|
|
Qyteti antik i Butrintit,
një udhëtim në historinë e lashtë
Askush nuk mund ti shpëtojë magjepsjes nga bukuria
dhe qetësia e këtij vendi, ku rrethimet natyrore
plotësojnë aq bukur rrënojat antike.
Butrinti, ose me emrin e lashtë Buthrotum, shtrihet në jugperëndim
të Shqipërisë, 20 km në jug të portit modern
të Sarandës. Pozicioni i tij është spektakolar: Qyteti
i lashtë okupon pjesën kryesore të kodrës që
lagej nga kanali Vivari, një rrugë e ngushtë ujore që
sot lidh Korfuzin, 4 km në perëndim të Butrintit, me liqenin
e brendshëm me ujë të kripur. Rrëzë një
pllaje në jug të kanalit shtrihet një tokë djerrë
e tharë nga ujërat që ndan Butrintin nga një sërë
malesh, të cilat shtrihen përgjatë kufirit jugor shqiptaro-grek.
Riviera është pa dyshim një nga zonat më të
bukura dhe më të paprekura të të gjithë Shqipërisë.
Brigjet e Adriatikut dhe Jonit kanë një bukuri shokuese. Palmat
dhe pemët me ullinj dominojnë peisazhin duke i dhuruar një
bukuri karakteristike mesdhetare. Panorama e detit, varieteti i florës,
i favorizuar nga klima e butë, e bën Sarandën një
qendër të preferuar për pushime dhe rikrijim dhe një
qytet të rëndësishëm turistik. Turistët nga Korfuzi
zbarkojnë këtu me tragete. Ka një linjë të përditshme
autobuzash nga Saranda në Butrinit. Në vitin 2000 Butrinti priti
mëse 30 mijë vizitorë të huaj. Qyteti antik, është
padyshim një nga bukuritë më me vlerë të rivierës
shqiptare dhe një nga destinacionet më të rrahura, jo vetëm
nga turistë të huaj, por edhe nga vetë shqiptarët.
Historia, gërshetohet këtu me artin antik dhe rrethohet nga
një bukuri e mahnitshme mesdhetare, duke zënë një
vend të rëndësishëm në kujtimet e atyre që
e kanë shijuar nga afër dhe në ëndrrat e atyre që
kanë dëgjuar të flitet për të.
Si u krijua dhe si mbijetoi Butrinti në shekuj?
Butrinti
mendohet ti ketë fillimet e tij në shekullin e 8 para
Krishtit, me vendosjen aty të tregtarëve të Korfuzit. Ky
është qyteti që lidhet më shumë me legjendën
e Eneas. Në shekullin e 4-ët, Butrinti ishte një port kaoanian
, ndoshta në qendër të një prej fiseve helenase të
Epirit. Romakët e përdorën portin si një bazë
për fushatën e tyre ushtarake në Ballkan në shekullin
e 2-të. Në shekullin që pasoi, ai u bë koloni e ushtarëve
të vjetër të Jul Çezarit. Më vonë përsëri
në sundimin romak, qyteti kishte kishën e tij dhe kjo në
një vend të dukshëm.
Por në vitin 551 u sulmua nga barbarët. Historia që pasoi
deri në shekullin e 10-të, ashtu si ndodhi me shumë porte
mesdhetare, mbetet mister. Më vonë u bë një port i
rëndësishëm për lidhjen e Venecias me Bizantin. Për
shumë kohë edhe në Mesjetë, ishte në duart e
venecianëve, të cilët mbronin kufirin lindor të kanalit
të Korfuzit. Vetëm në shekullin e 18-të ata e braktisën
Butrintin, pasi humbën me turqit. Në vitet 1850, kur Edward
Lear kaloi në këtë rrugë, ajo ishte e shkretë.
Ugolini, italiani që vdiq duke gërmuar në Butrint
Butrinti u injorua deri në vitin 1920, kur misioni italian me në
krye Luixhi Ugolinin mbërriti në Shqipëri. Në vitin
1924 Ugolini zgjodhi majën e kodrës ilire, Foinik, 20 milje
në veri të Butrintit, për fushatën e tij të parë.
Por kjo ishte më pak premtuese nga çe priste Ugolini,
kështu në vitin 1928, me shpresën e zbulimit arkeologjik
të kohës së Eneas, e cila lidhej direkt me qëllimet
propagandistike të Romës, ai filloi punën në Butrint.
Në atë kohë Butrinti ishte një kodër në
një peizazh shkretëtire. Brenda tre muajve Ugolini kishte zbuluar
zgjatime të mëdha të mureve të poligoneve grekë
rreth qytetit si dhe porta të mëdha dhe tepër fine.
Gërmimi më i madh megjithatë ishte në faqen lindore
të kodrës, ku ai zbuloi teatrin. Teatri i shekullit të
IV, me ndenjëset e spektatorëve të ruajtura mirë dhe
me skenën, përbënin një sensacion sidomos kur u pasuan
nga zbulimi i statujave, zotave të Butrintit dhe nga një kokë
e Apollos.
Duke punuar me ritme të shpejta, Ugolini gërmoi dhe nxorri në
pah Tempullin e Asclepulus-it pas teatrit, një bllok banjash romake
përballë tij, pjesë e një pallati të hershëm
bizantin; përbri kanalit Vivari një vend pagëzimi i ruajtur
mirë dhe kjo e bizantit të hershëm, e cila kishte një
dysheme mozaik të shekullit të V dhe shumë monumente të
tjera. Ugolini punoi me pasion deri sa vdiq në vitin 1936 nga malarja.
Të tjera fushata gërmimesh pasuan
Fushatat e reja dhe gërmimet e mbështetura nga Instituti Shqiptar
i Arkeologjisë, kanë synuar ta zhvillojnë Butrintin në
dy aspekte. Në fillim, meqënëse shumica e gërmimeve
dhe studimeve të mëparshme arkeologjike ishin përqendruar
në nivelet e lashtësisë, Butrinti bizantin mbetet i panjohur.
Qëllimi kryesor i fushatës ishte të bëhej harta topografike
e historisë, të vendoseshin fazat e shekullit VI-të dhe
X-të Viti i Krishtit; të ekzaminohej se si ky port i rëndësishëm
ka luajtur rol kryesor, pas rënies së sistemit mesdhetar tregtar.
Qëllimi i dytë i fushatës së kërkimeve në
Butrint ishte të promovohej kjo anë e dallueshme që të
mund të tërheqë sa më shumë turistë, e cila
në këmbim ta kthejë në burim të ardhurash për
rajonin.
Nëpërmjet një menaxhimi të kujdesshëm të
pasurisë, punon Fondacioni Butrinti, themeluar nga Lord Rothschild
dhe Lord Sainsbury në 1993, i cili ka për qëllim gjithashtu
të ndihmojë në mbrojtjen e kësaj zone dhe të
rajonit përreth. Gërmimet dhe studimet në vitin 1994-95
janë kufizuar vetëm në përcaktimin e qëllimeve.
Këto studime të reja treguan nëpërmjet historisë
se porti i Butrintit dominohej nga kushtet e tij të mjedisit. Me
sa duket, vonë në periudhën e Bronzit dhe në fillim
të periudhës greke, kur maja e kodrës, akropoli, ishte
qendra e banimit, Butrinti ishte një qytet bregdetar. Deti do të
zgjerohej duke hyrë edhe brenda zonës tokësore në
formën e Liqenit të Butrintit. Atë kohë dukej sikur
porti tregtar i Butrintit shtrihej në gjirin që ndodhej në
anën veriore të kodrës. Duke ardhur në rrugë
tokësore, vizitorët do të mbërrinin në Butrinit
nga një rrip i ngushtë i gadishullit. Por që nga koha e
romakëve, shumë nga pjesa e ultësirës që tani
ndan Butrintin nga kanali i Korfuzit, është hequr nga përdorimi.
Butrinti, ekspozitë e hapur e vlerave historiko-kulturore
Qyteti i Butrintit është i madh dhe kompleks, me rrënoja
nga periudha të ndryshme. Për ata që nuk janë arkeologë
apo studentë specialistë, mënyra më e lehtë në
vizitën e tyre të parë është të vërtiten
brenda perimetrit. Të shëtisin përreth mureve dhe të
shohin me sytë e tyre se si u zhvillua qyteti dhe kështjella
si një ishull i fortifikuar dhe pastaj të procedojnë drejt
qendrës për të parë finesën e ndërtimeve
antike.
Në zonë mund të hyhet nëpërmjet një porte,
ku aplikohet një tarifë shumë e vogël. Duke marrë
në të djathtë dhe duke ndjekur rrugicat e ngushta mbërrin
në rrënojat që i përkasin banjos romane dhe një
kulle veneciane dhe pastaj një seksion tjetër muresh që
datojnë në shekullin e IV, viti i Krishtit. Pas pothuaj 400
metrave të tjerë, të shfaqen rrënojat e një qendre
të krishterë kulti dhe pastaj një pishinë në
formën e kryqit që mund të ketë qenë pjesë
e kishës mesjetare.
Në të djathtë të hyrjes sheh një pamje shumë
të këndshme të zgjerimit të kanalit që më
pas të çon tek liqeni. Më pas vazhdon një seksion
tjetër, tepër i gjatë i mureve të jashtëm, edhe
këto i përkasin antikitetit të mëvonshëm, ndërsa
një shëtitje në pyllin e dendur në veri të ishullit
është me të vërtetë tepër e këndshme.
Në të majtë, ndërsa afrohet fundi i kësaj rrugice,
shihen muret e një bazilike mesjetare afër pikës ku bashkohen
muret lidhëse të fortifikime të jashtme.
Gjuetia
Zona
e liqenit ka një varietet të pasur zogjsh. Kjo zonë ishte
e famshme për gjueti, sidomos për atë të shapkave,
dhe në këtë kontekst Butrinti është përmendur
në kujtimet e sportistëve britanikë të shekullit të
XIX-të. Gjuetarët nga Korfuzi niseshin për udhëtime
ditore dhe për gjueti në Butrint. Kjo rrugë çon
në pjesën jugperëndimore, rreth kufijve të ishullit
drejt kullës. Pas disa minutash shëtitje, do të gjeni një
portë dhe një vend të shenjtë antik, e cila më
pas u përdor si varrezë krishtere.
Poshtë ishin disa banja me ujëra termalë, që quheshin
ndryshe, banja e Ninfave. Në mure është shkruar një
legjendë greke që bënte fjalë për rëndësinë
e mirëqënies. Aty lexohet: Junia Rufina, miqtë e
ninfave. Ajo mori formën finale në shekullin I-rë
para Krishtit, kur ishte mbuluar me çati sferike dhe ishte zbukuruar
me piktura, në një prej të cilave paraqen dy pallonj dhe
një papagall. Hyrja tjetër aty afër ka një qemer të
gurtë të harkuar ku tregohet një luan duke shqyer një
ka. Madhësia dhe fuqia e ndërtimeve ilire në nivelet e
ulëta krahasohet me përshtypjen që të krijohet në
anë të tjera të Greqisë si Tiryns dhe Mycenae.
Akropoli, shekulli i IV
Midis pemëve dhe shkurreve gjendet baza e akropolit, me muret e vjetra
fortifikuese, të cilat datojnë në shekullin VI para Krishtit.
Ky fund i akropolit është i hapur, me një kishë të
krishterë në qendër e rrethuar me pemë. Kjo është
ndërtesa më e vjetër e krishterë në Butrint.
Në disajn ajo shfaqet e ngjashme me kisha të tjera të ngritura
në Shqipëri të gjetur në Elbasan, Foenik dhe Bylis,
me çati të harkuar dhe dysheme mozaik. Ajo daton në gjysmën
e parë të shekullit të IV. Në Mesjetë ajo u rindërtua,
me përjashtim të kupolës së vogël në pjesën
jugore. Fundi më i largët i akropolit, kur venecianët dhe
turqit vendosën topat në pozicinet e mureve, shtrihet jashtë
mureve, në kopshtet përreth fortesës qendrore. Sapo kalon
akropolin dhe ngjitesh në kompleksin qendror të ndërtesës
mund ti gëzohesh parkut qendror.
Trashëgimia arkeologjike
Nga rrugicat, duke ecur nga kahu perëndimor, gjenden rrënojat
e një shtëpie të madhe romake që daton në shekullin
e 2-të viti i Krishtit. Qendra e tij ishte e hapur e shtruar me gurë,
me 12 shtylla të gurta që ngriheshin mbi një bazament.
Aty
pranë ndodhet edhe një teatër roman, i cili ngrihet në
pjesën shkëmbore të akropolit. 22 rreshtat me ndenjëse
kanë akomoduar 2000 njerëz. Shkallët e larta detyruan ndërtuesit
të mbështetnin anët e ndenjëseve me mure transverse,
edhe këto të mbështetura me mure të ndërmjetme,
duke i dhënë teatrit një formë kuadratike të
pazakontë për atë periudhë. Hyrja në ndërtesë
bëhej nga një korridor në secilën anë. Në
fillim të shekullit të 2-të u rindërtuan podiumi i
orkestrës dhe i skenës. Një numër statujash u gjend
në Butrint gjatë gërmimeve.
Disa nga statujat janë dy portrete kafshësh, një kokë
e Agripës, gjeneralit të Augusto-s, dhe më e rëndësishme
nga të gjitha është statuja klasike e quajtur Perënditë
e Butrinit, e cila sot ekspozohet në Muzeun Historik Kombëtar.
Mbi teatër ishte një tempull i shekullit të 2-të i
cili ishte i ndërtuar në mënyrë simultane me teatrin
dhe është integruar në themelet e tij. Brenda në themele
qëndronte një altar dhe dyshemeja ishte e mbuluar me mozaik
bardh e zi me forma gjeometrike.
Në anën e kundërt me kanalin, në kepin përmbi
det, gjendet fortesa e vogël e ngritur nga Ali Pasha në vitin
1807, për të mbrojtur anijet nga flota franceze. Në kohët
romake mendohet të ketë qenë një urë e vogël
që lidhte këtë kep me pjesën tjetër të tokës.
Plazhet e virgjëra janë fare afër
Kështu, pas një udhëtimi të gjatë nëpër
gojëdhëna e legjenda, në përfytyrime të paraardhësve
që jetonin, argëtoheshin dhe preheshin në këto bukuri,
ndokush mund të kërkojë pak shlodhje midis pemëve
aty afër, ose në rërën e nxehtë pak metra më
tutje. Hotele dhe lokale të ndryshme, ngritur vitet e fundit, ofrojnë
mundësi të shumta për pushime dhe i bëjnë ditët
në këtë vend ende të pa eksploruar, të këndshme
dhe të paharruara. Kuzhina italiane ndërthurret me atë
tradicionale shqiptare, duke ofruar më të mirën e detit
dhe kësaj toke të bekuar.
(spekter)
|
|
|