Suela DemiriIsh-spikerja e Top Channel Pse braktisa lajmet per spektaklin

Suela Demiri:Ish-spikerja e Top Channel: Pse braktisa lajmet për spektaklin
Puna që në moshën 11 vjeç, dashuria për njerëzit, televizioni dhe diplomimi për regjisurë

Sapo ulemi, ajo porosit çaj. Ishte ngjirur dhe zëri tingëllon vrazhdë, por kjo nuk të bie në sy për shkak të ëmbëlsisë që ajo mbart. E ka shumë merak dhe lutet që të shërohet shpejt, sepse e shtuna erdhi.


Është e shtuna e Suela Demirit. Ishim mësuar ta shihnim çdo mëngjes në Top Channel, duke na servirur shtypin dhe lajmet e fundit, por, tashmë, është në një pozicion krejt tjetër. Ka ndryshuar kanal, por edhe format televiziv. Demiri është prezantuesja e spektaklit "Gjeniu i Vogël" në "Klan". Gjendet tërësisht e përfshirë nga atmosfera fëmijërore që e rrethon, një botë krejtësisht e veçantë dhe për më tepër një botë inteligjente.


Suela na tregon se është shumë e kënaqur në këtë rreth pune, ku mund të qeshë, të argëtohet, por edhe të jetë vetvetja. Në këtë intervistë, ajo tregon për fillimet e saj, qysh kur ishte 11 vjeç dhe prezantonte në radion e qytetit të saj të lindjes, Korçë.


Dhe prej asaj kohe nuk i është ndarë pasionit për median dhe televizionin në veçanti, aq sa do të bënte që pas shumë vitesh edhe pse kishte vazhduar studimet e larta për anglisht, të tentonte në akademinë e arteve dhe mbaronte studimet për regjisurë.


Por, puna e saj nuk ka qenë vetëm në këtë fushë, Suela tregon se ka punuar edhe si mësuese anglishteje në Korçë deri sa mbërriti momenti kur asaj i erdhi një ofertë për të qenë spikere televizive. Tashmë, është mami i një vajzë 9-vjeçare, të cilën në më të shumtën e rasteve është edhe shoqëruesja e saj në punë.


Suela, si ndihesh në mes të fëmijëve "Gjeni"?


Ndihem shumë e kënaqur dhe e plotësuar. Tani mund të them se jam vetvetja në ekran.


Pse vendose të ikësh nga Top Çhannel, ku prej katër vitesh keni qenë spikere e lajmeve të mëngjesit?


Kishte ardhur koha për të ndryshuar, për të kërkuar më shumë nga vetja. Puna atje ra në rutinë, kurse unë jam tipi që kërkon ritëm dhe intensitet.


U mendove dy herë, pate frikë mos hidhje hapin e gabuar?


Sigurisht që u mendova, pasi ndryshimet nuk janë asnjëherë të lehta. Ato duhen menduar me kujdes dhe në mënyrë analitike.


Nga një studio e ngurtë, ku duhet të ishe brenda kornizave të lajmit, në një studio të madhe, kur buzëqeshja dhe lirshmëria bien më shumë në sy, si ndihesh?


Më në fund, mund të jem vetja ime, mund të buzëqesh, mund të them batutat e mia dhe të tregoj lumturinë që kam brenda.


Është hera e parë që Suela gjendet në këtë lloj prezantimi apo e kishe bërë edhe më parë?


Sigurisht që e kam bërë dhe shumë herë të tjera, por në prezantime më private dhe jo televizive.


Imazhi jot ishte krejtësisht i transformuar, sa shumë telespektator edhe mund të mos e kenë bërë lidhjen se cila je, pse kaq vonë për të dalë në "dritë"?


Nuk me ishte dhënë rasti. Por, tani mendoj se ishte koha e duhur dhe vendi gjithashtu i duhur. Studioja e lajmeve dashur pa dashur të rrit para kohe. Por, edhe mënyra e të veshurit ndikon. Ndërsa spektakli ta lejon lirshmërinë.


Kur ta propozuan këtë ide, që do ishte ti prezantuesja e "Gjeniut të Vogël", cila ishte gjëja që të pëlqeu dhe ajo që nuk të pëlqeu?


Më pëlqyen të gjitha, por më tepër fakti që do të punoja me Bledi dhe Pandi Laçon. I njoh të dy për njerëz shumë seriozë në punën e tyre dhe shumë profesioniste. Korrektësia e tyre në marrëdhënie të tilla pune të bëjnë të ndihesh mjaft mirë dhe e qetë.


Çfarë ka ndryshuar në jetën e Suelës tani që ka ndërruar punë?


Më duan më shumë njerëz.


Suela ka mbaruar gazetari, apo futja në këtë profesion ka qenë rastësore. Na tregoni pak për fillimet tuaja?


Diploma ime e parë është për anglisht, të cilën e kam përfunduar në qytetin e Korçës. Puna në media ka qenë rastësore, sepse më morën të punoj në Radio kur isha vetëm 10 vjeç.


Por, që atëherë kam punuar shumë, madje, duke refuzuar edhe pushimet e verës me familjen, dhe me prindërit, vetëm e vetëm që të mos mungoja në programet e mia në Radio dhe më pas në Televizion. Ndërsa vitin e kaluar jam diplomuar për regjisurë.


Po në Top... si u gjende për herë të parë?


Para 6 vjetësh më propozuan të punoja në televizionin "Alsat", më pas, pas një viti unë fitova një bursë 1-vjeçare për gazetari televizive në Amerikë. U shkëputa dhe kur u ktheva fillova punë në TV Koha atëherë. Por, ata të Top-it më ftuan, pasi mesa duket kishin nevojë për një spikere mëngjesi. Dhe kështu bëra, për katër vjet isha spikere e mëngjesit në Top Channel.


Thatë që anglishtja ishte diploma juaj e parë, më pas pse zgjidhët të vazhdonit regjisurë?


Anglishtja ishte një zgjidhje e momentit, pasi prindërit e mi nuk dëshironin që unë të shkoja në Tiranë për të vazhduar studimet. Ndaj qëndrova në Korçë, ku kam lindur dhe e vazhdova fakultetin atje. Por, kur vite më vonë, në Akademinë e Arteve u çel dega e regjisurës unë e dija se kjo ishte rruga ime ndaj dhe konkurrova.


E mendoni veten pas kuintave një ditë, në pultin e transmetimit...?


Unë jam shpesh pas kuintave në këtë pult dhe dëshiroj të jem edhe me shpesh akoma. Më tërheq shumë dhe mendoj në të ardhmen të punoj për të qenë në atë pult.


Na tregoni pak për familjen tuaj, jeni një mami e mirë?


Shpresoj se jam. Kam një vajzë 9 vjeç që e adhuroj. Një ditë kur vajza ime të rritet do ta kuptoj se çfarë nëne kam qenë. Lutem shumë që të mos gaboj asnjëherë me Athiolen, megjithëse gabimet janë njerëzore.


Po bashkëshorti juaj, është në të njëjtin profesion me ju apo...?


Jo, profesionet i kemi të kundërta, por ai është një kritik i mjaft i zoti që gjithmonë di se çfarë këshille të më japë në punën time. Unë vetë nuk di të jem e tillë më të, pasi nuk di asgjë nga telekomunikacioni (uups ia zbulova profesionin)...


Çfarë ju tha ai pas mbarimit të natës së parë të spektaklit?


Urime, ishe shumë e zonja.


Po vajza, çfarë tha?


Ajo ngeli duke iu thënë të gjithëve se unë isha mami i saj.


Ai është një spektakël që quhet "Gjeniu i Vogël", ju që qëndroni me ta dhe i shihni, sa të talentuar janë ata fëmijë?


Jashtëzakonisht të talentuar, inteligjentë, me karakter dhe kanë që tani një personalitet të tyrin.


Na tregoni pak, cila është situata më e papritur që kanë krijuar fëmijët e Gjeniut gjatë kësaj kohe...?


Kur Megi qau nga emocionet dhe harroi tekstin në skenë. Ishte një moment kur dhe unë i mbusha sytë me lot dhe më erdhi keq që ajo nuk mund të vazhdojë.


Po vetë Suela, si e mban mend veten të vogël, të kujton ndonjëra nga ato vajza veten tënde?


Vajza ime me kujton veten. Më ngjan shumë edhe në pamje.


Jeni një amvisë e mirë, dini të gatuani?


Gatuaj mirë, por kur kam kohë.


Cila është ajo gjë që bëni më mirë në gatim?


Rizoto, kaneloni, çomlek me lepur, bamjet, fasulet, pule me konjak, gatime shtëpie me një fjalë...


Cila është puna juaj e parë që keni bërë, me anë të së cilës keni fituar lekë?


Kam filluar të punoj që fëmijë dhe kam fituar lekët e mia që 11 vjeçe, duke punuar në emisionet në radio dhe që atëherë gjithmonë kam pasur rrogën time, sado modeste.


Në qoftë se nuk do të ishit këtu ku jeni, çfarë mendon se do kishe bërë tjetër në jetë?


Diplomate, Marrëdhënie me Publikun, Negociatore. Në përgjithësi di të komunikoj me njerëzit dhe të gjej një zgjidhje ku të mbeten të gjithë të kënaqur.



Mendon se do të marrë malli për "Lajmet"?


Jooo, mbase pas një viti. Tani më merr malli për të shtunat.


Nga mëngjesi, në darkë!


Vetëm pak muaj më parë, ora 5 e mëngjesit e gjente zgjuar. Më ishte bërë psikologjike, thotë Suela, pasi njeriu mësohet dhe përshtatet. Puna e kërkonte në orën 6. Për katër vjet më radhë ajo nuk ka reshtur asnjëherë së bëri këtë gjë. Ishte pjesë e ekranit në orët e para të ditës. Kishte krijuar audiencën e saj aq sa ishte e vështirë për ta zhvendosur në një orar tjetër.


Por, erdhi momenti që të bënte një ndryshim. Një propozim i ardhur nga një televizion tjetër për të prezantuar një emision fëmijësh ia lëkundi mendimet Suelës dhe mes shumë dyshimesh bëri që të lërë "Top Channel" për "Klan". Kur e pyet, nëse ka bërë zgjedhjen e duhur, ajo përgjigjët me plot gojë që po, është kjo që doja.


Nga xhaketa ta fustani!


Xhaketa e errët dhe imazhi bust që shfaqej në ekran të tregonin një Suelë krejt tjetër nga çfarë ajo ishte në të vërtetë. Lajmet kërkojnë seriozitet, ku ti duhet të thuash vetëm atë çka lexon dhe nuk mund të shprehësh asgjë nga vetja jote. Për Demirin, kjo, tashmë, ishte kthyer në rutinë.


Dalja e saj e parë ndryshe, në mbrëmjen e vitit të ri bëri që shumë persona që e panë nëpërmjet ekranit të mos bënin dot lidhjen e emrit me pamjen. Fustani elegant, flokët e krehura për një mbrëmje gala dhe grimi treguan një Suel tjetër. Ajo u shfaq ndryshe dhe doli në "dritë"...

Entela Resuli : Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama