Nevoja për një axhendë të re ekonomike në rajon, e orientuar kryesisht nga eksportet, energjia, metalet dhe ushqimet kanë qenë një nga temat më të diskutuara. Tashmë rritja e shpejtë e viteve 2000, e cila bazohej në investimet e shtetit e në konsum dhe ku shumica financohej nga huamarrja e jashtme, ka marrë fund. Prodhimi, eksportet, teknologjitë e reja dhe krijimi i një ambienti miqësor për investitorët janë fjalët e reja kyçe, por analistët janë skeptikë.
"I gjithë rajoni vuan kronikisht nga mungesa e kapaciteteve të eksportit", shprehet Hrvoje Stojiç, analist në Hypo Group Alpe Adria. "Rritja do të vijë vetëm përmes disa reformave kyçe: mirëqenie, pensione, taksa, punësim - por ndryshimet do të jenë të ngadalshme". Pavarësisht reformave të ngadalta, në gjithë rajonin qeveritë ka gjasa që të arrijnë të menaxhojnë faturat e larta për shpenzimet publike dhe për dy vitet e ardhshme, por më vonë mund të përballen me huamarrje të shtrenjta, nëse investitorët nuk shohin ndonjë progres. "Në terma afatshkurtër, këto vende kanë një financim të arsyeshëm dhe një histori të mirë financimi në buxhet, por në terma afatgjatë pyetja që ngrihet është: Si do të rritet ekonomikisht rajoni kur do të ketë më pak investime direkte, më pak kreditim dhe investime publike? "Një ndryshim i kursit është i nevojshëm sa i përket reformave strukturore.
Këto janë çështje afatgjata, por kërkojnë zgjidhje dhe zhvillim tani. Vendet që do të adresojnë ekonomitë e tyre në këtë kurs më herët do të jenë edhe më të fituarat", shprehet Timothy Ash, nga Royal Bank Skoci. Megjithatë, pak politikanë kanë adresuar axhendat e tyre të reformave në këtë aspekt. Si rezultat i kësaj, Ballkani mbetet pas krahasuar me vendet e tjera ish-komuniste në Europën Qendrore, të cilat kanë reformuar ekonomitë e tyre, kanë tërhequr investime dhe kanë rritur eksportet. Shumica e vendeve të Ballkanit përpiqen të mbajnë kurset e këmbimit stabël, edhe si eksportues preferojnë monedha më të dobëta lokale.
Në vend të kësaj, ka një mendësi për 'amortizimin e brendshëm' për të ulur çmimet e prodhimit, çka përkthehet një nivel tavan pagash dhe ristrukturim të sektorit publik, një strategji e rrezikshme kjo për vende ku papunësia dhe kostoja mesatare e jetesës tashmë janë të larta. Privatizimi gradual i kompanive të epokës socialiste dhe konsolidimi i ngadaltë fiskal janë në axhendë, ashtu siç është bashkëpunimi rajonal, i cili duhet të sjellë më shumë investime mes shteteve dhe të krijojë një treg më të madh. "Ballkani ose duhet të shkojnë drejt BE-së me ekonomi të vogla dhe të ndara që konkurrojnë me njëra-tjetrën, ose duhet të përqafojë një model të ri dhe të funksionojnë si një ekonomi rajonale", ka thënë në shtator guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani.