Ekspozita e Arteve Pamore ne UAT

Ekspozita e Arteve Pamore ne UAT
Universiteti Amerikan i Tiranës ka çelur në kuadrin e aktiviteteve të Fakultetit të Arkitekturës dhe Arteve Figurative, ekspozitën e arteve pamore me krjime artistike në fushën e arteve të aplikuara si qeramikë, mozaikë, vitrazh, projekte tapetesh figurale, skulpturë parku si dhe fotografi artistike me shtatë autorë, artistë të mirënjohur në fushën e arteve të aplikuara. Fatbardh Marku paraqitet me disa vitrazhe të realizuara në material qelqi me ngjyra dhe me motive floreale, ornamente të ndryshme si dhe me figurën e njeriut. Josif Droboniku prezanton disa nga variantet apo fragmente të realizuara si punime paraprake për të realizuar mozaikun e madh të kupolës në Katedralen e re Ortodokse në Tiranë.

Mira Kuçuku sjell tre punime në qeramikë të glazuruar, dy prej të cilave janë me ngjyra të qarta dhe dekorative, ndërsa e treta është vazoja dekorative e vendosur mbi një mbajtëse të realizuar në teknikën e hekurit të rrahur. Vasiliev Nini ekspozon nëntë skulptura dhe bocete disa prej të cilave i ka realizuar në ambiente dhe sheshe të ndryshme në SHBA ku ai ndodhet, në teknika të ndryshme si bronx, mermer e materiale të tjera. Hajdar Denjolli merr pjesë me katër kuadro si projekt ide për tu realizuar si teknika të ndryshme në gjininë e tekstilit si: tapete, sixhade, gobelin etj.

Leon Cika paraqitet me dy foto artistike me ngjyra, me dimensione 70 x 100 me pretendime të mirëfillta profesionale. Brilanta Kadillari paraqitet po me dy foto artistike në monokrom me motive nga jeta duke pretenduar në to këndvështrimin origjinal të saj.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama