Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Heqja e maskave

Shkruar nga: Fatos Lubonja  
Botuar më: 12 vite më parë

Fatos Lubonja
Heqja e maskave

Pse kur dëgjon njerëzit duke komentuar listat e famshme të deputetëve të krijohet përshtypja se perceptimi i tyre është se jemi në një fazë të re të degjenerimit të sistemit tonë politik?  Një militant i lodhur socialist më tha para ca ditësh, kur doli lajmi se Kokëdhima ishte bërë kandidat për deputet ndërkohë që Malaj ishte flakur, se “ky Rama shkatërroi një parti”.

“Po pse, kur ka qenë parti ajo?” – iu përgjigja. Dhe u futëm në historikun e politikës sonë dhe të politikanëve tanë. I kujtova vitin 1945, kur Sejfulla Malëshova paralajmëronte se partia mëmë e PS-së dhe e PD-së po kthehej në një “bandë”, duke u përpjekur ta bind se ndryshimi sot nuk është thelbësor; se trashëgimtarët e saj sot nuk na burgosin e nuk na vrasin, por vetëm na vjedhin (edhe me të vrarë rrugës kur është shumë e nevojshme), por ama s’ka dyshim që vazhdojnë të jenë të organizuar si banda për të na plaçkitur dhe shfrytëzuar, jo për të na shërbyer.

Politika shqiptare nuk ka hyrë ende në atë fazë. Përkundrazi, ndihet se diçka e re, për keq, ka ndodhur. Një “hop cilësor” pas ndryshimesh “sasiore” do të thuhej duke përdorur një terminologji të përdorur në kohën e diktaturës për të na përshkruar rrugën e progresit, por që unë po e përdor ironikisht për të përshkruar rrugën e regresit. Sipas meje, jemi gjithsesi të befasuar për keq, dhe kjo na vjen jo pse nuk e dimë se me kë kemi të bëjmë, por nga heqja e maskës. Ose më saktë, nëse u besojmë ekzistencialistëve kur thonë se maska është vetë njeriu, jemi të tronditur nga shëmtimi i maskës së re që na ka dalë pas heqjes së asaj së vjetrës që shihnim.

E vërteta është se deri dje sikur ishte shumë më e detyrueshme për deputetët tanë të vinin maskën e atyre që e kanë një parti, një ideal, një program, një moral dhe një elektorat që i zgjedh për këto. Sigurisht, ne kemi thënë vazhdimisht se “të tjera thonë e të tjera bëjnë”, se prapa maskës vepronte instinkti i hajdutit dhe i mashtruesit. Ne e pamë se shpjet u bë maskë edhe vetë politikani, që fshihte interesat e oligarkëve dhe mafiozëve, por, gjithsesi, maska e hipokrizisë së tij kishte rëndësi. “Hipokrizia është taksa që vesi i paguan virtytit”, thotë La Rochefoucauld. Dhe njëfarësoj ne merrnim “shpërblimin” e kësaj takse. Çfarë shpërblimi ishte ky? Në ç’formë e merrnim? Para së gjithash, duke parë se të pushtetshmit, edhe pse të pasur, edhe pse të fortë, edhe pse njerëz të vesit, detyroheshin të flisnin me gjuhën e virtytit dhe ne ngushëlloheshim me atë se virtyti jo vetëm ekzistonte, por edhe se kishte të drejtën me vete, se ishte më i fortë se ata, derisa i detyronte të flisnin ashtu. E kjo na ushqente shpresën se në një të ardhme virtyti do të merrte edhe pushtetin. Kurse këto lëvizjet e fundit qenë një zbritje dramatike e pagimit të “taksës”, aq sa kjo që na japin sot nuk mund të mjaftojë për të mbajtur gjallë shpresën..

Sipas mendimit tim, pas ngjarjes së futjes së Metës në koalicion me Ramën, dy ngjarjet më emblematike që i bënë njerëzit të shohin hop cilësor në degradim, qenë hyrja e Kokëdhimës në listat e PS dhe kalimi i Islamit te PD-ja. Kokëdhima, i akuzuar publikisht për abuzimin me pronën dhe paranë publike nëpërmjet privatizimeve skandaloze (le të kujtojmë Frigoriferin e Durrësit me 22 mijë metra katrorë terren vetëm për 2000 USD), për rrugë të papërfunduara, për qenien bashkëpunëtor i Ajdin Sejdisë, që hapi piramidën e parë etj., etj., ka qenë për një kohë të gjatë simbol i kapjes së shtetit dhe të mediave nga oligarkët dhe veçanërisht i kapjes së Edi Ramës. Të bërat dhe të pabërat e tij i mbulonte asokohe “maska” Rama. Sot ai hyn në politikë i patrazuar, madje edhe i duartrokitur nga vetë maska. Dhe kjo ndodh jo pse njerëzit kanë harruar, por sepse fenomeni i heqjes së maskave është bërë kaq masiv gjatë këtyre viteve në vazhdim, – edhe nën qeverisjen e Berishës, i cili fitoi më 2005-n duke promovuar heqjen e konfliktit të interesit për kandidatët për deputetë, – saqë nuk bën më përshtypje. A e keni vënë re se askush nuk kujtohet më për fjalët “konflikt interesi”?

“Po autobusi i opozitës e ka emrin ‘Rilindja’, ja pra që vesi taksën po ta paguan”, – mund të thotë dikush. E vërtetë, por, e thashë, është një taksë në zbritje progresive në kahe të kundërt nga ajo progresivja që premton Edi Rama për bizneset. Fjala “Rilindje” tingëllon më shumë si tallje, sesa si hipokrizi, sepse nga dritaret e autobusit ne shikojmë kush është brenda dhe themi menjëherë se emri i vërtetë i autobusit të mbushur me biznesmenë është, në fakt, “Konflikt Interesi”.

Edhe Islami nuk është i pari ndër politikanët që kalon sa andej-këndej, por statura e tij intelektuale nuk mund të mos na bëjë të mendojmë se kemi hedhur një hap më tej në humbjen e çdo lloj koherence intelektuale dhe morale në politikë. Sepse ai, gjithsesi, kishte ruajtur imazhin e politikanit që ende i bënte një pjesë të mendonin se i ka parimore dhe për hir të vendit dhe të partisë së tij kritikat, dhe jo për interesa personale. Edhe mbështetja e çështjeve të caktuara, të cilat i gjykonte ndryshe nga linja e partisë, justifikohej me këtë. Edhe mëria me Edi Ramën ishte e kuptueshme. Por kalimi në kampin e Berishës sikur na zbuloi gjendjen ku janë katandisur politikanët tanë intelektualë. Duke hedhur përfundimisht tej maskën ai na la mesazhin se në këtë vend s’ke shpresë mbijetese dhe mbrojtjeje veçse duke u bërë pjesë e njërës nga dy bandat. Nga ana tjetër, pranimi i tij në listat e PD çori edhe maskat e fundit të një PD-je që medemek nuk të fal kur vjen puna për ata që kanë qenë apo janë në krah të ish-bllokmenëve.

E përsëris, heqja e maskave nuk ndodhi ashtu, menjëherë. Në fakt, më duket sikur kemi të bëjmë me rënien një nga një të cipave të lëkurës. Dikur tregohej ajo përralla e mbretit lakuriq kur të gjithë nuk guxonin t’i thoshin mbretit se ishte lakuriq, derisa këtë ia tha një fëmijë. Tani mua më duket se jemi në një fazë kur mbreti është lakuriq  dhe e di që është lakuriq, por nuk i vjen turp fare se është i rrethuar me oborrtarë që e dinë se janë lakuriq dhe po ashtu kur edhe fëmijët janë bërë pleq. Ditët e fundit mësova se në një nga gjimnazet e kryeqytetit, nxënësit që u ka rënë çatia e rikonstruksionit të biznesmenëve klientelarë mbi kokë, kanë bërë zgjedhjet për senatin e shkollës… dhe e dini çfarë ka ndodhur: kanë vjedhur votat e njëri-tjetrit.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama