Krijoi Heronjtë e Vigut, Nënë Shqipëri dhe Monumentin e Enver Hoxhës
Galeria Kombëtare e Arteve i bën sot homazhe skulptorit Shaban Hadëri. Dje gjithë ditën është njoftuar vdekja e Hadërit, "Artist i Popullit", një prej themeluesve të shkollës shqiptare të skulpturës.
Ai u nda nga jeta mbrëmjen e së mërkurë në moshën 82-vjeçare. Ceremonia e lamtumirës nga bashkëkohësit dhe mjedisi i arteve figurative, mbahet në orën 11-12, në hollin e Galerisë, aty ku për herë të fundit është përcjellë piktori Kel Kodheli.
Shaban Haderi u lind më 28 mars 1928 në Papavli të Delvinës, rrethi i Sarandës. Në periudhën e Luftës së Dytë Botërore ai dhe i ati Hili kanë qenë partizanë të Ushtrisë Nacional Çlirimtare Shqiptare. Pas mbarimit të luftës dhe me çlirimin e vendit, i përkushtohet hapjes së shkollave në Shqipëri dhe organizimit të pjesëmarrjeve të nxënësve në to.
Në vitin 1947 filloi shkollën e mesme "Jordan Misja" në Tiranë. Mësoi në këtë shkollë dhe u njoh me artistët më të njohur shqiptarë të kohës, që ishin dhe mësues në këtë shkollë si Abdurrahim Buza, Nexhmedin Zajmi, Sadik Kaceli, dhe skulptori Odise Paskali.
Liceun artistik e përfundoi në vitin 1950 dhe për dy vjet radhazi drejtoi Galerinë e Arteve, duke u bërë drejtor i parë i këtij institucioni. Në vitet '52-'58 Shaban Hadëri ndoqi studimet e larta në Institutin e Lartë të Arteve të Bukura "Rjepin" në Leningrad (Petërburg).
Studenti Hadëri studio në atelienë e skulptorit dhe pedagogut Lishev dhe mbrojti dhe diplomën e punimin "Shokët". Ky punim, kompozim me 3 figura, u ekspozua në Moskë, në ekspozitën e 13 ish vendeve socialiste. Autori, bocetin e këtij punimi e gdhendi në dru.
Në 1958 kthehet në Shqipëri.
Mbas formimit të plotë si skulptor dhe i edukuar në një shkollë realiste të një shteti komunist dhe vazhdimësia e krijimtarisë së tij po në një shtet komunist do ta vendoste Shaban Hadërin në grupin e artistëve realistë, punimet e të cilit paraqesin subjekte të përcaktuara nga politikat kulturore të këtij shteti.
Ka ekspozuar në të gjitha ekspozitat lokale dhe kombëtare që nga viti 1958. Punësohet në Institutin e Lartë të Arteve si pedagog në Atelienë e Skulpturës.
Hadëri është një nga pedagogët e parë të Institutit të Lartë të Arteve së bashku me skulptoren Kristina Koljaka dhe piktorët Guri Madhi dhe Vilson Kilica.
Gjatë periudhave të ndryshme të krijimtarisë së tij, të lidhur me rëndësinë e veçantë kombëtare të veprave monumentale e të realizuara në grup apo individualisht, skulptori Hadëri fitoi kohën e domosdoshme të krijimtarisë së lirë.
Krijimtaria e tij ndahet në dy periudha. E para ndërmjet viteve 1950-1990.
Në këto vite ai ka një krijimtari të pasur. Ajo filloi me ekspozimin e suksesshëm për kohën, të punimit të diplomës në vitin '58-'59. Ky punim ndiqet nga trajtimi i shumë portreteve, kompozimeve, relieveve dhe monumenteve. Në këtë periudhë ai krijoi "Portret vajze" 1966, "Luftëtari i lirisë 1912", "Sportisti" 1964, "Pas betejës" 1967, "Portret malësoreje" 1985; "Kapedani i Delvinës" 1982; "Isa Boletini" 1978; "Heronjtë e vigut", 1967; "Busti i Skënderbeut" 1967; "Monumenti i Pavarësisë" 1972, bronz Vlorë, punuar së bashku me skulptorët Kristaq Rama dhe Muntaz Dhrami, "Relievi i 1920", punuar me bashkautorësi me skulptorin Muntaz Dhrami, "Nëna Shqipëri" përsëri me grupin e njohur të skulptorëve Rama, dhe Dhrami.
Ai do të ishte autor edhe në Relievin e Kryeministrisë. Në këtë grup skulptorësh do të punonte edhe skulptori Hektor Dule,
Monumenti i Enver Hoxhës, bronz 1988, i cili u vendos në qendër të Sheshit Skënderbe u realizua sipas bocetit të kryer prej skulptori Hadëri, i cili u hoq prej andej nga revolta popullore e vitit 1991.
Ky monument u punua prej skulptorit së bashku me piktorin Sali Shijaku që konkurroi në grup me Shaban Hadërin, për katër monumentet që iu kushtuan Enver Hoxhës. Po në këtë periudhë skulptori pëson një paralizë, e cila e dëmton në tru, trup dhe e tërheq pothuajse tërësisht nga krijimtaria në skulpturë.
Për krijimtarinë e tij të gjerë gjatë periudhës krijuese 1950-1990 është nderuar me dy tituj "Skulptor i merituar" dhe "Skulptor i popullit". Gjithashtu ai është nderuar me disa urdhra, dekorata, dhe ka fituar disa çmime gjatë kësaj periudhe.
Ai është nderuar për punimet "Heronjtë e vigut", "Enver Hoxha", Monumenti i Pavarësisë, në Vlorë e tjerë.
Gjatë periudhës së transformimeve politike të filluar nga viti 1990, të cilat përfshinë dhe artet figurative, nuk do të ishin plotësisht efikase për skulptorin Hadëri, që edhe ai të arrinte të paraqiste tërësinë e zhvillimeve aktive në krijimtarinë e tij.
Megjithëse sëmurë ai realizon punime të përmasave të vogla, të cilat i plotësojnë atij dëshirën dhe nxitjen e intuitave të trajtimit të volumeve, por ai e ka më të lehtë të shprehet në artin e pikturës duke realizuar piktura të përmasave të vogla.
Në një studim rreth veprës së skulptorit Hadëri, Sinan Bulluçi nga Delvina do ta cilësonte krijimtarinë e tij të dalluar prej "...dy prirjeve kryesore në trajtimin e volumeve skulpturore pothuajse luftarak që derdhen në një plastikë ekspresive. Ekspresivitetin e shohim në lëvizjen dinamike të masave dhe tingullin grafik të dritë-hijes.
Ajo Karakterizohet nga një plastikë e qetë me një interesim më të madh për botën e brendshme të personazheve...". Skulptori Shaban Hadëri ka trajtuar gjininë e grafikës dhe punimet me vaj. Në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve Tiranë, ruhen 27 punime të Hadërit.
Në një intervistë të kohëve të fundit autori shprehet për dy veprat që krijoi në Shkodër, "Heronjtë e Vigut" dhe "Isa Boletini". Hadëri në gjendje jo të mirë shëndetësore, u godit shpirtërisht tek shihte heqjen me përdhunë të "Pesë heronjve" nga qendra e Shkodrës, drejt rrethinave të saj, aty ku bëhet djegia masive e hedhurinave.
Autori për "Isa Boletinin":
"Një tjetër vepër gjigande kjo. Kjo është vendosur në Shkodër në një rrugë tjetër të këtij qyteti. Lartësia është 6 metër. Dy nga veprat e mia nga më të bukurat janë në Shkodër. Unë aty kam kaluar pjesën më të bukur të jetës.
U bëra si shkodran. Aty sikur më vinte një frymëzim i veçantë. Sikur Buna ma ledhatonte daltën dhe mendimin për vepra sa më dinjitoze. Shkodra më dha shumë në profesion. Shumë. Aty mora atë tharmin për të qenë selektiv në vetvete, për të kërkuar më shumë ndaj vetes, për të respektuar më shumë profesionin."
Për "Pesë heronjtë e Vigut":
"Në fillim e bëra të vogël, pastaj u hodh në allçi. Por duke parë se ishte një vepër e gjetur, e spikatur, ku popullit të Shkodrës i pëlqeu shumë u vendos që të bëhej 5 metër e lartë. Pra 5 heronj. Ishte një punë e madhe që zgjati disa vjet. Aty ku do të vendosej në shesh u vendos dhe studioja ime. Ajo u kthye në kantier pune. Populli i Shkodrës më vizitonte çdo ditë."
Nga : Gazeta Shekulli