Qeveria terheq nga Kuvendi ligjin per pastrimin e parave

Qeveria terheq nga Kuvendi ligjin per 'pastrimin e parave'
I parashikuar për të votuar dje në komisionin parlamentar për ekonominë dhe financat, projektligji i qeverisë “Për terrorizimin dhe parandalimin e pastrimit të parave” është fshirë nga axhenda e Kuvendit. Burime të komisionit tregojnë për “Shqip”, se mbledhja e parashikuar për votimin e projektligjit u anulua, pasi qeveria ka kërkuar tërheqjen e tij.

Projektligji “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit”, ishte miratuar nga qeveria dhe më 6 shtator kishte mbërritur për votim në kuvend, ku dje, më 27 tetor ishte caktuar data e diskutimit në Komision të Ekonomisë. Drafti, i hartuar nga Ministria e Financave, prekte kompetencat e Prokurorisë së Përgjithshme, duke ia ulur funksionet për t’i zhvendosur drejtë një strukture tjetër, në varësi të Kryeministrit.

Këshilli i Ministrave ka marrë nismën për ngritjen e krijimit të njësisë së hetimit, e cila do të funksionojë si strukturë e specializuar hetimi në përbërje të autoritetit përgjegjës. Kjo njësi do të ketë për detyrë të kërkojë, pastrojë, kap dhe konfiskojë të gjitha produktet e krimit dhe financimet e terrorizmit, duke krijuar një bazë të dhënash unike për identifikimin e numrit të llogarive të personave fizikë dhe juridikë. Kjo njësi do të jetë nën varësinë e Këshillit të Ministrave. Qeveria ka marrë parasysh edhe kërkesat e Shoqatës Kombëtare të Bankave të Shqipërisë, e cila ka kërkuar që diapazoni i gjobave të jetë i përcaktuar në vlera minimale dhe maksimale, pasi një gjë e tillë e bën më të lehtë përllogaritjen e gjobës.

Në relacionin e qeverisë citohet se “nisur nga fakti se gjatë dy viteve të fundit është rritur ndjeshëm numri i rasteve, të referuara në polici e prokurori dhe këto të fundit nuk po i përgjigjen me po të njëjtin ritëm kësaj rritjeje, u pa e domosdoshme që në atributet e autoritetit përgjegjës konkretisht, DPPPP-së, të përfshihen edhe atributet e policisë gjyqësore, për të hetuar çështjet më komplekse të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama