Eurobond apo Xhejms Bond!

Eurobond apo Xhejms Bond!
Eurobondi shqiptar më në fund rezultoi një orvatje e suksesshme. Pas dy dështimesh të përsëritura gjatë dy viteve të fundit – ku spikat ai i pranverës së 2010 – plani për marrjen e një huaje prej 300 milionë eurosh me interes 7.5 për qind në tregun ndërkombëtar, shkoi siç duhet. Në fakt fjalët që përdori Ministri i Financave Ridvan Bode ishin ato të një “suksesi të madh” dhe se diçka e tillë ndodhte “për herë të parë në historinë e Shqipërisë”.

Por, Financat nuk po festojnë eksportin e ndonjë produkti të ri e as ndonjë investim të rëndësishëm ekonomik. Entuziazmi i fitores, në fjalë të thjeshta, i referohet marrjes së një borxhi. Dhe kjo mund të jetë hera e parë në historinë e vendit që marrja e një huaje me këto interesa përshkruhet me terma entuziazmi të tillë nga zyrtarët e Financave.

Ekziston në fakt, një arsye që e justifikon gëzimin. Sipas deklaratave të qeverisë, pjesa më e madhe e huasë së re do të shkojë për të shlyer kredinë sindikale prej 200 milionë eurosh me interesa që shkojnë deri në 13 për qind, të marrë në pranverë të vitit 2009, me arsyetimin e financimit të rrugës Durrës-Kukës. Të paktën, ky ka qenë varianti zyrtar, por po zyrtarisht, nuk janë dhënë prova që kjo shumë ka shkuar apo jo për të financuar këtë segment, apo nëse një pjesë e saj apo edhe shumica, ka shkuar për të financuar shpenzime të tjera qeveritare.

Ajo që dihet është se huaja në fjalë do të përdoret në një masë të madhe për të larë huanë e vjetër, por me një diferencë të theksuar në interesa, nga rreth 13 për qind në 7.5 për qind, me një hendek pozitiv prej afro 5.5 për qind. E llogaritur në vlerë neto, nga kjo diferencë qeveria rezulton të ketë fituar rreth 8 milionë euro në vit, të cilat në të vërtetë nuk janë tamam para të fituara siç mund të pretendohet, por para të kursyera.

“Fakti është që po merret një hua e re me interesa më të ulëta për të larë huanë e vjetër sindikale me interesa shumë të larta. Dhe në vend që të gëzohemi për huanë e dytë, pyetja kryesore është përse huaja sindikale u mor me interesa aq të larta?”, thotë Gjergj Filipi, drejtor i Kërkimeve pranë Institutit Agenda. Në fakt, huaja sindikale rezultoi me kosto të dyfishta. Huaja sindikale nuk zgjidhi asgjë, përveçse e detyroi qeverinë të bëjë një ujdi tjetër të detyrueshme. “Morëm borxh shumë dhe shtrenjtë, bashkë me angazhimin për të marrë një borxh tjetër shumë shpejt. Sa e mirë është kjo ujdi? Kjo do të thotë se jemi treguar negociatorë të këqij”, deklaron Filipi.

Një argument për këtë qëndrim është se e njëjta logjikë mund të ishte përdorur me eurobondin; pra nuk ka rëndësi norma e interesit, se mund të tentohet gjithmonë të merret një tjetër borxh në të ardhmen për të larë gabimet e së shkuarës. Diçka e tillë nuk ndodhi. Në fund të fundit, fakti që merret hua për të larë një hua të mëparshme flet për keqmenaxhim dhe për pamundësi të buxhetit të shtetit për të shlyer borxhet përmes të ardhurave të mbledhura.

Ekzistojnë edhe anë të tjera të errëta në këtë histori. Interesi në fjalë nuk është aq i mirë sa ç’shitet në opinionin publik. Mjaft të kujtohet se ujdia për trenin elektrik të qeverisë Nano, e cila përllogaritej në 75 milionë dollarë – jo dhe aq shqetësuese në krahasim me shifrat aktuale – nuk arriti të materializohej sepse interesi i saj prej 7 për qind u konsiderua tepër i lartë, ndaj plani i qeverisë ra pre e një linçimi të gjerë publik dhe si rrjedhojë dështoi. Por, ajo ishte kohë paqeje, ndërsa situata aktuale në thepisjet e një krize ekonomike duket se i justifikon këto norma interesi. Dhe do të ishte kështu, po të mos ekzistonte një tjetër detaj që i shtohet morisë së informacionit të pakëndshëm mbi dy huatë e fundit. Në listën e bankave që i dhanë 300 milionë euro hua vendit, figurojnë disa banka që i kanë dhënë qeverisë huanë sindikale. Me fjalë të tjera, janë të njëjtët operatorë që fillimisht dhanë borxh me interes 13 për qind dhe tashmë po japin një borxh të dytë me interes 7.5 për qind me qëllim shlyerjen e borxhit të parë. Në çdo rast, bankat janë fitimtarët e vërtetë të kësaj odiseje financiare.

Para të sigurta

Pavarësisht situatës jo të mirë ekonomike dhe të dyshimeve se orvatja e qeverisë për të marrë hua në tregun ndërkombëtar nuk do të dilte me sukses, kjo e fundit ia doli në planin e saj. Në teori gjërat mund të shkonin më keq, duke qenë se investitorët e mundshëm ndërkombëtarë janë të ndërgjegjshëm për disa fakte. Situata politike nuk është aspak e mirë me vendin që ndodhet para një viti elektoral, në një ngërç politik me opozitën më shumë në rrugë se në parlament, në kufijtë e një mocioni mosbesimi për qeverinë dhe në prag të një opinioni politik të Komisionit Europian për marrjen e statusit të vendit kandidat, i cili nuk pritet të jetë fort i mirë.

Nga ana tjetër, vendi ka një mungesë të theksuar likuiditeti, rënie të konsumit, të ardhura të pamjaftueshme në buxhetin e shtetit dhe një borxh publik në rritje, menaxhimi i të cilit, krahasuar me vendet e rajonit, e rendit Shqipërinë disi më mirë vetëm se Greqia. Dhe epërsia ndaj kësaj të fundit nuk përfaqëson ndonjë sukses, duke qenë se bëhet fjalë për një ekonomi të falimentuar që mbahet gjallë vetëm mes serumeve miliardere të Bashkimit Europian. Atëherë çfarë e shpjegon suksesin e qeverisë shqiptare?

Huadhënësit në më të shumtën e rasteve i konsiderojnë huatë e dhëna qeverive si para të sigurta. Pavarësisht vështirësive ekonomike dhe destabilizimit politik, huatë qeveritare konsiderohen hua të sigurta. Vlen të përmendet fakti se edhe vende të Botës së Tretë në luftë civile, arrijnë të marrin hua nga institucione financiare jashtë kufijve të tyre, ndonëse me interesa vrastare. Kjo, sepse sado dramatike situata e një shteti, borxhet ndërkombëtare paguhen gjithmonë.

Ekzistojnë disa raste ekstreme, kur aktorë që kanë ardhur në pushtet nuk kanë njohur borxhet e qeverive të mëparshme. Një i tillë ishte ai i Bashkimit Sovjetik që mohoi borxhin e Carit, dhe i qeverisë komuniste në Kubë që nuk njohu borxhin e Baptistas. Një rast më i vonë është ai i Argjentinës në 2003-in, por historia këtë herë ishte disi më e ndërlikuar. Megjithatë, këto borxhe, në masën më të madhe janë shlyer me kalimin e kohës, si rrjedhojë edhe e zhvillimeve politike në këto vende, por edhe e nevojave për të operuar në tregjet ndërkombëtare. Ka edhe shembujt të tjerë, por në fund të fundit, thuajse të gjitha rastet tregojnë se borxhet e qeverive janë praktikisht të sigurta.

Por përsëri, ngurrimi i investitorëve ekziston, sepse mund të ketë luhatje në tregjet ndërkombëtare, që kanë të bëjnë me valutën e zgjedhur – euron – të ardhmen e së cilës, disa e shohin me mosbesim. Por, situata e ekonomisë europiane paraqitet edhe pse jo e shkëlqyer, gjithsesi më e mirë se në pranverë të këtij viti, kohë kur qeveria shqiptare dështoi të emetonte në tregun ndërkombëtar eurobondin shqiptar. Kolapsi grek po menaxhohet përmes ndërhyrjeve më të ashpra se kurrë dhe që tani ka zëra se punët po shkojnë drejt një farë stabilizimi, ndonëse ky i fundit nuk ka gjasa të ndodhë shpejt. Portugalia dhe disa vende të tjera që rrezikonin të infektoheshin nga “virusi grek”, hë për hë po rezistojnë ende dhe vetë monedha europiane, fati i së cilës vihej në dyshim jo shumë muaj më parë, tani duket e më konsoliduar se në periudhën e panikut.

Si rrjedhojë, operatorët ndërkombëtarë, sot ndihen shumë më të sigurt për të marrë përsipër klientë si qeveria shqiptare, e cila aktualisht po përballet me vështirësi jo të lehta ekonomike.

Borxh i nevojshëm?

Nga ana tjetër, situata sërish nuk është e mirë, sepse mbetet problemi i Greqisë, me të cilën ekonomia shqiptare është e lidhur fort për shkak të pjesës dërrmuese të emigrantëve shqiptarë që ndodhen atje dhe faktit që Eurozona ende nuk ka arritur t’i tejkalojë të gjitha efektet e krizës botërore. Por, huaja e re, ka gjasa të sjellë efekte pozitive. Adriatik Kotorri, pedagog i Financave në Universitetin e Tiranës, thotë se ndërsa një pjesë e huasë do të shkojë për të shlyer kredinë sindikale, pjesa tjetër nevojitet për shpenzime qeveritare dhe për të zëvendësuar disi rënien e remitancave, çka do të përmirësojë edhe aneminë e euros në ekonomi. “Duke sjellë një fluks të ri eurosh, sillet më shumë frymëmarrje në ekonomi dhe ndikohet pozitivisht në stabilizimin e monedhës vendase”, thotë Kotorri.

Ai shpjegon se kjo hua është e nevojshme edhe për një fakt tjetër; sepse me heqjen e vizave do të rritet mungesa e euros në ekonomi. “Një fluks më i madh parash do të dalë jashtë kufijve, aq më tepër që diçka e tillë do të ndodhë për Krishtlindje”, thotë Kotorri. Shqiptarët do të kenë mundësi shumë më të mëdha për të bërë vizita jashtë vendit, ndaj emigrantët do të vijnë më rrallë dhe bashkë me uljen e vizitave të tyre edhe fluksi sezonal i eurove që hyjnë në vend, do të pakësohet. “Në këto kushte, kjo hua me interesa në nivelin 7.5 për qind, është një injeksion i nevojshëm për ekonominë e vendit në kushtet që ajo ndodhet”, thekson ai.

Por, mungesa e eurove në ekonomi është disi më ndërlikuar nga sa paraqitet. Sipas Raportit të Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e parë të vitit 2010 të Bankës së Shqipërisë, investimet e sektorit bankar në mjete të subjekteve jorezidente, u ngjitën në nivelin 104.8 miliardë lekë, duke u rritur me 73.9 për qind ndaj një viti më parë. Kjo do të thotë se bankat nxorën rreth 100 miliardë lekë jashtë vendit, të cilat sigurisht janë konvertuar në euro, duke kontribuar kështu në mungesën e eurove në ekonominë shqiptare.

Ndërsa, 300 milionë eurot hua të marra përmes eurobondit mund të kenë efekte pozitive, mbetet për t’u diskutuar kapaciteti shlyerës i vendit. Vlerësimi i Moody’s nuk e paraqiti Shqipërinë fort mirë, por as shumë keq, ndërsa qeveria kërkon të bëjë një vlerësim të ri brenda muajit nëntor me pretendimin se tani gjërat mund të rezultojnë më mirë. Ndërkohë, borxhi publik i vendit prej 60 për qind të PBB-së pritet të kërcejë sërish, ndërsa rritja e të ardhurave në buxhetin e shtetit për të mundësuar shlyerjen graduale të huave të akumuluara nuk parashikohet të përjetojë ndonjë kërcim domethënës deri në vitin 2013. Diçka e tillë ngre pikëpyetje mbi mundësitë e shlyerjes së huave aktuale, por deri atëherë, ekziston gjithnjë mundësia që të merren borxhe të reja. Sigurisht, për të shlyer ato të vjetrat. Dhe kur kjo të ndodhë mund të ketë sërish një ministër financash që do të njoftojë borxhin e radhës me fjalë pak a shumë të ngjashme me ato të ministrit Bode këtë të enjte: “Jam këtu para jush për të sjellë një lajm shumë të mirë për shqiptarët!”

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama