Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Shqiptaret dhe nacional-europianizmi

Shkruar nga: Fatos Lubonja  
Botuar më: 13 vite më parë

Fatos Lubonja
Shqiptaret dhe nacional-europianizmi

Kur Parlamenti Europian aprovoi heqjen e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën në vitin 2010, në Tiranë kjo u festua si rrallë ndonjëherë. Dekori kryesor i festës u vendos në sheshin qendror. “Skënderbej”, dëshmitar i ngjarjeve më të mëdha në historinë e vendit.  Kolonat e rënda të fasadës së Pallatit të Kulturës, gurin themeltar të të cilit e ka vendosur Hrushovi në kohën kur Shqipëria ishte pjesë e kampit socialist, u mbuluan me pankarta gjigante. Ngjyra e tyre ishte në blunë e flamurit europian, që jo rastësisht përkon me ngjyrën e flamurit të Partisë Demokratike në pushtet, themeluar më 1990-n si kurorëzim i protestave studentore që, mes tjerash, lëshuan edhe thirrjen: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Në pankartën e madhe në qendër të fasadës, krahas yjeve të verdhë të Bashkimit Europian, ishte dizajnuar shqiponja e zezë e flamurit shqiptar, flamuri i SHBA, aleati i madh, si dhe shkruhej me germa të mëdha të bardha: “PA VIZA NË EUROPË”.

Nëpër flamujt e tjerë, që mbulonin krejt fasadën gjigante të Pallatit, shkruheshin emrat e kryeqyteteve të mëdha të Europës dhe kohët e fluturimit për drejt tyre, duke transmetuar idenë se tashmë, brenda një harku kohor prej një, dy, maksimumi tri orësh, shqiptarët do të mund të gjendeshin në Paris, Romë, Berlin, Vjenë, Madrid, Athinë, Zyrih e me radhë. Në të gjithë vendin u hodhën fishekzjarrë, u mbajtën koncerte që shoqëronin fjalime të zjarrta politike. Kryeministri Berisha e quajti ngjarjen më të rëndësishmen në historinë e shqiptarëve që nga koha e Skënderbeut – heroi kombëtar që, në mitologjinë nacionaliste shqiptare, të ripërpunuar në kohën e nacional-komunizmit të Enver Hoxhës sipas një konceptimi teleologjik dhe një qasjeje thellësisht esencialiste përsa i përket identitetit kombëtar, luftoi me osmanët në shekullin XV për çlirimin e atdheut e që, pas rënies së komunizmit, është riripërpunuar edhe si hero i besimit se shqiptarët always already (ngaherë e tashmë) kanë qenë/janë europianë, kurse pesëqind vjet pjesë e Perandorisë Osmane apo 50 vjet komunizëm kanë qenë thjesht aksidente në historinë e tyre.

Shqipëria e madhe europiane

Ky mitizim i Europës, i filluar nga lëvizja nacional-romantike në kapërcyell të shekujve XIX – XX, kur Shqipëria u bë shtet i pavarur (1912-1913), me ndihmën veçanërisht të Austro-Hungarisë dhe Italisë, i ndërprerë për gjatë gjysmë shekulli nga diktatura nacional – komuniste dhe i rivitalizuar pas viteve ‘90, është shoqëruar gjatë këtyre njëzet vjetëve postkomunizëm edhe me një aspiratë tjetër që shqiptarët e formulojnë me shprehjen “zgjidhja e çështjes kombëtare”. Me këtë ata kuptojnë pavarësimin e Kosovës në kuadër të dizintegrimit të Jugosllavisë dhe bashkimin e saj në shtetin mëmë, të cilit do t’i bashkohet edhe një pjesë e FYROM-it (Maqedonisë), ajo perëndimore, banuar kryesisht me shqiptarë. Ndonëse elitat në pushtet e shprehin me doreza këtë aspiratë dhe, veçanërisht në deklarimet për ndërkombëtarët, flasin për respektim të kufijve, brendapërbrenda hapësirave shqiptare bashkimi konsiderohet si hap i mëtejshëm i paevitueshëm i historisë së tyre që ata vazhdojnë ta konceptojnë si një rrugë metafizikisht të determinuar.

Në Shqipëri dhe Kosovë refuzohet të përdoret fjala kombësi (“nationality” në anglisht) për të shprehur përkatësinë në shtetin komb shqiptar, maqedonas, apo atë kosovar, që sapo ka nisur si projekt. Në vend të saj përdoret fjala shtetësi (citizenship), ndërkohë që kombësi përdoret për të gjithë shqiptarët në rajon, për të treguar përkatësinë etnolinguistike, gjakun, që, sipas tyre, ka qenë dhe është po ai qysh në kohën e ilirëve dhe është më i rëndësishëm sesa shtetësia. Në Kosovë, por edhe në Shqipëri, janë të pakët ata që besojnë në projektin që simbolizon flamuri me gjashtë yje i Kosovës, sipas të cilit, kjo mund të bëhet një shtet – komb multietnik që do t’i bënte serbët dhe etnitë e tjera që banojnë atje, krahas maxhorancës shqiptare, të vetëquheshin kosovarë përsa i përket kombësisë (nacionality). Mbi 80% e shqiptarëve të Kosovës përgjigjen në çdo survey se janë pro Shqipërisë etnike. Sipas sondazheve të Gallupit (2010) janë mbi 60% shqiptarët e Shqipërisë që mbështesin idenë e kësaj Shqipërie, ku një pjesë nuk hezitojnë të fusin edhe pretendimin për Çamërinë, rajon i Epirit në Greqi i banuar deri në Luftën e Dytë kryesisht nga shqiptarë, të cilët pësuan një spastrim etnik nga grekët, pasi u akuzuan si bashkëpunëtorë me gjermanët.

Paradoksalisht, projekti i integrimit të shqiptarëve në BE-në e krijuar pikërisht si pasojë e tragjedisë së shkaktuar nga projektet nacionaliste europiane dhe projekti nacionalist i “zgjidhjes së çështjes kombëtare” nuk trajtohen në diskursin dominant brendashqiptar si në kontradiktë me njëri-tjetrin. Përkundrazi, këto trajtohen si dy projekte që, ndonëse për një kohë mund të ecin paralelisht, tek e fundit, do të konvergojnë. Sipas zgjidhjes më të reklamuar të këtij diskursi, futja në Bashkimin Europian do t’i bëjë të panevojshëm kufijtë dhe atëherë shqiptarët në të tria shtetet ku jetojnë do të mund të bashkojnë interesat e tyre në atë që disa ideologë të bashkimit e quajnë “Shqipëria natyrore” – duke evituar të përdorin termin “Shqipëria e madhe” për shkak të konotacionit negativ që ka ky term në Ballkan.

Po ashtu, në këtë diskurs bëhen pak përpjekje për ta trajtuar integrimin në Europë të shqiptarëve si përpjekje për ndërtimin në Ballkan të një kulture postnacionaliste në frymën e kulturës që u zhvillua në Europën e pas Luftës së Dytë midis vendeve ndërluftuese. Ai më shumë e trajton atë si një lidhje me Europën mike, ndërkohë që me fqinjët armiq historikë, serbët, maqedonasit, malazezët apo me grekët, duket sikur do të vazhdohet të jetohet me ndjenjat e vjetra të armiqësisë dhe mosbesimit.

Me shpatë në dorë

Mbështetja që ka dhënë shumica e shteteve  europiane për çlirimin e Kosovës më 1999-n si dhe për njohjen pavarësisë së saj, e lehtëson jo pak këtë diskurs. Por, ambiguiteti i tij i ka rrënjët edhe në të kaluarën e trashëguar, ashtu sikurse  edhe me kontekstin gjeopolitik në rajon e më gjerë. Le të mos harrojmë se edhe nacional-komunizmi, ideologjia e sundimit të Enver Hoxhës, bashkoi glorifikimin nacionalist të historisë së shqiptarëve që e “kanë çarë rrugë e historisë me shpatë në dorë” me Shqipërinë si “kështjellë e vetme e marksizëm-leninizmit në Europë” në një sinkretizëm ideologjish teorikisht kontradiktore.

Sot, në një farë kuptimi, mund të thuhet se elita e sotme politike, trashëguese e të njëjtave metoda të menduari, gjithë duke ruajtur degën nacionaliste të asaj ideologjie, e ka zëvendësuar atë komuniste me mitizimin e europianizimit, duke  ndërtuar si ideologji pushteti nacional – europianizmin, ku ndërsa nacionalizmi shihet si themeli i patundshëm i sigurt identitetdhënës, europianizmi si ideologjia që përcakton “të ardhmen e ndritur” për kombin shqiptar.

Por nuk është vetëm bota shqiptare që punon sipas kësaj ideologjie binare. Ku më shumë e ku më pak, edhe të gjitha vendet e Ballkanit funksionojnë po kështu. Po ashtu, rritja e lëvizjeve nacionaliste kudo në Europën e pasur si pasojë e globalizmit, rrezikut të emigracionit si dhe krizës së fundit ekonomike, e lehtësojnë jo pak  ambiguitetin e këtij diskursi nacional-europianist në Ballkan. Për Shqipërinë mund të theksohet si më i veçantë fakti se, për shkak të së kaluarës që e mbajti të izoluar nga Perëndimi dhe Lindja deri më 1990-n, vuan më shumë nga mpirja e mendimi kritik dhe, për pasojë, edhe nga mungesa thuajse e plotë e problematizimit të diskursit nacional-europianist.

Ndërkaq, gjatë këtyre njëzet vjetëve realiteti social-ekonomik si në Shqipëri, edhe në Kosovë, po ndeshet me jo pak probleme të akumuluara që e bëjnë shoqërinë të jetojë një lloj skizofrenie midis realitetit tejet të vështirë social ekonomik dhe premtimeve të diskursit nacional-europianist.

Takimi me globalizimin e ka kthyer vendin gjithnjë e më shumë në një hapësirë ekonomike të hapur për investime e që, në kushtet e varfërisë dhe prapambetjes, po përkthehet në shitblerje të vendit nga kapitali i huaj.

Klasa e korruptuar politike në pushtet e ka kthyer politikën gjithnjë e më shumë në menaxhim të bizneseve të veta duke bërë që efektet e kapitalizmit dhe globalizmit të rëndohen edhe më.

Ekonomia informale – për të mos thënë kriminale – që filloi të zhvillohet pas rënies së komunizmit, edhe si pasojë e paaftësisë së vendit të rrënuar ekonomikisht për të përballuar kompeticionin në tregun e lirë global, ka kapur gjithnjë e më shumë krejt strukturat e shtetit.

Në këto kushte ka vazhduar ikja e njerëzve jashtë vendit në emigrim për të mbijetuar. Shqipëria 3-4 milionë banorëshe ka thuajse një milion banorë të saj jashtë, kurse Kosova ka një shifër rreth gjysmë milioni, që është edhe kjo një e katërta e popullsisë së saj.

Projekti i integrimit europian, i cili, veç të tjerash, edhe nëpërmjet prezencës aktive perëndimore, i ka mëshuar vazhdimisht, përveç arritjes së standardeve demokratike, edhe kapërcimit të urrejtjeve të vjetra nacionale në rajon, dialogut, multikulturalizmit, ka qenë themelor për të ruajtur deri më sot ekuilibrin në këtë skizofreni, për të mos lejuar që pushteti të kalojë në rrjedha ekstremiste ku më të mundshmet janë ato nacionaliste autoritare. Ndonëse, sikurse thashë më lart, shumica e shqiptarëve në Kosovë gjakojnë Shqipërinë etnike, janë të pakët ata që duken të gatshëm të bëjnë luftë për këtë: shumica e mendojnë se kjo do të bëhet me aprovimin e Europës apo të SHBA-ve. Po ashtu, kur bëhet fjalë për vështirësitë e mëdha social-ekonomike apo për krimin e organizuar apo standardet e ulëta demokratike, këto, në diskursin dominant, nuk artikulohen si probleme që kërkojnë riformulime radikale. Ato më së shumti konsiderohen si vështirësi të tranzicionit drejt Europës dhe për kapërcimin e tyre ngulmohet në reformat që do të ndërtonin shtetin e së drejtës sipas modelit europian. Po ashtu, thuajse askush nuk guxon të vërë në diskutim mitin e tregut apo mitin e rritjes me të cilët identifikohet Perëndimi.

Ha shqip

Mitizimi me frymën e së kaluarës i integrimit europian më një anë dhe rëndësia pragmatiste që ka ky mit për ekuilibrat në rajon, janë shkaqet më të rëndësishme se pse në diskursin dominant shqiptar flitet aq pak, për të mos thënë asfare, për krizën që po kalon sot Europa, veçanërisht në termat e rrezikut që paraqet kjo krizë për shpërbërjen e projektit të Bashkimit Europian. Këtë heshtje e ndihmon edhe fakti se Shqipëria, përsa i përket gjendjes ekonomike, mbijeton në një stad varfërie me një ekonomi tejet informale, çka ndikon që ajo të mos ketë sensorët e duhur për ta matur krizën ekonomike në vend. Qeveria, duke manipuluar edhe me shifrat e rritjes, ashtu si deri vonë qeveria greke, spekulon duke thënë se vendi nuk po njeh krizën që po njohin vendet e tjera europiane.

Kush e ndjek politikën shqiptare, do të shohë se, njëlloj si në vitet ‘90, ndeshja më e madhe midis maxhorancës dhe opozitës është e përqendruar mbi akuzat dhe kundërakuzat se kush është fajtori që Shqipëria nuk po arrin standardet europiane që të bëhet pjesë e Bashkimit Europian, se pse nuk po merr dot statusin e vendit kandidat, ashtu si fqinjët.

Megjithatë, përtej këtij diskursi që dominon mediat, nuk mund të mos konstatosh se pasiguria e së ardhmes dhe frika e një kolapsi janë përhapur jo pak në vend së bashku me pakënaqësinë në rritje ndaj kastës së ashtuquajtur reformatore në pushtet, të mbështetur nga Perëndimi, duke bërë që retorika e saj europianiste të tingëllojë gjithnjë e më shumë si një demagogji. Edhe pse ende në minorancë, janë shtuar zërat që, duke parashikuar mossuksesin e projektit të integrimit në Europë, qoftë në formën e dështimit të tij në tërësi, përfshi dhe vdekjen e euros, qoftë në formën e refuzimit të shqiptarëve për një kohë të gjatë, nuk e shohin fatin e shqiptarëve të lidhur ekskluzivisht me integrimin europian dhe tentojnë ta prishin ekuilibrin e deritanishëm të diskursit nacional-europianist. Zërat më të fuqishëm vijnë nga lëvizja “Vetëvendosje” e Kosovës, e cila ka 16% konsensus në zgjedhjet e fundit në Kosovë me një rrezatim edhe te të rinjtë e Shqipërisë.

Të rinjtë e Vetëvendosjes, që kanë organizuar edhe aksione me parullën “Ha shqip” duke prishur ushqime të sjella nga Serbia, ndoshta pa e ditur se një parullë të ngjashme e ka përdorur Musolini, shprehen hapur kundër efekteve të globalizimit si dhe kundër kastës së korruptuar në pushtet, së cilës u bashkojnë edhe protektorët ndërkombëtarë, të cilët i akuzojnë se, në funksion të interesave të kapitalit që përfaqësojnë, kanë një aleancë me klasën politike në pushtet si dhe me atë serbe. Ata kanë lëshuar projektin e mbrojtjes së interesave kombëtare nëpërmjet bashkimit kombëtar, të cilit i japin përparësi ndaj Bashkimit Europian. Ndërkaq, në Shqipëri ka lindur partia Aleanca Kuqezi, e cila ka si qëllim final të vetin bashkimin e të gjithë shqiptarëve nën flamurin kuqezi të Shqipërisë. Me aksionet e saj ajo nxit urrejtje nacionale, duke folur për rrezikun grek apo duke sulmuar martesat e shqiptarëve me sllavë në FYROM (Maqedoni), dhe në programin e saj imediat ekonomik ka bashkimin e ekonomisë shqiptare me atë të Kosovës, duke hequr të gjitha barrierat doganore si ato që ekzistojnë me Greqinë apo shtetet e tjera fqinje.

Nuk mungojnë zërat se prapa këtyre lëvizjeve qëndrojnë edhe financime nga Turqia erdoganiste, e cila, e frustruar nga mospranimi i gjatë në Bashkimin Europian, po kërkon gjithnjë e më shumë të krijojë hapësirat e veta gjeopolitike, veçanërisht në ato vende të ish-Perandorisë Osmane, ku mbizotëron popullsia myslimane, si Shqipëria, Kosova apo Bosnja. Ky projekt synon të fitojë brendapërbrenda vendit edhe mbështetjen e pjesës myslimane të popullsitë që gjatë njëqind vjetëve të dominimit të projektit laik nacional-europianist pastaj nacional-komunist dhe përsëri nacional-europianist (që në dekadën e fundit, veçanërisht pas 11 shtatorit jo rrallë merr edhe tipare nacional-kristiane), është ndjerë e frustruar për shkak të demonizimit orientalist që i është bërë fesë së saj islame dhe më në përgjithësi trashëgimisë së saj të lidhur me Turqinë.

Ajo që mungon krejtësisht në vend si përgjigje e krizës, qoftë edhe në nivelin embrional, është një lëvizje si ajo Syriza në Greqinë – e majtë përsa i përket qasjes ndaj efekteve të krizës dhe shkaqeve që e kanë prodhuar atë dhe antinacionaliste njëherësh. Shkaqet e kësaj mungese janë kryesisht pesha e rëndë e ideologjisë  komuniste të së kaluarës më një anë, dhe përqafimi me frymën e asaj të kaluare i neoliberimit dhe globalizmit, më anë tjetër.

Si përfundim

Duke pasur parasysh kontekstin që skicova deri këtu një dështim i projektit të Bashkimit Europian – dalja e Greqisë nga zona euro do të ishte sinjali dramatik i këtij dështimi – do ta gjente rajonin, veçanërisht hapësirat shqiptare, me një humbje shikimi përsa i përket drejtimit të ecjes, duke krijuar një pasiguri të jashtëzakonshme. Në kërkim të sigurisë, gjasat më të mëdha janë që vendet e Ballkanit t’i bashkojnë degës nacionaliste të diskursit nacional-europianist të elitës reformatore në pushtet një komponente tjetër në vend të europianizmit, e cila do të kërkohet duke rivitalizuar aleancat e vjetra si dhe ato me bazë fetare.

Është e vështirë të parashikosh se sa larg mund të shkonte një kthim i tillë prapa në kontekstin e ri të krijuar pas luftërave që përgjakën vendet e ish-Jugosllavisë dhe pas lidhjes së interesave ekonomike midis vendeve të rajonit që kanë krijuar investimet e shumta, veçanërisht nga Europa. Megjithatë, një Europë e shteteve nacionale që braktisin projektin europian do ta shikonte vetveten në pasqyrë në pamjen e saj më karikatureske, por edhe më dramatike, pikërisht në Ballkan.

*Ky shkrim është botuar në nëntor në gjuhën angleze me titullin “The Eurozone Crisis and Tirana” (Kriza e Eurozonës dhe Tirana) në revistën “Aspen Review”, një periodik i Aspen Institute, Pragë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama