Për të pasur një ide më të qartë të borxhit shqiptar në tërësi, gazeta “Shqip”, publikon (ndoshta për herë të parë) detajet e tij, duke nisur me marrëveshjet e firmosura me hapjen e vendit në fillim të viteve ’90-të, me nivelin aktual të borxhit, pagesat për të dhe institucioneve e shteteve që u detyrohemi.
Nga statistikat zyrtare të marra nga Ministria e Financave rezulton se borxhi në total i shtetit shqiptar deri në fund të muajit gusht 2010 ishte rreth 710 miliardë lekë, kurse deri në fund të vitit mund të rritet edhe me 30 miliardë të tjera, ndërsa për vitin që vjen, 2011, parashikohet ta kapërcejë kufirin e 800 miliardë lekëve (afërisht 5.8 miliardë euro). Te ky borxh, përfshihen të gjitha detyrimet, huat dhe kreditë e marra, si nga bankat vendase, të huajat, donatorët dhe shtetet me të cilat kemi nënshkruar marrëveshje. Duke i ndarë në dy zëra, borxhi i jashtëm i Shqipërisë deri në fund të muajit gusht ishte rreth 2 miliardë e 577 milionë euro. Këtu futen të gjitha detyrimet që shteti shqiptar ka ndaj të huajve, si banka, institucione zhvillimi, shtete, e deri te huat e marra nga koha e komunizmit.
Shtetet
Trajtimi i borxhit të jashtëm në tërësi ka rëndësi për vetë faktin se paraqet një sërë risqesh në rast se nuk mirëmenaxhohet. Rreziku i parë vjen nga kursi i këmbimit, kurse i dyti nga ndikimi që jep në opinionin ndërkombëtar përkeqësimi i nivelit të tij dhe vonesat e shlyerjes ndaj një banke apo shteti të huaj. Referuar bilancit të borxhit publik, Shqipëria u detyrohet 25 shteteve të ndryshme, në masën e rreth 800 milionë eurove. Në listën e shteteve që u kemi borxhe janë të përfshira vende nga Europa, ku dominojnë detyrimet ndaj Italisë dhe Gjermanisë, rreth 3710 milionë euro të dyja së bashku, nuk mungojnë vendet skandinave, lindore, përfshi edhe Rusinë, e madje fqinjët e rajonit, Serbi dhe Maqedoni. Harta shtrihet në Azi, ku futen vende si Japonia, Kina dhe Koreja e Jugut, për t’u zhvendosur më pas në shtetet islamike, si Kuvajti me mbi 43 milionë euro (kryesisht vendet islamike kanë operuar me bankat e tyre dhe jo direkt me qeveritë). Me 22 vende qeveria shqiptare ka nënshkruar marrëveshje bilaterale, në masën e 710 milionë e 606 mijë eurove, kurse me tre të tjera, janë detyrime prej 92 milionë eurosh që rrjedhin nga Klubi i Parisit (Franca, Rusia dhe Anglia).
Bankat
Në listën e atyre që u kemi borxhe zënë vende të konsiderueshme bankat e huaja, institucionet financiare ndërkombëtare zhvilluese dhe donatorë. Janë gjithsej 9 të tilla, si: BERZH, IDA, IBD, CEB, OPEC etj, që menaxhohen kryesisht nga Banka Botërore, ajo Europiane dhe Islamike, të cilave u kemi 1 miliard e 352 milionë euro. Qeveria shqiptare ka mundur të marrë hua edhe ndaj kreditorëve privatë, pra banka tregtare, në masën e 422 milionë e 600 mijë euro. Pra, në total janë rreth 2.5 miliardë euro që u kemi të huajve, ose diçka më pak (rreth 300 milionë euro) se buxheti i shtetit për vitin 2011.