Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kundër së keqes më të vogël

Shkruar nga: Fatos Lubonja  
Botuar më: 12 vite më parë

Fatos Lubonja
Kundër së keqes më të vogël

Komentet ndaj shkrimit tim “Një kryq të madh fletës së votimit”, që u pasua me një shkrim tjetër, “Mjaft më me ju – gazetarë llogoresh” (shoqëruar me këngën “Mjaft më me ju”), i kam ndjekur në mënyrë të veçantë. Kjo sepse në thelb ata bëjnë thirrje për t’i përdorur këto zgjedhje si një moment për të filluar e menduar për një lëvizje kundër kastës në pushtet si një e tërë dhe, duke qenë se nuk ka sondazhe për këtë, – pasi sondazhistët tanë të llogoreve nuk e ngrenë ndonjëherë këtë pyetje, – i konsiderova komentet edhe si një lloj sondazhi. Ajo që kam konstatuar është se shumica janë aprovues. E provojnë këtë edhe klikimet dhe numri i “share” dhe “like” te shkrimi, dhe kënga me gjithë faktin se, sipas meje, ata shqiptarë që sot kanë akses më shumë në internet janë militantët dhe klientët e kastës.

Kur bëhet fjalë për komentet kundërshtuese më rezulton se shumica janë reagimet e atyre që tashmë kanë përqafuar totalisht me trurin e madh dhe me trurin e vogël parullën “të jesh militant mbetet e vetmja rrugë shpëtimi”. Me këta gjykoj se është e vështirë të debatohet, pasi bota e tyre është kufizuar në emocionet e betejës së pritshme. Zgjedhjet e 23 qershorit ata i përjetojnë si një betejë për jetë a vdekje me kundërshtarin, kurse të gjithë ata që janë jashtë llogores së tyre i shohin si armiq – pa arritur të shquajnë se këta janë shumica e shqiptarëve që më shumë se sa rezultati i betejës së tyre, u intereson një politikë që të mendojë për ta, dhe jo për betejën.
Por ka pasur edhe nga ato komente kundërshtuese me të cilat mund të debatohet dhe polemizohet, pasi ngrenë pikëpyetje mbi atë se sa e dobishme është një lëvizje që u vë kryq dy forcave politike që janë në betejë për pushtetin, se sa një lëvizje e tillë, në vend që të nxisë ndryshimin, favorizon statukuonë.

Këtë shkrim, që e konsideroj si vazhdim të dy të parave, dua ta përqendroj në shqyrtimin e argumentit të atyre kundërshtarëve të tezës sime që, për të qenë sadopak koherentë me veten apo me të vërtetën, ngulmojnë se ia njohin veset Edi Ramës, e dinë se cili është Ilir Meta, por nuk mund të vësh kurrë shenjën e barazisë midis tyre dhe Berishës dhe, prandaj, s’kemi rrugë tjetër, duhet të votojmë të keqen më të vogël: Edi Ramën & Ilir Metën.

Personalisht ka kohë që jam shprehur kundër argumentit të së keqes më të vogël, duke thënë se këta njëzet vjet na kanë provuar se e keqja më e vogël bëhet e keqja më e madhe kur vjen në pushtet. Duke bërë një  retrospektivë, i kujtoj lexuesit të mos harrojmë se më 1997-n, me argumentin e së keqes më të vogël, u bashkuan kundër Sali Berishës me gjysmën e mbetur të ish-Partisë së Punës deri edhe shumë prej ish-të burgosurve që kishin vuajtur, duke harruar se çfarë plehrash kishte aty brenda. Rezultati ishte se në vitin 2005 e keqja më e vogël ishte bërë Sali Berisha, kurse gjysma tjetër e Partisë së Punës ishte bërë e keqja më e madhe. Sipas kësaj logjike, nesër, pasi pushtetin ta marrë Edi Rama dhe Ilir Meta, kur të shohim se këta po vazhdojnë të rrjepin shqiptarët me 20 përqindësha për tenderë dhe pallate, se po e thellojnë edhe më uzurpimin e institucioneve, se mediat dhe fjalën e lirë e kanë katandisur vetëm në propagandiste dhe kamikaze të tyre, ne duhet t’i kthehemi përsëri gjysmës tjetër që të na shpëtojë nga kjo e keqe e madhe, meqë, pasi kanë kaluar në opozitë, janë bërë automatikisht e keqja më e vogël.

Marco Travaglio, duke trajtuar argumentin e së keqes më të vogël që ka qenë lajtmotiv edhe në politikën italiane, thotë se të jetosh me idenë e zgjedhjes të së keqes më e vogël është të jetosh “një shantazh që s’mbaron kurrë”, sepse, siç citon edhe politikanin italian Sylos Labini: “E keqja më e vogël përgatit një të keqe më e madhe se sa ajo që ti kërkon të evitosh”. Kjo edhe sepse dy të këqijat janë komplementare me njëra-tjetrën, ato jetojnë në sajë të njëra-tjetrës. Jose Saramango, në esenë e tij “Ese mbi kthjelltësinë”, tregon për një qytet ku qytetarët shkojnë të votojnë  dhe në vend që t’ia japin votat Pdd (partia demokratike e djathtë), Pdm (partia demokratike e mesit) dhe Pds (partia demokratike e majtë), votojnë 73% fletë të bardha. Qeveria anulon zgjedhjet, por qytetarët edhe më shumë votojnë vota të bardha. Ajo që ndodh është se të gjithë politikanët bashkohen kundër qytetarëve, duke treguar se në thelb ata janë bashkë dhe kundër qytetarëve.

Në fakt, është shumë i madh numri i atyre që takon dhe që kur flasin për zgjedhjet të thonë: “Mirë se po ikën Berisha, po kush po na vjen”. E pra, këta njerëz janë ata që e përjetojnë zgjedhjen e së keqes më të vogël si një shantazh të pambarimtë. E vërteta është se njerëzit kanë nevojë të besojnë se po zgjedhin të mirën, madje më të mirën, dhe jo të keqen më të vogël.

***

Edhe diçka tjetër lidhur me argumentin e së keqes më të vogël. Personalisht kam shumë frikë se cilido nga të dy pjesët e Partisë së Punës së ndarë më dysh të fitojë kësaj here, do të marrë në kontroll krejt sistemin klientelar dhe të korrupsionit dhe ne nuk do të kemi më opozitë që të mund ta sfidojë. Por le të mendojmë se unë gabohem në këtë dhe do të ndodhë që do të kemi përsëri një parti të fortë opozitare, qoftë kjo PD apo qoftë PS.

Sipas meje, kemi dy forma për ta kërkuar ndryshimin përdrejt një sistemi me shtet të së drejtës, me drejtësi të pavarur, me ekonomi të qëndrueshme, me media që janë vërtet pushtet i katërt etj…. Njëra është nëpërmjet përmirësimit të dy partive kryesore që kemi, PD-së dhe PS-së. Tjetra është nëpërmjet asaj që kam propozuar unë edhe në dy artikujt e fundit, se duhet bërë diçka, që të bashkojë ndoshta fillimisht në hapësirën e internetit, dhe pastaj edhe fizikisht, të gjithë ata që mendojnë se në këtë vend duhet të ndryshojë diçka në mënyrë më thelbësore, se duhen sjellë në pushtet njerëz të tjerë, që të mos jenë robër të së kaluarës së tyre kriminale dhe korruptive.

Personalisht e di shumë mirë vështirësinë e kësaj zgjedhjes së dytë. Edhe për këtë do të hiqja shpejt dorë duke luftuar për opsionin e parë. Por pyetja që shtrohet është: a ka shenja se këto parti kanë ardhur duke u përmirësuar, apo ka shenja se këto parti janë duke u përkeqësuar? Po të dëgjosh edhe vetë gjysmë të vërtetat që thonë të dyja palët dhe gazetarët e llogoreve të të dyjave për njëra-tjetrën – nuk mund të mos arrish në përfundimin se as që mund të bëhet fjalë për përmirësim të këtyre dy partive. Të dyja rezultojnë gjithnjë e më të lidhura me krimin, me interesat personale dhe mbrojtjen e tyre me metodat e korrupsionit dhe të klientelizmit. Edhe ata që e shohin nga jashtë lojën e tyre, sipas meje, këtë mendim kanë. Në Shqipëri vazhdon të mbisundojë ideja se “ky vend nuk bëhet” dhe se gjërat kanë shkuar për më keq, pikërisht sepse përkeqësohet gjendja e këtyre partive. Dhe historia ka provuar se vendet ku gjërat shkojnë gjithnjë e më keq përfundojnë në situata si ato që pamë e po shohim kohëve të fundit në vende si ato të Afrikës së Veriut. Kësaj i thonë që zgjedhja e “së keqes më të vogël” të çon në opsionin “të bëhet më keq që të bëhet më mirë”.

Ja pse, nëse duam të mos përfundojmë në situata të tilla, duhet të shpejtojmë të kërkojmë diçka tjetër që të mos jetë e keqja më e vogël, por më e mira. Saramango thotë në esenë e tij: “Jo vota është votë, por politikanët nuk e kuptojnë këtë”. Edhe sikur të mos shndërrohet dot në lëvizje, sa më e madhe të jetë vota e kryqit, aq më shumë ajo mund të ushtrojë presion mbi të dyja palët që ata të kuptojnë. Të kuptojnë se duhet të bëjnë përmirësimin e vetvetes që deri më sot nuk e kanë bërë, – përkundrazi, kanë bërë të kundërtën, – për shkak se janë ndier të patrazuara në pushtetin e tyre të garantuar nga teoria e së keqes më të vogël.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama