bërë vetëm figurave të staturës së liderit të maxhorancës, Berisha, liderit të opozitës, Rama, dhe ndonjëherë më të rrallë Ilir Metës. Çfarë po ndodh kështu? A ka lindur vërtet një forcë e rëndësishme politike? U mbetet zgjedhjeve ta vërtetojmë, por ndërkaq kjo shfaqje e ka një kuptim, madje më shumë se një. Po të dëgjosh retorikën e Spahiut, do të vëmë re se krahas fushatës së deritanishme, që ka qenë ajo kundër censusit si dhe ajo për promovimin e bashkimit kombëtar tashmë, pas dorëheqjes së detyruar, janë shtuar dy-tre elemente të reja: së pari, deklarimin se lëvizja që ai drejton është kundër të gjithë klasës politike, e cila, sipas tij, ka dështuar në misionin e saj për të kryer tranzicionin; së dyti, se partia që do të krijojë e konsideron veten të djathtë, ndërkohë që dy partitë e mëdha janë të dyja të majta, bolshevike, si dhe se nuk do të bëjë koalicion me asnjërën syresh.

Nuk po e paragjykojmë Spahiun përsa i përket asaj nëse e ka seriozisht se do ta ndryshojë për mirë Shqipërinë, apo ka të njëjtin “hall” të paraardhësve të tij, por le të ndalim te disa gjëra që duken sheshit. Më e dukshmja është se lëvizja e tij drejtohet kundër PD dhe Sali Berishës, çka është bërë edhe më evidente nga sulmet që i ka adresuar maxhoranca kohët e fundit, agresiviteti i së cilës ndaj tij nuk ka lindur për shkak të Drejtësisë, që është në pikë të hallit (më shumë për shkak të vetë maxhorancës, sesa të Spahiut), por ngase ai filloi një lëvizje politike që, në bashkërendim me Topin, dukej se po përgatitej, sipas saj, të bëhej partia simetrike me atë të Metës në krahun e saj.

E këtu le të ndalemi pak edhe te partia e pritshme e Bamir Topit. Edhe ky ka deklaruar se do të ndërtojë apo drejtojë një parti të djathtë, ku mendohet se do të rreshtohen të gjithë të pakënaqurit apo të përjashtuarit nga PD-ja: ata që gjatë këtyre viteve e kanë parë veten të margjinalizuar, të përjashtuar apo të zhvleftësuar padrejtësisht. Tashmë duket se partia e Topit nuk do të jetë e njëjtë me atë të Spahiut, pasi ai, të paktën deri më tani, s’ka dalë me pretendime nacionaliste bashkimi kombëtar dhe as akuzon për korrupsion dhe për dështim krejt klasën politike. E vetmja pikë e fortë që e ndan Topin nga të vetët në PD është mungesa e demokracisë në parti, çka do të thotë se, më së shumti, kemi të bëjmë me një sulm ndaj Berishës dhe grupit të skifterëve të rinj brenda partisë së tij, që ky i ka mbështetur duke mënjanuar disa nga të vjetrit.

Nuk ka dyshim, po ashtu, se këto lëvizje reflektojnë një gjendje të vështirë politike të maxhorancës përsa i përket kredibilitetit politik. Gjithnjë e më autoreferenciale, e mbyllur në rrethin e të besuarve dhe përjashtuese ndaj të tjerëve, me intolerancë dhe agresivitet të shtuar ndaj çdo zëri kundër, me një klientelë që, sipas zërave të besueshëm, tenton të kapë e kontrollojë krejt përfitimet ekonomike të sistemit korruptiv dhe e gatshme deri edhe të bëjë krime për këto, me një ekonomi në gjendje krize dhe me kriminalitet në majat e veta dhe me prirjen, gjithnjë në rritje, për t’i mbyllur të gjitha këto nëpërmjet kontrollit të të gjitha institucioneve të pavarura, veçanërisht Drejtësisë, maxhoranca dhe lideri i saj Berisha duket se kanë humbur shumë pikë si në mbështetësit e tyre të deridjeshëm, ashtu dhe të ndërkombëtarëve. Lulëzimi i lëvizjeve Spahiu dhe Topi nuk mund të shihen jashtë këtij konteksti.

Duket, po ashtu, sheshit se pikërisht në këtë kontekst, Ramës dhe aleatëve të tij partitë e Spahiut dhe Topit i interesojnë fort dhe prandaj, për të mos i komprometuar ato, duke komentuar këtë lëvizje Rama është shprehur, në dukje me indiferentizëm, se lëvizjet e Spahiut dhe Topit nuk i interesojnë shumë, sepse janë çështje të së djathtës. Madje, të paktën hë për hë, atë nuk e shqetëson as akuza e Spahiut se ai dhe partia e tij, ashtu si ajo e Berishës, janë që të dyja të majta/bolshevike. Sepse nuk do shumë mend për të kuptuar se, duke i quajtur të dyja partitë e mëdha të majta, bolshevike, Spahiu nuk kërcënon të tërheqë elektoratin e Ramës, por atë elektorat që ka qenë historikisht antikomunist për shkak të persekutimit nga regjimi i Enver Hoxhës dhe që e pa veten të diskriminuar ose të përdorur, ose të mashtruar nga PD-ja, por që, më anë tjetër, në mungesë të një force serioze politike, ka votuar PD-në, pasi PS-në e ka ndjerë të huaj dhe armiqësore.

Kësisoj, në zgjedhjet e ardhshme ne mund të ndodhemi në një rezultat shumë të pritshëm: që Spahiu dhe Topi të marrin vota të së djathtës aq sa partia më e madhe të rezultojë PS dhe koalicioni i saj e të vijë kështu në pushtet. Asgjë të çuditshme nuk ka këtu. A nuk futi në lojë koalicioni i Berishës partinë e Hysni Milloshit, që është partia enveriste, për t’i marrë vota sa të mundte Ramës? Mësimi Meta – Milloshi që na ka dhënë Berisha këta vjet mund fare mirë të tejkalohet nga mësimi Spahiu – Topi.

Kjo është loja politike, thonë disa. Rama dhe të vetët kanë të gjitha arsyet që të fërkojnë duart me shpresë dhe mediat afër tyre të inkurajojnë Spahiun dhe Topin, ashtu sikurse Berisha me të vetët të shqetësohen seriozisht.

Por, a duhet ta ndalim analizën deri këtu? Mendoj se jo. Ta ndalësh arsyetimin deri këtu, do të thotë të pranosh mjerimin e klasës politike shqiptare, e cila e sheh gjithë aksionin e vet politik si një lojë pokeri në të cilën, pasi mbaron njëra dorë, ku secili bën blofet e veta duke nxjerrë përfitimet e veta, përzihen kartat përsëri për të filluar dorën tjetër e ku gjithçka ka për synim atë se cili do të grumbullojë më shumë fishe.

Për shembull, vini re paradokset e këtij pokeri: sipas lojës, ashtu siç e parashtrova se mund të ndodhë, ish-të persekutuarit dhe ish-pronarët, shtresa më e pakënaqur dhe më e diskriminuar, sepse e qeverisur nga ish-komunistët kuqeblu (dhe këtu ka të drejtë Spahiu), do t’ia hedhin votat që dikur ata ia jepnin Berishës partive të Spahiut dhe Topit për të sjellë në pushtet “bijtë e Bllokut” të Ramës, ashtu sikurse dje simpatizantët dhe dashamirët më të mëdhenj të “bijve të Bllokut” i hodhën votat e tyre për të sjellë në pushtet persekutorët e tyre demokratë, që edhe pas njëzet vjetësh tentojnë të mbahen më këmbë në pushtet me retorika kundër “bijve të Bllokut”.
Jo vetëm, por shikoni se si komplikohet edhe më paradoksi po t’i shohim partitë e reja nga pikëpamja e programeve të tyre politike: ne na del Spahiu dhe na thotë që dy partitë e mëdha janë që të dyja të majta e se ai do të krijojë të djathtën e vërtetë.

Edhe Topi po këtë gjë na thotë. Mirëpo, nga pikëpamja e programeve politike – dhe jo të historisë së tyre – dy partitë tona të mëdha çdo gjë mund të jenë, por vetëm parti të majta nuk mund të jenë jo vetëm pasi teorikisht programet e tyre kanë qenë ultraliberiste, por edhe pasi praktikisht deri sot ato kanë qenë instrumente, deri kriminale, të shtresave më të pasura të vendit. Pra, për t’iu përgjigjur ndjenjave antiklasë politike, Spahiu do të duhej të dilte e të thoshte se ai po krijon një parti të majtë, përfaqësuese të popullit jo vetëm të tejngopur me këtë klasë politike, por edhe të diskriminuar nga polarizimi ekstrem, nga kapitalizmi i egër, nga shitja e Shqipërisë për një euro, nga mungesa e çdo mbrojtjeje sociale, nga privatizimi i gjithçkaje publike, nga taksat e sheshta që favorizojnë të pasurit etj. Madje, edhe ish-të burgosurve do të duhej t’u shpjegonte se ata vetëm një etiketë historike e kanë si të djathtë, pasi ata janë shumica në statusin e shtresave social-ekonomike që i përfaqëson e majta kudo në botë, pasi janë më të varfrit.

Mjaft të kesh parasysh se i ndjeri Zaharia, që para disa ditësh u bë shkas për goditjen e deputetit berishist Rusmali nga dy ish-të dënuar politikë, kishte njëzet ditë që dergjej në morg dhe shteti as e çante kokën për t’i bërë një varrim, ndërkohë që qoftë edhe me lekët që i ka dhënë virtualisht si dëmshpërblim, mund t’ia organizonte një të tillë. Mirëpo, nëse Spahiu do të dilte e të deklaronte se ai ka krijuar një parti të majtë të vërtetë me idetë që rreshtova më sipër, do të kishte shumë probleme për të hyrë në tryezën e pokerit jo vetëm pse teorikisht një e majtë e vërtetë nuk mund të jetë nacionaliste, por edhe sepse kjo do t’i merrte elektoratin Ramës më shumë sesa Berishës dhe, në këtë rast, nuk di a do ta nxirrte Top Channeli në statusin e një lideri të madh në ekranin e vet apo jo.

Ja, pra, se si ngatërrohen me duart e veta politikanët tanë për shkak se adrenalina e tyre ngacmohet vetëm nga fishat e pokerit mbi tryezë, dhe jo nga principe morale, as nga nevoja për koherencë, dhe as nga ajo se si e gjykon publiku tërë këtë lojë. Ata dhe mediat rreth tyre sot të lënë përshtypjen se sikur të ngjallej Enveri dhe të krijonte një Parti të re të Punës, do të fillonin menjëherë të rrekeshin se kush ta përdorte partinë e tij që t’i merrte ca vota kundërshtarit.

Kur arrin deri në këtë pikë dëshpëruese të diskursit, një gjë të thonë shumica (kur them shumica kam parasysh shumicën e opinionit me të cilit kam kontakt, ku përjashtoj militantët e të dyja palëve): mirë, mirë, por të ikë ky Berisha njëherë. Duke lënë të kuptohet se ky edhe rregullat e lojës së pokerit i ka prishur keqas. Pra, këta e shohin Berishën si një kërcënim që loja të mos vazhdojë fare, dhe kjo, pa metafora, do të thotë si kërcënim i vendosjes së një diktature alla-Putin. Bashkohem me këtë mendim, e kam thënë edhe vetë, “më mirë shumë banda, sesa një bandë e vetme”, d.m.th., më mirë një lojë pokeri e ndyrë me shumë lojtarë, sesa një dorë e vetme që tërheq tërë fishat, por, në këtë pikë nuk mund të mos ngre disa pyetje që më duken të rëndësishme.

E para pyetje është: a nuk ju duket se vetë loja e pokerit që kemi ndërtuar është e tillë që në fund do të ketë një lojtar të vetëm që do të grumbullojë tërë fishat, pavarësisht se ky mund të jetë Berisha, apo ndonjë tjetër me emrin Rama (për të cilin nuk janë të pakët ata që thonë se është më i sëmurë se Berisha), apo Spahiu (i cili po kërkon të manipulojë me një ndjenjë që, për interesat e tij të lojës, mund ta çojë kollaj deri në atë thënien e Durrenmattit “shteti kur kërkon të bëjë një vrasje merr emrin atdhe)? E dyta: edhe nëse nuk nxjerr një fitues të vetëm, a ka kuptim që ne të vazhdojmë të shohim këtë lojë të ndyrë me shumë lojtarë që vazhdon të luhet mbi kurrizin tonë dhe me paret tona? Pra, pse ne duhet të jetojmë midis Shillës dhe Karridbës, ku më një anë na kërcënon një sistem alla-Putin, më anën tjetër një lojë pokeri e ndyrë, të cilën jemi të detyruar ta shohim si spektatorë në mediat e lojtarëve, sipas teorisë “O mangi questa minestra o salti dalla finestra”. Pse duhet të mjaftohemi me kaq?

“Po ç’të bëjmë?” do të më pyesë dikush. Duhet zgjedhur e keqja më e vogël. Personalisht jam përpjekur të jap zgjidhjen (sigurisht joshteruese) në shkrimet e fundit, thelbi i të cilave është: na duhet një aksion sa i brendshëm, aq edhe me ndihmën e aktorëve ndërkombëtarë për të dobësuar lojtarët e tryezës së pokerit dhe për të forcuar ato institucione që duhet t’i detyrojnë më në fund ata apo zëvendësuesit e tyre, të ngrihen nga tryeza e pokerit dhe të shkojnë të punojnë në zyrat e shtetit të së drejtës.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama