Varferia dhe papunesia kurba e cuditshme e tranzicionit

Varferia dhe papunesia, kurba e çuditshme e tranzicionit
1.

Simetria midis rritjes ekonomike dhe punësimit është shndërruar aktualisht në një preokupim global. Pikërisht në momentin kur mendjet e shquara të globit janë angazhuar në zbutjen e asimetrisë midis rritjes ekonomike, punësimit dhe papunësisë, juria suedeze u akordoi çmimin Nobel në Ekonomi tri ekonomistëve të njohur për studimet e tyre për tregun e punës. Peter A. Diamond, Profesor i Ekonomisë në Massachusetts Institute of Technology (MIT), Dale T. Mortensen, Profesor i Ekonomisë në Northwestern University, Illinois, dhe Christopher A. Pissarides, Profesor i Ekonomisë në London School of Economics, janë tre nobelistët e rinj në ekonomi. Fokusimi i jurisë së Nobëlit në sinergjinë midis rritjes ekonomike dhe punësimit dhe rrugët e uljes së papunësisë e konfirmon përfundimisht këtë çështje si një ndër çështjet më të mprehta globale në kohën e sotme. Disa nga dilemat, të cilave u dhanë përgjigje ekonomistët e njohur janë: Përse ka kaq shumë të papunë, në një kohë që në treg hapen mjaft vende të reja pune? Si mundet që politikat ekonomike të ndikojnë në zbutjen e papunësisë?

2.

Në përgjigje të pyetjeve të mësipërme, laureatët e rinj të çmimit Nobel zhvilluan një teori të re, e cila mund të aplikohet, jo vetëm në tregun e punës, por dhe në tregjet e tjerë: tregun e mallrave, të shërbimeve, të strehimit, tregun financiar, etj. Thelbin e kësaj teorie e përbën arsyetimi mbi raportet që krijohen midis palëve në treg, pra, midis shitësve dhe blerësve, duke u fokusuar sidomos në raportin kohor, pra në atë që mund të quhet tempestika e tregut. Shitësit dhe blerësit jo gjithmonë vendosin një kontakt imediat me njëri-tjetrin. Kur një blerës shkon në një dyqankë, shitësi “rrëzon raftet” për t’i shërbyer klientit. Të dy palët janë ballë për ballë dhe sy më sy. Kur blerësi shkon në një supermarket ose një qendër tregtare, mund të endet pafundësisht në bollëkun e mallrave dhe ndodhet para mundësive të panumërta të zgjedhjes së produktit që pëlqen. Ky është mekanizmi i tregut të mallrave. E njëjta skemë përsëritet pak a shumë në tregun e shtëpive. Dikush kërkon një shtëpi, pa ditur se dikush tjetër shet një shtëpi me po ato karakteristika që kërkon blerësi. Kjo skemë mund të ndodhë edhe në tregun e shërbimeve. Një ndërmarrje spitalore kërkon një forcë pune të specializuar në shërbime të caktuara mbështetëse, ndërkohë që një kompani është në treg pikërisht për këtë. Pra, mekanizmi që bashkon kërkesën me ofertën jo gjithmonë është efecient dhe arrin t’i bashkojë këto elemente thelbësore të tregut të mallrave, “real estate” ose shërbimeve spitalore. Midis ofertës dhe kërkesës ndodhet, pra, një “hendek” kohor, i cili mund “të mbushet” nëpërmjet një procesi kërkimi në treg.
Merita e laureatëve të rinj të çmimit Nobel në ekonomi është se ata ndërtuan një kuadër teorik për kërkimet në treg. Nevoja e kërkimit në treg krijoi, pra, tregjet e kërkimit. Nëse i referohemi tregut të shtëpive, për shembull, mund të konstatojmë disa momente: numri i shtëpive në shitje ndryshon në periudha të ndryshme kohore; ndryshon koha që i duhet një shitësi shtëpie të gjejë blerës; ndryshon, gjithashtu, koha që i duhet një blerësi të gjejë një shitës; koha që u duhet të dy palëve të bien dakord me njëri-tjetrin, gjithashtu, ndryshon. Hyrja në treg e agjencive dhe agjentëve të “real estate” e ka lehtësuar, por jo superuar procesin e kërkimit në treg. Nga ana tjetër, këto agjenci janë shndërruar në faktorë të rëndësishëm të tregut. Teoria e kërkimit mund të aplikohet në forma të ngjashme edhe në çështje të teorisë monetare, ekonomisë publike, ekonomisë së financave, ekonomive rajonale dhe rajonalizmit, e madje edhe në ekonomitë familjare.

3.

Mbështetur në analizën e Diamond mbi bazat e tregjeve të kërkimit, Mortensen dhe Pissarides e zbatuan Teorinë e kërkimit në studimet e tyre për tregun e punës. Koha që u duhet blerësve të fuqisë punëtore, pra punëdhënësve, për të gjetur dhe rënë dakord me shitësit e saj, pra punëmarrësit, është më e gjatë se në çdo treg tjetër. Këtë kohë e zgjasin faktorë e rrethana të ndryshme. Nga ana tjetër, procesi i bashkimit të kërkesës me ofertën është më i kushtueshëm dhe kërkon, përveçse më shumë kohë, edhe më shumë burime e mekanizma. Mungesa e burimeve dhe e eficiencës së agjencive të tregut të punës krijon të ashtuquajturat friksione/fërkime në treg, të cilat vonojnë bashkimin e kërkesave me ofertat për punë. Në këto kushte lind papunësia friksionale dhe të papunët afatgjatë dhe të dekurajuar, të cilët, po t’i referohemi tregut shqiptar të punës, përbëjnë mbi 70 për qind të të papunëve.

Modeli nobelist i analizës së sinergjisë midis rritjes ekonomike dhe punësimit shpjegon ndikimin e politikave ekonomike dhe masave rregullatore në papunësinë, hapjen e vendeve të punës dhe pagat. Njëri ndër programet e njohura pasive të tregut të punës është, siç dihet, pagesa e papunësisë. Programi i pagesës së papunësisë është aktualisht programi që thith “pjesën e luanit” në financimet publike për tregun e punës. Gjatë viteve të fundit për këtë program janë alokuar rreth gjashtë herë fonde në shumë sesa për programin e nxitjes së punësimit. Për vitin 2010 ky raport është 12 milion USD kundrejt 1,5 milion USD, pra një më tetë. Kjo tregon se politikat e punësimit në Shqipëri mbeten, edhe njëzetë vjet pas tranzicionit, politika kryesisht pasive. Ndërkohë që në vendet e zhvilluara, sidomos gjatë dekadës së fundit, kanë dalë në plan “active measures”, pra politikat aktive të punësimit.

Duke u rikthyer te Pagesa e papunësisë, mund të themi se ky program, i cili ka lindur nga nevoja e mbështetjes së përkohshme, e theksoj e përkohshme, e atyre që humbin vendin e punës, në mjaft vende dhe raste, përfshirë Shqipërinë, ka prodhuar efekte anësore të kundërta dhe dekurajuese. Midis tyre mund të përmendim rritjen e papunësisë dhe zgjatjen e periudhës së kërkimit. As politikat e guximshme që parashikohen në Strategjinë Europiane për Punësimin nuk kanë mundur ta kufizojnë rihyrjen në tregun e punës në më pak se gjashtë muaj, ndërkohë që në Shqipëri për të gjetur një punë kërkohet një periudhe kohe më shumë se dyfishi i kohës që i duhet një punëkërkuesi të BE-së. Në Shqipëri papunësia ka prirje të zgjatet mbi një vit dhe, nëse del njëherë nga tregu i punës, bëhet gjithnjë e më e vështirë rihyrja në këtë treg. Edhe pse pagesa e papunësisë nuk është në nivele të kënaqshme, në Shqipëri ky përfitim konceptohet si ndihmë ekonomike dhe jo si një mbështetje për rihyrjen në tregun e punës, pra si një incentiv per riintegrimin e punëkërkuesve. Të papunët priren të qëndrojnë në Programin e Papunësisë në limitet e kohës maksimale të ligjshme; madje po të lejoheshin, do të qëndronin...

...edhe jashtë kufijve kohorë ligjorë. Ndërkohë që prej skemës së ndihmës ekonomike vështirë se del, nëse dikush hyn njëherë në të. Megjithë tentativat e fundit për t’i njohur e ngacmuar disa prej këtyre problemeve, në tregun e punës mungojnë masat radikale drejt politikave dhe masave aktive të punësimit. Të njëjtat vlerësime mund të bëhen, në këtë këndvështrim, edhe për politikat e rekrutimit dhe largimit nga puna, të cilat janë artificialisht dhe panevojshmërisht jo fleksible.

4.

Asimetria midis rritjes ekonomike dhe punësimit ka penguar ndikimin e rritjes ekonomike në cilësinë e jetës së popullsisë. Edhe pse Shqipëria sapo ka hyrë në grupin e vendeve me të ardhura të mesme-të larta, ku të ardhurat kombëtare vjetore për frymë shkojnë nga 3,036-9,035 USD, fuqia blerëse e popullsisë është ende e vogël. Ky grup vendesh, në të cilin bëjnë pjesë disa vende të Amerikës Latine, si Meksika, Kili, Argjentina, disa vende të Europës Lindore e Qendrore, si Hungaria, Republika Çeke, Sllovakia, Polonia, Rumania, Bullgaria, dallohen për një standart më të lartë jetese, eksport në rritje të prodhimeve vendase etj. Megjithatë, sipas EUROSTAT (2010), fuqia blerëse e shqiptarëve është pesë herë më e vogël se ajo e konsumatorëve europianë. Pra, ekonomikisht dhe për nga cilësia e jetës së qytetarëve të saj, Shqipëria mbetet e fundit si në kontekstin Europian, ashtu edhe në atë ballkanik apo euro-juglindor.

Një tjetër tregues i cilësisë së jetës është koeficienti i pabarazisë. Brenda gati njëzetë vjetësh Shqipëria po arrin një koeficient pabarazie të krahasueshëm me koeficientin e BE-së: koeficienti Gini në Shqipëri është rreth 27, ndërkohë që ky tregues për Bashkimin Europian është 31. Ndërkohë, vendi ynë bën pjesë në grupin e vendeve në zhvillim me nivel të lartë të Indeksit të Zhvillimit Njerëzor. Në vitin 2009 Shqipëria renditej në vendin e 70-të, me IZHNJ rreth 0,818.

Një pikëpyetja më e madhe në fushën e politikave të zhvillimit është se përse burimet materiale, natyrore dhe njerëzore të vendit nuk prodhojnë cilësi jetese të krahasueshme me vendet e tjerë, edhe dy dekada pas demokratizimit? Kjo pikëpyetje përbën një sfidë, jo vetëm për modelin e zhvillimit ekonomik, por edhe për zhvillimet demokratike, po të mbajmë parasysh parimin e njohur se është e vështirë të konsolidohet demokracia në një vend të varfër.

Papunësia e lartë e prodhuar nga kjo tipologji e zhvillimit ekonomik shtron nevojën urgjente të zhvillimit të politikave vizionare të punësimit, për të garantuar një ekuilibër optimal midis rritjes ekonomike dhe prodhimit e rritjes së punësimit e uljes së papunësisë. Pika e referimit e këtij vizioni duhet të jenë Direktivat e BE-së për Punësimin. Kjo kërkon orientimin e zhvillimit ekonomik drejt sektorëve që krijojnë më shumë vende pune, si turizmi, si edhe një shpërndarje të balancuar të investimeve e punëve publike në territorin e vendit. Një tjetër rrugë do të ishte përparësia e formimit profesional si një nga masat aktive më eficiente të rritjes së punësimit. Këtu rezervat janë të mëdha, sidomos po të mbajmë parasysh që niveli i punësimit post-formim profesional në Shqipëri është rreth katër herë më i ulët se treguesi i BE-së, rreth 17 për qind në krahasim me 70 për qind.

Ulja e papunësisë friksionale, pra e kohëzgjatjes së të papunëve për të gjetur një punë të re, do të ishte një tjetër rezervë për rritjen e punësimit. Këtu është rezerva me e madhe e shërbimeve publike dhe private të punësimit. Kjo verifikohet edhe nga anketimet periodike të INSTAT, sipas të cilave rruga kryesore e gjetjes së punës nga ana e punëkërkuesve janë lidhjet miqësore e shoqërore dhe jo shërbimet e punësimit. Performanca e ulët e sistemit të formimit profesional mund të konsiderohet edhe një nga shkaqet e rritjes së përqindjes së papunësisë afatgjatë. Eficiensa e politikave të punësimit kërkon gjithashtu rivizitimin e legjislacionit dhe politikave për masat aktive të punësimit, taksat dhe kostot e punës, sigurimin e papunësisë, politikat e pagave, mbrojtjen në punë dhe kombinimin e punës me kohë të plotë dhe të pjesshme.

5.

Krahasimi i treguesve të papunësisë dhe varfërisë tregon se harta e varfërisë pothuajse përputhet me hartën e papunësisë. Midis papunësisë dhe varfërisë ekziston një korrelacion i drejtpërdrejtë. Sa më i lartë të jetë niveli i papunësisë, kur faktorët e tjerë të përcaktimit të cilësisë së jetesës mbeten të pandryshuar, aq më i larte është, si rregull, niveli i varfërisë. Për shumicën e qyteteve të vendit vërehet një korrelacion i drejtpërdrejtë midis treguesve te papunësisë dhe varfërisë. Treguesit e papunësisë dhe varfërisë pothuajse përputhen në rrethet Berat, Kuçovë, Burrel, Bulqizë, Durrës, Krujë, Elbasan, Gramsh, Fier, Lushnjë, Gjirokastër, Tepelenë, Memaliaj, Korçë, Pogradec, Lezhë, Tiranë, Vlorë dhe Sarandë. Ndërsa në rrethet Çorovodë, Poliçan, Librazhd, Kukës, Rrëshen, Rubik, Shkodër dhe Kavajë niveli i papunësisë është dukshëm më i lartë se niveli i varfërisë.

 Kjo tregon se banorët e këtyre qyteteve mund të përdorin burime alternative për të siguruar mbijetesën ose cilësinë e jetesës. Ndër këto burime, më të rëndësishmet mbeten remitancat e emigracionit, të cilat përbëjnë rreth 15 për qind të GDP. Shqipëria radhitet ndër vendet me varësi më të lartë nga remitancat. Nëse India, e cila është pritësi më i madh i remitancave të emigracionit, siguron rreth 20 EUR në vit për frymë, Shqipëria siguron rreth 300 EURO në vit për frymë. Pra, varësia e Shqipërisë nga remitancat është rreth 15 herë më e madhe se varësia e Indisë. Varfëria gjatë tranzicionit ka ardhur duke u ulur.

Sipas shifrave zyrtare të INSTAT, gjatë dhjetëvjeçarit të fundit varfëria është ulur nga 25,4 për qind në vitin 2002, në 18,5 për qind në vitin 2005 dhe 12,5 për qind në vitin 2008. Edhe papunësia ka ardhur në ulje gjatë dhjetëvjeçarit të fundit. Por dinamika e uljes së papunësisë ka qenë e ndryshme nga dinamika e uljes së varfërisë. Dinamika e uljes së papunësisë në vitet respektive ka qenë si më poshtë: 15.8 për qind në 2002, 14.1 në 2005, 13.5 në 2007. Nëse nga viti 2002 në vitin 2008 varfëria është përgjysmuar (nga 25.5 në 12.5), papunësia është ulur me pak më shumë se 10 për qind (nga 16 në 14). Pra, nëse kemi pasur ritme të kënaqshme të uljes së varfërisë, nuk kemi pasur të njëjtat ritme në uljen e papunësisë dhe rritjen e punësimit. Kjo tregon se ulja e varfërisë nuk ka ardhur si rezultat i politikave të zhvillimit dhe punësimit, por nga faktorë të tjerë, si rritja e pagave, pensioneve, remitancave, etj. Në mënyrë të përmbledhur, gjatë viteve 2002, 2005 dhe 2008 vendi ka pasur dinamikën e treguar në grafikun e mësipërm në uljen e treguesve të varfërisë dhe papunësisë:

Në këtë kontekst, çmimi Nobel në ekonomi duhet të shërbejë si një momentum edhe për institucionet politikbërëse shqiptare të tregut të punës, punësimit dhe papunësisë. Sepse asimetria midis rritjes ekonomike dhe punësimit nuk është një konstatim vetëm teorik, por një çështje praktike e politikave të punësimit dhe “thembra e Akilit” e tregut të punës.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama