Kandidati i majtë për bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, mbylli fushatën e tij për kryeqytetin. Në takimin e tij përmbyllës në sheshin “Nene Tereza”, Veliaj theksoi se Tirana sot ka një standard të ulët të shërbimit. Ai u shpreh se fushata e opozitës po shet frikë ndërsa ASHE-ja mbjell shpresë. “Ne e duam Tiranën në drejtimin e duhur. Nuk vijmë për revansh, por për të kthyer qytetin në punë. Do fitojmë bindshëm në 21 qershor”, u shpreh Veliaj.
Kryeministri Edi Rama, pasi vlerësoi figurën e kandidatit të ASHE-së për Tiranën, theksoi se Veliaj do të punojë dhe do tae transformojë kryeqytetin, edhe më shumë se koha kur ai vetë ishte kryebashkiak. “Dua të ndaj me ju një përjetim nga vendi ku isha ulur dhe ku pash të flisnin një sërë protagonistësh të kësaj fushate ne Tiranë. Ajo që po mendoja është se unë jam më i vjetri në moshë dhe një gjeneratë e re do e marrë në dorë Tiranën. Erioni është gati të marrë në dorë Tiranën dhe të bëjë në 4 vitet e ardhshme atë që nuk është bërë në 25 vite të marra së bashku përfshi edhe vitet kur unë kam qenë në krye të bashkisë së Tiranës.
Ato vite janë një eksperience e çmuar për të bërë shumë më tepër dhe shumë më mirë. Erioni ka mundësinë të bëjë shumë më tepër dhe shumë më mirë. Kur unë nisa punën për transformimin e Tiranës, kryeministër ishte Ilir Meta dhe mbështetja e tij më dha mundësinë për të bërë startin e madh. Sot Erioni ka mbështetjen time dhe të Ilir Metës dhe të një aleance shumë më të madhe dhe më të fortë nga sa ishte në atë kohë”, u shpreh Rama. Kreu i Kuvendit Ilir Meta vlerësoi zhvillimin e qetë të fushatës elektorale. Ai bëri apel që në këtë mënyrë të vazhdohet edhe në orët në vijim. Meta ironizoi me opozitën duke thënë se vazhdon të jetë në gjumë dhe se sipas tij ASHE-ja u bashkua sepse e di që bashkimi bën fuqinë. “Ju ftoj të vazhdoni kështu me kulturë me qetësi dhe dashuri deri në 21 qershor.
Një falënderim për kryeministrin Edi Rama se ai është lodhur më shumë nga të gjithë duke mbështetur të gjithë kandidatët. Kjo aleancë kaq e madhe nuk është bërë për të mundur ata që nuk ekzistojnë në këtë garë se akoma nuk janë zgjuar dhe përgjumësh siç janë vetëm shajnë dhe shpifin nëpër gjumë dhe vazhdojnë të gërhasin, por ne jemi bashkuar se bashkimi bën fuqinë. Fal reformës administrativo-territoriale që do hyjë në fuqi në 22 qershor të gjitha energjitë tona do shkojnë në një drejtim sepse qeveria jonë do bashkëpunojë ngushtë me 61 kryetaret dhe kryetarët e 61 bashkive”, u shpreh Meta. Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla theksoi gjatë fjalës së saj, se Veliaj do punojë me dashuri dhe përulësi.
Ndërsa deputetja më e re e Kuvendit, Kejdi Mehmetaj u shpreh se vëmendja është përqendruar te të rinjtë dhe se me ASHE-në, vendi është në drejtimin duhur. Kreu i FRD-së, Bamir Topi u shpreh se reforma administrative i ka dhënë rezultatet e para që në fushatën elektorale. Ai theksoi se ndodhet në koalicionin e ASHE-së për projektin e demokracisë.
“Ky shesh na inspiron që të fillojmë një projekt të ri për një Tiranë të madhe, një Tiranë moderne. Unë dëshiroj një koalicion të lidhur rishtas jo për arsye ideologjike. Si politikan, si përfaqësues i një force politike, dëshiroj të vlerësoj rezultatin e parë të një reforme të rëndësishme që ka të bëjë me ndarjen e re administrative. Kjo reformë i dha frytet e para që në fushatën elektorale. Kam parë një punë të palodhur të të rinjve të FRD. Dua të jem altruist para se të them votoni për FRD, them votoni për Erjon Veliajn”, u shpreh Topi.
Majko: Mitingu i Veliajt si ai i Papës
Deputeti i PS-së, Pandeli Majko e nisi me batuta fjalën e tij duke thënë se organizimi i këtij mitingu ngjante me atë të pritjes që u bë për Papa Françeskun. “E kemi organizuar këtë miting sikur po presim Papën, por në të vërtetë ky nuk është një miting për Papën, por për kryetarin e ri të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Zgjidhni drejtimin e duhur, numrin e Majkëll Xhordanit e keni të stampuar në bluzat e Ramës”, tha Majko. Ai vlerësoi edhe rolin e LSI-së dhe të liderit të saj Meta. “Për LSI-në, Iliri ka shkuar në 47 kile.
Për ta bërë protagoniste këtë parti që është dora dhe këmba e dytë e kësaj mazhorance”, u shpreh Majko. Deputeti socialist tha se pas votimeve të 21 qershorit qytetarët do të marrin të njëjtat shërbime si në qytet, ashtu edhe në fshat. “Risia e madhe e këtij projekti të madh urbanistik është se ideja e ndarjes së fshatit nga qyteti, e standardit të dyfishtë, e ka ndjekur fshatarin e Tiranës nga më herët, edhe pse taksat janë paguar njësoj. Tani ka ardhur momenti të ndihen të barabartë. Dhe kjo do ndodhë duke votuar më 21 qershor”, tha Majko.