Një valë akuzash u ngrit kundër autorit prej një numri të madh polemizuesish, ndër të cilët edhe firma të njohura specialistësh të fushës, autorësh të letrave shqipe, politikanësh të rangjeve më të larta, ku ndër më të spikaturit përmendim historianin Kristo Frashëri, shkrimtarin Ismail Kadare, Presidentin e Republikës, Bamir Topi. Akuzat silleshin kryesisht rreth temës se Schmitt është antishqiptar, gati-gati sikur ai të bëjë pjesë në një konspiracion për të na “marrë”, “rrëzuar”, “dhënë serbëve” Skënderbeun, dhe se ka punuar për arritjen e këtij “misioni” nëpërmjet deformimit të historisë së heroit, të origjinës së tij dhe motiveve të kryengritjes së tij.
Na duket e vështirë të ndajmë akuzat që kanë ardhur nga specialistët e fushës prej reagimeve vulgare të shkruesve të ndryshëm nëpër faqet e internetit, që herë-herë degraduan deri në kërcënime me jetë të autorit, pasi na duket se ushqehen nga e njëjta frymë nacionalizmi që po gjen një terren të shtruar në Shqipërinë e sotme e për të cilën përgjegjësia kryesore, sipas nesh, bie mbi elitën kulturore dhe politike në vend. Në analizën tonë janë të shumtë faktorët që shpjegojnë shtrimin e këtij terreni nacionalist. Një aspekt të veçantë meriton kriza e fortë identitare që përjetoi shoqëria shqiptare pas rënies së komunizmit. Gjatë kësaj krize nacionalizmi – ashtu si edhe në vendet e ish-Jugosllavisë – mbeti dega “e shëndoshë” e ideologjisë nacional–komuniste (“socializmi patriotik” e quanin në ish-Jugosllavi), që kishte manipuluar masat për thuajse gjysmë shekulli, që prej mbarimit të Luftës së Dytë Botërore në këto vende. Kjo degë njohu një lulëzim agresiv, ushqyer edhe me synimin e mbarimit të procesit të ndërtimit të shtetit etnik, i konsideruar i ndërprerë gjatë periudhës komuniste.
Ky fenomen duhet parë i lidhur ngushtë edhe me faktin se legjitimiteti i elitës shkencore e politike që ka drejtuar e drejton ende vendin vinte prej jetës dhe veprës në të shkuarën, çka e bënte atë dy herë agresive në mbrojtje të pushtetit të saj politik dhe kulturor. Do të veçonim, po ashtu, si faktor të këtyre reagimeve anakronike nacionaliste, edhe rënien e madhe të nivelit të arsimimit në Shqipërinë e pas viteve ‘90 në kushtet e një eksodi masiv të shqiptarëve, të një rrjedhjeje dramatike të trurit dhe të një kulture konsumizmi që rëndon tejet mbi nivelin e shkollave e të universiteteve brenda vendit. Edhe kjo ka ndikuar jo pak që shoqëria shqiptare, e izoluar dhe manipuluar për gjysmë shekulli nga propaganda dhe kultura nacional–komuniste, të ndihej e paaftë, prandaj dhe e frustruar, përballë shock-ut kulturor të takimit me vlerat dhe metodologjinë shkencore që u zhvillua në Perëndim, veçanërisht pas Luftës së Dytë botërore – çka e tregon edhe ballafaqimi me librin e Schmitt-it.
Polemikat e specialistëve të fushës ndaj Skënderbeut të Schmitt-it, ashtu sikurse edhe ato të ndërhyrësve të shumtë në faqet e ndryshme të internetit, treguan se historiografia, dhe në tërësi shkenca e quajtur “albanologjike”, trajtohen ende nga pjesa dërrmuese e studiuesve shqiptarë, e thuajse nga të gjithë ata që punojnë në institucionet shtetërore, të tilla si Akademia apo institute të ndryshme, si instrumente në shërbim të ndërtimit të kombit dhe të krenarisë kombëtare, dhe jo si instrumente të kërkimit të mirëfilltë shkencor. Ato treguan gjithashtu për një izolim dhe vetizolim të studiuesve shqiptarë nga arritjet dhe metodologjitë e reja shkencore të shkencës së historisë.
Në këto kushte, në vazhdën e botimeve të numrave të Përpjekjes, që kanë si moto futjen e frymës kritike në kulturën shqiptare dhe hapjen e kësaj kulture ndaj kulturave të tjera, menduam të botojmë këtë numër për Skënderbeun, ku më një anë t’i bëhet kritika një historiografie shqiptare skajshmërisht të ideologjizuar dhe, më anë tjetër, të hidhet dritë mbi kontribute shkencore që e sjellin më afër kohës së tij Skënderbeun.
Në pjesën e parë të këtij numri jemi marrë me debatin e provokuar nga botimi i librit të Oliver Jens Schmitt. Shkrimi i parë, ai i historianit gjerman Michael Schmidt Neke, na jep një pasqyrë përmbledhëse të temave kryesore që inspiruan polemikat e ashpra ndaj Schmitt-it. Shkrimet e Artan Putos dhe Fatos Lubonjës shprehin qëndrimin e Përpjekjes në debatin në fjalë. Kjo pjesë mbyllet me një intervistë ekskluzive për Përpjekjen të Oliver Jens Schmitt-it, në të cilën autori i monografisë së Skënderbeut, veç të tjerave, shtjellon argumente edhe rreth temave më të nxehta që ka provokuar libri i tij.
Në pjesën e dytë të numrit kemi përfshirë një numër esesh dhe studimesh kritike të autorëve shqiptarë e të huaj rreth aspekteve të ndryshme të mitit të Skënderbeut në jetën dhe veprën e shqiptarëve. Enis Sulstarova merret me “mashkulloritetin” apo “burrërinë” si tipar i nacionalizmit shqiptar, i brumosur ky veçanërisht nëpërmjet figurës së Skënderbeut, çka ai e vë në dukje duke marrë në analizë poemën e Naim Frashërit “Istori e Skënderbeut”. Ervin Hatibi tregon, duke ironizuar, luftën ideologjike të shqiptarëve për sheshin “Skënderbe”, ku ndodhet shtatorja e heroit kombëtar.
Nicole Nixon, që, duke cituar Jane Sugerman, e quan këtë shtatore një “formë të pacipë të maçizmit nacionalist”, merret me ripërpunimin ideologjik të mitit të Skënderbeut në kohën e sotme në funksion të afirmimit europian të shqiptarëve. Ajo argumenton se shfrytëzimi i mitit të Skënderbeut për t’i paraqitur shqiptarët si “always already European” (ngaherë e tashmë europianë), nuk është “kredenciali” i duhur për anëtarësimin në BE, pasi, duke qenë larg frymës së kohës së sotme, ka gjasa që kjo qasje të kontribuojë, ironikisht, në ekzoticizimin e vendit. Doan Dani i bën një analizë kritike librit të Aurel Plasarit Skënderbeu: një histori politike (botuar nga Instituti Shqiptar i Studimeve, 2011). Ai shtjellon argumentet e tij se pse ky nuk është një libër historik i çliruar nga darët e ideologjizimit të vjetër dhe të ri, duke ngritur pikëpyetje serioze për atë se sa janë të afta elitat shqiptare për një konceptim mirëfilli shkencor të historiografisë.
Në pjesën e tretë kemi sjellë specialistë të fushës, historianë që janë marrë me epokën dhe figurën e Skënderbeut. Jemi interesuar veçanërisht të sjellim zërin e historianëve modernë turq. Halil Inalcyìk, specialist i njohur i historisë osmane, që njihet si historiani me serioz turk që është marrë me Skënderbeun, na sjell në shkrimin e tij, nëpërmjet dokumentesh, kohën kur lindi kryengritja.
Feridun M. Emecan, gjithë duke mbajtur qëndrim kritik ndaj manipulimit ideologjik nacionalist të historisë së Skënderbeut, si nga historiografia shqiptare, ashtu dhe ajo turke, na kthen përpara kësaj kohe, në fillimet e kontakteve të shqiptarëve me osmanët/turqit. Oliver Jens Schmitt, me stilin e tij tashmë të njohur për lexuesin shqiptar, ku historia e kërkimit shkencor, e faktuar me referenca të panumërta, ruan edhe dramaticitetin e një rrëfimi thuajse letrar, të pasur me detaje që sjellin atmosferën e kohës, na sjell një Krujë të kohës së Skënderbeut dhe të pas vdekjes së heroit, deri në rënien e qytetit përfundimisht në duart e osmanëve, të ndryshme nga ajo që është rrënjosur në imagjinatën e shqiptarëve nga historiografia dhe letërsia nacional – komuniste.
Gjithashtu, në këtë kapitull vijnë në shqip materiale që kanë të bëjnë me mënyrën se si e ka parë historiografia dhe letërsia turke, greke, sllave Skënderbeun. Ata na tërheqin vëmendjen, veç të tjerash, për atë se historia jonë nuk mund të shihet e izoluar nga konteksti më i gjerë ballkanik në të cilin është zhvilluar, sikurse jemi mësuar ta shohim deri më sot për shkak të izolimit të gjatë kulturor, që fatkeqësisht vazhdon. Historiani Bülent Bilmez jep një pasqyrë të literaturës turke mbi Skënderbeun, duke arritur në përfundimin se, përsa i përket kërkimin serioz shkencor, me përjashtime të pakta – ku hyjnë dy autorët e sipërpërmendur Inalcyìk dhe Emecan – ajo vlen pako gjë.
Ndërkaq, shkrimi i Titos P. JochalasTitos P. Jochalas na jep një pasqyrë të bibliografisë së Skënderbeut në historiografinë dhe letërsinë greke, duke nxjerrë në pah se si figura e tij si hero antiosman është përdorur, edhe përpara se të përdorej nga nacionalizmi shqiptar, nga lëvizja nacionaliste greke për të çliruar Epirin, që ishte ende pjesë e Perandorisë Osmane në shek. XIX, madje, në më të shpeshtën, edhe duke i veshur atij origjinë greke. Pandeli Pani na jep një pasqyrë të Skënderbeut në letërsinë e sllavëve të Jugut, tek e cila na tërheq vëmendjen, veç të tjerash, fakti se si në një periudhë të parë lëvizjet nacionaliste të shekullit XIX në popujt e Ballkanit kanë qenë shumë më afër njëra-tjetrës për shkak të synimit të përbashkët dhe se si Skënderbeu në këtë kontekst shihej si hero edhe i sllavëve të Jugut, edhe i shqiptarëve.
Numri mbyllet me një studim kritik të Elio Miracco-s, i cili ka ballafaquar botimin e parë të romanit “Kështjella” të shkrimtarit Ismail Kadare më 1972-shin, që ka për subjekt rezistencën e Skënderbeut, me botimin e pas viteve ’90, duke vënë në dukje se si autori është përpjekur të fshijë, deri nëpërmjet ndryshimeve leksikore, metaforën e Shqipërisë “kështjellë ndaj imperializmit dhe social-imperializmit” të botimit të parë në funksion të një metafore të re që gjejmë tek i dyti.
Shpresojmë se ky numër do të jetë një kontribut për zhvillimin si të mendimit kritik që di të ndajë mitin dhe nevojën për mite nga historia – kusht ky i domosdoshëm i njohjes si rrugë drejt lirisë – ashtu edhe për të pasuruar historiografinë tonë me studime të mirëfillta shkencore.
* Doli në shtyp numri 28-29 i revistës “Përpjekja”. Revista ia dedikon këtë numër “Skënderbeut të kërkimit shkencor”. Aty, më një anë i bëhet kritika një historiografie shqiptare skajshmërisht të ideologjizuar dhe, më anë tjetër, sillen kontribute shkencore nga historianë të njohur që e sjellin Skënderbeun më afër kohës së tij. Numri ka edhe një intervistë ekskluzive nga Oliver Jens Schmitt, autori i monografisë së Skënderbeut që hapi shumë polemika në shtypin shqiptar. Po botojmë editorialin e Fatos Lubonjës.