Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Një propozim për Piramidën

Shkruar nga: Fatos Lubonja  
Botuar më: 15 vite më parë

Fatos Lubonja
Një propozim për Piramidën

Duke ndjekur debatin Berisha - Rama (me disa ndërhyrje të Jozefina Topallit) mbi prishjen e Piramidës, ku njëri thoshte se ai çiban i mallkuar duhet mbuluar me një Parlament demokratik për të zhdukur kujtimin e Enver Hoxhës dhe tjetri se Parlamenti i ri e ka të gjetur tashmë vendin tek ajo shtesa e katit mbi zyrat e Enver Hoxhës, të projektuar mrekullisht nga ndërkombëtarët, më lindi një ide që, edhe pse jo fort në koherencë me ç’kam shprehur në mbrojtje të idesë së vazhdimit të projektit të shfrytëzimit të hapësirës brenda Piramidës për teatër (jo pse me duket më e gjetura, por sepse janë investuar tashmë disa milionë euro të taksapaguesve), shpresoj se lexuesi do ta vlerësojë. Tek e fundit, siç thotë Seneka, “Errare humanum est - sed perseverare diabolicum”.

Dua të them, pra, se jam dakord që Piramida të shpërndërndryshohet përsëri nga brenda (nuk guxoj të them nga jashtë sepse është në kundërshtim me ligjin që e ka shpallur monument kulture). Por mendimi im është që nga teatër e bibliotekë të mos bëhet Parlament, por diçka tjetër. Për sa i përket Parlamentit, gjykoj se deputetëve tanë do t’u shkonte shumë mirë edhe ajo shtesa e katit mbi zyrat e Enver Hoxhës që ka projektuar Rama, deri në një moment tjetër kur t’i vijë radha një parlamenti joenverist. Mirëpo, për këtë do të duhet shumë kohë, e në funksion të kësaj kohe të ardhshme po hedh idenë që vijon.

Shkurt, ideja ime është që Piramida të bëhet “Qendra kombëtare e psikoterapisë politike”. Me këtë kam parasysh një qendër të veçantë psikoterapie për politikanët shqiptarë për pastrim, çhelmim, dekontaminim nga traumat e enverizmit dhe nga sindromat e homo economicus (këto do t’i shpjegoj më poshtë). Jam i bindur se kjo do t’i shërbejë vendit shumë më tepër se Parlamenti dhe teatri. Sepse është e vërtetë që teatri, me një fjalë drama, tragjedia që luhet aty, mund të shërbejnë për atë që Aristoteli e quante katharsis nëpërmjet përjetimit të tragjikes, por, - duke pasur parasysh se politikanët tanë, edhe kur shkojnë në teatër apo shfaqje të tjera, shkojnë atje që t’i shohin, jo që të shohin, - mendoj se një qendër e tillë, e rregulluar me ligj, me gjithë shpenzimet fillestare që do të kërkonte për një vend të varfër si ky i yni, e me gjithë çuarjen në erë të disa milionë eurove të projektit për teatrin, them se do të ishte shumë më e dobishme.

Le ta shtjelloj edhe pak më shkoqur idenë time. E para, le të shpjegoj pak më qartë qëllimin. Qëllimi kryesor të cilit do t’i shërbente një qendër e tillë është që politikanët tanë të fillojnë të provojnë ndjenja të tilla si empatia, bujaria, ndershmëria, besnikëria, turpi apo ndjenja e fajit, të cilat janë që të gjitha ndjenja që burojnë nga raporti i njeriut me të tjerët atje ku ka shoqëri dhe drejtësi, ndjenja këto duket sheshit se këta tanët i kanë bjerrur tashmë thuajse krejt, duke na bërë të dyshojmë nëse mund të quhemi më apo jo shoqëri dhe nëse ka më kuptim të flitet për drejtësi tek ne. Duke pasur parasysh se Piramida është shumë afër vendit të punës së shumicës së politikanëve tanë, Kryeministrisë, ministrive, Bashkisë, Presidencës.

Kryesisë së Kuvendit, Parlamentit, por edhe selive të partive, mendoj se Piramida, e kthyer në një Qendër të Psikoterapisë Politike, do të ishte vendi ideal ku, pas mbarimit të punës ose ndoshta edhe në fillim të saj (për këtë mendoj se duhet të merret mendimi i ekspertëve ndërkombëtarë), udhëheqësit tanë të kishin mundësinë të bënin seanca psikoterapie. Nuk mund të rekomandoj në detaje punën e një pastrimi psikoterapik të tillë pasi është punë specialistësh.

Di të them se ajo mund të ishte si individuale, ashtu edhe kolektive (në grup siç i thonë), dhe se duhet të kapërcente atë fazën e shkollës frojdiste, e cila, ndonëse të ndërgjegjëson për shkaqet e neurozave, nuk të ndihmon ashtu dhe aq që të mos të të përsëriten ato. Kam parasysh faktin që ka kaq kohë që ne themi “enverizmi”, “enverizmi”, por nuk shërohemi prej tij. Jam i mendimit pra, që duhet aplikuar Gestalt-terapia, siç më duket se i thonë, që do të thotë një psikoterapi, e cila niset nga gjendja e të tashmes së pacientit, jo nga ajo e traumës së të kaluarës, që sipas frojdistëve ka përcaktuar ekzistencën e tij.

Gestalti frymëzohet nga filozofia ekzistencialiste “L’existence precede l’essence” - sipas së cilës njeriu nuk është i determinuar pashpresërisht për të qenë i keq apo i mirë, por e ka vazhdimisht në dorë të zgjedhë të jetë i keq apo i mirë nëpërmjet akteve të tij në të sotmen, çka do të thotë se enverizmi pra nuk na ka determinuar përfundimisht për të qenë të këqij, se po u kuruam kemi shpresë të bëjmë edhe mirë. Veçanërisht kam parasysh degën e Gestaltit, në të cilën pacienti apo pacientët çohen me ndihmën e psikoterapeutit në gjendjen emocionale të traumës që ka/në pësuar duke zhvilluar p.sh. edhe shfaqje teatrale që inskenojnë traumën. Dhe kjo do ta afronte shumë punën e qendrës edhe me idenë e katharsisit aristotelian të teatrit. Dhe për këtë, ndoshta do të shërbente ajo salla e vogël poshtë, që është në mbarim e sipër. Dhe po ashtu, aty do të mund të punësoheshin edhe regjisorë, si Arben Kumbaro, që kanë punuar që Piramida të bëhet teatër, duke mos u zhgënjyer tërësisht për punën e çuar dëm.

Nejse, siç e thashë, nuk jam ekspert, por, di të them megjithatë se psikoterapeutët duhet të punojnë në disa drejtime që do të thosha se janë shumë, po, shumë të rëndësishme për njerëz të cilët kanë në dorë punët tona publike. Ja dy drejtime dekontaminimi që modestisht po i rendis si kryesorët.

Së pari, gjykoj se prirja e politikanëve tanë për të shkatërruar edhe fizikisht gjithçka që kanë bërë të tjerët përpara tyre, ka brenda edhe elementë të paranojës hoxhiste të njeriut që mendon se ekziston vetëm ai në këtë botë. Në këtë qendër psikoterapie të politikës do të duhej urgjentisht që një grup mjekësh të punonin intensivisht me udhëheqësit tanë, për t’i çliruar nga deliri i madhështisë hoxhiste, me fjalë të tjera, që hap pas hapi të fillojnë të ndërgjegjësohen se nuk kanë ekzistuar dhe nuk ekzistojnë vetëm ata në hapësirë dhe në kohë, por edhe qenie të tjera, të barabarta me ta sipas ligjit apo dhe sipas moralit të trashëguar prej shumë kohësh, i cili thotë se jemi të gjithë të barabartë përpara Zotit.

Nga sa kam lexuar, arritja e këtij ndërgjegjësimi mund të ketë nevojë për terapi grupi. Pra, do të duhej që në seanca të merrnin pjesë deputetët p.sh. me grupe parlamentare, ku secili deputet të luante rolin e Sali Berishës apo të Edi Ramës dhe këta të luanin rolin e deputetëve të thjeshtë, duke provuar reciprokisht ndjenjat e skllavit dhe padronit. Edhe ministrat do të duhej të vinin me të gjithë stafin e tyre. Por, e përsëris edhe një herë, nuk jam ekspert, aq më pak ndërkombëtar, e puna në detaje u përket atyre.

Së dyti, duke qenë se politikanët tanë janë për të bërë punë publike, d.m.th., siç thuhet rëndom, për t’i shërbyer publikut dhe jo vetvetes e familjes së tyre, një pavijon tjetër i kësaj qendre mendoj se duhet të punojë që ata të çlirohen nga sindromat e homo economicus.

Antropologjikisht, homo economicus karakterizohet si një qenie që vepron i shtyrë vetëm nga motive instumentalizimi të gjithçkaje që e rrethon, për të arritur qëllimet e tij materiale dhe egoiste; me një fjalë, ai nuk bën kurrë një gjë për asgjë si ç’është p.sh. të kënduarit apo të menduarit me vete, shëtitjet në ndonjë park apo bisedat me miqtë e fëmijërisë për të kujtuar të kaluarën e lumtur. Është një qenie që atë mësimin moral të Kantit që thotë “Njerëzit mos i shih si mjete, por si qëllime” e ka të kthyer kokëposhtë: i sheh të tjerët vetëm si mjete për përfitimin e tij material.

Dikush do të thotë se kjo është tashmë diçka normale në shoqërinë e konsumit, se nuk është sëmundje. Mirë, por problemi është se politikanët nuk janë biznesmenë, as industrialistë, të cilët, si të thuash, e kanë këtë sëmundje “profesionale”. Politikanët, edhe në të ashtuquajturën botë e konsumit, demokratike, me ndonjë përjashtim sigurisht si p.sh., Berlusconi në Itali, shihen si në shërbim të publikut për çka ky i paguan ata me një rroga jo të këqija, por që s’u lejojnë kurrsesi të bëhen më të pasurit e vendit. Kurse këta tanët janë në garë se cili të pasurohet më shpejt dhe më shumë, sikur të punojnë në Bursë jo në Parlament. Mendoj se puna që këta të kuptojnë se Parlamenti nuk është Bursa, ka nevojë edhe për një trajtim psikoterapeutik.

Jam i bindur se nëse punohet në këto dy drejtime, shumë shpejt do të vihen re përmirësime të dukshme tek politikanët tanë. Ndër këto do të theksoja rizgjimin tek ata të ndjenjës së të bukurës, që bie në sy se e kanë humbur krejtësisht. Dikush do të thotë se ndjenja e të bukurës ka nevojë për edukim estetik dhe jo për kura psikoterapeutike. Unë ngulmoj se diçka anormale ka ndodhur tek ata dhe se kjo e ka burimin tek dy problemet psikike që përmenda. Përndryshe s’kam se si e shpjegoj që Sali Berishës, vetëm pas njëzet vjetësh i duket e shëmtuar Piramida, kurse Edi Ramës, që ka mbaruar Akademinë e Arteve të Bukura, i duket një mrekulli arkitektonike shtesa e katit mbi ish-Komitetin Qendror?

Sipas teorisë time, kjo humbje e ndjenjës së të bukurës vjen së pari, nga uni i stërfryrë i politikanëve tanë që i ka bërë të besojnë se e vetmja gjë e bukur që ekziston mbi tokë është vetja e tyre. Mjafton të shohësh se sa shpesh e sa gjatë dalin nëpër televizione. Së dyti, nga homo economicus. Sepse, sikurse dihet, e bukura lidhet shumë me formën: “formë e pastër e paqëllimtë” e quan Kanti artin; lidhet me ruajtjen e trashëgimisë, të kujtesës, të peizazhit, etj., etj.. Kurse homo economicus, me deformacionin e tij, që e bën të shohë vetëm përfitimin material, i humbet këto forma marrëdhënieje me botën që e rrethon.

Ai po pa një peizazh të bukur nuk ka aftësinë ta shijojë atë, por menjëherë mendon se sa fitim do t’i sillte ndërtimi i një pallati, i një vile apo i një fshati turistik atje; po pa një plazh të bukur thotë se mbi rërën e tij mund të ngrihet një hotel; po pa një lumë, ai thotë se aty mund të bëhet një hidrocentral; po pa një pyll thotë se nga shitja e drurit të tij mund të fitoj kaq e aq; po pa një vilë të vjetër dykatëshe thotë se kjo duhet shembur sa më parë që të ngrihet një dhjetëkatëshe; po pa një pallat katërkatësh thotë se aty mund të bëhet për bukuri një shtesë kati; po pa piramidë thotë se ajo nuk e shfrytëzon si duhet ajrin mbi bazament, duke llogaritur menjëherë se sa metra katrorë sipërfaqe ndërtimi ka humbur atje. A nuk e keni vënë re se homo economicus ka filluar të ndërtojë në Tiranë piramida me majën poshtë, për të shfrytëzuar sa më mirë ajrin?

Ja pse mendoj se kurat e propozuara do të risillnin ndjeshmërinë për të bukurën tek politikanët tanë dhe do të na e bënin të gjithëve kësisoj jetën dhe ambientin një çikë më të bukur. Po u realizua projekti i kësaj qendre, Piramida, që është si të thuash simboli i diktaturës, d.m.th. i psikikës së sëmurë të individit dhe kolektivit shqiptar, do të kthehej kështu në vendin ku do të fillojnë të çlirojnë potencialet sociale, afektive, etike të “kafshëve politike” të vendit të shqiponjave. Do të ishte një vend ku madje do të mund të vinin për shkëmbim eksperience edhe nga bota. Personalisht, duke qenë se punën që bëj si gazetar e person publik e konsideroj edhe atë politikë, do të nxitoj të regjistrohem ndër pacientët e parë të qendrës, e cila mendoj se herë pas here duhet të jetë e hapur edhe për publikun, i cili duhet të vigjilojë rreptësisht se mos politika korrupton psikoterapeutët.

Përfundimisht, sikurse e thashë disa herë gjatë këtij shkrimi, ky propozim ka nevojë të konsultohet me ekspertë ndërkombëtarë, të cilët do të jenë ata që do të përcaktonin në detaje punën që duhet bërë në Qendrën e Pastrimit Psikik të Politikës dhe e pranoj se, tek e fundit, për këtë do të vendosë Parlamenti.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama