Në fund të vitit 2011, qeveria duhet të paguajë për kredinë e rrugës Durrës-Kukës jo vetëm interesat, por edhe vetë kredinë prej 195 milionë eurosh. Sipas opozitës, kjo është arsyeja që qeveria nxiton të rimarrë borxh. “Kostoja e eurobondit duket se nuk do të jetë aq e ulët sa pretendonit. Ndoshta përfitimi nga eurobondi do të jetë në një shtrirje kohe më të gjatë për pagesën e principalit”, tha deputeti socialist, Arben Malaj.
“E kemi të drejtën që ta mbajmë deri më 2012-n, po kemi bërë përpjekje për ta hequr para kohe për të ulur koston e kësaj kredie”, sqaroi ministri Bode.
Sipas socialistëve, nguti i qeverisë mund të rrisë edhe interesin e borxhit të ri që po përpiqet të marrë. “Sido që të luani me shifra, zoti ministër jeni në trendin negativ të rritjes së kostos së borxhit dhe rritja me 40 për qind e kostos së një borxhi është barrë e rëndë”, tha Malaj. Por Selami Xhepa, ish-këshilltar i Kryeministrit dhe deputet i PD-së, thotë se marrja e eurobondit është një veprim i duhur nga qeveria, sikurse po veprojnë vendet e tjera të rajonit, si Maqedonia që mori borxhin tani me rreth 11 për qind interes. “Në fillim borxhet na i falnin, tani i blejmë sipas kushteve të tregut, ku të gjitha shkojnë për investime”, tha Xhepa.
Borxhi publik i Shqipërisë është rreth 60 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Kjo rritje e borxhit ka vendosur opozitën dhe mazhorancën në skalionin e betejës edhe se kush i ka menaxhuar më mirë financat publike. Kjo është hera e dytë që qeveria do tentojë të marrë borxh përmes eurobondit. Plani fillestar ishte në prill të këtij viti, por dështoi për shkak të krizës së borxheve.
Në marrëveshjen e miratuar në Kuvend, është parashikuar një interes deri në 8.5 për qind. Por ministri i Financave tha dje se do të sjellë një ligj, që i jep të drejtën qeverisë të marrë borxh pa kërkuar miratimin e Kuvendit, për të mos zbuluar paraprakisht interesat, çka sipas tij e dëmton procesin.