Elton Çefa është balerin. Jeton në Lagjen "Ali Demi" në Tiranë, aty ka lindur. Është 30 vjeç. Një paradite vonë, pret me përtesë në takim. Nuk ka predispozitë të flasë për gazeta apo televizion. Nuk ka arsye thotë ai.
Ka shtat mesatar, i fshehur në xhins. Kjo përshtypje krijohet edhe për shkak të dritës që humbet Tirana në kohë të vrenjtur, kur dita duket aksham. Njerëzit ngjajnë të gjithë njëlloj, si ai që do të fshihet.
Është ditë me ritmin e një të papuni. Punët e bukura në të shkuarën ia kanë lënë vendin heshtjes dhe mungesës së dëshirës për të menduar për punët e të ardhmes. Është një bllokim si rrufa, bezdis dhe nuk lë të ngopesh me frymë.
Historia e Eltonit nisi pa ndonjë dëshirë në shkollën e baletit, në vitet tetëdhjetë. "Deri në klasën e shtatë jam marrë me balet, sepse isha bërë zap. Punoja i bindur si ushtari. Kur dola në skenë dhe mora duartrokitjet e para, filloi të më pëlqejë baleti."
Bëhen të pabesueshëm ndonjëherë njerëzit kur tregojnë për marrëdhëniet e fillimit fare me artin përballë dikujt që të nesërmen do ta bëjë publike historisë e tyre.
Ata e vënë veten në pozitat e fëmijës që dikur e kanë ulur me zor në një tavolinë çokollate. Kur rritet, ai është fëmija që ka mësuar ta hajë pa zor çokollatën por nuk ka mësuar të mos velet. Kjo i falet sepse fëmija është bërë një gjeni tashmë.
Eltoni nuk përdor ndonjë mënyrë sugjestionuese në bisedë. Pa vullnetin e tij dhe pa përdorur fantazi, ai ndërton skenën e asaj që ishte dikur shkolla e baletit në Tiranë. "Me atë sistem që ekzistonte, dikur na kanë përdorur edhe thuprën. Unë nuk do të punoja dot kurrë më kështu, sepse vjen një ditë që tek nxënësi yt do të shohësh veten tënde, të bukur apo të shëmtuar, do të shohësh atë gjuhë që ti ke përdorur me të. Nxënësin duhet ta fitosh.
Them se ka edhe sot e kësaj dite nga ata që përdorin metodat e dikurshme. Unë e ndjeva këtë marrëdhënie që krijohet me balerinët e rinj, kur u gjenda në Shkollën e Baletit në Kosovë. Atje u riktheva në moshën e tyre. Shkurt, nuk do t'i bëja të vuanin."
Ishte duke studiuar koreografi, 1998-2002, në Akademinë e Arteve me pedagog Gjergj Prevazin kur ky e ftoi në shfaqjet e para të Dance Theater-it në skenën e vogël të Akademisë. Produksionet e para në bashkëpunim me koreografë italianë e zviceranë çojnë në vitin 2000 në krijimin e Kompanisë "Albanian Dance Theater".
Koreografi bashkëkohore quhej fillimisht. Ndoshta termi, Dance Theatre që të çon menjëherë te Pina Bausch dhe teatri i saj i kërcimit që mori rrugë në vitet '70-'80 në Gjermani, nuk përputhet me atë që bëhet në realitet nga kjo kompani.
Në vitin 2001 shfaqja "Transition", në bashkëpunim me Kompaninë Zvicerane "Carambole" e drejtuar nga Silvano Mozzini dhe Christiane Loch, merr pjesë në disa festivale ndërkombëtare dhe në Itali, në Music Ëorld International Festival në Fivixano, fitoi çmimin "Delfino D'Argento".
Në bashkëpunim me të njëjtën kompani, Prevazi realizon "Contrast" e cila prezantohet në disa vende si Egjipt, Bosnjë-Hercegovinë dhe në Festivalin Ndërkombëtar Veror të Ohrit. Në atë kohë kompania punon me histori kolektive, me tema të njohura për të gjithë dhe aktuale për realitetin shqiptar në tranzicion.
Sot "Albanian Dance Theater" ka arritur në një fazë që punon me vepra letrare, me autorë, tekste e karaktere që mendohen si privilegje të letërsisë ose të teatrit vetëm. Për shembull, "Njeriu në këllëf" është një prodhim për dance theater, i bazuar në një tregim të Çehovit. Është shfaqur premierë në Ohrid Summer International Festival në 2008.
"Lukja" po ashtu, bazuar në tregimin e Migjenit, "Historia e njenës nga ato", prezantuar në Festivalin Ndërkombëtar të Baletit Modern që mbahet çdo vit në Durrës apo "Këpucët me zile" premierë e 2008-ës, "bazuar në format dhe teknikat më bashkëkohore të dancit".
Që nga themelimi e në vazhdimësi, kërcimtarë të trupës janë Fatjon Sulstarova dhe Elton Çefa, të dy solistë, dhe një grup të rinjsh.
Prevazi dhe Eltoni, tani si pedagog dhe asistent koreograf, u zhvendosën në Prishtinë për tre vjet, 2003-2007, pranë Shkollës së Baletit dhe pranë Trupës së Baletit të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Aty vunë në skenë "Transition 2", "S'po degjohet gongu", "Performance", "Lukja", "Këpucët me zile".
Kur fillon e bëhet artisti?
"Kur fillon e ndjen dhe respektin ndaj punës tënde. E kam provuar në shfaqjet e para me trupën e Kosovës, sepse aty e ndjeja veten përgjegjës. Në stilet bashkëkohore është me rëndësi të kuptosh mundësitë e trupit tënd. Nuk ka rregulla. Është, le të themi, si puna e librit. Sa më shumë lexon, aq më shumë hapet bota, fantazia, jo si një fëmijë që nuk lexon... si puna ime."
Eltoni shkrihet në gaz. E di se fantazia, në rastin e tij, nuk është krijuar nga dija, kultura, e cila mund t'i kthehet edhe kundër një njeriu që merret me arte, kundër, si një makinë kontrolli.
Ka kuptuar se trupi fillon e vepron jashtë mundësive që mendon dhe se abstraktja e mundësive është përtej lëvizjeve. Ai është në gjendje të krijojë një figurë në skenë edhe pa u shprehur me lëvizje.
Vjeshtën e shkuar, në Festivalin e Parë Ndërkombëtar "Skampa Dance Competition", në Elbasan, Eltoni u vlerësua bashkë me mësuesin e tij, Gjergj Prevazi me çmim të parë. Ai si balerini më i mirë, Prevazi për koreografinë.
Në "Scampa" u prezantuan me kompaninë "Albania Dance Theater", e cila në ditë të vështira prodhoi shfaqjen "Parfumi" bazuar në romanin me të njëjtin titull të Patrick Süskind. Eltoni ishte solist, personazhi që kërkon erën më të mirë të trupit të femrës. "Pas atij roli e kisha shumë të vështirë të bëja rol tjetër."
Para se të vinte tek ky sukses, publiku i teatrit e ka parë balerinin në një rol komik në një komedi të absurdit, "Forca e zakonit" e Thomas Bernhard. Për herë të parë një balerin që merret me teatrin e kërcimit, po luante në një teatër të vërtetë. Në rolin e klounit ai ishte një nga figurat e ndërtuar dhe e realizuar me liri të plotë. "Çfarë kam bërë, tani pyes veten.
Në përgjithësi kam bërë role dramatike. Interpretimi në veprën e Bernhardit ishte për mua një leksion se nuk e njohim veten tamam. Këto janë prova të jetës. Nuk besoja se do ta bëja këtë rol.
E kisha me frikë. Atmosfera në teatër ishte komplet ndryshe, me aktorë shumë të mirë. Mendova njëherë, si kanë pranuar këta të dalin me ne. Dance theatre-i ka një prirje nga teatri.
Balerinët luajnë personazhe. Ne nuk punojmë me muzikë. Edhe në ato raste që përdoret është muzikë kontemporane dhe rrallë klasike. Ajo u përshtatet zgjedhjeve tona që vijnë kryesisht nga librat. Unë e kuptova këtë kur nisa të punoj me Forca e zakonit."
Pyetjen a ekziston dance theatre-i në Shqipëri, Eltoni e zëvendëson me një tjetër: "A njihemi vallë në Shqipëri si kompani e dance theatre-it? Ndoshta të tjerët s'kanë pasur mundësi të na shikojnë.
Festivali i Koreografisë në Elbasan mblodhi për herë të parë gjithë koreografët për të parë punët e njëri-tjetrit. Ishin tri breza që nga Agron Alija, tek balerinët e rinj. Është një stil i ri që nuk praktikohet në skena të mëdha, nuk njihet dhe është vështirë të pranohet nga të tjerët. Nuk ka shumë publik.
Pastaj, jemi të shtrënguar fort pas traditës klasike. Ajo që bën më shumë përshtypje dhe ta heq shpresën është që as artistët e TOB-it apo studentë të arteve, nuk shkojnë të shohin shfaqje. Unë jam me parimin që çdo gjë që bëhet dhe gjithkush që ka investuar, duhet respektuar."
Kompania e Eltonit është një kompani pa buxhet dhe pa përkrahje nga institucionet shtetërore, prandaj shfaqjet janë të rralla dhe kryesisht produksione që vijnë nga workshop-e me artistë të huaj.
Liria që krijon trupi i tij balerin nuk i përgjigjet lirisë së kushteve të jashtme. Eltoni nuk është i vetmi që ka këto lloj problemesh me lirinë. Por ky nuk është ngushëllim. Ai ka si parim në punën e tij qetësinë. Nuk mund të punojë në një vend ku s'ka qetësi, ku improvizohet, ku kjo mënyrë jetese është bërë e detyrueshme.
Si ai detyrimi që ka provuar Eltoni kur ishte fëmijë, vuajtje e quante ai, sepse ishte kundër dëshirës së tij. Gjithë puna është mos të të detyrojnë për ta fituar edhe një ditë tjetër luftën.
Elsa demo : Gazeta Shekulli