Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Vrasjet dhe debati fals mbi policinë

Shkruar nga: Fatos Lubonja  
Botuar më: 11 vite më parë

Fatos Lubonja
Vrasjet dhe debati fals mbi policinë

Pas shkrimit tim "Humbja e kredibilitetit dhe militantizimi i shoqërisë", thelbi i të cilit ishte se dy forcat politike që kemi kompensojnë kredibilitetin e humbur nëpërmjet uzurpimit të çdo hapësire publike dhe militantizimit të shoqërisë, më kanë ardhur një sërë kritikash – të përsëritura tashmë – ndaj këtij qëndrimi që ka kohë që e mbroj. E kam fjalën për kritikat, sipas të cilave unë dhe ata që mendojnë si unë, duke i kritikuar apo akuzuar të dyja palët, duke mbajtur distancë nga të dyja palët, duke thënë se të dyja palët janë njëlloj, "dy banda" etj. – prodhojmë sterilitet politik, ruajtje të statukuosë. Dje, ata që ishin në opozitë më akuzonin se kështu po i shërbeja maxhorancës në pushtet, së cilës i interesonte statukuoja, kurse sot këta që janë në opozitë më akuzojnë për të njëjtën gjë.


Problemi është se unë i mëshoj pikërisht së kundërtës: se është pikërisht dinamika false maxhorancë-opozitë, e cila, në mungesë të forcave të reja politike, drejtësisë dhe të mediave e shoqërisë civile që duhet të denoncojnë të dyja palët, dhe jo të bëhen pjesë e njërës apo tjetrës, ka prodhuar dhe po vazhdon të prodhojë sterilitet politik dhe ruajtje të statukuosë.


Le ta ilustroj këtë që mbroj me mënyrën se si e trajton kjo kastë politike një fenomen jashtëzakonisht të rëndë që po gërryen ndjenjën e sigurisë së jetës në Shqipëri. E kam fjalën për numrin e madh të vrasjeve, ku spikasin edhe ato të kohëve të fundit me atentate me tritol. Para dy ditësh përsëri një shpërthim tritoli në makinë i mori jetën në Durrës një personi që merrej me ndërtime.


E pra, cili është debati apo polemika midis maxhorancës dhe opozitës që po zhvillohet lidhur me krime të tilla? Opozita akuzon se krimi ka marrë dhenë ngase janë hequr policët e aftë dhe janë zëvendësuar me militantë. Nuk mungojnë edhe akuza, sipas të cilave disa krime që kanë ndodhur kundër kryekomunarësh të PD-së janë organizuar për të terrorizuar opozitën, ashtu sikurse nuk mungoi edhe akuza e fundit, sipas së cilës vetë kryetari i PS, Edi Rama, dhe krerë të tjerë të partisë janë krahu politik i krimit. Nga ana e maxhorancës pretendohet se krimi është pakësuar dhe jepen edhe shifra për këtë dhe vazhdohet me denoncimin e policisë së Berishës, e cila ka qenë e militantizuar dhe e lidhur ajo me krimin.


Unë ngulmoj se të kapemi dhe mbetemi te një polemikë e tillë do të thotë ti ikim debatit të vërtetë që duhet bërë lidhur me krimin në Shqipëri. Askush me dy para mend në kokë nuk beson se këto krime që po ndodhin sot janë shtuar pasi u zëvendësuan disa oficerë e policë të aftë me disa të paaftë. Askush nuk beson se iu bëka atentat një kryekomunari në një komunë për të terrorizuar opozitën, ashtu sikurse askush nuk beson se krimi po pakësohet ngase socialistët kanë vënë ca më të zotë apo edhe ngase iu rrit rroga policëve apo ndryshuan ca struktura apo emra strukturash. E vërteta është se për të ulur krimin ne kemi nevojë më së pari të kërkojmë shkaqet më të thella e më të vërteta të tij – përse p.sh. i është vënë tritol personit të Vlorë apo kryekomunarit – dhe tu shkojmë deri në fund këtyre shkaqeve për të kuptuar sistemin, rrjetin e lidhjeve mafioze ekonomike e politike, viktimë e të cilave kanë rënë këta duke qenë ndoshta edhe bashkëpunëtorë dje. Unë besoj se ky hetim do të na çojë në një formë ose në një tjetër tek ajo që është më e besueshme: se sistemi ekonomik dhe politik që kemi ngritur është i lidhur ngushtësisht me krimin dhe se numri spaktakolar i vrasjeve dhe atentateve që po ndodhin sot është shenjë e rëndimit të këtij sistemi në një kohë krize siç jemi sot.


E pra unë shtroj pyetjen: A mund ti hyjnë këto forca politike që kemi debatit mbi krimin deri në këtë thellësi dhe të ndërtojnë, pastaj, strategji, edhe të përbashkëta, për luftën kundër krimit? A mundet një gazetari në shërbim të këtyre forcave politike apo edhe një prokurori të hetojë deri në këtë nivel pa dallim partiak? Unë them jo, sepse nuk janë të interesuar për këtë, pasi kjo rrugë i çon te dega ku rrinë vetë. I kujtoj lexuesit se para disa javësh i bëra një letër të hapur prokurorit të Përgjithshëm, ku i kërkoja të hetonte me gjithë seriozitetin e duhur mbi atë se kush e vuri tritolin në makinën e prefektit të Vlorës, pasi kishim dy versione politike: një të opozitës dhe një të maxhorancës, që diktonin dënimin e njërës ose tjetrës palë. Asgjë nuk ndodhi. Sepse te ne nuk bëhet zbulimi, por e kundërta: për të mbuluar të vërtetën dramatike të krimit devijohet debati tek akuzat e ndërsjella dhe mbrojtjet e ndërsjella se këto akuza janë politike. Pastaj, nëpërmjet militantizimit, kërkohet ti imponohet shoqërisë ideja se e gjithë e vërteta qëndron te ky debat fals.

 

Në fakt, ky është steriliteti i politikës dhe ruajtja e statukuosë, dhe pikërisht për këtë duhet të dilet jashtë shinave të debatit fals të kësaj kaste politike për të hapur rrugë të reja debati, kontestimi dhe denoncimi të vërtetë. Dhe unë them se atëherë ky debat e denoncim i vërtetë do të na çonte te fakti se krimi i organizuar dhe i paorganizuar, madje edhe vrasës, kanë hyrë sot deri në Parlamentin shqiptar pa dallim partiak, e kjo do të duhet të ngrinte shoqërinë në këmbë në protesta edhe më të fuqishme se ato kundër sjelljes së armëve kimike.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama