Subvencionet shqiptare sa larg BE

Subvencionet shqiptare, sa larg BE
Me fondet e huaja për bujqësinë shqiptare që ulen dita-ditës, politikëbërësit i kanë kthyer sytë nga vitet që vijnë, për të përfituar nga skema e mbështetjes për bujqësinë dhe zhvillimin rural, IPARD. Kjo e fundit përfaqëson shtyllën e pestë të IPA-s, instrumenti i asistencës së përdorur nga Bashkimi Europian për të mbështetur zhvillimin e sektorëve prioritarë të vendeve që ndodhen në fazën e paraanëtarësimit. Por, për të përfituar nga kjo skemë e cila bëhet aktive në vitin 2012, Shqipëria duhet më parë të ketë marrë statusin e vendit kandidat, çka po rezulton një mision disi më i vështirë nga ç’kishin parashikuar një sërë optimistësh.

Mbështetja e bujqësisë është jetike për rastin e Shqipërisë, duke qenë se ky sektor është një nga më të mëdhenjtë në ekonomi, duke kontribuar në peshën specifike të PBB-së së vendit diku në nivelin 18 për qind gjatë viteve të fundit, si dhe duke punësuar – sipas statistikave zyrtare – më shumë se gjysmën e popullsisë së aftë për punë.

Por, buxheti i shtetit ka pak mundësi që të garantojë mbështetjen e duhur për zhvillimin e bujqësisë, duke qenë se të paktën, gjatë dy viteve të fundit, të ardhurat e mbledhura në arkën e shtetit kanë rezultuar të vobekta edhe nën parashikimet më pesimiste të Ministrisë së Financave. Nga ana tjetër, vendosja e prioriteteve faktike të qeverisë ka qenë e orientuar drejt rrugëve me emra patriotike-pastorale, si e Kombit, e Arbrit, apo “panoramike, fushore, pa kthesa”.

Në këtë pikë, sytë e aktorëve të interesuar janë kthyer nga ndihma e huaj, por kjo e fundit, të paktën për sektorin bujqësor, gjatë viteve të fundit, kohë kur ish-ministri Jemin Gjana ka drejtuar bujqësinë shqiptare, është gremisur në thellësi të pacekura më parë. Pavarësisht ndërhyrjes së këtij të fundit, sektori arriti megjithatë të absorbojë rreth 200 milionë euro investime të huaja nga viti 2000 deri më sot. Kjo do të thotë se e vetmja shpresë për një serum aq të nevojshëm financimesh për këtë sektor janë fondet e taksapaguesve europianë.

Arratisje nga dështimet

Deri më sot, qeveritë shqiptare kanë dhënë prova të pamohueshme të aftësisë për të dështuar në mënyrë spektakolare. Ish-kryeministri Fatos Nano mban deri më sot një rekord të pathyeshëm të nismave më të dështuara në mbështetjen e bujqësisë. Dështimet e qeverisë “Nano” përfaqësojnë nismat e para të mëdha të mbështetjes së këtij sektori përmes subvencioneve. Skemat e përdorura mbuluan periudhën 2004-2006, siç ishin nafta pa akcizë për bujqësinë dhe ndihma e dhënë për mekanikën bujqësore. Sipas burimeve zyrtare, përfituesit llogariten në rreth 192 mijë syresh. Por, efektshmëria e këtyre skemave paraqitet shumë e trazuar.

Skema e naftës, për shembull, rezultoi aq e suksesshme saqë shkaktoi një humbje neto prej rreth 4.7 milionë dollarësh të evidentuara, shumë të cilën autoritetet shqiptare po përpiqen ta riklasifikojnë si “borxh”. Në fakt, bëhet fjalë për naftë të përfituar padrejtësisht nga fshatarët, apo të përdorur në mënyrë abuzive. Skema rezultoi një fiasko, kryesisht si pasojë e koordinimit të dobët në zinxhirin e shpërndarjes së naftës, kombinuar me një mungesë të përgjithshme monitorimi dhe kontrolli. Por, aspekti politik ka gjasa të ketë luajtur rolin e tij, duke qenë se kjo nismë mbështetëse nisi në vitin 2004, vetëm një vit para zgjedhjeve parlamentare të 2005-ës.

Projekti tjetër i asistencës u drejtua nën të njëjtën filozofi politike dhe ekonomike. Madje këtu rastet e abuzimit prekën edhe median, kur njëri nga drejtuesit kryesorë të programit 2KR, i cili synonte zhvillimin e mekanikës bujqësore në vend, filloi të shpërndante zarfe me nga 10 dollarë për gazetarët që mbulonin aktivitetet e atëhershme të Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar (KASH). Sipas edhe deklaratave të ish-ministrit Gjana, projekti kulmoi në korrupsion, keqmenaxhim dhe dështime në disa drejtime. Në fakt, deklaratat e Gjanës rezultuan të vërteta, kur ish-drejtuesi i projektit Agim Rrapaj u përndoq penalisht, por u ndëshkua me një gjobë simbolike. 2KR u bllokua në 2007-ën dhe ndonëse rinisi punën gati një vit më vonë, kurrë nuk e mori më veten.

Nga 2007-a e mbrapa u futën në punë masa të reja mbështetjeje, të cilat u fokusuan në rritjen e sipërfaqeve të drufrutorëve, ullishteve dhe vreshtave. Vëllimi i fondeve në këtë drejtim, në vitin 2009, ishte rritur me 15% krahasuar me vitin 2008. Viti 2009 dhe 6-mujori i parë i 2010-ës kanë shfaqur rritje të ndjeshme eksporteve të drufrutorëve, por ende nuk ka prova zyrtare se diçka e tillë ka ardhur si rrjedhojë e mbështetjes në fjalë. Ndërkaq, bujqësia ka nevojë për më shumë mbështetje dhe e vetmja mënyrë e shëndetshme dhe pa trauma për ta siguruar këtë janë financimet e BE-së.

Standardet para fondeve!

Një lajm i mirë mbin fondet e Europës, posaçërisht IPARD lidhet me faktin se BE-ja nuk do të kufizohet të japë para, por dhe do ta monitorojë vetë krejt procesin. Diçka e tillë paraqet vështirësi serioze për institucionet shqiptare, sepse rritja e rëndësisë dhe fondeve publike në dispozicion, kombinuar me fondet e pritshme të BE-së përmes IPARD, rrisin rëndësinë dhe nevojën e planifikimit më të kujdesshëm, si dhe përmirësim të menaxhimit, zbatimit dhe monitorimit të skemave mbështetëse për bujqësinë. Diçka e tillë do të ulte prirjet keqmenaxhuese, aq mbizotëruese në Shqipërinë e dy dekadave tranzicion.

Përndryshe, nëse në një farë pike mbërrin dita e shënuar, kur vendi mund t ëpërfitojë nga paratë e Bashkimit Europian, mund të ketë të njëjtin fat si Bullgaria, të cilës në një farë pike iu bllokuan 200 milionë euro asistencë, nëse nuk tregon kujdes në menaxhimin e mbështetjes bujqësore. Nga ana tjetër, forcimi i instrumenteve të monitorimit ka gjasa të sjellë dy dinamika të kundërta në tërheqjen e fondeve të BE-së në mbështetje të sektorit bujqësor. Ulja e mundësive të përfitimit personal dhe klientelizimit mund të pakësojë stimujt e një sërë aktorësh dhe zyrtarësh publike për t’u përpjekur të marrin fonde, ndërsa e njëjta dinamikë mund të ketë një impakt pozitiv mbi gatishmërinë e BE-së për të dhënë më shumë fonde. Pika ku priten këto dy prirje është në fakt, çfarë vendi mund të përfitojë realisht.

Por, ekziston edhe një qasje më institucionale, që shkon përtej dinamikave rrethanore që mund të shfaqen ad hoc. Në studimin e Bankës Botërore, “Politika Strategjike për një Sektor Bujqësor më Konkurrues” theksohet se një program zhvillimi rural është i domosdoshëm për të krijuar bazën për përfitimin nga asistenca e IPARD. Një program i tillë, do të krijonte edhe premisa të mira për qasjen e kërkesave dhe standardeve që Shqipëria duhet të përmbushë në rrugën e saj të integrimit, si dhe do të krijonte mekanizma të strukturuar që mundësojnë një kanalizim dhe zbatim më efektiv të fondeve në fjalë.

Ndërkaq, reforma institucionale duhet të përshpejtohet, ndërsa politikëbërja duhet t’i përshtatet më shumë kërkesave të Bashkimit Europian. Gjithashtu, financimi i sipërmarrjeve rurale duhet konsoliduar përmes sektorit bankar, çka kërkon një rritje të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve shqiptare me bankat e nivelit të dytë dhe vetë fermerët.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama