Kishte disa kilometra që makina jonë po ndiqte veturën e bardhë Volkswagen me targën SK të Shkupit, me të cilën e dija… se udhëtonte gazetarja e njohur Christine von Cohl. Kur lamë rrugën nacionale dhe hymë në një rrugë të ngushtë me gropa që të çonte për në fshatin Gradisht, diku, në një pikë të saj më të gjerë, makina e bardhë ndaloi dhe nga krahu i shoferit doli një grua me flokë të bardhë në të argjendtë, të prerë shkurt, me një trup shumë të rregullt, që për t’u shkrydhur nga mpirja e qëndrimit gjatë në sedilje filloi të bëjë disa lëvizje gjimnastikore duke ngritur e ulur krahët me frymëmarrje të thellë dhe duke përkulur e rrotulluar belin.
Kështu e kam parë për herë të parë Christine von Cohl. Të paktën kështu e kam në kujtesë sepse sot, kur rrekem të kujtoj diçka më të saktë se si e gjetën ata rrugën deri atje, se si ka mundësi që nuk u takuam më parë gjatë udhëtimit, nuk më del në mendje asgjë.
* * *
Ishte pranvera e vitit 1991, një kohë kur shumë shqiptarë pushtonin anijet dhe lundronin për në brigjet e Italisë e kur perëndimorët e parë filluan të bëjnë rrugën e kundërt: të vijnë në emër të ndihmës, të njohjes, të politikave, të kërkimit të bizneseve e tregjeve të reja. Unë sapo isha liruar nga burgu dhe kisha filluar të punoja si sekretar i Forumit për të Drejtat e Njeriut, që më pas u bë Komiteti Shqiptar i Helsinkit.
Atë ditë isha nisur nga Tirana për në Gradisht, një nga fshatrat e internimit të familjeve të të persekutuarve nga diktatura, ku njerëzit vazhdonin të jetonin në një gjendje varfërie ekstreme. Ishim marrë vesh që rrugës do të takoheshim me një kamion me ndihma të Karitasit të Vjenës që vinte nga Austria nëpërmjet Maqedonisë dhe me një makinë të marrë me qira në Jugosllavi, me të cilën udhëtonin gazetarja dhe aktivistja e të drejtave të njeriut, Christine von Cohl dhe Marion Feik, e cila punonte për Karitasin.
Takimi dhe njohja ime me to u bë në atë pikë të rrugës.
Në një sallë të madhe të Gradishtit, që dukej si magazinë, por ku thuhej se shfaqeshin ndonjëherë edhe filma, u mblodhën të gjithë të internuarit që banonin ende atje, me fëmijë dhe me pleq. Megjithëse ishte një ditë me diell, atje brenda ishte shumë errët, pasi drita hynte vetëm nga dera që ishte në krye të sallës e nga disa dritare të vogla lart. Fytyrat e njerëzve pas rreshtave të parë mezi shquheshin. Fëmijët silleshin vërdallë duke u shfaqur në dritë e duke u zhdukur prapa në errësirë. Një përfaqësues i të internuarve prezantoi misionin humanitar për të cilin kishim ardhur dhe pastaj ia dha fjalën Christinës duke rikujtuar se ajo ishte shumë e njohur në çdo cep të Shqipërisë për shkak të historisë së arrestimit, disa kohë më parë, nga policia serbe në Kosovë.
“Ato çka kemi sjellë, – u tha ajo, – janë gjëra të vogla, por kanë vlerën se janë shenjë që ne ju mendojmë”.
Kamioni ishte plot me kuti kartoni në secilën prej të cilave kishte disa kilogramë ushqime bazike si sheqer, fasule, makarona, qumësht pluhur, çokollata, biskota.
* * *
Ato vite të para të paskomunizmit, Christina erdhi shpesh në Shqipëri si gazetare dhe si përfaqësuese e Federatës së Helsinkit, që e kishte zyrën në Vjenë. Si sekretar i Komiteti Shqiptar të Helsinkit e kam shoqëruar shpesh, aq sa u bëmë miq. Takimi ynë ishte takimi i dy botëve që kishin shumë kuriozitet për njëra-tjetrën. Ishte koha “e artë” e dashurisë së re midis Perëndimit dhe vendeve ish-komuniste si Shqipëria. Ishte edhe koha e njohjes reciproke gjithashtu. Dhe dashuria e njohja e ndihmojnë shumë njëra-tjetrën, edhe pse jo lehtësisht shkojnë dorë për dore për një kohë të gjatë së bashku. Mua më dukej se e njihja mirë historinë e së keqes shqiptare, e flisja më së shumti për këtë.
Ndërkaq, e idealizoja Perëndimin si vendin e lirisë dhe demokracisë, prandaj dëgjoja me vëmendje të veçantë gjithçka më thoshin “misionarët” që vinin nga ajo botë. Edhe Christinën e shihja si një të tillë. Bisedat me të janë ndër bisedat e para që kam bërë me perëndimorët pas një qëndrimi prej 17 vjetësh në burg. Sytë e saj, njëri i gjelbër, tjetri kaf, ma bënin edhe më të veçantë këtë grua.
Nga ana e saj ajo kërkonte të zbulonte një botë që ishte kaq e ndryshme nga e vetja, duke qenë kaq afër, me çudinë se si kishim mbijetuar ashtu për afro pesë dekada të izoluar. Takimi me mua dhe me tim atë që kishim dalë nga burgime të gjata, si dhe me familjen time që gjatë gjithë kësaj kohe kishte jetuar në internim, në fshatra si Gradishti, e prekte shumë dhe dukej se donte të bënte diçka për të na lehtësuar.
Ndërhyri asokohe te drejtori i Televizionin të Vjenës që im atë, Todi Lubonja, ish-drejtori i Radiotelevizionit Shqiptar, i shpallur si armik nga Enver Hoxha, të mund të operonte sytë për shkak se kishte dalë nga burgu thuajse i verbuar nga katarakti. Në spitalet e Tiranës asokohe gëlonin infeksionet. Në librin e tij “Ankthi pa fund i lirisë”, im atë ka shkruar me shumë emocion për ditët pas operacionit kur takoi në Vjenë Christinën, duke e parë atë dhe qytetin, më në fund, me dritën e syve që i ishte kthyer.
* * *
Sekush ka në jetë takime me njerëz nga ata të cilët i kanë shënjuar jetën. Zakonisht këta njerëz kanë autoritetin e më të moshuarit, të atij që ka më shumë përvojë, që është më i zoti se ty, që është më i njohur. Por nuk mjafton kjo: njerëzit e këtyre takimeve kanë edhe aftësinë të të krijojnë një ndjenjë ku admirimi, i cili kërkon një farë distance, plekset me afërsinë dhe besimin që ata të krijojnë nëpërmjet modestisë, sinqeritetit, inteligjencës. Christine von Cohl ka qenë një nga këta njerëz për mua. Kujtimet që kam me të janë nga ato që sikur kanë mbjellje në mendjen time fidanë që kanë zënë rrënjë atje e janë rritur me kalimin e viteve.
Nuk e harroj se si gjatë njërit prej udhëtimeve të para për një nga qytetet e Shqipërisë, duke parë peizazhin e bukur e të larmishëm shqiptar, më tha:
“Duhet të keni kujdes të mos bëni gabimet që kemi bërë ne”.
“Për çfarë gabimesh e ka fjalën?” – i thashë, si i befasuar, pasi Perëndimi ishte ende për mua ideali i vendit për t’u imituar, jo për t’u korrigjuar.
“Për shembull, mos e mbushni vendin me autostrada”, – më tha.
“Po çfarë të bëjmë?” – e pyeta unë, që autostradat i shihja si simbol i Perëndimit të zhvilluar.
“Zhvilloni hekurudhat”, – m’u përgjigj, transportin publik. Për herë të parë prej saj dëgjova ide që sot janë një nga ndjeshmëritë e mia më të mëdha: ato kundër çimentifikimit, kundër atij që quhet zhvillim në kurriz të ambientit, të cilësisë së jetës.
Kritikat e Christinës ndaj Perëndimit në përgjithësi e ndaj politikave të tij në Ballkan në veçanti kanë qenë kontakti im i parë me kritikën ndaj asaj bote që e kisha idealizuar në errësirën e “kavernës” së burgut. Nëse sot, kur analizoj mbrapshtitë e zhvillimeve paskomuniste shqiptare, nuk mjaftohem me gjetjen e shkaqeve të tyre vetëm tek e kaluara totalitare, por edhe te shumëçka prej neoliberizmit të shfrenuar e prej politikave neokoloniale që na solli Perëndimi, e di se fillimet e këtij mendimi kritik për mua kanë qenë bisedat me Christinën.
Me të gjithë sjelljen e saj ajo tregonte se nuk vinte në Shqipëri me ndjenjën e superioritetit të qytetërimit perëndimor, por me dashurinë për njeriun e për të vërtetën; për t’u dhënë më të mirën e saj njerëzve që i konsideronte si të barabartë me të. Kolegu i saj suedez, Gerald Nagler, sekretari i Komitetit të Helsinkit më 1991-shin, më tregonte asokohe për një takim që kishte pasur me Havelin dy vjet më parë. Në bisedë e sipër e kishte pyetur: “Më thuaj, çfarë mund të bëjmë ne për ju?”. Haveli i ishte përgjigjur: “Më duket se kjo është një pyetje e gabuar, pasi çështja nuk shtrohet: ‘çfarë mund të bëni ju për ne’, por ‘çfarë mund të bëjmë ne të gjithë për njëri-tjetrin’, pasi jemi në të njëjtën barkë”. Christine ishte një ndër ata që e rrezatonte me gjithë qenien e mendimet e saj se ndihej në të njëjtën barkë.
* * *
Duke vizituar Shqipërinë, Christine po mësonte jo vetëm mbi të keqen shqiptare të diktaturës, por edhe për pasojat e saj në të tashmen. Dhe, sikurse thashë, shpesh ndodh që njohja dhe dashuria nuk ecin bashkë për një kohë të gjatë.
Nuk i harroj përpjekjet e saj për të organizuar në Vjenë, së bashku me Marion Feikun e Karitasit, një ekspozitë me punë të piktorëve të persekutuar shqiptarë. Ajo synonte të bënte një gjë sa më përfaqësuese, por e pati shumë të vështirë të gjente bashkëpunimin e disa prej piktorëve. Atë e tërhoqi shumë historia e një pikture të socrealizmit, që ia kishte treguar im atë, ku paraqitej një partizan që kishte në krah shokun e tij të plagosur në një peizazh dimëror me borë. Kur e kishin parë censorët zyrtarë, përpara se të ekspozohej, e kishin cilësuar të paekspozueshme, pasi ishte shumë pesimiste. Atëherë, piktori, për t’i dhënë optimizëm, kishte shtuar edhe një monopat në horizont ku dukej brigada me flamurin e kuq në ballë që vinte drejt tyre. Por përsëri ajo nuk e kishte kaluar censurën. Shkuam e pamë pikturën në fondin e Galerisë së Arteve. Asaj i pëlqeu dhe mendoi ta ekspozonte, pasi fliste shumë për historinë e artit socrealist në Shqipëri, por një nga piktorët i tha se do t’i tërhiqte pikturat e tij po të merrej ajo pikturë, pasi autori nuk bënte pjesë te të persekutuarit. Ajo u detyrua të mos e merrte, ndonëse shkroi për historinë e saj në tekstin e katalogut të ekspozitës.
Një piktor tjetër pretendonte se ekspozita duhet të ishte vetëm me veprat e tij, përndryshe nuk do t’i sillte të vetat. Një ditë, pasi doli e lodhur nga njëra prej studiove ku kishte dëgjuar të derdhej helm nga një piktor mbi njërin prej kolegëve të tij, më tha se ky mosbesim i thellë ndaj njëri-tjetrit ishte një nga pasojat më të këqija të diktaturës, që do ta vuanim shumë. Megjithatë, ajo e çoi deri në fund këtë punë. Shumë vepra u ekspozuan. Midis tyre ishte edhe një punë e piktorit Arben Theodhosi, që kishte një histori të veçantë.
Në studion e tij Christinën e tërhoqi një punë që autori e kishte lënë mënjanë si pa rëndësi. “Po këtë pse e ke lënë këtu?” – e pyeti. “Është e papërfunduar”, – i tha ky dhe i shpjegoi se ishte një prekje që kishte bërë mbi njërën nga radiografitë e mushkërive të tij, të bërë për kontroll nga silikoza, kur kishte punuar në minierë si i internuar. Mbi hijet e zbardhura të kockave të toraksit ai kishte theksuar me akrilik në monokrom kryqin që formon shtylla kurrizore me klavikulat. “A mund ta ble unë kështu siç është?”. “Ta dhuroj me kënaqësi”, – i tha Beni. Christina e mori dhe, kur u hap ekspozita, pamë se e kishte ekspozuar edhe këtë punë së bashku me historinë e saj. Më pas e kam parë shpesh këtë punë në një nga muret e shtëpisë së Christinës.
* * *
Gjithnjë kam menduar se takimi me Presidentin e parë antikomunist Sali Berisha në verën e vitit 1992 ishte një pikë kthese në raportet e Christinës me Shqipërinë, që, sipas meje, ndikoi në ftohjen e saj me shqiptarët, ndonëse ajo s’foli kurrë për një ftohje të tillë.
Sapo u bë President, pas zgjedhjeve të marsit 1992, Berisha filloi luftën ndaj kundërshtarëve dhe pastrimin e rivalëve me metodat e atyre që asokohe u quajtën më të këqijtë e komunistëve: komunistët e kthyer në antikomunistë. Një numër intelektualësh me rëndësi ishin përjashtuar apo larguar nga Partia Demokratike e sapokrijuar, një numër gazetarësh kishin dhënë dorëheqjen nga gazeta e parë antikomuniste “Rilindja Demokratike”. Edhe Komiteti ynë, që kishte lindur nga e njëjta lëvizje opozitare që kishte lindur edhe Partinë Demokratike të Berishës, por që tashmë i takonte t’i bënte kësaj kritikën, ishte nën presion për t’u kthyer në “levë të partisë” së Berishës. Christina kishte botuar edhe një shkrim në “Standard”, ku prekte problemet e reja që po lindnin në Shqipëri.
Një ditë ajo erdhi në Tiranë së bashku me sekretarin e ri të Federatës së Helsinkit, polakun Novicki, që asokohe kishte zëvendësuar Gerald Naglerin. Pasi folën me shumë njerëz, i kërkuan takim Presidentit për të biseduar mbi problemet e reja të të drejtave të njeriut që gjetën në Shqipëri. Presidenti na priti një ditë të treve: Christinën, Novickin dhe mua.
I pari e mori fjalën Novicki. Me një gjuhë mjaft diplomatike, duke iu referuar eksperiencës së vendit të tij dhe Solidarnosit, ku kishte bërë pjesë, ai i tha Berishës se pas fitores së opozitës demokratike në fillim ata kishin menduar se tashmë gjithçka ishte në rregull, por shumë shpejt kishte dalë se çështja e mbrojtjes së të drejtave të njeriut mbetej një çështje e rëndësishme edhe në demokraci. Pastaj shpjegoi se si gjatë vizitës dhe kontakteve të shumta në Shqipëri ai dhe zonja von Cohl kishin krijuar një tablo të problemeve kryesore që i dilnin Shqipërisë në fushën e të drejtave të njeriut. Dhe pas kësaj e ftoi Christinën të hynte në detaje.
Mirëpo Presidenti Berisha ndërhyri përpara se ajo të fillonte të fliste. I tha Novickit se kishte për t’i bërë një pyetje “kësaj zonje” dhe pastaj vazhdoi t’i fliste atij, jo Christinës, se ai ishte shumë i mërzitur që “this lady” paskësh shkruar një artikull në “Standard”, në të cilin thuhej se Shqipëria qenkësh në prag të luftës civile, çka – tha ai – nuk është e vërtetë: populli shqiptar po shkon paqësisht drejt një shoqërie demokratike dhe një deklaratë e tillë e dëmtonte Shqipërinë, sepse trembte investitorët e huaj. Pastaj – vazhdoi të akuzojë Presidenti – “kjo zonjë”, në të njëjtin artikull, kishte marrë rolin e avokatit të familjeve të “bllokmenëve” (kështu filluan t’i quanin asokohe udhëheqësit kryesorë komunistë pasi kishin jetuar në një zonë të mbyllur të Tiranës që quhej “Blloku”), të cilat janë “criminal families” që mund të mbrohen në gjyq, por jo nga aktivistët e të drejtave të njeriut.
Presidenti Berisha po vazhdonte të fliste pa iu drejtuar Christinës personalisht, derisa më në fund ajo e humbi durimin, dhe i tha:
“Zoti President, po flisni me Christine von Cohl apo për Christine von Cohl? Ju lutem, unë jam këtu, flisni me mua, jo për mua”.
Berisha e pati shumë të vështirë ta dëgjonte pa e ndërprerë. Christina e pyeti nëse e kishte vënë re shenjën e pikëpyetjes në fund të titullit të artikullit të saj: “A do të shkojë Shqipëria në luftë civile?”. Ky rrezik ishte vënë në dukje nga Christina duke parë konfliktualitetin e fortë që ishte krijuar në Shqipëri për shkak të së kaluarës, por lidhej edhe me çështjen e bllokmenëve, që ishte bërë problem i Federatës së Helsinkit, pasi disa familje bllokmenësh u kishin dërguar letra organizmave ndërkombëtare, mes tjerash edhe Federatës, ku ankoheshin për shkeljen e të drejtave të njeriut ndaj familjeve të tyre. Christina i referohej kësaj historie në artikullin e saj për të treguar se mentaliteti patriarkal dhe ai prej klani kishin rrënjë ende të fuqishme në Shqipëri, dhe kjo i bënte shqiptarët që të projektonin fajet e atit tek i biri apo të identifikonin atin me birin apo nipin.
Këtë mentalitet po ia provonte edhe Presidenti, ku vazhdimisht përdorte termin “familje kriminale”, aq sa Christina u detyrua t’i thotë se një nga krimet më të rënda të Enver Hoxhës ishte pikërisht ai që, për një person, dënonte të gjithë familjen dhe se shpresonte ta kishte keqkuptuar Presidentin, se nuk besonte që ai të ndiqte të njëjtat parime me ato të ish-diktatorit.
Takimi u mbyll shumë keq. Zyra e Shtypit e Presidentit lëshoi pas disa ditësh një njoftim mbi takimin në të cilin ironizohej sikur Presidenti i kishte thënë me ironi zonjës von Kohl se ajo mund të vinte të bëhej avokate e bllokmenëve në gjyqin e tyre. Këtë njoftim për shtyp e pasuan disa artikuj në gazetën e partisë së Presidentit, me sulme të shëmtuara ndaj saj.
Pas pesë vjetësh qeverisjeje të Berishës, me rënien e piramidave financiare Shqipëria u gjend vërtet në prag të humnerës së një lufte civile. Berisha akuzoi për këtë revanshin e klaneve ish-komuniste. Artikulli i shkurtër i Christinës po i dilte profetik. Ai artikull është aktual edhe sot, pas njëzet vjetësh, po të kesh parasysh se midis dy partive kryesore, asaj ish-komuniste dhe asaj të Berishës, vazhdon një konfliktualitet që e çon vendin shpesh në zgrip të instabilitetit, ndërkohë që në bazë të diferencave të tyre nuk qëndrojnë programe e vizione të ndryshme për botën, por përkatësi klanore familjesh të pleksura me interesa të mëdha ekonomike e financiare.
* * *
Gjatë viteve kontaktet e Christinës me Shqipërinë u rralluan, por nuk u ndërprenë kurrë. As interesi i saj për të mësuar dhe për të treguar në revistën “Ballkan” për zhvillimet e reja. Edhe unë nuk i humba kurrë kontaktet me të, edhe pse ato u rralluan. Takoheshim herë pas here kur kaloja në Vjenë ose flisja me të në telefon. Nga çdo takim e bisedë më duket sikur më ka mbetur diçka në mendje, e pashlyeshme.
Pasi i shoqi i saj, Libal, kaloi të nëntëdhjetat dhe filloi të rëndohet me shëndetin, më kujtohet se i telefonova një ditë për ta pyetur se si ishte ai me shëndet. E pyesja me një shqetësim të dyfishtë, pasi nuk më shqitej nga mendja diçka që më kishte thënë shumë vjet më parë, në kohën e udhëtimeve të saj të shpeshta në Shqipëri, mikja e jonë e përbashkët Marion Feik: se jeta e Libalit ishte shumë e rëndësishme për të pasi here pas here ajo kishte shprehur mendimin se me vdekjen e së shoqit ajo mund të humbiste një motiv të rëndësishëm për të jetuar e mund t’i jepte fund jetës. Gjatë telefonatës Christina më tha diçka për shëndetin e Libalit, por fraza që më mbeti në mendje ishte: “Nuk është mirë që njeriu të jetojë kaq gjatë”.
Disa muaj pas vdekjes së Libalit u takuam një ditë në Vjenë. Kishte ardhur e ftuar për të ndjekur punimet e një konferencë të organizuar nga Universiteti i Vjenës, me temë “Shqiptarët dhe feja”, ku merrja pjesë edhe unë. Në mbarim të njërës prej seancave hëngrëm darkë në një restorant në qendër, ku u ulëm bashkë pranë njëri-tjetrit. E pyeta si ishte me shëndet. Më tha se kishte kancer. Unë u trondita, por ajo ndërhyri për të më thënë se ishte shumë e qetë. Dukej sikur e kishte bërë tashmë paktin me vdekjen.
Bisedën e fundit e bëmë dy-tre muaj përpara se të vdiste. E mora në telefon për ta pyetur se si ishte me shëndet. Më tha se ishte mirë. Pastaj nuk di se si biseda kaloi në temën e identitetit. Ndoshta ngaqë unë i tregova se isha përfshirë në një debat mbi çfarë ishte identiteti europian i shqiptarëve. I thashë se kisha shkruar për identitetin si varfërim në kuptimin që ai e thjeshtëzon kompleksitetin e qenies sonë.
“Njerëz si unë dhe si ti nuk kanë nevojë për identitetin”, – më tha. Këto janë fjalët e fundit që mbaj mend nga Christina.
Kur mësova për vdekjen e saj, nuk di pse imazhi i parë që m’u shfaq ishte ai i asaj gruas së fortë dhe energjike që doli nga makina në rrugën që çonte për Gradisht dhe filloi të lëvizte krahët lart e poshtë duke bërë frymëmarrje të thellë. Pastaj m’u kujtuan fjalët e Marion Feikut që më kishte thënë se ajo kishte një obsesion që, nëse do të vdiste Libali, ajo do t’i jepte fund jetës. Dhe pastaj m’u kujtuan fjalët e fundit që kisha dëgjuar prej saj mbi identitetin dhe mendova se ndër të gjithë njerëzit që kam njohur, ndoshta Christinës, më shumë se kujtdo tjetër, i shkonin fjalët e Renanit, se “njeriu nuk i përket as gjuhës, as racës së vet: ai i përket vetëm vetes së tij, sepse është një qenie e lirë, d.m.th. një qenie e moralshme”.
*Ky shkrim memuaristik i Fatos Lubonjës është botuar në një libër me kujtime për Christine von Kohl, që vdiq më 23 janar 2009, me titull: Sprich günstig mit dem Balkan (Fol mirë për Ballkanin) EditionAtelier Vienë, nën kujdesin e Vedran Dzihic, Herbert Maurer.
Panorama