Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Arvizu, shteti funksional dhe shteti fasadë

Shkruar nga: Fatos Lubonja  
Botuar më: 14 vite më parë

Fatos Lubonja
Arvizu, shteti funksional dhe shteti fasadë

Për turpin e politikanëve  shqiptarë, ndërkohë që Presidenti i Republikës akuzohet për puçist me lehtësinë  më të madhe e thirret të japë llogari përpara deputetësh marioneta të Sali Berishës, fjala e ambasadorit amerikan tek “Zëri i Amerikës” u prit si fjala e Zotit, gati - gati. Emisionet e lajmeve e dhanë të plotë, a thua se jemi në vitin 1990. Komentet ishin pa fund. Dhe pastaj na thonë se jemi duke hyrë në Europë.

Por le të merremi me ato që tha ambasadori.

Ai tha diçka shumë të rëndësishme për t’u diskutuar: Shqipëria “nuk është një shtet i dështuar”, është një shtet, institucionet e të cilit funksionojnë, edhe pse kanë defektet e veta. Po ashtu, ambasadori tha se Shqipëria ka hapësira demokratike - pra nuk është një regjim i krahasueshëm me vendet arabe në shpërthim, si Tunizia apo Egjipti p.sh. - dhe përmendi për këtë edhe faktin se televizioni më i shikuar në vend, Top Channel, është me opozitë, së bashku me një numër gazetash. Ja pse rruga normale e ecjes përpara për ambasadorin, është ajo që opozita të shfrytëzojë të gjitha këto mundësi që ka, duke llogaritur se në maj ka zgjedhjet lokale. Dhe në këtë kontekst, premtoi se amerikanët dhe gjithë ndërkombëtarët do të bëjnë çmos që këto zgjedhje të ardhshme të jenë edhe më të mira se zgjedhjet e shkuara.

Ky është një arsyetim pozitiv për zgjidhjen e krizës, që s’ka të sharë. Realpolitikë e vërtetë. Një konfortim i madh për shqiptarët, për maxhorancën në pushtet, madje edhe për opozitën, do të thosha, sikur të mos ishte kaq e paduruar. Është e qartë se nuk mund të pritet nga një ambasador të thotë se Shqipëria është një shtet i dështuar, ndonëse do të isha shumë kurioz të lexoja ato mesazhet që i dërgon Departamentit të Shtetit, të tipit që zbuloi së fundi Wikileaks. Por ama, ka edhe vështrime të tjera për Shqipërinë, shumë më pak diplomatike dhe realpolitike, se ato të ambasadorit. Duke iu referuar jo vetëm Shqipërisë, por edhe shteteve të tjera të rajonit, një politolog i huaj, duke folur në Al Jaseera për krizën shqiptare, tha se këta nuk janë shtete (funksionalë sipas fjalës së ambasadorit), por “shtete fasadë”, prapa të cilëve qëndrojnë dy parti që s’ka kuptim të quhen “konservatore” apo “socialiste”, por “kleptokraci në kompeticion me njëra-tjetrën”, “banda hajdutësh”, që bëjnë sherr për ndarjen e pronës publike, që janë të lidhura me krimin e organizuar, etj. dhe që të ashtuquajturat “institucione” i përdorin thjesht si fasadë për popullin e tyre, por edhe për amerikanët e europianët. Nëse është kështu, sikurse personalisht kam ngulmuar me kohë se është, a ka kuptim në këtë rast të na flitet për shtet funksional dhe për hapësira demokratike, thjesht sepse banda tjetër e hajdutëve paska mundësi të fitojë pushtetin lokal?

Kjo më duket se e ndryshon disi perspektivën optimiste që na dha ambasadori, e duke e çuar cinizmin deri në fund, mund të themi edhe se vetë ambasadat funksionojnë në këta shtete si fasada edhe jo krejt pa bashkëpunim me bandat, po të kesh parasysh se puna kryesore e një ambasade është të sigurojë investime për investitorët e vendit të saj në këtë vend.

Unë ngulmoj se kriza e fundit që u prodhua duke filluar që me videon Prifti – Meta, e deri tek sulmi mbi Kryeministrinë e vrasjet që e pasuan atë, si dhe akuzat e mëpastajme të Berishës për Prokurorinë dhe Presidentin, nuk janë tjetër veçse një “grisje” e fasadës që na le të shohim lojën prapa saj. Fakti që opozita lëshoi kundër Kryeministrisë një tufë bazhibozukësh për t’i vënë flakën asaj - siç ka bërë edhe Berisha më ‘98, - është shenjë evidente se këta institucionin nuk e konsiderojnë tjetër gjë, përveçse si llogore të bandës tjetër që duhet pushtuar. Fakti që Sali Berisha nuk ekzekuton urdhër-arrestet e Prokurorisë për gardistët dhe pastaj del e akuzon Prokuroren e Përgjithshme se këta ishin “faza B” e grushtit të shtetit kundër tij, është po ashtu shenjë, se këtu shteti s’ka se si të jetë funksional.

Pyetjet që shtrohen janë: a ka ndonjë lidhje midis shtetit që ambasadori e quajti “funksional”, paçka se jo i përsosur dhe “shtetit fasadë”? Së dyti, cili është ndryshimi midis tyre? Besoj se ka një lidhje: që të dy përdorin të njëjtën retorikë respekti ndaj asaj që në anglisht quhet “constitutional framework”, që do të thotë korniza brenda të cilës duhet të zhvillohet loja politike, pavarësisht se i pari e kryen këtë në mënyrë funksionale, kurse tjetri si fasadë. Por cili është ndryshimi?

Ndryshimi qëndron në atë se në shtetin funksional është kjo kornizë që e kushtëzon lojën politike, kurse në shtetin fasadë është loja politike e bandave, e “kleptokracive në kompeticion”, që i dikton kornizës se çfarë forme duhet të marrë. Kur Kryeministri thotë: nuk e zbatoj urdhrin e Prokurorisë, sepse ajo është kundër interesave të mia, s’bën tjetër veçse një thyerje të kornizës kur kjo s’i shkon për shtat interesave të tij. Po ende, në shtetin funksional korrupsioni, që sikurse tha Arvizu, ekziston edhe në popull, luftohet nga institucionet, kurse në shtetin fasadë është korrupsioni e krimi ai që udhëheq popullin në luftën kundër ndërtimit të institucioneve të vërteta. E më në fund, çka është më e rëndësishmja, në kontekstin e krizës në fjalë, në shtetin funksional, edhe pse me defekte, vihet re një përparim drejt më shumë lirie dhe demokracie, kurse në shtetin fasadë (apo të dështuar) sa më shumë kalon koha, aq më autoritar dhe i rrezikshëm bëhet ky.

Kam qenë dhe mbetem i mendimit se ajo çka po ndodh tek ne është provë se po shkasim drejt kësaj situate. Dhe kjo për arsyen e thjeshtë, sepse logjika e funksionimit të partive si banda në konflikt me njëra-tjetrën për kapjen e burimeve ekonomike e financiare të vendit nuk mund të mos çojë drejt rritjes së konfliktualitetit, deri në asgjësimin e njëra - tjetrës. Perspektiva që na hapet në këto kushte, është një luftë finale midis këtyre dy bandave dhe vendosja e diktaturës së më të fortit, që do të thotë një Prokurori, që në vend se të qëndrojë pasive ndaj të dy palëve, siç qëndron sot, të fillojë të dënojë vetëm armiqtë e më të fortit, që Presidenti, në vend se të qëndrojë pasiv, siç qëndron sot, të marrë e zbatojë urdhrat e Kryeministrit, që mediat të bëhen të gjitha me triumfatorin, e me radhë.

Sipas gjykimit tim, është ndjenja e këtij rreziku që e bën bandën tjetër të udhëhequr nga Edi Rama të mos besojë në ato që thotë ambasadori, si puna e zgjedhjeve të lira, institucionet që funksionojnë, paçka se me defekte e më the të thashë, e të kërkojë luftë me mjete jashtëinstitucionale.

E këtu vijmë në pikën më të vështirë. Si ta kthejmë për mbarë këtë rrëshqitje drejt më të keqes? Sipas meje, e para gjë që kërkohet është ta lexojmë drejt këtë situatë dhe të mos gabohemi nga retorikat e të dy bandave. Pastaj vijnë të tjerat.

E vetmja gjë shpresëdhënëse që tha ambasadori në këtë kontekst ishte se amerikanët po ndihmojnë Prokurorinë për të hetuar plotësisht çfarë ndodhi më 21 janar. Me fjalë të tjera, për të nxjerrë përgjegjësitë e për të dënuar si ata që organizuan sulmin banditesk ndaj Kryeministrisë, ashtu edhe ata që dhanë urdhër për të vrarë. Le të shpresojmë, por dyshoj se kjo do të ndodhë, ashtu sikurse dyshoj shumë se një institucion mund të forcohet e të bëhet autonom me paterica të huaja. Ka shumë më tepër gjasa që ky të jetë një hetim “fasadë”, që do të zgjasë deri në skandalin tjetër të radhës, pa nxjerrë fajtor e pa dënuar kënd, përveç ndonjë peshku të vogël. Shikoni ç’ndodhi me Gërdecin për t’u bindur për këtë. Dhe jam i bindur se kjo u intereson të dy palëve, sepse më shumë sesa njëri-tjetrit, këto banda i tremben pikërisht një drejtësie të vërtetë. Sikur të ishte vërtet i plotë dhe i vërtetë ky hetim, të dy kryetarët e tyre do ta gjenin shumë shpejt marrëveshjen për të nxjerrë jashtë loje Prokurorinë dhe amerikanët vetë. Ja pse nuk besoj se zgjidhja e krizës mund të vijë me rotacionin e pushtetit nga njëra bandë tek tjetra, edhe pse nuk jam kundër kësaj, qoftë thjesht për faktin se ekzistenca e dy bandave krijon më shumë hapësira lirie e demokracie sesa vetëm një,  por se ajo do të vijë vetëm me gjetjen e rrugëve për kontrollimin e këtyre partive-banda, për dobësimin e pushtetit të tyre dhe forcimin e institucioneve të pavarura prej tyre.

Përfytyroni një çast sikur të kemi një Prokurori e drejtësi që dënon cilindo fajtor pa llogaritur se ç’pushtet ka, përfytyroni një media që në vend se t’i shërbejë njërës ose tjetrës, denoncon aferat e të dy palëve, përfytyroni një shoqëri civile që bën të njëjtën gjë, përfytyroni biznesmenë që në vend se të trokasin në dyert e ministrave a kryebashkiakëve për të marrë tendera e më the të thashë, duke premtuar 10 apo 20 përqindëshin të refuzonin ta bënin këtë. Atëherë, këta banditë nuk do të qëndronin dot më këmbë as 24 orë.

Mirëpo, shumë e quajnë ideale këtë thirrje ndaj qytetarëve, prandaj dhe gati të padobishme për t’u artikuluar. Realpolitika e ambasadorit duket më bindëse, më funksionale, por le të mos harrojmë se kjo i ka çuar amerikanët shumë larg nganjëherë, në mbështetjen e padrejtësive dhe krimeve. Pastaj, si ka mundësi që të pranojmë të na duket më reale që të sjellim ekspertë amerikanë për të përcaktuar se si u vranë dhe kush i vrau katër demonstruesit sesa ajo, që na thonë konfidencialisht ekspertët shqiptarë, se këtë punë, po të jenë të lirë, ata e mbarojnë brenda dy ditësh?

Jo zoti Arvizu, kjo gjendje nuk është normale dhe as reale në një shtet funksional. Kjo është normale dhe reale në një shtet bandash dhe banditësh, që nuk e kanë njohur ende se çdo të thotë të jetosh në një shtet ligjor. Dhe rrugën drejt shtetit ligjor nuk mund të na e hapin dot ekspertët amerikanë, pa e mohuar ndihmën e tyre, por burra shteti, prokurorë, gjyqtarë, intelektualë, gazetarë, qytetarë kurajozë shqiptarë, që do të ngrihen me guxim kundër këtij shteti fasadë. E momente si kjo krizë, kur ai shfaqet më i dobët se kurrë dhe më i dëmshëm se kurrë, janë momentet më të mira për ta bërë këtë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama