Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Jemi apo jo më të lumtur se dje

Shkruar nga: Fatos Lubonja  
Botuar më: 15 vite më parë

Fatos Lubonja
Jemi apo jo më të lumtur se dje

Tema e shkrimit "Trashë- gimia kulturore - kur mirëpasja shkatërron mirë-qenien" (Panorama. 14 korrik) ka ngjallur reagime tek një numër lexuesish, që e kundërshtojnë thelbin e shkrimit, pasi kanë një prirje për të njohur gjithsesi zhvillimin i cili, sipas tyre, tek shqiptarët që dolën nga  komunizmi, do të përqendrohej natyrshëm tek mirëpasja. 

Ndaj pyetjes: a janë shqiptarët gjithnjë e më të kënaqur nga jeta sot se në të kaluarën, ata përgjigjen po dhe gati nuk duan diskutime. Në fakt, diskutimi vjen e komplikohet edhe pasi e kaluara që merret si pikë referimi, për disa mbetet e kaluara komuniste, për të tjerë viti 97, të cilin një pjesë e quajnë "viti zero" dhe, kur ke parasysh këto dy momente, vështirë të thuash se sot shqiptarët ndjehen më keq. Ngulmoj gjithsesi se tema që kam prekur është e një rëndësie të madhe përtej krahasimeve me komunizmin apo vitin 97 dhe po ashtu përtej grindjeve të politikës (nëse ka krizë ekonomike apo jo e kush është fajtori), pasi ka të bëjë me prirjen për kah po shkon ekonomia jonë, me sistemin e vlerave që po kultivohen, me kulturën që po përcakton indin shoqëror të këtij vendi.

Atyre që ekzaltojnë progresin në krahasim me të kaluarën, duke përmendur infrastrukturën rrugore më të mirë apo strehimin e të tjera si këto që, tek e fundit, futen tek rritja e GDP për kokë, u kujtoj se matja me të kaluarën është edhe ajo komplekse dhe nuk mund të thuash se gjithmonë ka pasur një lloj zhvillimi që, edhe kur ka qenë i ngadaltë dhe plot vështirësi, ka qenë prapseprap hap përpara. Ja psh. në kohën e Hoxhës kishte një pikë referimi vitit 1939 dhe matej progresi në prodhime bujqësore e industriale e në numër shkollash e spitalesh, në krahasim me këtë vit, por, nga ana tjetër, njerëzit jetonin në një sistem që i bënte të ndjeheshin gjithnjë e më keq.

Po ashtu, krahasimet nuk bëhen vetëm me të kaluarën, por edhe me pritshmërinë, edhe me gjykimin që kemi se ku po shkojmë a jemi pra në një rrugë premtuese, apo jemi futur në një tunel që bëhet gjithnjë e më i errët? Gjithsesi, çfarë kam dashur të shtroj është propozimi që të fillojmë edhe ne ta shohim me sy kritik idenë tejet të përhapur e me të cilën manipulohet shumë, se mirëpasja është baraz me mirëqenien pasi edhe në botën që kemi si pikë referimi vërehet se mirëpasja ka shkatërruar shumëçka nga ajo që quhet mirëqenie, kurse tek ne pasojat e këtij fenomeni janë dukshëm më katastrofike dhe jo vetëm përsa i përket trashëgimisë kulturore.

Në fakt shkencat sociale, por edhe ato ekonomike, ka kohë që merren me atë që mund të quhet lumturia e njeriut. Libri që kam përmendur në shkrimin paraardhës "Manifesto per la felicita. Come passare dalla societa del ben-avere a quella del ben-esere" (Manifest për lumturinë.  Si të kalojmë nga shoqëria e mirë - pasjes në atë të mirë - qenies" (Stefano Bartolini, Donzeli Editore, Roma 2010) bazohet kryesisht mbi studime të realitetit amerikan. Përsa i përket lumturisë së amerikanëve, autori thekson katër faktorë të rëndësishëm që përcaktojnë të qenurit më i lumtur, apo më pak i lumtur.

I pari është rritja e mirëpasjes - e cila në SHBA gjatë dekadave të fundit ka qenë në rritje. Po të tjerët, cilat janë? Vijon faktori që në shkrimin para këtij e kam quajtur "e mira relacionale", që bën pjesë në një koncept më të gjerë, që në shkencat shoqërore quhet "kapitali shoqëror" që janë lidhjet jo ekonomike të njeriut. E duket se në SHBA, në dekadat e fundit kurba e këtij faktori të lumturisë ka rënë. Së dyti, një faktor i rëndësishëm, edhe ai pjesë e kapitalit shoqëror, është besimi në institucionet. Edhe kurba e këtij faktori është në rënie tridhjetë vitet e fundit në SHBA. Besimi në institucione të tilla si Qeveria, Parlamenti, shtypi, televizioni, Kisha, shkolla, shkenca, mjekësia bankat, ndërmarrjet e mëdha, ka rënë.

Ka mbetur pa në të njëjtin nivel besimi në Gjykatën e Lartë dhe është rritur ai në forcat e ushtrisë. Së treti, është në rënie edhe kurba e atij faktori që quhet "krahasimi i gjendjes shoqërore": krahasimi me një grup të caktuar njerëzish që amerikani i mesëm i respekton dhe të cilëve synon tu ngjasë. Këta persona, që quhen grupe referimi, përcaktojnë standardin e konsumit që amerikani aspiron të ketë dhe që, në një farë mënyre, konsiderohet si një nevojë. Edhe në këtë aspekt, amerikani ndjehet më pak i lumtur se më parë sepse polarizimi në shoqërinë amerikane ka ardhur në rritje. Pra, edhe nëse ka më shumë se dje, atij i duket se ka më pak sepse ata me të cilët ai krahasohet kanë më shumë.

Kur flitet për të mirat që masin këto tre kurba, studiuesit prej kohësh kanë tentuar të kalkulojnë edhe në terma monetare, vlerën e disa faktorëve që e bëjnë jetën më të lumtur apo më pak të lumtur. Për shembull, të jetuarit në një ambient ku tjetri/fqinji perceptohet si i ndershëm e solidar, apo i pandershëm dhe josolidar, bën një diferencë jo të vogël. Ata që jetojnë në një ambient ku ndjehen të rrethuar me njerëz/fqinj të ndershëm dhe solidarë janë më të lumtur sesa ata që jetojnë në një ambient të kundërt me këtë. Dhe për të arritur nivelin e lumturisë së të parëve, këtyre të dytëve u duhet të shpenzojnë më shumë.

Kur ke fqinj të ndershëm, nuk ke nevojë të vesh kamera survejimi apo të ngresh mure a ku di unë, apo edhe të ndërrosh shtëpi. Kur ke fqinj solidarë psh. mund tua lesh fëmijën atyre pa merak e të bësh diçka tjetër, kurse kur nuk ke të tillë duhet të paguash baby siter. E njëjta gjë, kur je sipërmarrës në një ndërmarrje me punëtorë të cilëve u beson apo jo. E pra ekonomistët e lumturisë kanë kalkuluar se një amerikani të mesëm, që jeton në një vend ku nuk ndjehet i rrethuar me njerëz të ndershëm dhe solidarë, i duhet të shpenzojë (mesatarisht) disa dhjetëra mijë dollarë më shumë në vit, për të arritur nivelin e lumturisë së atij që jeton në një ambient me njerëz të ndershëm dhe solidarë.

 Po kështu edhe pasja ose mospasja relacione të mira familjare, shoqërore krijon diferenca në koston e jetës.
Rezultantja e kurbave të sipërpërmendura tregon që amerikani ndjehet më pak i lumtur se tridhjetë vjet më parë. Pra, rritja e kurbës së GDP për kokë, nuk ka krijuar më shumë lumturi, por më pak, mu pasi ajo është e lidhur me shkatërrimin e atyre të mirave që pasqyrojnë kurbat e tjera, që janë të rëndësishme për perceptimin e mirëqenies dhe, çka është më e keqja, sipas studimeve del se, në një rreth vicioz, këto mungesa stimulojnë, si nevojë kompensimi, rritje të mëtejshme të GDP dhe kjo rritje thellon këto mungesa.

Shpresoj se nuk e lodha lexuesin me këto të dhëna që i referohen një realiteti tjetër, por gjykoj se ato janë edhe universale dhe madje shumë të prekshme, kur analizojmë realitetin shqiptar. Aq më tepër po të kemi parasysh se prirja për tiu referuar modelit amerikan, si më të përsosurit, është shumë e fortë tek ne. 

Besoj se të gjithë jemi dakord se kurba e mirëpasjes, pra e GDP për koke, është ngjitur lart në Shqipëri, edhe pse sipas meje në sajë të një ekonomie të paqëndrueshme dhe shpesh kriminale - çka duhet llogaritur mirë. Por nëse flasim për atë që mund ti quanim kurba e të mirave relacionale, ajo e besimit në institucionet, ajo e perceptimit që kemi për veten, kur bëjmë krahasimin me ata që quhen pika referimi, apo edhe ajo e besimit se jemi të rrethuar me njerëz të ndershëm e solidarë apo jo, besoj se janë kokëposhtë dhe rezultantja e të gjithave, sipas meje, del kokëposhtë.

Sigurisht dikush do të ngrejë pyetjen se ku do ta nisim pikën e fillimit të kurbave, duke bërë vërejtjen se po të marrim si pikë referimi kohën e Hoxhës, kur besimi në institucionet psh. ishte zero, ku marrëdhëniet midis njerëzve ishin të helmuara nga frika dhe një mosbesim i thellë i kallur nga Sigurimi etj. kurbat gjithsesi janë në ngjitje. Edhe unë besoj se është kështu, ndonëse një studim i detajuar mund të nxirrte të dhëna edhe kontradiktore, sikur të merreshin në analizë disa aspekte si psh. ato të marrëdhënieve shoqërore midis njerëzve të thjeshtë, që ndoshta nuk kanë qenë kaq të helmuara sa sot, të një lloj barazie që ekzistonte midis tyre, faktin se disa institucione si shkolla apo mjekësia ndoshta gëzonin më shumë besim se sot, se shumë gjëra që asokohe i kishim gratis, që nga ajri i pastër dhe uji i rrjedhshëm i pijshëm e deri te fushat e sportit, sot duhen blerë me para apo duke llogaritur edhe faktin se numri i të vdekurve nga shkaqe jo natyrore dmth. të tilla si mbytjet në kalimin e detit për të emigruar, ato nga shpërthimi i piramidave në vitin 1997, nga kriminaliteti është shumë herë më i madh sesa vdekje të tilla në regjimin diktatorial duke përfshirë edhe pushkatimet. Megjithatë, them se vlen të marrim si pikë referimi, jo komunizmin, por momentin kur u ndërrua regjimi, ato vite të para pas 90-tës me një fjalë. Po të ndjekim ecurinë e kurbave të sipërpërmendura, çprej asaj kohe përveç asaj të GDP për kokë të tjerat i shoh në rënie dhe çështë më e keqja, sipas meje, prirja është edhe për më teposhtë.

Kurbën e së mirës relacionale e shoh të komprometuar rëndë. Sot vështirë të gjesh jetë sociale të shëndoshë, qoftë edhe miqësira të shëndosha e të sinqerta. Shumëkushi mund të ketë sot shtëpira të bukura e të shtrenjta, por ka pak, në mos aspak, miq të sinqertë për ti ftuar në to, qoftë edhe për arsyen se pasuria sot mbahet e fshehur pasi nuk deklarohet dot se si është vënë. Përsa i përket kurbës së besimit në institucionet besoj se është e tepërt të flasim: Qeveria, Parlamenti, maxhoranca, opozita, Presidenti, gjykatat, policia, ndërmarrjet e mëdha, shtypi, televizioni, shkolla, shkenca, mjekësia, nuk di se cili është sadopak më i besuar se tjetri. Korrupsioni kapilar ka prishur çdo besim.

Le pastaj nëse i kthehemi atyre që i quajtëm grupe referimi, me të cilët shqiptari i mesëm kërkon të krahasohet për tu bërë si ata sepse i sheh në gazeta, televizione, në revista vipash, apo majë vilash apo makinash, që janë edhe ato status simbol. Këtu tabloja është mëse depresive sepse të pasuruarit në Shqipëri brenda njëzet vjetësh ia kalojën në pasuri edhe atyre që në Perëndim janë pasuruar me breza. Por bëhet edhe më depresive, pasi shqiptarit që kërkon të krahasohet me ta i del se, në më të shumtën e rasteve, pasurimi i tyre nuk i ka sjellë ndonjë dobi shoqërisë pra edhe atij por buron, o nga lidhjet korruptive me institucionet tek të cilët ai duhet të ketë besim, o nga aktivitete të tjera edhe më kriminale e se, për të nuk ka shans të bëhet si ata, përveçse duke humbur ndershmërinë. Dhe krahasimi bëhet i rëndë, pasi shkon deri te fëmijët sepse fëmijët e këtyre modeleve shkojnë në shkolla të mira, ngasin makina të shtrenjta, shkojnë me pushime jashtë shtetit etj.

Ndërkaq, përsa i përket gjetjes së hapësirave ku të ndjehet i rrethuar me njerëz të ndershëm dhe solidarë, ky është një luks prej të cilit shqiptari duket se ka hequr dorë me kohë. Maksimumi që kërkon është të kenë afër njerëz që si bien në qafë ditë përditë. Por edhe kjo është e pamundur sepse i gjithë ambienti ku ndërtohen marrëdhëniet midis njerëzve, qoftë ai i kohës së lirë, qoftë ai i punës, është ndërtuar në mënyrë të tillë që çdokush, për të hapur rrugën e tij, duhet  ti bjerë në qafë tjetrit/fqinjit/kolegut. Mungesa e respektit për tjetrin është normë mbijetese në Shqipërinë e ditëve të sotme. Nuk po zgjatem më shembuj e ilustrime sepse jam i  bindur që këtë aspekt shqiptarët e kuptojnë mirë. Meqenëse jemi në verë, po ju kujtoj ata dasmorët që se kanë për gjë ti prishin qetësinë një lagjeje të tërë me festën e tyre muzikore, apo ata pronarët e diskove në natyrë të hapur, që shkatërrojnë me decibelët e tyre, pa iu bërë syri tërr, kilometra të tëra katrorë gjumë.

Ky shkrim nuk bazohet në të dhënat e ndonjë instituti kërkimor i shkencave sociale apo ekonomike në Shqipëri dhe prandaj nuk ka pretendimin se po thotë, lidhur me palumturinë e shqiptarëve, gjëra të vërtetuara edhe nga kërkime shkencore në terren. Do të ishte mirë të fillonim të kishim edhe të tillë. Ai mund të ketë pasaktësitë e veta që vijnë nga mungesa e këtyre të dhënave, por edhe nga thjeshtëzimi teorik, edhe nga moscekja e mjaft faktorëve të tjerë që ndikojnë në të ndjerët e njeriut më pak a më shumë i lumtur. Por ai tenton ti japë përgjigje, sigurisht jo shteruese, një perceptimi që e shoh mjaft të përhapur në një kategori jo të vogël njerëzish, që ndonëse kanë më shumë se dje, janë më të palumtur se dje, e të ngacmojë imagjinatën (përtej luftërave politike) për të ndryshuar diçka në vizionin tonë për zhvillimin si mirëqenie.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama