Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Konteksti i grevës së urisë

Shkruar nga: Fatos Lubonja  
Botuar më: 13 vite më parë

Fatos Lubonja
Konteksti i grevës së urisë

Greva e urisë së ish-të burgosurve politikë ka qenë dhe mbetet një nga ngjarjet më të debatuara kohët e fundit. Ajo ka hapur shumë tema të mprehta sociale ekonomike, politike, të lidhura sa me të kaluarën, edhe me të tashmen, sa me forcat politike, edhe me shoqërinë civile dhe që e tejkalojnë “hallin” e atyre që u futën në grevë. Në fakt, ajo ishte një test, do të thosha, për tërë shoqërinë me në krye politikën, për të provuar se sa ka reflektuar ajo për të kaluarën komuniste, se sa është në gjendje ajo të zgjidhë problemet, se sa është në gjendje të dialogojë, negociojë etj., dhe rezultatet e këtij testi na nxorën keq, shumë keq.

Në këtë shkrim nuk mund të shteroj tërë problematikën që ngacmoi ajo grevë, por më duket e domosdoshme të shtjelloj më së pari kontekstin social ekonomik të grevës.

Nuk gjej mënyrë më të mirë për ta shtjelluar këtë kontekst sesa rrëfimi i tri bisedave që kam pasur këto ditë midis bisedave të shumta që bëjmë të gjithë përditë me ata që takojmë.

Biseda e parë:

Një i njohur, teksa pinim kafe, më tregoi se po i ndërtonin pa leje atje ku ai ka pronën, në një lagje të Tiranës. “Shkova të ankohem dhe e di çfarë më thanë? – Shiko, ne atë zonën ia kemi lënë partisë çame. Shih se mos gjesh ndonjë nga ata që ta rregullosh këtë punë, se për besë vështirë e ke ndryshe”.

Biseda e dytë:

Duke i treguar një të njohuri historinë e parë, ai më tregoi një tjetër: “Një mikut tim i vdiq i ati, më tha. Aty zbuloi se puna e një vendi varri ishte problem i madh. Duhet të paguaje – nën dorë kuptohet. I thanë: Shiko, varrezat i ka LSI-ja, prandaj shih mos njeh ndonjë nga ata të LSI-së”.
Biseda e tretë

Teksa ndalova në një dyqan për të blerë një mall, shitësi më njohu dhe më tha:

- Zoti Lubonja, kam një hall. A mund të më ndihmosh?
- Çfarë halli ke? – i thashë.
- Kam gruan pa punë, është mësuese.
- Mësuese për çfarë?
- Pedagogji.
- Çfarë të thonë?
- Më kanë kërkuar para. Një vend pune për gruan time kushton nga 3 deri në 5000 euro.
- Kush t’i ka kërkuar, – i thashë, – me shpresën se do të më pasuronte listën e partive. Por kësaj here përgjigja ishte: “Sekseri”.

Ja, këto janë bisedat që zhvillojnë përditë njerëzit nëpër tryeza. Dhe të mos harrojmë se ato përbëjnë sfondin e atyre lajmeve skandaloze që flasin për shitje korruptive të pronave publike, për interesa milionëshe, për tenderë të anuluar e për tenderë mashtrues, e me radhë e me radhë – që i faturohen, mbi të gjitha, partisë më të madhe në pushtet.

Është imazhi i një vendi ku partitë janë kthyer në banda që kanë ndarë territorin e po e shqyejnë ku të mundin e sa të mundin, madje me një uri edhe më të madhe, pasi tani kanë mbetur copërat e fundit. Është imazhi i një shoqërie të polarizuar ekstremisht, kur një pjesë e vogël, duke abuzuar me pushtetin, kanë vënë pasuri të mëdha, kurse pjesa tjetër e sheh veten të margjinalizuar dhe shpresëfikur.

Greva e urisë së ish-të përndjekurve politikë nuk mund të shihet e shkëputur nga kjo gjendje e përgjithshme e njerëzve. Ata njerëz, një pjesë e të cilëve përfaqësojnë kategorinë më të pafat të të pafatëve që u kaloi një pjesë e jetës nëpër kampe, burgjet e komunizmit, zgjodhën grevën e urisë si mjetin e fundit të presionit dhe të protestës. Por nuk mund të thuash kurrsesi se ata përfaqësojnë vetveten. Ata përfaqësojnë një zhgënjimi më të madh.

“Zhgënjimi qenka më i rëndë se shtypja, – më tha një ish-bashkëvuajtës që s’ishte në grevë, por që ndiente gjer në kockë shpërfilljen e pushtetit dhe të shoqërisë, – sepse shtypja, tek e fundit, tregon edhe respekt, tregon se ti je, të llogarisin, kurse ky injorim është më i rëndë”.

Unë gjykoj se ky është konteksti në të cilin duhej parë greva e urisë së ish-të burgosurve politikë. Ai i humbjes thuajse totale të besimit te politika. Përpara tetë vjetësh, duke trajtuar çështjen e ish-të burgosurve politikë në prag të zgjedhjeve që i dhanë fitoren, Sali Berisha, midis të tjerave, ngrinte pyetjen: “Ku shkuan me mijëra e qindra hektarë tokë që ata krijuan me mundin dhe djersën e tyre? Që të gjitha gëzohen sot nga fermerë, por për hir të së vërtetës, i përkisnin shoqërisë së konformuar, dhe jo asaj të shtypur, jo asaj të persekutuar. Duke e parë edhe në këtë kontekst, nuk mund të pranojmë që këto pasuri kombëtare që u krijuan, të gëzohen nga ky komb pa njohur borxhin që ka ndaj atyre motrave dhe vëllezërve që u përdorën si argatët më të keqpaguar në historinë e kontinentit….

…Le ta marrim kënetën e Maliqit, kënetën e Tërbufit, kënetën e Thumanës etj.; secila prej tyre është mbi një miliard dollarë vlerë. Nuk po përmend dhjetëra vepra të tjera të mëdha që kanë ndërtuar, por vetëm këto këneta të shndërruara në tokë buke, kanë sot dhe në çdo kohë një miliard dollarë vlerë…

…Jam i vetëdijshëm se për dy apo tre vjet nuk mund të shlyhet kjo faturë, por jam i vetëdijshëm se në një vend që vidhen 600 milionë euro në vit në taksa nga 27 VIP-a, pa cenuar askënd, brenda një afati kohor të shkurtër mund të ndahet shoqëria shqiptare tërësisht nga pasojat e kalvarit më të egër që Europa e pasluftës ka njohur, sepse asnjë komb nuk ka pasur një luftë klasore vrastare si kombi shqiptar…”.

Perceptimi pas tetë vjetësh është se 27 VIP-at mund të jenë bërë 54, se 600 milionët mund të jenë bërë 1 miliard e 200 milionë, dhe se të nëpërkëmburit sot janë më të shumtë e më të poshtëruar po ashtu. Ka arritur puna deri aty sa disa sot shtrojnë pyetjen: Po pse për të bërë 55 njerëz miliarderë qenka rrezuar ai sistem?

Në vend që të reflektonte thellë për këtë gjendje që e nxori edhe më në pah greva e urisë së ish-të burgosurve, Sali Berisha dhe politikanët rreth tij përdorën një taktikë të njohur: “Nëse do të zgjidhësh një problem, sajo një armik”. Se ku përfundon kur për zgjidhjen e problemeve sajohet armiku, i jashtëm apo i brendshëm, na e ka mësuar përvoja e regjimit të Enver Hoxhës.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama