Topi me Veliajn ne Baldushk Shans i madh per te shpalosur vizionin e tij

Topi me Veliajn ne Baldushk: Shans i madh per te shpalosur vizionin e tij

Kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, dhe kryetari i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi, zhvilluan një takim me banorë e simpatizantë të FRD në zonën e Baldushkut, ku edhe theksuan faktin se zgjedhjet e 21 qershorit janë zgjedhje të cilat e afrojnë më shumë qytetarin me pushtetin vendor. Topi i ka dhënë mbështetje kandidatit Veliaj në emër të FRD-së, duke nënvizuar se ky është një shans i madh për të shpalosur vizionin e tij edhe për zonat rurale.

“Këto janë zgjedhje administrative, të cilat e afrojnë gjithmonë e më shumë qytetarin te pushteti i tij sepse pushteti vendor është pushteti më afër qytetarit. Fryma e re Demokratike futet në këto zgjedhje në një aleancë të madhe. Kjo është Aleanca për Shqipërinë Europiane, e menduar shumë mirë për këtë vendimmarrje politike dhe jemi të sigurt, të bindur, se kjo aleancë do të dalë fituese në zgjedhjet e 21 qershorit”, u shpreh kryetari i FRD-së, Topi.

Ai tha se reforma territoriale ka qenë zgjidhja më inteligjente e politikës në vitet e fundit, duke qenë se Shqipëria ka pasur mjaft territore të copëzuara.

Ndërkaq, kandidati Veliaj u shpreh se Bashkia e re e Tiranës do të funksionojë si ekip dhe do të duhet që të merret shumë fort me çështjet e bujqësisë, duke qenë se territori i saj është rritur gati 25 herë më shumë.

Ai shtoi se duhet të jetë bashkia autoriteti i fundit që duhet të përgjigjet për vaditjen dhe kullimin, për agronominë dhe veterinarinë.

Sipas tij, do të ketë një standardizim të të gjitha shërbimeve dhe kush shërben në Bashkinë e Tiranës do të shërbejë me të njëjtin standard nga qendra në periferi.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama