Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Hidrocentralizimi i Shqiperise

Shkruar nga: Fatos Lubonja  
Botuar më: 13 vite më parë

Fatos Lubonja
Hidrocentralizimi i Shqiperise

Ka disa që thonë se Berisha tashmë e ka humbur pusullën dhe po shkon në mënyrë irracionale drejt humnerës duke na marrë edhe ne me vete, sepse nuk është në gjendje më as të shohë se sa afër është ajo dhe as se sa e thellë është. Kur e dëgjoj të flasë me pasion për projektin e hidrocentralizimit të Shqipërisë, më duket se është vërtet kështu, por kur kërkoj t’i hyj pak më thellë diskursit të tij më rezulton se do të ishte e keqja më e vogël sikur të kishim të bënim thjesht me lajthitjen e një shoferi, i cili, edhe në kohën e kulmit të tij, s’ka ditur t’i japë drejtimin e duhur makinës së këtij vendi (mjaft të kesh parasysh piramidat). Për fat të keq, hidrocentralizimi i sotëm i vendit më rezulton se është pasojë zinxhir e një sistemi të ngritur, sigurisht prej njerëzish të sëmurë nga etja e panginjëshme për pushtet e për para e që s’dinë se ç’është përgjegjësia ndaj të tjerëve, por ai nuk më rezulton kurrsesi vepër e një njeriu të vetëm, përkundrazi, është modeli i marrëdhënies midis biznesit dhe pushtetit që kemi ngritur e që kurrkush nuk po jep shenja dhe shpresa se kërkon ta ndryshojë.

Hidrocentrali në plazhin e Bunecit

Pra, sipas meje, Berisha nuk beson me gjithë mend se hidrocentralizimi i gjithë vendit nëpërmjet mbjelljes së hidrocentraleve është një hap përpara në rrugën e duhur i Shqipërisë. Shikoni foton që po i bashkëngjis këtij shkrimi. E kam bërë në një nga gjiret më të bukur të Jugut tonë, atë të Bunecit, para ndonjë viti. Kur e pashë për herë të parë, nuk po isha në gjendje të kuptoja se çfarë qe ajo si digë e madhe që kishte betonizuar e çimentizuar një pjesë të madhe të atij plazhi. Ishte pamje krejtësisht absurde, sepse nuk dukej as si ndërtim pallati. Pastaj u informova dhe më thanë se ai ishte një hidrocentral. Po po, një hidrocentral! Shikojeni me vëmendje foton. Në mes të digës duket edhe kanali nëpërmjet të cilit derdhen ujërat e hidrocentralit direkt në det.

E pra, sado i lajthitur të jetë Doktori, nuk mund të mos e shohë se kjo është një katastrofë për ambientin, për turizmin, për peizazhin, për të mos thënë një çmenduri e vërtetë. Të vjen turp që je shqiptar kur ndodhesh përpara veprave të tilla në kohën kur jetojmë, pikërisht se s’mund të thuash kurrsesi se janë produkt i një njeriu, por se shprehin një kolerë masive.

Madje, dikush për ta mbrojtur më tha se Berisha nuk mund të dijë çdo gjë, se nuk ia ka marrë mendja kur e ka dhënë lejen. Jo, kjo s’është e vërtetë, Doktori mori pjesë vetë në inaugurimin e këtij hidrocentrali dhe a e dini se për çfarë foli midis të tjerash? Për vlerat e mëdha turistike të Shqipërisë dhe për ato që po bënte qeveria për turizmin. Unë personalisht e interpretova këtë si shprehje të ndjenjës së fajit që ndien Kryeministri kur sheh se çfarë po bëhet në këtë vend jo thjesht nga ai, por nga modeli për të cilin fola më lart, i të cilit edhe ai është sa autor, aq edhe instrument i bindur. Ka nga ata që e urrejnë Doktorin, aq sa e zhveshin atë nga çdo lloj ndjenje estetike e pale më njerëzore dhe ia veshin atij çdo të keqe.

Por unë përsëri ngulmoj se vërtet ai ka në zemër e në mendje vetëm parullën “çdo gjë për pushtetin”, e prandaj për këtë mund t’i thurë sot himn turizmit dhe nesër shkatërruesve të tij më të mëdhenj, por ama jo se nuk e ka vetëdijen e masakrës që po bëhet. M’u përforcua kjo ide kur e pashë para ca ditësh që, teksa mbronte bunkerizmimin – më falni hidrocentralizmimin e Shqipërisë – përmendi togfjalëshin “ekonomi e qëndrueshme”. Për mua ai e përdori këtë, meqë nga nënvetëdija i trokiti ndjenja e fajit, pasi e di shumë mirë se vetëm “e qëndrueshme” nuk është kjo që po bëhet në këtë vend. T’i thuash e qëndrueshme kësaj ekonomie, është sikur të thuash për një kalë që e kanë ngrënë ujqit dhe po ia hanë kërmën e mbetur çakejtë se po kujdesen për ta ngritur atë në këmbë.

Mirëpo, kjo ndjenjë faji i zgjat Doktorit vetëm një çast, të cilin e kapërcen shpejt e shpejt me demagogjinë e radhës. Kështu, në diskursin e fundit, na e përshkroi procesin e hidrocentralizimit si atë të kërpudhave që dalin pas shiut: kur po fliste me ministrat memecë të kabinetit të tij (a e keni vënë re që s’kemi parë një mbledhje të kabinetit nga ato që japin mediat, ku të shohim të flasë qoftë edhe një ministër?), tha se, ndërkohë që ai fliste, mund të kishte mbaruar së ndërtuari edhe ndonjë hidrocentral tjetër.

Pastaj na njoftoi se në shtator do të mbarojë ai i Ashtës. E bukura është se këto hidrocentrale Doktori na i përshkruan me një retorikë që të kujton fjalimet e Hoxhës, sepse duket sikur flet për hidrocentralet që po ia ndërton partia popullit të vet për të kryer elektrifikimin e plotë të vendit. Hidrocentrali i Ashtës, nga sa jam i informuar, po ndërtohet nga një kompani private austriake – për turpin publik të austriakëve sipas meje – e cila do të prodhojë energji që do ta shesë ku të mundë me çmimet e tregut.

Mund t’ua shesë edhe shqiptarëve, nëse ata do të kenë lekë për ta blerë. Dhe kjo do të vazhdojë ndonja 25-30 vjet dhe pastaj hidrocentrali do t’u mbetet shqiptarëve – kuptohet se në ç’gjendje. Pra, po të kesh parasysh impaktin e tmerrshëm ambiental që ka një vepër e tillë, e vetmja arsye pse austriakët nuk kanë zgjedhur ta bëjnë në vendin e tyre, por e bëjnë në Shqipëri, është sepse atje nuk i lejon kush të bëjnë gjëra të tilla, kurse këtu kanë gjetur një qeveri gangsterësh që jeton duke grabitur qytetarët e vet dhe që e trajton pronën e përbashkët si ta ketë bahçen e vet. Fakti është që, nga sa di, komunat përreth nuk janë pyetur, siç e kërkon ligji dhe konventat e një shteti demokratik, nëse e duan apo jo këtë çimentifikim të derdhjes së bukur të Drinit. Ndërkaq, përfitimi i vetëm që kanë pasur ato, ka qenë punësimi i banorëve të tyre.

Nuk e di se sa janë paguar, por ma merr mendja se maksimumi ndonja 200-300 euro në muaj. Dhe nuk mund të mos ngresh pyetjen: po a nuk do të kishte qenë më mirë që këta të punonin tokën e tyre dhe jo të çimentifikonin peizazhin përreth tyre. Ose ose, në mungesë të kësaj mundësie, a nuk do të kishte qenë më mirë që këta të punonin si emigrantë jashtë shtetit, ku marrin edhe më shumë dhe territori e peizazhi t’u mbetej i pastër e i bukur fëmijëve të tyre dhe gjithë Shqipërisë, sesa të kthehen në emigrantë në vendin e tyre për një çapë bukë? Është i njëjti arsyetim që kam bërë për fabrikat e çimentove që janë edhe ato bash e kundërta e zhvillimit të qëndrueshëm sepse, me të mbaruar ndërtimi i veprës, ata njerëz do të mbeten shumica edhe pa punë, edhe pa mundësitë natyrore e peizazhore që u ofronte terreni i tyre, edhe me ndotjet e paevitueshme që prodhojnë vepra të tilla.

Por do të thoni ju: a nuk i di Doktori këto? Për mua, ngulmoj, kjo që po ndodh nuk duhet parë thjesht si lajthitje e Doktorit. Kush mendon se me ikjen e doktorit do të mbarojë kjo masakër, ose gabohet, ose kërkon të na mashtrojë.

Kjo që po ndodh me ekonominë tonë, është rezultati thuajse i pashmangshëm i një modeli biznes-politikë bazuar në shfrytëzimin maksimal dhe pa asnjë vizion të burimeve të vendit nga një lukuni njerëzish që kanë njëzet vjet që kafshojnë ku të munden e si të munden këtë vend vetëm për të ushqyer vetveten. Periudha e socialistëve në pushtet ishte ajo kur shteti u kap kryesisht nga ata që zotëronin industrinë më të madhe përfituese për momentin: ndërtimi. Ishte kjo kryesisht që prodhoi para për shtetin, për korrupsionin e politikanëve dhe punë për bukën e gojës së njerëzve të thjeshtë. Burimet ekonomike të saj ishin kryesisht paratë e emigrantëve që kërkonin ndonjë shtëpi, si dhe pastrimi i parave të pista të trafiqeve dhe korrupsionit. Tashmë dihet se çfarë dëmi ka shkaktuar kjo industri në kuptimin e asaj që quhet cilësi jete e qytetarëve, por dihet se ka disa vjet që kjo industri është në krizë, ashtu sikurse edhe paratë e emigrantëve.

Kjo e ka shtyrë Doktorin dhe të tijtë të kërkojnë rrugë alternative në emër të mbijetesës së tyre politike dhe përfitimeve të shpejta e maksimale për xhepat e tyre. E duke qenë se industria e ndërtimit pjesërisht ishte gati me makineritë e saj, ajo ka kaluar kryesisht në rrugë dhe hidrocentrale. Sigurisht copat më të majme i kanë biznesmenët e lidhur me PD-në. Për rrugët merren para borxh duke na e rritur këtë nuk dihet se sa, sepse s’kemi asnjë të dhënë të besueshme. Për hidrocentralet kërkohen paratë e të huajve të cilët, përveç parave, të sigurojnë edhe mbështetje politike nëpërmjet ambasadave dhe ambasadorëve.

A ka nevojë Shqipëria për energji? Mendoj se po – duke parë se sa kemi vuajtur këta njëzet vjet. Por projekti i hidrocentralizimit nuk synon absolutisht këtë. Po të ishte kështu, qeveria do të duhej të na paraqiste me shifra bindëse se sa janë nevojat e shqiptarëve – duke mos harruar se një e treta janë jashtë shtetit – dhe të zgjidhte projektin më efikas për plotësimin e mungesave ku, sipas meje, nëse turizmi dhe zhvillimi i qëndrueshëm do të ishte prioritar, sikurse nuk mungon të thotë Doktori, atëherë pa dyshim që do të preferohej ndërtimi sa për të plotësuar nevojat e vendit dhe madje, blerja nga jashtë përpara ndërtimit të hidrocentraleve në plazhet më të bukura të vendit.

Në fakt, me projektin e hidrocentralizimit po ndodh e njëjta gjë ashtu si me industrinë e ndërtimit të banesave, apo ashtu si me ndërtimin e karburanteve absurde që kanë zaptuar territore pa fund jo për shkak të nevojave, por për shkak të përfitimit të atypëratyshëm të individëve të papërgjegjshëm dhe të babëzitur e njëherësh të paaftë për të ndërtuar një ekonomi vërtet të qëndrueshme. Pra, thjesht jepen leje ndërtimi hidrocentralesh si dikur jepeshin leje ndërtimi pallatesh, mundësisht me sa më shumë kate, për të marrë para nën dorë ndërkohë që, sipas specialistëve, studimi i eficiencës tregon se prurjet e lumenjve, ashtu sikurse edhe tregu, s’mund ta ushqejnë dot kurrsesi këtë oreks.

Shumë hidrocentrale, po qe se do të ndërtohen, do të mbeten gërmadha shkatërruese të ambientit, ashtu siç kanë mbetur e do të mbeten shumë ndërtime. Mirëpo Doktori dhe të tijtë nuk duan t’ia dinë. Më mirë një vezë sot se pula nesër mund të ngordhë, thonë ata. Pastaj po afrohen edhe zgjedhjet që s’të lënë as të mendosh për projekte afatgjata. Kundërshtari ka punuar sipas parullës “një pallat, një votë”; kjo sot nuk funksionon, atëherë o burra të kalojmë në parullën “një hidrocentral, një votë”.

A ka ndonjë mënyrë për ta ndaluar këtë katrahurë? Përshtypja ime është se pas njëzet vjetësh është rritur mjaft vetëdija se kjo ka qenë një rrugë e gabuar zhvillimi, por fatkeqësisht së bashku me të është rritur edhe ndjenja e pafuqisë për ta ndryshuar gjendjen, pasi i sëmuri duket i pashpresë, prandaj dhe Doktori na jep morfinë. Në këto kushte, përfundimisht Doktori dhe ata që e rrethojnë, duhen konsideruar si të paaftë për të ndërtuar një ekonomi të qëndrueshme e duhet të ndërrohen, por, fatkeqësisht, nuk shoh që opozita, si ajo e vjetra edhe kjo e reja që po lind, atje ku ka pushtet apo influencë (si në Durrës apo Korçë p.sh.) të punojë me një tjetër model marrëdhëniesh biznes-politikë dhe me tjetër kategori njerëzish nga ata me të cilët po punon Doktori.

Prandaj dhe zgjidhjet e opozitës së vjetër përqendrohen te doktori i gabuar dhe jo te analiza e thellë dhe e vërtetë e sëmundjes, kurse të kësaj së resë tek propozimi i ndoca kurave sharlataneske – ku që të dyja s’më duken tjetër gjë, veçse variante morfine doktorësh të gabuar. Le të shpresojmë megjithatë, “Zoti bën çudira” thonë disa – megjithëse unë fatkeqësisht s’besoj te kjo.
Panorama

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama