Telefonia celulare tregu 400 milione euro

Telefonia celulare, tregu 400 milione euro
Të ardhurat në tregun celular, për vitin që shkoi, shënuan 400 milionë euro, sipas të dhënave të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), për ecurinë e tregut të telefonisë për vitin që shkoi. Sipas AKEP, përdorimi i shërbimeve celulare për pajtimtarët ka pasur një rritje të ndjeshme, duke nisur nga viti 2009. Po kjo rritje, në vitin 2010, ka qenë edhe më e madhe, ku vihet re se përdorimi i thirrjeve telefonike ka pasur një rritje me 60-70 për qind, ndërsa numri mesatar i SMS-ve ka pasur një rënie me 16%.

 Ndikim në këtë tendencë ka dhënë rënia e tarifave të shërbimeve celulare, për shkak të konkurrencës së fortë ndërmjet kompanive, e cila pritet të vijojë edhe këtë vit. Kështu, rritja e ndjeshme e numrit të pajtimtarëve, rënia e çmimeve mesatare për përdorues, rritja e ndjeshme e përdorimit të shërbimeve celulare, në krahasim me vitet e mëparshme, tregojnë se, tregu është bërë më elastik dhe me rritje të përfitimeve për përdoruesit. Megjithatë, AKEP vëren se ka ende hapësira për rritje të përfitimeve në grupe më të mëdha përdoruesish, dhe jo vetëm për përdoruesit e thirrjeve brenda rrjetit.

AKEP vlerëson se gjatë vitit që shkoi, përdorimi mesatar i telefonit është rritur për shkak të tarifave shumë të ulëta brenda grupeve të mbyllura dhe këto paketa nuk përdoren nga të gjithë abonentët, apo në rastet kur ka një numër të madh të përdoruesve të paketave, siç janë institucionet dhe bizneset. AKEP vlerëson se, gjatë vitit që shkoj ka pasur një rritje të ndjeshme të konkurrencës ndërmjet operatorëve, duke e përmirësuar pozicionin e Shqipërisë në raport me vendet e tjera më të zhvilluara. Në këtë krahasim vëren se, tarifat celulare të matura me shpenzimet e për shportat e vendeve të zhvilluara të Europës janë mbi nivelin mesatar të vendeve të rajonit.

Nga analizat e kryera, ky pozicion shpjegohet për shkak të tarifave të larta për thirrjet jashtë rrjeteve dhe tarifat e SMS-ve në paketat standarde, të cilat janë përdorur në krahasimet me OECD. Ndërsa AKEP, në analizën e fundit të tregut celular, në tregut me pakicë, gjykoi se ky treg nuk është më i justifikueshëm, ndërkohë që tashmë ka marrë vendimet përkatëse, për orientimin në kosto të tarifave me shumicë, të cilat pritet të reduktojnë ndjeshëm tarifat aktuale. Një tjetër efekt pozitiv në tarifat celulare pritet të jetë edhe hyrja e operatorit të katërt në treg dhe ndikimi që do të ketë probabiliteti i numrit.

Celularët, pajtimtarët arrijnë në 4.5 milionë

Numri i pajtimtarëve celularë në fund të vitit që shkoi arriti në 4.5 milionë, çka do të thotë se gati gjysma e popullsisë përdor më shumë se dy karta mobil. Numri i përdoruesve, sipas AKEP është rritur me 11% gjatë vitit që shkoi. Në këtë pikë, shqiptarët parakalojnë edhe Bashkimin Europian, të cilat kanë një prenotim të celularit në masën 122 për qind, ndërsa Shqipëria e ka këtë tregues 140 për qind. Pikërisht për këtë interes që tregojnë shqiptarët ndaj komunikimit, numri i subjekteve që janë ofruar për të hyrë në tregun e telekomunikacioneve është në rritje. Kështu, numri i subjekteve, të cilat e kanë njoftuar AKEP për ofrimin e shërbimeve dhe komunikimeve elektronike, deri në fund të vitit që shkoi, arriti në 196 nga 152 që ishin në fund të vitit 2009.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama