Shqipërimet e tua më kanë magjepsë e më kanë kënaqë, Pashk, deri në galdim. Ato të trandin. Sa i kobshëm duket n'shqipen tënde, në shqipen tonë, Kont Ugolini - banor i Ferrit - kur "gojën fill e çoi nga e zeza gjellë / tuj e mshi me flokt e kresë që mbrapa ja kish grrye shpellë"!
Çmojën e madhe për Danten e kam sa prej artit tij të mirënjohur, aq edhe falë shqipes tate, mjerisht sot pak të njohur. Ky përkim i rrallë fryme mes Dantes e teje, nuk kaloi pa rënë në sy të grupimit "Dante Alighieri", i cili këtu e dyzetë vjetë më parë e vlerësoi ndërkombëtarisht shqipërimin tënd si njërin ndër tre përkthimet më të mira në botë të "Divina Commedia".
Ky fakt aherë mjaftonte me e zhdavaritë legjendën urbane (që sot ka nisë sërish të ndërmlytet posht-e-lart) se shqipja nuk paskësh fuqi të matet me lisat e letërsisë botnore; me e zhdavaritë posikur dielli mjegullën në agshand. E sa për sot, nuk është shqipja në vetvete e pafuqishme, por është flashkë pa-hiri dija e shqipfolësve mbi gjuhën amtare.
Prandaj kishim me t'u lutë tash me na marrë gjithsecilin përdore e me na udhëheqë si Virgjili drejt fuqisë së gjuhës që ti njohe. Ndaj thashë parit se na vorfnove sot, Pashk!
Jam e bindur se po të kish qenë gjallë Volfgangu Gëte, kur ti ja eptove me aq mjeshtrì shqipen tënde gjermanishtes së vet poetike, kishe me ndi prej tij po ato fjalë shendi që Edgar Allan Poe i pat thënë Baudelaire-it: "Përkthimi yt tingëllon po aq bukur sa krijimi im, e ndoshta edhe më bukur".
A e mban mend sa herë e ke grishë nadjeve at'inxhinjerin gjerman, me t'cilin në vitet e plumbta ndaje kthinën e vocërr të konviktit, që të ta recitonte Faustin në gjuhën e Gëtes? Deshe me i rrokë tingëllimën, Pashk? Ja dole, o mjeshtër i prunjtë, se Gita, Mefistofeli e Fausti yt duket sikur kanë folë shqip qysh në zanafillë.
"Të bajmë edhe nji hap der te njai gur / Atje le të pushojmë mbas ksaj shetìje / Sa herë jam ulë vetar, koken nder duer / Lodhë lutjesh, agjinimi dhe urije". Ndoshta kishe vedin parasysh kur i dhe frymë kësaj strofe. Besoj se mundem me e hamendë për çka i je lutë Qiellës në vetminë tande: për më shumë dinjitet.
Por m'u shtyp zemra kur erdha me t'pa tash vonë në shtëpi, diku në rruginat mes Shallvareve. Ndonëse "u pate lodhë lutjesh", banesa jote e ngushtë, e vobektë e në gjysëm terr, ajo banesë e shkretë prej të cilës të bartën dje, nuk ndryshonte fort nga kthina e vocërr ndrydhëse e konviktit.
M'u shtyp zemra e u shkreha n'vaj sapo dola s'andejmi, se pashë që shteti i demokracisë të kish harruar, edhe më keq se pushteti i diktaturës.
I vetmi send që zbardhullonte në muret e hijesinës ku vijoje me rrojtë ishte diploma "Cavaliere della Repubblica", e 1995-ës dhënë nga presidenti Ciampi, në shenjë mirënjohjeje t'epërme ndaj kontributit tënd në kulturën italiane, si përkthyes i Dantes! Pashk, po shtetarët e këtij vendit tonë, Pashk? Ti rrojte e prite gjatë, plot 92 vjet, e sot u çove e ike. "Anì, - do të kesh murmuritë me vete i paqtë e me sytë nalt, - të fundit kanë më qenë të parët...".
E dij, thuajse e shof si kanë me u shpupurisë në ngarendin për me të thurë lavde të skajme e për me të varë kush e kush medaljen që feks më fort. Druaj se ti nuk e hosh këtë bujë zullumqare, o kujdestar i Shqipes; me kast, Gëtja, e ti bashkë me të, vargënuat se "çka furfurit, pa lindun mirë ka vdekun / E thjeshta u shkon breznive e paprekun".
E dij se sot Shqipja u gdhi pa ty, ndaj kam në shpirt një hon që s'po don të mbushet as me kujtime, ngaqë kujtimet janë edhe ato vetë zgavruese... Murmuroj zë-mpakur copëza rimash nga Dantja në shqip, si me dashtë mos me të lanë me ikë; por rimat më shndrrohen në kurthe përjetimesh, dhe ndërmend çka më diftonte për ty padër Zef Pllumi, shoku yt i qelisë, se: "Pashku ka nisë me e përkthye me mend Ferrin e Dantes bash-e n'burg, padër.
N'at terrinë të ftoftë qelie hyjshin për nen-derë do shtiza rrezesh djelli, e u përplasshen për mur, pa mujtë me zdritë kurrnjisend, por veç krijojshin do rrathë nëpër ajrì e n'tavan. Pashkut t'burguem ju dukshin njilloj si rrathët e Ferrit t'Dantes, padër. E m'tha: A din Zef, m'bahet sikur Alighieri e ka shkrue nj'at Ferr për ne t'ndrymunit këtu, n'ket terr!".
Suvalë të tilla idhnimi vijnë e më përplasen tash nëpër brinjët që rreken me ma mbajtë mbërthyer zemrën e cila përpëlitet duke e dijtë se ti nuk pe dritë ndezur rreth teje as n'atë kohë e as në këtë kohë.
Kujtoj e tkurrem; kujtoj se para dyzet vjetësh, personalitetet italiane të "D. Alighierit" patën ardhë enkas në Lidhjen e Shkrimtarëve për çmimin e lartë vlerësues. Ti ishe në atë sallë, por krerët e Lidhjes t'u avitën e me ton kërcënues të urdhëruan të largoheshe.
Dyzet vjet më pas, në po atë godinë të Lidhjes, t'u akordua... një gjysëm çmimi; një gjysëm çmimi për përkthimin magjik të Faustit! Eh, ky vend, Pashk, vijon me qenë jashtë kohe, shkllapitet gjithnjë në post-mortumin e vlerave të veta! Një çast, një ditë, e mandej bie sërish në kllapi.
Nuk dua të ikësh, ndaj çohem e marr "Odiseun" e Homerit që ti e ktheve në epikë të ligjërimit shqip. Këto dreq kujtimesh, sa turrshëm mësyjnë e nuk i lënë ajrit shteg për në kraharor!
Kujtoj që më pate rrëfyer përhumbshëm se gjatë kohës që e përktheje këtë vepër të antikitetit, uleshe çdo ditë në breg të detit e ngulje vështrimin në perpetumin e valëve. "Prisja me m'u shfaqë shtegtari i Itakës, dhe më vijte me i pvetë ato valë çka i mërziti aq fort sa me e shty aq larg shpijet at mbret lundërthyem?".
E lashë librin, nuk marr më tjetër. Sot mendja nuk më bindet në këtë kuvendim të mbramë. A e di, po ta diftoj edhe çka më ngjau para dy-tri orësh. Më telefonoi Simoni nga Shkodra, djalë i ri i shituem nga magjia e kësaj gjuhe; e i mpakun prej vendimit tënd të beftë për me ikë më tha: "Na pastë lanë nafakën!". Ju gjegja: "Ja pastë lanë nafakën kësaj shqipes sonë, or mik! Ajo sot ka nevojë për Pashkun shumë më shumë se ne".
Mbaje në hatër këtë fjalë timen të fundit, Pashk, s'andejmi nga do gjallojë këtej e tutje shpirti yt! Mbaje në hatër shqipen tonë, se është e brishtë e hatri yt i duhet posikur ajri i qashtër.
Tash po tumirem me ty, o mjeshtër i përhirshëm. Po tumirem, e nuk po lamtumirem se shpresoj fort se do takohemi sërish e kemi me e lidhë fjalën aty ku e lamë, te perpetumi i kahmotshëm i valëve...
PASHK GJEÇI 1918 - 2010
Pashk Gjeçi u shua mbrëmjen e së mërkurës në shtëpinë e tij në në Tiranë, në moshën 91-vjeçare. Dje në mesditë i janë bërë homazhe në Teatrin Kombëtar. Para tij kanë kaluar politikanë e njerëz të kulturës dhe arteve për të nderuar helenistin, latinistin, përkthyesin e rrallë.
Pashk Gjeçi lindi në Shkodër më 7 shtator të vitit 1918. Mbaroi shkollën e Jezuitëve si dhe gjimnazin Jezuit në qytetin e lindjes. Që në moshë të re, aty rreth vitit 1934, përktheu disa poezi të poetit italian, Xhakomo Leopardi. Në shkollë nisë të mësojë mirë italisht, më pas në gjimnaz, greqishten e vjetër dhe latinishten, gjuhë në të cilat përktheu thesaret e letërsisë botërore.
Në vitin 1938, me gjysmë burse të siguruar nga qeveria e asaj kohe, regjistrohet në Fakultetin e Letërsisë dhe Filozofisë në Romë. Pashku gjithnjë do të kujtojë më pas me nostalgji leksionet e prof. Ernest Koliqit edhe pse shoqërimi me të do t'i kushtonte 5 vjet heqje lirie. Më 15 korrik të viti 1942 diplomohet me gradën Doktor shkencash në letërsi.
Pas kthimit në atdhe, më 4 shtator 1947 ndalohet me akuzën "Pjesëmarrje në grup kundër pushtetit". Në lirim e transferojnë në Fushë Krujë ku punoi gjatë për përkthimin e Komedisë Hyjnore të Dante Aligerit. Menjëherë pas botimit të "Komedisë..." nisi të përkthente një tjetër vepër të madhe të letërsisë botërore "Odisenë" e Homerit.
Por Përkthimi i Dantes do të përbënte një ngjarje jo vetëm për letërsinë, por edhe për kulturën tonë kombëtare. Ai u dekorua nga Presidenti Italian Çampi më 2004 me "Ordine della stella, della solidarieta italiana".
Po ashtu Pashko Gjeçi është laureant edhe i disa çmimeve të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare Në 90-vjetorin e lindjes, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve i akordon Çmimin Kombëtar të përkthimit "Fan Noli", për përkthimin mjeshtëror të veprës "Fausti" të Gëtes.
Nga : Gazeta Shekulli