Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Mbi protesten e opozites

Shkruar nga: Fatos Lubonja  
Botuar më: 11 vite më parë

Fatos Lubonja
Mbi protesten e opozites

Protesta e opozitës ditën e shtunë ishte një ngjarje që mund ta krahasosh me një prizëm shumëfaqësh – ndër të cilat disa edhe kontradiktore me njëra-tjetrën – që duhen lexuar me kujdes nga e gjithë shoqëria shqiptare. Sigurisht, ta dikton këtë nevojë fakti se numri i protestuesve ishte i madh, shumë më i madh nga ç’pritej, dhe kjo është sigurisht një nga gjërat kontradiktore që e bën këtë ngjarje njëherësh me faqe të errëta, por edhe me faqe të ndritshme; shqetësuese, por edhe ngushëlluese. E bën shqetësuese fakti se flet për një gjendje jo të mirë e për rreziqe që na kanosen, e bën ngushëlluese fakti se tregon se, me gjithë një mijë defektet, demokracia jonë krijon ende mundësi reagimi.

 

Qeverisja

E para gjë që mund të thuhet është se kjo protestë shprehu një pakënaqësi në rritje të njerëzve, që nuk lidhet vetëm me mosmbajtjen e premtimeve – pasi njerëzit janë mësuar me gënjeshtrat e politikanëve tanë – dhe as thjesht me punën e mirë organizative të PD-së, por më së shumti me disa punë të këqija të qeverisë, veçanërisht me disa aksione që shkojnë 180 gradë kundër premtimeve, si dhe me mënyrën se si po kryhen ato. Problemi është se kjo maxhorancë ka marrë në duar për të kuruar një trup të sëmurë, shumë të sëmurë. Ajo që po bën, nëse mund të përdor një metaforë, është sikur këtë trup, që i ka të gjitha organet copë, ta hapësh dhe të kërkosh t’i operosh në të njëjtën kohë edhe zemrën, edhe mëlçinë, edhe stomakun, edhe mushkëritë, edhe, edhe. Nuk ka pikë dyshimi se trupi nuk mund të durojë një rrjedhje të tillë të gjakut. Edhe rritje taksash, edhe prerje energjie për ata që nuk e paguajnë, edhe rritje të çmimit të energjisë për të gjithë, edhe rritje gjobash, edhe shkatërrim i ndërtimeve pa leje – që kanë punësuar gjithsesi një numër jo të vogël – edhe shkatërrim të marijuanës, edhe rritje e tarifave për studentët, edhe zëvendësime masive nga puna në administratë, edhe, edhe. Nuk ka dyshim se duhej vënë dorë mbi shumëçka, por jo në këtë mënyrë. Ta dikton bon sensi që në një punë të kesh prioritete, që pasi kryen një operacion që derdh gjak duhet të kujdesesh që trupi të rikuperohet njëfarësoj që të mund të aplikosh një terapi tjetër mbi një organ tjetër të sëmurë. Po ashtu, jo çdo terapi duhet të jetë operacion me thikë, mund të përdoren edhe terapi më afatgjata dhe jo traumatike. Po t’i shtosh kësaj edhe pandjeshmërinë që tregohet ndaj këtyre prerjeve me thikë si dhe faktin se jeta në “pallat” vazhdon si më parë, me show-t e njëpasnjëshëm të Kryeministrit të rrethuar me një numër ministrash kukulla që s’kanë asnjë zë në kapitull, zemërimi që shprehu kjo protestë është mëse i kuptueshëm.

 

Opozita

Paradoksi, megjithatë, qëndron në faktin se protesta e njerëzve nuk mund të kanalizohet tjetërkund veçse në favor të opozitës, e cila, në shumë aspekte, është përgjegjëse kryesore për sëmundjen e rëndë ku ndodhemi. Nëse kjo qeveri mund të akuzohet si përgjegjëse për një terapi të gabuar, për sëmundjen janë përgjegjës më shumë ata që kanë qeverisur tetë vjet, sesa këta që kanë vetëm një vit e pak.

E këtu vjen reflektimi që duhet të bëjë opozita kur thërret njerëzit në protestë. Duket sikur ajo është e kënaqur që tregoi forcën e saj dhe mjaftohet me kaq. Madje ndoshta ajo mund të jetë duke fërkuar duart me idenë se do të rikthehet shumë shpejt në pushtet. Mirëpo trupi i sëmurë është aty i gjithi duke pritur terapinë efikase dhe njerëzit nuk mund të mos ngrenë edhe kësaj radhe pyetjen: po përsëri do të ngrihemi ne në protesta e do të votojmë për të sjellë në pushtet po ata që, si gjithnjë, në opozitë na premtojnë Parajsën dhe në pushtet na japin Ferrin? Çfarë na premton ndryshe kjo opozitë përveç përmbysjes së kësaj qeverie në emër të pasurimit të oligarkëve të saj dhe punësimit të militantëve të saj? A ka ajo ndonjë terapi tjetër kundër oligarkisë që akuzon sot përveç metodës së qeverisjes që aplikoi gjatë tetë vjetëve, që na katandisi në këtë gjendje? Po për çështjet e kontrollit të territorit, të pagesës së energjisë, të uljes së borxheve e me radhë, e me radhë, a ka ajo ndonjë ide më të mirë?

 

Shoqëria civile

Një lexim pozitiv i kësaj proteste vjen nga fakti se ajo tregoi se njerëzit, gjithsesi, arrijnë të reagojnë, të paktën përsa i përket arrogancës së pushtetit. Sepse nuk ka dyshim se një nga gjërat që i ka zemëruar ata është edhe një arrogancë dhe mospërfillje që po tregon qeveria me në krye Kryeministrin, duke mbështetur aksionet e veta kryesisht në forcën policore si dhe duke mos përfillur qoftë një opinion jo të vogël publik, qoftë edhe opozitën, e cila dukshëm ka të drejtë në disa nga pretendimet e saj. Megjithatë, edhe pas protestës, Kryeministri deklaroi se asgjë nuk do ta ndalojë në rrugën që ka nisur. Nga ana tjetër, opozita duket se është e gatshme të shfrytëzojë pakënaqësinë në rritje në favor të rikthimit të saj në pushtet pa marrë parasysh asgjë.

 

Shoqëria civile duhet të shqetësohet në këtë situatë pasi të dyja forcat politika po tregohen irracionale – siç edhe janë treguar historikisht – duke vënë konfliktualitetin dhe luftën për pushtet midis tyre përmbi të mirën e të gjithëve. Protesta në këtë aspekt duhet lexuar edhe si një grumbullim resh që paralajmërojnë furtunë. Nëse qeveria nuk reflekton, por vazhdon me metodat që ka nisur, të rrisë pakënaqësinë, varfërinë dhe pasigurinë e jetës së shumicës së njerëzve dhe opozita i shfrytëzon këto për të rritur konfliktualitetin, vendi mund të futet edhe në një krizë të rëndë destabilizimi dhe mosqeverisshmërie.

 

Shoqëria civile, mediat dhe në përgjithësi njerëzit e vullnetit të mirë duhet të reagojnë për këtë dhe jo të bëjnë, siç kanë bërë më së shumti, zgjatimin e llogoreve të partive.

 

Ndërkombëtarët

Së fundi, por jo për nga rëndësia, besoj se kjo protestë duhet të bëjë të mendojnë edhe ndërkombëtarët e këtushëm, ambasadorë të ndryshëm, që luajnë një rol jo të vogël në lojën tonë politike, të cilët duken më të entuziazmuar se ç’duhet nga efektet spektakolare të disa aksioneve të qeverisë, dhe kanë lënë jashtë shikimit dhe vëmendjes disa rreziqe që i shprehu jo pak edhe kjo protestë./

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama