Kandidati për Bashkinë e Tiranës, Gjergj Bojaxhi u fokusua tek financimet e partive, si një nga shkaqet kryesore të keqqeverisjes, korrupsionit dhe kriminalizmit të politikës në Shqipëri. Ai tha se mënyra si financohen politikanët kushtëzon mënyrën se si ata qeverisin dhe për kë ata qeverisin.
Kandidati, Gjergj Bojaxhi u shpreh se fushata aktuale po shndërrohet në një shfaqje serioze të këtij problemi. “Ajo është shndërruar në një aksion masiv propagande miliona eurosh. Televizionet po bombardohen me reklama, kostoja e të cilave është marramendëse; qyteti është i mbuluar në postera, flamuj dhe materiale propagandistike; zyrat elektorale kanë mbirë ngado dhe janë sot më të shumta se dyqanet e bukës” –tha z. Bojaxhi.
Sipas z. Bojaxhi vlerësimet e ekspertëve tanë dëshmojnë se fushata e Zotit Veliaj deri tani ka arritur të paktën 2 milionë euro dhe mund të kalojë 3 milionë euro në fund të fushatës. Ai aktualisht shpenzon të paktën 50 mijë euro në ditë dhe shprehet se shqetësimi i tij kryesor janë nevojat e qytetarëve. Ajo që quajnë “dëgjesë” me popullin e z. Veliaj është një sipërmarrje e jashtëzakonshme teatrale që përfshin podium, ekrane elektronike, regji moderne, transmetim direkt televiziv, teknologjinë më të avancuar të ndriçimit dhe të zërit. Çdo “dëgjesë” me popullin e z. Veliaj kushton 3 mijë deri në 5 mijë euro. Fushata e Zotit Kosova, edhe pse disi më e varfër, është po ashtu e shtrenjtë. Edhe ajo do të kalojë 1 milion euro shpenzime.
Kandidati i pavarur ngriti alarmin se paratë për financimin e fushatës janë dhënë më së shumti në shkelje të ligjit i cili i kufizon dhurimet e çdokujt në 10 milionë lekë. Këto para janë dhënë kryesisht për t’u shkëmbyer me favore në të ardhmen. Një gjë është e sigurtë: një kryetar bashkie i ardhur në pushtet me borxhe miliona euroshe ndaj bizneseve dhe individëve është i detyruar t’ua kthejë atyre borxhin disa-fish në favore dhe privilegje në kurriz të interesit publik. Ai theksoi se financimi i kësaj fushate është treguesi më i qartë se nëse votohen përfaqësuesit e partive të mëdha, qeverisja e Tiranës do të vazhdojë të jetë klienteliste dhe e korruptuar.
Një ditë më parë Gjergj Bojaxhi kërkoi publikisht që të gjithë kandidatët të përballen në një debat para qytetarëve në shërbim të demokracisë dhe jo të fshihen pas emisioneve me pyetje të parapërgatitura.