Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Shenja të këqija

Shkruar nga: Fatos Lubonja  
Botuar më: 12 vite më parë

Fatos Lubonja
Shenja të këqija

Të vësh bast se opozita me Edi Ramën në krye do të dështojë, më duket një punë jo e mençur. Kjo do të thotë të mendosh vetëm për pushtetin tënd dhe aspak për të gjithë ata shqiptarë që nga ky dështim do të fundosen edhe më shumë se ç’janë fundosur deri më tani. Neve nuk na duhet një opozitarizëm i tillë siç paralajmëroi fushata për kryetarin e ri të PD-së. Ishte e trishtueshme të shihje se si ajo e trajtoi raportin me maxhorancën e re si të bëhej fjalë për një kampionat futbolli ku flitej thjesht e vetëm për fitoren në ndeshjen e ardhshme me skuadrën rivale. Madje, gjatë rrugës së fushatës na u tha se në Lezhë qenkan vjedhur apo blerë vota nga mafia dhe humbja i dedikohet kësaj. Po si nuk ndalën një çast, përpara se të deklarojnë këtë, të mendojnë se, edhe në qoftë kështu, këtu bëhet fjalë për një tjetër dështim të madh të qeverisë “Berisha”, sepse kjo është shenja më evidente se në kohën e Berishës mafia dhe krimi i organizuar, në vend se të luftohen, paskan lulëzuar në atë farë feje sa ia paskan dalë edhe kundër qeverisë që ka në dorë policinë e shërbimet informative, e më the të thashë. Madje qeveria është ende në punë dhe detyra e saj numër një është lufta kundër mafies dhe krimit. Ç’kuptim kanë këto fjalë, përveçse paaftësi për të luftuar krimin dhe paaftësi për të analizuar humbjen?


 Edhe fakti se LSI është katërfishuar duke qenë në qeveri – disa thonë më së shumti duke blerë vota – është shenjë e dështimit të politikës. Sepse atëherë dhe vetëm atëherë kur njerëzit nuk kanë pikë besimi te politika dhe janë të këputur ekonomikisht, preferojnë që midis një vote të hedhur kot fare dhe një vote që u jep një grusht të hollash, të zgjedhin këtë të dytën.


Ngado që ta kapësh PD dhe Berisha në krye të saj dalin të humbur. Partia Demokratike ka nevojë për një analizë të thellë të humbjes për të fituar atë që e ka humbur edhe më thellë sesa zgjedhjet; kredibilitetin te masa e madhe e njerëzve. Mirëpo shenjat nuk janë të tilla. Berisha mbajti një fjalim dorëheqjeje ku tha se mbante të gjitha përgjegjësitë, por deri më sot nuk kemi parë të artikulohet ndonjë përgjegjësi konkrete. Përkundrazi, evokohet historia e lavdishme e PD-së dhe e liderit të saj historik. Nën këtë shenjë u zhvillua edhe gara për kryetarin e ri të PD-së. Kandidatët për zëvendësin e Berishës i thurën lavde liderit historik në vend se të vinin gishtin mbi përgjegjësitë e tij dhe të premtonin se do t’i korrigjonin ato. Edhe më skandaloz ishte vetë procesi, që u denoncua deri nga vetë kandidati Olldashi. Numri i dukshëm mbi fletët e votimit të kujton një palë zgjedhje të Hitlerit, në të cilat, për të zbuluar kundërshtarët e partisë së tij, shkruhej me bojë simpatike, që të mos dukej, numri rendor në fletën e votimit, i cili pastaj zbulohej për çdo fletë që ishte kundër. Më atë rast, të paktën, ruhej në dukje parimi i fshehtësisë, kurse numri i hapur është kërcënim i hapur.
Shkurt, çdo ditë që kalon po bën të qartë se në vend të analizës dhe rifillimit të një politike opozitare të vërtetë dhe bindëse, prandaj edhe konstruktive, kemi kthimin në stilin e vjetër. PD do të mbetet e varur te Berisha dhe te stili i tij i bërjes opozitë: një opozitë agresive dhe destruktive që s’pranon humbjen dhe delegjitimon gjithçka, që rigrupon forcat dhe mobilizon militantët në sajë të kultivimit të urrejtjes ndaj armikut të përbashkët dhe glorifikimit të liderit që do ta udhëheqë kundër këtij armiku në betejën e ardhshme. Nuk di të them nëse edhe militantët kërkonin këtë, pasi kjo është bërë tashmë mendësi e rrënjosur, apo duartrokisnin ashtu kot, pasi kjo është bërë pjesë e teatrit.


Në fakt, na duket sikur po shohim një shfaqje teatrale që e kemi parë tashmë disa herë, ku aktorët vetëm se kanë ndërruar rolet. Një shfaqje që po bëhet, ama, gjithnjë e më e mërzitshme, më e shpëlarë dhe më e boshatisur nga spektatorët. Sepse edhe vetë luftës për pushtet për hir të pushtetit dhe parave që fitohen prej këtij teatri, i ka dalë boja fare. Dështimin e këtij teatri e provuan edhe zgjedhjet e fundit kur, tek e fundit, fitoren opozitës nuk ia siguroi lufta pa kompromis, destruktive, “ballore” (po të përmendim një fjalë të Bashës), (fatkeqësisht të gjitha të shtira, teatrale), por tërheqja e Metës në koalicion.  Sipas këtij teatri, po nuk ndodhi ndonjë gjë e papritur, një opozite kësisoj do t’i duhet të presë tetë vjet degradimin e maxhorancës dhe të tërheqë në krahun e saj Ilir Metën që të rikthehet në pushtet në një vend edhe më të rrënuar e më të kapur nga krimi i organizuar dhe çorganizuar, e ku vota do të shitet/blihet me një çmim edhe më të lirë.
Por ne, ashtu sikurse nuk na intereson një maxhorancë që vazhdon rrugën e së vjetrës, ashtu dhe nuk na intereson një opozitë e tillë. Një opozitë kësisoj vetëm sa do t’ia lehtësonte punën një maxhorance që do të vazhdonte të njëjtën hulli të paraardhëses.


Dikush do të thotë se një analizë e vërtetë e përgjegjësive dhe gabimeve etj., do të çonte në shpërbërjen fare të PD dhe mbetjen e vendit pa opozitë përballë një maxhorance që s’është me engjëj. Ky rrezik qëndron, por ky rrezik, sipas meje, është ai që legjitimon teatrin ku vetëm ndërrohen rolet një herë në tetë apo dymbëdhjetë vjet, pa ndryshuar asgjë në jetën e shqiptarëve. Dikush, qoftë brenda këtyre partive, qoftë jashtë,  duhet të guxojë ta thyejë këtë rreth vicioz.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama