|
|
Manastiri i Ardenicës, tetë
shekujte metamorfozës
Nga Ilirjan GJIKA
Vetëm 10 m në veri të qytetit të Fierit, buzë
rrugës nacionale që lidh qytetin e Fierit me atë të
Lushnjes ngrihet Manastiri i Ardenicës me një pozitë dominuese
në kodrat me të njëjtin emër në lartësinë
237 m mbi nivelin e detit. Manastiri mesjetar mban emrin e Marisë
Hyjlindisë, ashtu si shumica e kishave të trevës së
Myzeqesë, në të cilën ajo njihet si mbrojtëse
e veprimtarisë kryesore ekonomike bujqësore.
Manastiri, edhe pse në pamje të parë të lë përshtypjen
e një objekti kulti të zakonshëm fsheh në brendësi
të tij vlera mjaft të mëdha. Sa më shumë të
futesh në labirinthet e historisë së tij aq më shumë
dalin në dritë vlerat e tij, të cilat do t'i rendisim një
e nga një në këtë shkrim.
Historia
Mendohet se themelet e këtij manastiri janë hedhur në vitin
1282 me nismën e perandorit Andronik II Paleolog të Bizantit,
i cili e ngriti këtë tempull pas fitores mbi anzhuinët
në Berat. Shtysë për këtë veprim do të jetë
bërë ndodhja në atë vend e kapelës së Shën
Triadhës, e ngritur aty shekuj më parë. Ekziston hipoteza
se kapela mund të jetë ndërtuar në themelet gërmadhë
të një tempulli pagan, i cili ka qenë ndërtuar për
nder të hyjneshës Artemisa nga ka rrjedhur dhe emri i sotëm
Ardenica. Fare pranë këtij tempulli, në rrethinat e të
cilit sot ndodhet manastiri, kalonte dega jugore e rrugës antike
Egnatia, pikërisht 1 km në perëndim të tij. Për
rreth manastirit shikohen, aty-këtu, ndërtime të vjetra,
të cilat të krijojnë mendimin se rreth tij ka patur ndoshta
një qendër të banuar. Sipas defterit osman të vitit
1431-'32, në nahijen e Myzeqesë, ndodhej fshati Ardenicë
me tetë shtëpi, i cili mund të jetë shtrirë për
rreth manastirit. Dëshmi tjetër, për rëndësinë
e këtij manastiri është dhe fakti që po zë një
vend gjithnjë e më të rëndësishëm në
historinë e Shqipërisë, se në altarin e Kishës
së manastirti të Ardenicës, është bërë
edhe kurorëzimi i martesës së heroit tonë kombëtar,
Gjergj Kastrioti me Andronika (Donika) Arianititn. Ceremoniali u bë
në mesditën e 21 prillit 1451 nga peshkopi i Kaninës Feliks,
në prani të princave shqiptarë dhe ambasadorëve të
Napolit, Venedikut, Raguzës. Këtë fakt e përmend për
herë të parë në vitin 1940, italiani A. Lorenconi.
Arkitektura
Manastiri
është i tipit bizantino-ortodoks. Ai, së bashku me konaket
që i janë shtuar më vonë, zë një sipërfaqe
prej 2.500 m2. Ky monument përbëhet nga kisha e Shën Mërisë,
kapela e Shën Triadhës, konaket, mulliri vajit, furra, stalla,
etj.. Në qendër të tij ndodhet kisha "Lindja e Shën
Mërisë", e cila është ndërtuar pjesërisht
me gurë të sjellë nga Apollonia dhe gurë shtufi. Kisha
është e tipit Bazilikal. Ajo zë një vëllim të
madh dhe është e mbuluar nga një çati druri me tavan
të rrafshët. Mjediset që përbëjnë këtë
kishë janë: naosi, narteksi, egzonarteksi dykatësh, ku
në fund u bashkangjitet këmbanorja e lartë 24 m. Në
anën jugore ndodhet portiku i hapur i ndërtuar me kolona dhe
harqe. Naosi përbëhehet nga tre pjesë, të cilat ndahen
në dy rreshta kolonash prej druri. Naosi ndahet nga altari me anë
të ikonostasit. Dyshemeja e kishës është shtruar me
pllaka guri, e cila përfshin edhe ambientet e narteksit dhe egzonarteksit.
Në vitin 1743 me nismën e peshkopit të Beratit, Metodit,
i cili ishte me origjinë nga Bubullima (Myzeqe), u bënë
në këtë manastir punime rregulluese përfshirë
edhe kishën e Shën Mërisë. Kapela e Shën Triadhës
shtrihet në pjesën verilindore të manastirit dhe ka përmasa
7.50 x 3.70m.
Hyrja e saj është në anën perëndimore dhe është
e pajisur me dy dritare të vogla në faqen jugore. Kjo kapelë
është ndërtuar me gurë shtufi dhe është
e pajisur me një hapësirë, muri gjysmërrethor i së
cilës e ndan atë nga një sternë uji. Porta e kapeles
është mbuluar me harkë guri, pranë dritares lindore
të saj ndodhet edhe një reliev qeramike.
Ikonografia
Kisha e Shën Mërisë është zbukuruar me afreske
të mrekullueshme nga krijimtaria e piktorëve Kostandin dhe Athanas
Zografi. Këta piktorë korçarë punuan për zbukurimin
e këtij tempulli në vitin 1744. Veprimtaria artistike e ateliesë
së piktorëve Zografi është shpalosur në bazilikat
e Voskopojës, Vithkuq, në Myzeqe dhe në malin Athos në
Greqi, ku shkuan disa herë dhe shfaqën talentin e tyre të
fuqishëm, nëpër kishat dhe manastiret e atjeshme.
Piktura e Zografëve cilësohet nga specialistët si vazhdim
i traditës më të mirë të pikturës kishtare
në vendin tonë. Tematika pasqyron ngjarje nga Dhjata e Vjetër
dhe Dhjata e Re, dogmatika, liturgjia, jeta e shenjtorëve, etj..
Disa nga skenat janë "Festat e Virgjëreshës",
skenat nga "Jeta dhe vuajtjet e Krishtit", "Fjetja e Shën
Mërisë", "Zbutja e shpirtit të shenjtë tek
apostujt", etj..
Në brezin e fundit, ndërmjet figurave të shenjtorëve
është pikturuar muzikologu i shquar bizantin nga Durrësi
Johan Kukuzeli. Në narteks, në të gjithë faqen lindore
paraqitet skena e madhe që titullohet "Gjyqi i Fundit".
Krahas afreskeve një vend të rëndësishëm në
dekoracionin artistik zë edhe ikonostasi i gdhendur në dru,
i polikromuar me ar, i cili mban dy radhë ikonash të mëdha
dhe të vogla. Zbukurimi i ikonostasit me ikona është realizuar
në vitin 1744, ku kanë ndihmuar edhe esnafët e bakërxhinjve
dhe muratorëve vozkopojarë, ç'ka tregon lidhjen e tyre
shpirtërore me këtë trevë. Ikonat janë vepër
e piktorit më të mirë miniaturist të shekullit të
tetëmbëdhjetë, Kostandin Shpataraku. Disa nga ikonat janë:
"Lindja e Shën Mërisë", "Krishti në
Fron", "Shën Mëria me Krishtin", "Johan
pagëzori", "Mbledhja e kryeengjëjve", "Kryqëzimi",
etj.. Interesant është fakti se si në ikonën e Shën
Gjon Vladimirit, në një nga ndarjet e cilklit të saj është
pikturuar princi shqiptar i shekullit të katërmbëdhjetë,
Karl Topia, me kurorë mbretërore në kokë dhe skeptër
në dorë, që piktori e quan mbret të Shqipërisë.
Klerikët
Këtij manastiri nuk i kanë munguar asnjëherë klerikët
e përkushtuar. Për t'u përmendur janë shumë prej
tyre po ne po prekim vetëm dy. Njëri prej tyre, Igumeni, Nektar
Terpo me origjinë nga Voskopja, shkroi në vitin 1731 një
lutje të shkurtër në formë afresku. Lutja është
shkruar në katër gjuhë: latinisht, greqisht, arumanisht
dhe shqip. Është i rëndësishëm fakti se ky tekst
përmban shkrimin e parë të shqipes të shkruar në
shkollë nga grekët, teksti shqip i shkruar në alfabetin
grek është i tillë: "Vigjin dhe mame e Perendis uro
pren fajt orete" në fund të tij ndodhet nënshkrimi
i autorit, Hieromonah - murgu, Nektarit. Ky murg ka shkruar edhe librin
me përmbajtje fetare "Besimi" (Pistis), i cili u botua
në Venedik në vitin 1773.
I dyti klerik që përmendet në historinë e kishës
Ortodokese, është prifti Marko, i cili është ai që
gjeti kufomën e shenjtit Kozma të hedhur në lumë nga
suvarinjtë turq. Ja ç'thuhet në "Martirdogun"
Shën Kozma Etollosit të përshkruar nga Shën Nikodhimi:
Pas tri ditësh një prift i pëkushtuar i quajtur Marko që
shëbente në manastirin e Ardenicës, pranë fshatit
të Kolkondasë hipi në një trung bëri kryqin dhe
shkoi të kërkonte. Gjatë ecejakeve të tij me barkë
përgjatë lumit Seman ai gjeti trupin e të shenjtit, i cili
qëndronte mbi ujë sikur të ishte i gjallë. Pasi e
nxori nga lumi ai e veshi kufomën me rrasën e vet dhe e varrosi
atë në kishën e Shën Mërisë së Kolkondasit,
ku vite më vonë Ali Pashë Tepelena do të ngrejë
manastirin e Shën Kozmait, si qendër të rëndësishme
të kristianizmit në Myzeqe. Në fund të viteve 60 të
shekullit të XX, në këtë manastir kaloi vitet e fundit
të jetës edhe krypeshkopi i kishës Ortodokse Autoqefale
të Shqipërisë, Imzot Irene Banushi, një nga figurat
më të shquara të klerit ortodoks.
Qendër arsimi dhe kulture
Manastiri i Ardenicës ka qenë mjaft i përmendur për
pasurinë e bibliotekës së tij. Deri nga Greqia vinin në
Ardenicë murgj dhe priftërinj për të studiuar në
këtë bibliotekë. Kjo u pasurua me një fond të
madh librash gjatë shekujve XVII - XVIII, sidomos nga ndihmat e shoqërisë
voskopojase "Shoqata e Manastirit të Ardenicës", e
cila i sillte librat jo vetëm nga Europa Perëndimore, por edhe
nga Hungaria e Polonia. Kjo bibliotekë, që ishte një thesar
i çmuar kulturor me 32.000 vëllime, u dogj nga zjarri në
vitin 1932; ndoshta Zoti vendosi të vepronte kështu?! Qysh prej
vitit 1780, në Manastirin e Ardenicës u hap edhe një shkollë
e tipit të ulët në gjuhën greke. Qëllimi i saj
ishte përgatitja e klerikëve të thjeshtë, për
nevojat e kishës ortodokse. Lëndët bazë ishin Bibla,
Liturgjia dhe greqishtja. Gjatë rilindjes kombëtare shkolla
e Manastirit të Ardenicës do të bëhet një nga
vatrat e mësimit të gjuhës shqipe, nga ku do të dalin
një brez i tërë shkollash. Në vitin 1817, shkolla
e ulët në manastirin e Ardenicës u shndërrua në
gjimnaz, i cili ishte pajisur edhe me konvikt, shkak ishin lëndët
bazë të kësaj shkolle. Nga bankat e saj dolën edhe
priftërinj që u ngritën në karrierë, si për
shembull: Peshkopi i Beratit, Josifi.
Mbishkrimet
Në dokumentet historike, manastiri "Lindja e Shën Mërisë"
së Ardenicës, përmendet për herë të parë
në vitin 1715, ndërsa vetë ky objekt kulti na ofron disa
mbishkrime, të cilat janë të gjithë në gjuhën
greke. Më i vjetri në kohë, është ai i datës
1 maj 1477. Ky mbishkrim gjindet mbi hyrjen qëndrore të Manastirit.
Një mbishkrim tjetër nodhet në brendësi të Naosit
mbi portën kryesore të tij dhe na jep datën 1743 - '44
që është edhe periudha e pikturimit të kishës
së Shën Mërisë nga vëllezërit piktorë
Kostandin dhe Athanas Zografi. Në manastir ndodhen edhe dy pllaka
me data të ndryshme që i përkasin shekullit XVII. Njëra
pllakë, me datën 1754 ndodhet në pjesën perëndimore
të hajatit të kishës, ndërsa tjetra që mbart
datën 1770 ndodhet në një nga harqet e furrës. Datimet
ndodheshin edhe në kambanat që përdorte manastiri.
Vend turistik
Kodrat e Ardenicës ndodhen në jug të fushës së
Myzeqesë së madhe me një pozitë dominuese që
shihet nga të gjitha anët me një lartësi 237m mbi
nivelin e detit. Kjo pozitë si ballkon, ku nga këmbanorja e
tij shihen Kruja, mali i Dajtit, Tomorri, deti Adriatik, laguna e Kravastasë
e deri në jug malet e Labërisë, e bëjnë Ardenicën
një vend të vizituar nga turizmi shplodhës dhe argëtues,
vlerat e të cilit ia shton edhe pylli halor dhe ullishtat që
ndodhen në bregoret për rreth manastirit. Gjithashtu vlerat
që zotëron ky tempull, për të cilat folëm më
sipër, e bëjnë atë një nga qendrat më tërheqëse
të turizmit studimor. Në këtë drejtim ndikon dhe fakti
që pellgu i Myzeqesë, në sajë të pozitës
kyçe dhe të privilegjuar ka patur gjithmonë një
nivel të lartë zhvillimi ekonomiko-kulturor. Dëshmi për
këtë janë një sërë manastiresh të mesjetës
së hershme si forma refleksesh të këtij zhvillimi. I tillë
ka qenë dhe mbetet edhe manastiri "Lindja e Shën Mërisë"
së Ardenicës.
(marre nga Gazeta Ballkan)
|
|
|