Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Një kërkesë modeste

Shkruar nga: Fatos Lubonja  
Botuar më: 12 vite më parë

Fatos Lubonja
Një kërkesë modeste

Zgjedhjet përfunduan në një mënyrë që duket se ka lënë të kënaqur shumicën e shqiptarëve. Madje edhe shumë demokratë ndihen të lehtësuar; sikur të thonë: Më mirë që ndodhi kështu, sepse edhe vetë Saliu nuk do të dinte se çfarë do të bënte me Berishën Kryeministër.


Tani PD-ja po kërkon një lider të ri, që mundësisht të vërtetojë pazëvendësueshmërinë si lider të Berishës deri në fitoren e ardhshme. PS-ja po feston fitoren me premtimet e një kryetari që thotë se politikën e bën pasi ka frikë se vdekja e gjen pa hyrë në histori dhe pa frikën se si do ta gjykojë historia, pasi atë e përcakton vetë. LSI-ja po ruan një profil më modest me një kryetar të mbiquajtur “pragmatist”, i cili duket se nuk ka probleme të tilla me vdekjen dhe historinë, por i bindur se edhe po i dolën, do të mund t’i blejë ato me pare. Ndërkombëtarët duken të kënaqur sepse nuk iu hap punë dhe mund të thonë se metoda e tyre e shtrëngimit të vidave dalëngadalë po tregohet efikase.

 

Shumë militantë shpresojnë se do të gjejnë ndonjë vend pune në shtet. Të tjerë, që rrezikojnë t’i humbasin, po përgatiten të mbrohen. Një numër – jo i vogël (thuhet) – po mbyll ndonjë vrimë me lekët e shitjes së votës duke pritur zgjedhjet lokale. Ka edhe nga ata të partisë “Kryq votës”, si puna ime, që ndihen jashtë kësaj loje e dëgjojnë premtimet me skepticizëm të thellë. Me gjasë edhe ata thonë si unë: Në një vend ku gënjeshtra është bërë rregull dhe thënia e ndonjë të vërtete vetëm përjashtim që përforcon rregullin, sigurisht nuk mund të presësh se do të mbahen premtimet, por të paktën diçka mund të bëjnë edhe këta.


Në fakt, t’u thuash njerëzve se do të vendosësh kontroll mbi territorin, madje se do të prishësh ndërtimet pa leje, se do të rregullosh gjendjen e arsimit apo shëndetësisë, se do të luftosh korrupsionin, se do të mbyllësh universitetet private piramidale, se do të dëmshpërblesh ish-të burgosurit, se do t’i bësh gazetarët të lirë të shkruajnë çfarë mendojnë; se do luftosh krimin e organizuar dhe të çorganizuar e se do të vendosësh shtetin e së drejtës duke e bërë Shqipërinë të rilindë – po përmend vetëm disa nga premtimet e opozitës – sigurisht që tingëllon si një ëndërr. Aq sa fjala “Rilindje” në këtë rast mund të jetë sinonim i fjalës ëndërr. Sepse vetë fjala “Rilindje” nënkupton se dikur paskemi qenë gjallë (si shtet e shoqëri besoj se është fjala) dhe pastaj kemi vdekur. Po kur paskemi qenë ne ndonjëherë gjallë? Diku kam lexuar se ekzistojnë dëshmi që tregojnë se në kohën kur shqiptarët ishin në Perandorinë Osmane, ishin të numëruar jo vetëm njerëzit, por edhe kokët e bagëtisë dhe madje viheshin gjoba për prerje pemësh pa leje. Kthimi në këtë kohë vërtet duket si ëndërr, por nuk besoj se Rama ka parasysh me “Rilindje” Perandorinë Osmane dhe as kohën e Skënderbeut, se s’jemi as të përgatitur për luftëra, le që kemi hyrë në NATO, e, larg qoftë, as atë të diktatorit injorant Ahmet Zogu apo mizorit Enver Hoxha.
Pastaj, përveç të tjerash, premtimet lidhen me pyetjen se ku do të gjenden paratë. Dhe thonë se Saliu po bën gjithçka, edhe këto ditët e fundit, që shqiptarët ta kujtojnë kohën e tij siç kujtojnë mitndërtuesit kohët e arta të së shkuarës e për të riardhur pastaj në pushtet, pas tetë vjetësh, me projektin “Rimëkëmbja”.


Unë, për vete, dyshoj se na presin ditë të vështira. Por megjithatë, mendoj se ka disa gjëra që duken më të thjeshta dhe më të bëshme. Për mua ato më të bëshmet lidhen me llafet që nxirren nga goja dhe publikohen nëpër media dhe gazeta.


Kur shkruaj këto radhë, kam parasysh diçka që vura re në shtypin tonë para disa ditësh. Siç e thashë, kishte një lloj qetësie pas zgjedhjeve. Edi Rama mbajti një fjalim goxha të përmbajtur, bile duke treguar njëfarë respekti për kundërshtarin, duke i uruar jetë private të mbarë, që edhe pse na kujtoi thënien e Berishës se gjithçka kishte bërë e thënë për Fatos Nanon, deri edhe akuzat për vrasës, kishin qenë thjesht për efekte elektorale, gjithsesi tingëlloi disi qetësuese. E po mirë, tek e fundit, drejtësinë për çështje si Gërdeci apo 21 janari e ka në dorë Drejtësia, jo partia.
Por pastaj s’kaluan më shumë se dy ditë dhe pamë disa gazeta pranë ish-opozitës, tani maxhorancë, që dolën me titullin e madh: “Do t’i marr me vete në zyrë të dyja breshkat e mia, që ua kam vënë emrat Sali dhe Fatos”. Ishte pjesë e një fjalimi që kishte mbajtur Edi Rama diku teksa festonte fitoren. Njëra nga gazetat madje kishte edhe fotografinë e breshkave. Po atë ditë pamë te “RD”-ja foton e famshme të Edi Ramës nudo me titull të madh: “Është koha për t’u veshur”.


Bobo…! Filloi prapë teatri – thashë me vete. Ja për këtë lloj teatri e kam fjalën, i dashur lexues, se mund të korrigjohet. Një nga gjërat më të shëmtuara që kemi përjetuar këta 22 vjet regjim bandokratik ka qenë gjuha e urrejtjes midis bandave. Një gjuhë me pasoja katastrofike për psikologjinë e shoqërisë, mënyrën e të menduarit, raportet njerëzore, raportet me realitetin dhe të vërtetën. Po banda janë, ç’pret ti nga bandat? – do të thoni ju. Jo, ka gjëra që edhe mund të rregullohen. Kërkesa modeste që shtroj unë, si ndaj maxhorbandës dhe ndaj minorbandës, është: Me largimin e Saliut, që konsiderohej dhe akuzohej si kryekonfliktuali, a do të mund të hyjmë në një periudhë me një gjuhë më të paqtë? A do të mund të na i kursejnë këto histori me breshka dhe lakuriqësi; ato akuzat e Saliut me bllokmenë më një anë dhe botimin e fotove të Saliut me djemtë e Enverit më anën tjetër? Po shtoj edhe ndonjë gjë tjetër të vockël fare, krejtësisht të bëshme; p.sh. a mund të na e kursejnë (sh)përdorimin e fëmijëve – se Rama p.sh., një dy e akuzonte Saliun që përdorte fëmijët dhe pastaj doli me një fëmijë në krah në Vlorë? Ja, gjëra të tilla të vogla duam ne të shkretët që s’mendojmë as për Rilindje, as për historinë, as për rikthim të shpejtë në pushtet. Të na normalizojnë të paktën sadokudo gjuhën, që do të thotë shumë, se ajo ka të bëjë direkt me psikikën, dhe pastaj ndoshta, mund të fitojmë pak më shumë kthjelltësi, që do të na lejojë të merremi një çikë më seriozisht edhe me problemet reale që ka vendi. Rast pas rasti, kuptohet.


Mirëpo, teksa ravgoja në këto mendime gjuhësore, më erdhi një dyshim që ma ngjallën pikërisht ato dy breshkat me emrat Sali dhe Fatos. Punë gjuhe edhe kjo. I do apo i urren Rama këto dy breshkat? Kjo është çështja, thashë me vete. Gjersa i mban e i ushqen, d.m.th. se i do. Por gjersa u ka vënë emrin e dy kundërshtarëve të tij më të urryer, duket se edhe i poshtëron e i tall përditë, deri duke i nxjerrë nga jeta private në publik. Dhe mirë që janë breshka, se po të ishte ndonjë qen nga ata Pitbull, që po përhapen frikshëm te ne, dhe të tallej me të duke i thënë Sali, nuk di ç’do të ndodhte në zyrën e Kryeministrit tonë të ardhshëm.


Pra, që të mos e humbas fillin, desha të them se kjo historia e breshkave dhe e emrave të tyre më duket një metaforë domethënëse. Metafora e një dashuri-urrejtjeje të rrezikshme, i dashur lexues. E rrezikshme sepse në sajë të këtij teatri urrejtjeje të shtirë dhe dashurie të shtirë që shqiptarët e marrin seriozisht, këta rrinë në pushtet, qoftë kur janë në maxhorancë, qoftë duke bërë gjoja opozitë, pa ndryshuar as edhe gjuha. Dhe kështu ne rrezikojmë të biem përsëri pre e teatrit të gjuhës banale të urrejtjes sapo të kalojë vera dhe pushimet. Ja, kjo më bën që të kem shumë frikë se kërkesa ime modeste për pak më shumë qetësi dhe kthjelltësi mendore e gjuhësore, që të mund të merremi me problemet reale të vendit, rrezikon seriozisht të mos realizohet. Gjithsesi, le të shpresojmë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama