Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Pse dhe si e duan Enver Hoxhën

Shkruar nga: Fatos Lubonja  
Botuar më: 11 vite më parë

Fatos Lubonja
Pse dhe si e duan Enver Hoxhën

Sikur t’i thoshin një kategorie njerëzish - ku bëjnë pjesë jo pak politikanë, deputetë, biznesmenë, shkrimtarë, gazetarë, intelektualë, botues - se do të ngjallet Enver Hoxha dhe do të të marrë vilën duke të akuzuar se je borgjez, që ke pirë gjakun e popullit; se, pas kësaj, do të të kërkojnë të dorëzosh paratë që ke në bankë dhe ato që ke të fshehura dhe se po nuk i tregove, do të të rrasin në qeli ku do të të torturojnë derisa t’i nxjerrësh të gjitha; se po nuk ndenje urtë edhe pas kësaj do të të rrasin në burg e familjen do të ta internojnë; se nuk do të mund të lëvizësh jo vetëm jashtë vendit, por as nga qyteti në qytet; se nuk duhet të kesh asnjë ide tjetër në kokë, përveç atyre të partisë dhe të udhëheqësit të saj; se fëmijët duhet të duan më shumë udhëheqësin sesa ty; se ushqimin do ta kesh me tollona e kilen e qumështit do ta marrësh duke mbajtur radhë që në orën 4:00 të mëngjesit, e shumë të tjera bëma të atij regjimi, jam i sigurt se do të ngriheshin me qysqi, kazma e lopata që të mos e linin Enverin të dilte nga varri.

Jo, jo këta nuk e duan diktaturën e proletariatit që kaluam, larg qoftë. Në këtë aspekt, këta kanë përqafuar vlerat e sistemit borgjezo-kapitalist dhe veçanërisht këta që kemi lart janë shkuar borgjezëve e kapitalistëve kur vjen puna për privatizime e për pronën e tyre private që, sipas atij sistemi, ishte burimi i të gjithë të këqijave.

Po pse megjithatë e duan Enverin është pyetja, ku e kanë hallin? Kush tha që e duan vërtet, do të më pyesë dikush, duke më vënë në dukje faktin se thuajse askush sot nuk deklaron hapur një dashuri të tillë, edhe pse mund ta dojë. Sipas meje, ka plot shenja të kësaj dashurie për Enverin si simbol të asaj kohe, por zhbirilimi i këtij halli dashurie, sipas meje, nuk është edhe aq i thjeshtë siç kërkojnë ta paraqesin disa - sikur oligarkia socialiste në pushtet kërkuaka të na kthejë kohën e kaluar.

Sipas meje, lëvizjet për të nxjerrë hijen e Enver Hoxhës nga varri, por jo Enverin e vërtetë, që ndihen kur vijnë socialistët në pushtet, nuk kanë të bëjë me të djeshmen, por me të sotmen, me lojën e pushtetit. Po përpiqem ta shtjelloj pak më qartë idenë që kam për këtë çështje.

Një nga mënyrat më efikase për t’i pasur njerëzit nën pushtet, sigurisht krahas kontrollit të interesit të tyre material, është t’i bësh ata të ndajnë me ty këndvështrimin për botën, vlerësimet dhe emocionet pozitive e negative për njerëzit. Sepse, njerëzit nuk jetojnë vetëm për bukën e gojës, kjo dihet. E, në këtë këndvështrim, një vend të madh zë kujtesa e së shkuarës dhe protagonistët e saj.

Nuk thuhet kot se ne jemi kujtesa jonë. Vini re, sa herë takohemi me dikë dhe fillojmë e bisedojmë, nuk bëjmë gjë tjetër veçse kujtojmë ngjarje të së kaluarës së largët ose të afërt. Sikur të na hiqet kujtesa, ne nuk dimë se cilët jemi dhe do të reshtnim së dashuri apo së grinduri me njëri-tjetrin. Dhe që këtej vjen edhe rëndësia e kujtesës për pushtetin. “Për hir të pushtetit duhet të ndërhyhet energjikisht te kujtesa e njerëzve: në mënyrë që ajo të punojë në një drejtim të caktuar.

Njeriu duhet të detyrohet të kujtojë dhe të kujtojë në një mënyrë gjithnjë e më mekanike. Dhe kështu njeriu manipulohet deri në thellat më intime të psikikës. Atij i kryhet një si incizim me zjarr në kujtesë. Nuk ka asgjë më të tmerrshme dhe më të mistershme sesa mnemoteknika” - thotë Nietzche.

Kush ka përjetuar komunizmin, e kupton mirë mnemoteknikën - teknika për të fiksuar sa më lehtësisht dhe sa më shpejt gjërat në kujtesë, për çka ajo përdor imazhe, rrëfenja, fjalë kyçe e plot mjete të tjera - sepse, propaganda komuniste e çoi në nivelet më spektakolare “incizimin me zjarr” në kujtesën e njerëzve. Mjaft të kesh parasysh numrin e pafundmë të lapidarëve që ka ngritur, apo tërë atë letërsi a kinematografi të realizmit socialist, kujtimet e shokut Enver, gënjeshtrën e shpifjen e përsëritur për armiqtë apo deri edhe fshirjen nga kujtesa të njerëzve të urryer nga pushteti nëpërmjet heqjes së fotove të tyre nga albumet apo faqet e historisë.

Përgjatë afro gjysmë shekulli kjo mnemoteknikë manipulative është përdorur nga hoxhizmi ditë për ditë për të incizuar në mendjet e njerëzve versionin e vet të historisë dhe të kujtesës.

Çfarë ka ndodhur gjatë këtyre njëzet vjetëve me këtë kujtesë? Sigurisht gjatë afro 50 vjetëve diktaturë ndodhën edhe shumë ngjarje të tmerrshme që nuk mund të iknin kollaj nga kujtesa e shqiptarëve, që u ngulitën edhe ato në kujtesën e tyre si krime e tmerre të asaj kohe. Nuk do të kishte rënë ashtu siç ra komunizmi, me njerëzit duke ikur nga sytë këmbët apo duke rrëzuar e pshurrur statujat e Enver Hoxhës sikur ata të mos kishin edhe një kujtesë tjetër nga ajo që kishin gatuar shkrimtarët, artistët, gazetarët e propagandistët e Enver Hoxhës.

Po të shohësh imazhet e Shqipërisë së eksodit, të njerëzve që kacavirreshin në anijet për të shkuar në Itali, mbetesh pa gojë për atë se cilët ishin shqiptarët që dolën nga Shqipëria socialiste. Megjithatë, ajo narrativë e incizuar me zjarr për 50 vjet mbeti edhe ajo aty, në mendjet e tyre. Ndërkaq, shumë shpejt filloi loja e re e pushtetit. Në kushtet e pluralizmit politik ne zëvendësuam pushtetin e një partie të vetme me pushtetin e dy partive që, jo rastësisht, kishin në krye që të dyja ish-komunistë të cilët, edhe për shkak se s’kishin marrë kulturë tjetër, filluan të përdorin edhe ata mnemoteknikat e përdorura nga hoxhizmi.

Kësisoj, dora-dorës, në funksion të pushtetit të tyre, mnemoteknikat e këtyre dy partive filluan të krijojnë një version dykrerësh të kujtesës e të historisë. Le të kujtoj disa momente të këtyre mnemoteknikave të pushtetit. Për shembull, komunisti i kthyer në antikomunist Sali Berisha i fitoi zgjedhjet më 1992-shin duke përdorur shprehjen “jemi të gjithë bashkëvuajtës e bashkëfajtorë”. Ishte një tentativë përpunimi dhe thjeshtëzimi i kujtesës të së kaluarës nëpërmjet këtyre dy fjalëve kyçe me kaq peshë. Ai tentonte kësisoj të merrte votën e atyre që deri dje kishin qenë më së shumti fajtorë, duke e ditur se ata që më së shumti kishin qenë vuajtës i kishte votues të sigurt të partisë së tij antikomuniste. Megjithatë, kjo thënie përmbante një të vërtetë të madhe: atë se shqiptarët kishin një kujtesë të keqe për atë sistem, që kishte sjellë ose vuajtës, ose fajtorë, ose të dyja së bashku.

Mirëpo, shumë shpejt, për hir të pushtetit, Berisha i ndërroi teknikat e përpunimit të kujtesës. Shumë shpejt filloi t’u kujtonte njerëzve se jo vetëm opozita, por edhe ata që i kishin dalë kundra pse ishte autoritar, i padurueshëm, kishin qenë fajtorë pa “bashkë”-n përpara. Kësisoj filloi një përpunim i kujtesës nga ata që u vetëquajtën demokratë, ku shumica kujtonin vetëm vuajtjet e persekutimet (që kishin pasur nga ata të tjerët) dhe trimërirat që kishin bërë kundër tyre - deri në atë pikë sa mund të ngrije pyetjen: si ka ndodhur që ai regjim ka ekzistuar kaq gjatë me këta liridashës, trima e disidentë të çartur? Po ashtu, thuajse çdo gjë që ishte konsideruar e zezë nga historiografia hoxhiste, u bë e bardhë si me shkop magjik. Ndërkaq, nga pala tjetër fillimisht pati kryesisht vetëmbrojtje.

Mnemoteknika e socialistëve punoi me njerëzit e vet me metodën e harresës, të fshirjes nga kujtesa, veçanërisht të krimeve. Një strehë e rëndësishme për kujtesën e tyre u bë Lufta Nacionalçlirimtare, e cila u ruajt thuajse krejtësisht në variantin që kishte gatuar hoxhizmi. Pak nga pak, duke parë edhe dështimet e pushtetit të ri, filloi të rimerrej narrativa e vjetër e të përpunohej versioni se ai regjim ka pasur edhe të mira se kishte krijuar universitetin e parë, shkollat, spitalet. Madje-madje, për shumicën e atyre që ishin persekutuar, kur nuk heshtej, përhapeshin thënia se kishin qenë kryesisht hajdutë e keqbërës ordinerë.

Dhe, kësisoj, që prej asaj kohe të dyja palët filluan të kultivojnë kujtesën dhe harresën e grupit të tyre dhe të punojnë sistematikisht të ruajnë imazhet dhe versionet e tyre të historisë. Në këtë vazhdë lufte mnemoteknikash kemi përjetuar e vazhdojmë të përjetojmë konfliktin e gjatë për të përcaktuar datën e Çlirimit: nëse ishte 29 Nëntori, apo 28 Nëntori; kemi parë të vihen emrat e rrugëve sipas përkatësive partiake të familjarëve, të ngrihen monumente, të jepen medalje e të përkujtohen ngjarje historike; kemi parë socialistët të heqin burgun e Burrelit si vend muze dhe ta kthejnë në një burg të zakonshëm e demokratët të heqin monumentin e Heronjve të Vigut nga sheshi qendror i Shkodrës për ta çuar afër fushës së plehrave. Së fundmi u bë edhe një sulm vandal mbi memorialin e izolimit komunist dhe nuk pati një socialist të vetëm të shprehte keqardhjen, sepse atë e kishin ngritur demokratët.

Kjo lojë dy teatrosh, regjisorët e të cilëve kanë interes të mbajnë spektatorët në platetë e tyre, sa duke u përpunuar kujtesën aq edhe duke e mikluar atë, po vazhdon edhe sot. Në fakt, është një lojë/luftë për pushtet që s’ka lidhje as me të vërteta historike shkencore dhe as me vlera të vërteta. Në këtë lojë së fundmi është futur nga socialistët dhe fantazma e Enver Hoxhës.

“Enver Hoxha nuk mund të fshihet dhunshëm nga historia e Shqipërisë”. Kështu ishte titulli i një interviste të Paskal Milos që më tërhoqi vëmendjen, pasi ai është caktuar kryetari i një komisioni për rishikimin e historisë, prej të cilit thuhet se do të dalë një tekst që të na rrëfejë të vërtetën e të vërtetave për historinë tonë. E lexova me vëmendje dhe mund të them se ndjeva në çdo rresh incizimet mnemoteknike që synojnë të mbajnë gjallë narrativën socialiste të kujtesës sonë për historinë. Kjo fillonte që me titullin: tek përdorja e fjalëve “dhunë” dhe “fshirje” e te mbrojtja që kërkon t’i bëjë autori Hoxhës nga kjo dhënë dhe fshirje.

Në fakt, askënd nuk kam dëgjuar të thotë që Hoxha duhet të fshihet nga historia. Aq më tepër dhunshëm. Ai duhet të jetë në histori, siç është në histori edhe Hitleri, edhe Stalini, edhe Musolini, edhe Mao Ce Dun si përfaqësues apo simbol i një periudhe historike nga ato më të tragjiket për njerëzimin: ajo e regjimeve totalitare të shekullit XX që, sigurisht, nuk mund të shpjegohen vetëm nëpërmjet bëmave të një figure, por nëpërmjet tërë kontekstit kulturor ku kanë lindur e vepruar këta diktatorë.

Por, Milo duket qartë se nuk synon këtë. E gjithë intervista të lë shijen e një përpjekjeje për të “normalizuar” figurën e Enver Hoxhës e nëpërmjet saj, kuptohet, edhe diktaturën e tij. Në intervistën e tij nuk sheh të përdoren një herë të vetme fjalët terror, krime, persekutime, burgje, internime, izolim, që janë fjalë kyçe kur analizohen regjimet totalitare komuniste, ndër të cilët ai i Enver Hoxhës ka qenë më brutali dhe më çnjerëzori.

Kuptohet qartë se ai kërkon t’i flasë “kujtesës” së atyre spektatorëve të teatrit socialist, që Enver Hoxhën e kujtojnë edhe për mirë apo vetëm për mirë, që nuk duan t’i kujtojnë krimet e atyre kohëve sepse i kanë kryer vetë, madje edhe nipërve e mbesave të tyre që nuk e kanë përjetuar atë regjim, që shkojnë pinë alkool e kërcejnë e këndojnë këngë perëndimore në Pezë duke përkujtuar Komandantin, pa e ditur se ai dhe gjyshërit e tyre u prisnin gjuhën në atë kohë të rinjve që bënin këto punë.

Kjo shije e keqe e intervistës bëhet më e dukshme kur thotë: “Enver Hoxha, Ahmet Zogu, Sali Berisha dhe të gjithë politikanët shqiptarë janë në një mënyrë ose në një tjetër, tashmë, personalitete të fondit historik shqiptar.” Për të cilët, gjithë sipas Milos, “do të shikoni mjaft portrete, nga analistë, gazetarë dhe studiues të kohës, të cilët i vizatojnë në mënyrë më ekstreme ose duke i glorifikuar, ose duke i poshtëruar. Kjo ka ndodhur në Shqipëri edhe gjatë periudhës së tranzicionit”.

Nuk kam pikë simpatie për Ahmet Zogun e Sali Berishën, madje mendoj se sikur të kishin përqafuar komunizmin e të udhëhiqnin një regjim totalitar, mund të kishin qenë po aq kriminalë sa Enver Hoxha, por ata s’mund të futen në një rresht, siç bën Milo, me Enver Hoxhën. Është njëlloj sikur të futësh Stalinin në një rresht me carët apo pasardhësit e tij. Totalitarizmat e shekullit XX kanë qenë një kafshë kriminale më vete dhe kështu janë trajtuar nga historiografia e vërtetë kudo në botë.

Mirëpo, Milo vazhdon: “Tani kemi një perceptim jo dhe aq realist, sepse nisemi nga ajo çfarë na ka ndodhur neve si individë, nisemi nga ajo çfarë i ka ndodhur familjes, fisit, apo gjithë shqiptarëve...”! Po pse nga çfarë duhet të nisemi për të qenë realistë në shkrimin e historisë nëse jo nga ato që u kanë ndodhur shqiptarëve? Por, ai nuk e shtron këtë pyetje që të na çojë te filozofia e tij e historisë. Ai thjesht kërkon të sugjerojë se ata që flasin vetëm keq për Enver Hoxhën (kuptohet, këtu nuk e kam fjalën për ata që thjesht e shajnë me fjalë banale apo që thonë se ishte aq mizor pse ishte homoseksual) e bëjnë këtë nga halli familjar, prandaj kanë një vizion të shtrembëruar të historisë e nuk duhen marrë seriozisht.

Dhe, menjëherë ai kalon shpejt e shpejt te streha e narrativës së teatrit socialist: tek Lufta Nacionalçlirimtare, për përkujtimin e përvjetorit të së cilës qeveria sapo lëshoi edhe një fond prej një milion dollarësh - shumë kjo jo e vogël për xhepat e shqiptarëve të varfër. Ai na jep përsëri avazin e stërpërsëritur nga mnemoteknika e Enver Hoxhës: “luftën e bënë shqiptarët, komunistët patën meritën që e udhëhoqën”. Pastaj jep edhe ca argumente të çuditshme, si: “çdo parti lufton për të ardhur në pushtet. Edhe Balli luftonte që të vinte në pushtet, edhe zogistët luftonin që të kthehej Zogu në pushtet… Në qoftë se komunistët synonin pushtetin pas lufte - dhe kjo është shumë e saktë – ata gjetën mënyrën dhe rrugën më të mirë për të ardhur në pushtet. Kjo është një meritë e tyre”.

Shikoni o njerëz se këtij historiani i është dhënë kryesia e komisionit që do të shkruajë historinë zyrtare të Shqipërisë, që do të jetë ajo që do të mësojnë fëmijët tanë nëpër shkolla. Si është e mundur që ky nuk e di se jo vetëm në Shqipëri, por edhe kudo në ish-bllokun lindor ardhja e komunistëve në pushtet është vendosur nga ndarja e Jaltës që ndau zonat e influencës midis fitimtarëve, e se Shqipëria në këtë kontekst iu la Titos; se historia e ka dënuar si ardhje jo demokratike, pasi shkeli edhe premtimet e dhëna në Jaltë nga Stalini, pasi përdori dhunë e kreu krime ngase përzjeu një luftë me karakter çlirimi kombëtar me një revolucion proletar, që synonte të vendoste diktaturën e ashtuquajtur të proletariatit, që mohoi ekzistencën e partive të tjera dhe të zgjedhjeve të lira.

Si mund të thuhet se kjo ishte “meritë”, athua se ardhja në pushtet qenka qëllim më vete që justifikohet me çdo mjet?!

Jo, këtu s’kemi të bëjmë me histori dhe historianë që kërkojnë të ndriçojnë njerëzit. Këtu kemi të bëjmë me trashëgiminë e shëmtuar të mnemoteknikës së komunizmit, që kërkon t’i mbajë njerëzit injorantë rreth historisë së tyre e t’i përçajë duke manipuluar pasionet e tyre, që t’i sundojë më lehtë. Kemi të bëjmë me një politikë që – siç më shkruante një lexuese - “shkel me çizme mbi dhimbjet e së kaluarës dhe ato që shkakton përditë mbi njerëzit e thjeshtë. Një politikë e papërgjegjshme që ka prodhuar një shoqëri ku sheh shkatërrim, njerëz agresive, njerëz të dëshpëruar, njerëz të depresionuar, njerëz të vetmuar, njerëz që jetojnë në ankthin e së kaluarës së errët dhe nuk janë të aftë të gjejnë kurën e duhur… njerëz që janë njëqind për qind të varur në rezultatet e zgjedhjeve, pra njerëz të paaftë për të qenë të zotët të udhëheqin jetën e tyre”.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama