Veliaj kryebashkiaku i ri i Tiranes Ftoj Kosoven per bashkepunim

Veliaj kryebashkiaku i ri i Tiranes: Ftoj Kosoven per bashkepunim

Erion Veliaj, i cili la postin e tij në krye të Ministrisë së Mirëqenies Sociale për të garuar në zgjedhjet vendore, është kryebashkiaku i ri i Tiranës. Kandidati i majtë është zgjedhur si kryebashkiaku i ri i kryeqytetit me një rezultat rekord, përballë pesë kandidatëve të tjerë, të cilët ishin pjesë e garës.

 

Në fjalimin e tij të fitores, Veliaj falënderoi të pesë kundërshtarët e tij në garën për Tiranën, veçanërisht kandidatin e djathtë, Halim Kosova. Veliaj vlerësoi kontributin e Kosovës në zgjedhjet e 21 qershorit, duke i bërë ftesë për bashkëpunim.

 

“Për 30 ditë gjeneruam një fushatë qytetare, nevojat që ne thamë diskutohen çdo darkë, duke dhënë shembull edhe për qytetet e tjera që, në fund shkuam te zgjedhjet më të lira, më të ndershme që, janë zhvilluar ndonjëherë në Shqipërinë. Merita për këto zgjedhje në Tiranë ka edhe kundërshtari ynë Halim Kosova që, meriton gjithë respektin për përpjekjet që bëri për t’u ndarë nga linja zyrtare e partisë së tij, që helmojnë politikën tonë. Faleminderit Halim Kosova. Falënderoj edhe kandidatët e tjerë Gjergjin, Sazanin, Tafajn, Muslinë. I përgëzoj të pestë për garën dhe i ftoj që të mos ndihen humbës, por kontribuues të ndryshimit të Tiranës. I them me respekt doktor Halimit se ka më shumë gjëra që na bashkojnë, se na ndajnë e mezi pres bashkëpunimin”, u shpreh Veliaj.

 

Nga numërimi i 854 kutive të votimit nga 864 gjithsej, Veliaj kryeson me një diferencë prej 43,261 votash. Ndërkohë që procesi i numërimit nuk ka përfunduar në 10 Qendra Votimi, kandidati i ASHE-së, Erion Veliaj, ka siguruar 157960 vota (53.62 %), ndërsa kandidati i djathtë, Halim Kosova, 114699 vota (38.94 %).

 

Fjalimi i fitores nga Erion Veliaj:

 

Nëse ka dikush që kishte dyshuar për reformën e re administrative, që ishte skeptik për demokracinë tonë, sot ka një përgjigje për qytetarët që dolën masivisht në votime dhe dhanë fitoren e ASHE-së në 46 bashki. Kjo fitore në 46 nga 61 bashki të vendit është më mbresëlënësja në vitet e fundit, nga socialistët dhe progresistët.

 

Shumica e shqiptarëve vendosën që ta çojnë Shqipërinë në drejtimin e duhur, jemi mirënjohës dhe të përulur. Dua të falënderoj të gjithë aktivistët e Partisë Socialiste dhe të LSI-së, mbështetësit e FRD-së dhe të PDIU-së, që e trajtuan fushatën, si një fushatë të përbashkët të ASHE-së. Falënderoj nga zemra kryeministrin Edi Rama dhe kryeparlamentarin Ilir Meta, për mbështetjen në këtë fitore të ASHE-së.

 

Falënderoj kryetarin e PS-së në Tiranë, Saimir Tahirin. Dua të falënderoj me gjithë zemër ekipin tonë të deputetëve. Të gjithë sollën një fitore të paprecedentë që, është mbi 43 mijë vota në Bashkinë e re të Tiranës.

 

Megjithatë, puna nuk ka mbaruar ende, u jam mirënjohës dhe ju uroj punë të mbarë komisionerëve nga cilado parti qofshin. I falënderoj për sjelljen qytetare që kanë përcjellë. Shkuam në zgjedhjet më të mira dhe të lira që, janë zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri

 

Veliaj ftesë Kosovës për bashkëpunim

 

Le të jemi qytetarë deri në fund. Meritat për këtë nuk janë vetëm tonat, por dhe të kundërshtarit Halim Kosova. Për përpjekjet që bëri për t'u ndarë nga politika e shpifjes së partisë së tij. Falënderoj Gjergj Bojaxhiun, Arben Tafajn dhe të gjitha ata që u përfshinë në këtë garë. Iu ofroj që të ndihen kontribuues të ndryshimit të Tiranës. I them me gjithë respekt Halimit dhe kandidatëve se, ka më shumë gjëra që na bashkojnë, sesa na ndajnë.

 

Do ndërtojmë një bashki që bashkon njerëzit dhe jo i ndan

 

Fitorja në vetvete nuk është ndryshimi, por mundësia për t'i bërë gjërat realitet. Fitorja jonë është realisht shumë e madhe, por jemi të përulur, pa manifestime, jemi të vetëdijshëm që qyteti nuk i ka punët mirë dhe duhet të përvishemi që ta çojmë Tiranën në drejtimin e duhur. I kërkoj aktivistëve tanë të jemi të përmbajtur në fitoren tonë, nuk jemi pushtues, por administratorët e rinj të këtij qyteti.

 

Fitorja i dedikohet njerëzve të thjeshtë të qytetit, që ne duhet të arrijmë të mbajmë përgjegjësi të mëdha. Jemi gati të mbajmë përgjegjësi deri në fund. Për të gjithë ata që nuk na e dhanë mbështetjen me votë iu them se, ne e dëgjojmë dhe e respektojmë zërin tuaj dhe të mendimit ndryshe për Tiranën. Do t’iu shërbejmë njësoj, pa i ndarë njerëzit, siç janë ndarë deri më tani nga bashkia. Tirana është shtëpia jonë e përbashkët, t’i lëmë pas tifozeritë. Unë zotohem të jem kryeshërbëtori juaj në 7 ditë të javës, në 24 orë, pa i ndarë njerëzit.

 

Apeli i Veliajt për Bashën: Mos lidh kontrata 4-5 vjeçare këto momente

 

I kërkoj administratës, të mos ndërpresë shërbimet ndaj qytetarëve, por të frenohen nga politika e tokës së djegur për të shmangur atë që ndodhi në vitin 2011. I bëj thirrje administratës, se nuk ka asnjë ngut për të lidhur kontrata 4-5 vjeçare këto ditë të fundit në transportin publik, në Ujësjellës apo në transportin e mbetjeve që nuk e respektojnë ndarjen e re administrative dhe që janë në frymën e vjetër të politikës pas meje vjen qameti.

 

Në këtë qytet mund t’ia dalësh dhe pa qenë dikush. Besojmë se Tirana jonë ka hapësirë që të gjitha ata që kanë talent të mund t’ia dalin, në Tiranë dhe kudo tjetër. Miqtë e mi, na priftë e mbara dhe me krah të lehta, për të gjithë punët e mbara që na presin në katër vitet e ardhshme.

 

12: 33 - Erion Veliaj del nga selia e PS-së. Kandidati i majtë përgëzohet nga mbështetësit e aleancës së majtë, ndërsa pritet të shpallë fitoren si kryebashkiak në selinë rozë.

 

12:00 - Ministrat socialistë të kabinetit qeveritar ndodhen para selisë së PS-së dhe po festojnë me mbështetësit e tyre. Deri në orën 12:00 kemi 847 kuti të numëruara nga 864 gjithsej. Kanë mbetur edhe 17 kuti votimi për numërim. Megjithatë avantazhi që ka krijuar Veliaj nuk pritet të lëkundet nga votat që, kanë mbetur për numërim.

 

11:40 - Para selisë së PS-së nis grumbullimi i mbështetësve socialistë.

 

Z. Erion Veliaj lindi në Tiranë, më 17 Dhjetor 1979. Studimet Bachelor i ka kryer për Shkenca Politike në Grand Valley State University në Miçigan të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Më pas ai përfundoi studimet Master në Mbretërinë e Bashkuar pranë University of Sussex, me fokus tek Integrimi Europian.

 

Ai hyri në politikë pas një angazhimi të gjatë në shoqërinë civile, organizata ndërkombëtare dhe media. Në vitin 2003, z. Veliaj themeloi lëvizjen “MJAFT”, një organizatë që unifikoi frymën aktiviste e protestuese të rinisë shqiptare e që në vitin 2004 mori dhe çmimin e Kombeve të Bashkuara për shoqërinë civile. Z. Erion Veliaj drejtoi lëvizjen “MJAFT” deri në nëntor të vitit 2007. Më pas Veliaj iu bashkua Iniciativës për Stabilitetin Evropian, një organizëm kyç në promovimin e zgjerimit të BE-së.

 

Në vitin 2011, z. Veliaj iu bashkua kryesisë së Partisë Socialiste së Shqipërisë si Sekretar për Rininë dhe Emigracionin. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 ai u zgjodh deputet i Qarkut Gjirokastër.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama