Gjatë këtyre viteve kam dëgjuar shumë nga ata – madje edhe intelektualë – që kur u thoshe se Shqipërinë po e mbyt ekonomia kriminale, trafiku i drogës, i qenieve njerëzore, të thoshin, direkt apo indirekt, se nëpërmjet kësaj ekonomie hyjnë edhe para, e kështu bëhet edhe ndonjë gjë, hamë edhe ne. Vetë fakti që nuk është bërë temë shqetësimi primar rreziku që mund t’i sjellë një shoqërie qenia e pjesës më të madhe të ekonomisë së saj kriminale, flet shumë.
E kam trajtuar këtë rrezik para disa kohësh në një shkrim të titulluar “Të hash nga ujku” (“Panorama”, 1 shkurt 2013) ku flas për një shoqëri ku “ujqit” dhe “njerëzit” e kthyer në “qenër” të tyre i sheh gjithandej së bashku. Sot besoj se jemi në momentin kur rreziqet e ngrënies nga ujku dhe me ujkun po shfaqen në mënyrën më dramatike këta njëzet vjet. Krimi po kërcënon dhe po vret në mënyrën më spektakolare. Ujqit janë hedhur në aktivitet të ethshëm. Pa u kapur mirë ujqërit në Vlorë, ca ujqër të tjerë hodhën në erë një makinë në Tiranë. Pastaj erdhën ca kërcënime të tjera për bomba. Dhe, kur them “ujqërit”, nuk e kam fjalën për bombavënësit, por për mandatuesit e tyre.
Shkaku është se po u rrezikohet “ushqimi”. Njerëzit e thjeshtë bëjnë të habiturin: “Çfarë po ndodh kështu!” Sepse i shtyn në këtë miopi instinkti i atij që nuk do të besojë se i ka ardhur e keqja në derë, por e vërteta duhet parë në sy. Besoj se për të vërtetën që duhet parë në sy flet shumë “kërcënimi” që i është bërë prefektit të Vlorës, Dervishi, me vendosjen e tritolit në makinën e tij. Ai na flet edhe për shumë bomba e ujqër të tjerë. Leximi im për këtë ngjarje është ky: aksionet e qeverisë me shembjet e ndërtimeve të kundërligjshme (ku fus edhe atë të pallatit me pronar vjehrrin e kryetarit të PD-së, Basha) kanë prishur ekuilibrat e sistemit të ngrënies nga ujku dhe me ujkun në Vlorë. Nuk do shumë mend për të kuptuar se “klani” për të cilin foli Dervishi është klani i kryetarit të Bashkisë që, sipas meje, i ka lejuar ato ndërtime me parimin “të hash nga ujku”. Prandaj dhe lëshimi para disa kohësh i Gjikës në duart e drejtësisë nga ana e socialistëve nuk mund të jetë pa lidhje, direkte apo indirekte, me këtë kërcënim.
Kemi të bëjmë me mesazhin e krimit të organizuar e të lidhur me politikën që kërcënon qeveritarët e rinj të mos u prekin interesat sepse, përndryshe, i presin bombat. Është emblematik edhe reagimi i opozitës në këtë kontekst. Deklarimet e saj se kishte të dhëna të sigurta se bomba ishte vënë nga vetë Dervishi dhe të tijtë për të justifikuar blindimin e pushtetarëve, si dhe për të larguar vëmendjen nga problemet e vërteta që ka vendi, doli se ishte një akt i pastër depistimi që, sipas meje, meriton jo vetëm një ndëshkim moral, por edhe hetim ligjor. Kushdo që kërkon të kuptojë në këtë histori pak më thellë se sa mënyrën si i prodhonte bombat i arrestuari Sinani, nuk mund të mos e lidhë këtë reagim të opozitës me faktin se në pallatin që u shemb në Vlorë kishte një bashkëndarje interesash midis kastës politiko-ekonomike socialiste të Vlorës dhe njerëzve të ish–maxhorancës kundër interesave të të cilëve qe angazhuar, me shembjen e pallatit, prefekti Dervishi. Në këtë kontekst, “bombëvënësit” dhe “shpërthimet” apo “mosshpërthimet” e bombave të tyre nuk janë gjë tjetër veçse vazhdim i politikës me mjete të tjera. Me fjalë të tjera, kontrolluesit deri dje të sistemit të “ngrënies nga ujku dhe me ujkun” ndihen sot të kërcënuar dhe kërcënojnë.Pyetjet apo hipotezat që shtrohen në këtë kontekst janë disa:
E PARA: A kemi të bëjmë me një përpjekje serioze nga qeveria për të luftuar këtë sistem kriminal? Dhe, a mund t’ia dalë kjo qeveri në këtë luftë, apo do të dorëzohet përpara kërcënimeve me tritol? Në këtë rast shtrohet edhe pyetja se çfarë duhet të bëjnë njerëzit e vullnetit të mirë që kjo luftë të fitohet nga shteti, dhe jo nga sistemi i krimit të organizuar.
E DYTA, (që e kemi në majë të gjuhës në bazë të përvojës së deritanishme): Apo kemi të bëjmë me një fazë acarimi të luftës së bandave, pasi banda e re, që sapo ka marrë pushtetin, po përcakton kufijtë e saj të territorit që kontrollon duke ngushtuar territorin e asaj tjetrës? Kam parasysh këtu edhe faktin se ajo që ka ndodhur në Vlorë, bastion i socialistëve, tregon se edhe PS ka vepruar me logjikën e bandës dhe, në këtë rast, ose kemi të bëjmë me një luftë brenda bandës, ku “klani” i Gjikës zëvendësohet, ose me një pastrim që kërkon të bëjë qeveria në emër të luftës kundër krimit, çka vihet në dyshim kur ke parasysh se disa ditë më parë maxhoranca është akuzuar për përfshirje të vrasësve të tjerë në krahun e vet parlamentar përveç atyre që ka pasur. E
TRETA: Apo apo, kjo banda e re që ka ardhur në pushtet është më “humane” apo më “inteligjente”, ka brenda edhe njerëz të ndershëm, të pakomprometuar deri tani, dhe po përpiqet të bëjë diçka më shumë edhe për njerëzit, pasi, tek e fundit, nuk mund të injorohen ashtu krejt edhe kërkesat e njerëzve, edhe presioni ndërkombëtar? Prandaj dhe po ndërmerr disa aksione që i shërbejnë edhe legjitimimit të saj në sy të opinionit, edhe të ndërkombëtarëve, për çka po kërcënohet. Përballë këtyre pyetjeve nuk mund të mos marrësh në analizë edhe qëndrimin e opozitës. Është mëse e qartë, sipas meje, se opozita, ose krahu më i lidhur me krimin i saj, po e inkurajon këtë terrorizëm me bomba, pasi i intereson. Qëndrimi i opozitës se krimi po shpërthen nga paaftësia e qeveritarëve të rinj për të kontrolluar ujqit dhe prandaj vendi po futet në krizë apo se krimin e ka nxitur qeveria me agresivitetin e saj, duhet përkthyer.
“Përkthimi”, sipas meje, duhet bërë duke pasur parasysh se opozita i mëshon pikërisht hipotezës së dytë, se kemi të bëjmë me një revansh kriminal të bandës tjetër, çka ajo e mbështet edhe me pastrimet masive në administratë nga njerëzit e saj dhe me goditjet selektive në shembjet që po bën. Prandaj, sipas meje, “përkthimi” që duhet të bëjnë njerëzit është: kur ishim ne në pushtet i linim ujqit rehat, prandaj duhet të kthehemi ne që të keni “qetësinë” dhe “sigurinë” që gëzonit më parë. Përndryshe bombat do t’ju afrohen gjithnjë e më pranë pragut të shtëpisë. Nuk është opozita konstruktive që flet kështu, por ajo së cilës po sheh t’i shkatërrohen interesat e lidhura me sistemin “të hash nga ujku”. Ç’duhet të bëjnë në këtë situatë njerëzit e ndershëm e të vullnetit të mirë, që, për hir të së vërtetës, duken të çorientuar, madje edhe të frikësuar e të gatshëm për t’i bërë “naftën” këtij vendi? Personalisht mendoj se ku sistemi, që punon edhe me tritol, kur nuk ia del me para, duhet refuzuar e luftuar me çdo çmim. Jemi në një moment kur është bërë më e qartë dhe më dramatike se kurrë se ku të çon bashkëpunimi me krimin dhe kriminelët. Ne duhet të kërkojmë me ngulm një qeveri që të veprojë sipas hipotezës së parë: të luftës pa kompromis dhe pa përkatësi partiake me krimin. Në fakt, qeveria nuk e ka ende kredibilitetin se mund ta bëjë këtë luftë.
Duhet drejtësia mbi të gjitha të dalë në krye. Duhet të bëjë diçka çdo njeri që nuk dëshiron të jetojë si peng i krimit dhe i kriminelëve, i poshtëruar prej tyre, e që ka sadopak në dorë, në cilëndo parti qoftë, në cilëndo strukturë të Prokurorisë apo Gjyqësorit dhe në cilëndo media apo shoqatë të shoqërisë civile qoftë. Dhe kjo diçka, me një fjalë tjetër, mund të quhet sakrificë dhe kurajë, jo vetëm për të mos ngrënë me ujkun, por edhe për të luftuar me të. E kjo nënkupton edhe sakrificën e jetës: mjaft të kesh parasysh se në Italinë fqinje lufta me ujkun u ka kushtuar jetën shumë shërbëtorëve të shtetit, të ligjit e të së vërtetës, qofshin politikanë, gazetarë, njerëz të drejtësisë, të policisë, njerëz të thjeshtë. Rrugë tjetër s’ka. Përndryshe do të vazhdojmë (edhe pak kohë) të jetojmë si ai gomari që i dukej se ishte në ëndërr kur po e hante ujku.